top of page

Forca filozofike e narrativit

Updated: Dec 12, 2021




Robert Martiko, shkrimtar

Forca filozofike e narrativit

Fatmir Terziu


Abstrakt


Romani „Përjetësi pa kohë“ (2021) i shkrimtarit Robert Martiko zbret në një kohë, hapësirë dhe vend filozofik, të formojë diskursin e civilizimit në territorin dhe hapësirën e pakohë të një kohe që bën sfidën narrative në pakohën e zgjedhur prej tij. Në këtë pakohësi është thelbi. Eleminimi dhe jo-ekzistenca. Fshirja dhe shtirja e një ekzistence. Shkrimi në një pakohë të tillë është vetë abstrakti i këtij civilizimi, si faza e zhvillimit dhe organizimit social dhe kulturor të njeriut, që konsiderohet më e avancuara.

Ky lloj civilizimi i prirur të destinohet në pakohën e romanit nuk është thjesht një shoqëri komplekse që karakterizohet nga zhvillimi urban, shtresimi social, një formë qeverisjeje dhe sisteme simbolike të komunikimit, por një civilizim që i mungon dëshira e qëndrueshme, apo dhe „konstante“, sikurse e quan autori, për të tërhequr mendimin intelektual shqiptar drejt asaj që nuk është foluar asgjë deri më sot, historikisht.

E ajo është një arsye më shumë në këtë diskurs ku mungon ndjeshmërisht forma dhe forca inspiruese e një „rilindje shpirtërore“ tek forma kolektive e kërkimit në shqip, pasi kjo sipas asaj që mendon autori „në Evropë“, u zgjua dhe u përfaqësua me „protagonistë filozofë si Augustini e Tomas Akuini, dhe nxorri shoqërinë nga Mesjeta.


Narrativi dhe udha e civilizimit


Në këtë pakohë udhën e bëjnë ngjarjet. Ngjarjet sfiliten nga karakteret, që anasjetas sfilisin dhe kohën në pakohën e saj. E kështu përveç ngjarjeve në diktaturë dhe sakrificën e skajshme të heroik kryesor, gjendet në roman edhe sekreti. Ky sekret rrjedh nga një mendim tejet i thukët i autorit, që shkon në skutat e errësirës shekullore të zhbirrojë faktin se “ndonëse njerëzimi ka origjinë të përbashkët nga xhungla“. E nëkëtë arsye shkon më tekj filozofia e shkrimtarit kur citon se „disa shoqeri rilindin shpirtërisht, ndërsa të tjerave, si Shqipëria, nuk iu ndahet në shekuj lufta Civile.“ Është ajo që shkrimtari me emër Niall Ferguson e quan në librin e tij mjaft të shitur „Perëndimi dhe pjesa tjetër“ (THE ËEST AND THE REST). Niall Ferguson argumenton se, duke filluar nga shekulli i pesëmbëdhjetë, Perëndimi zhvilloi gjashtë koncepte të reja të fuqishme që u mungonin pjesës tjetër: konkurrenca, shkenca, sundimi i ligjit, konsumizmi, mjekësia moderne dhe etika e punës. Këto ishin "aplikacionet vrasëse" që lejuan Perëndimin të kërcejë përpara pjesës tjetër, duke hapur rrugë tregtare globale, duke shfrytëzuar ligjet shkencore të zbuluara rishtazi, duke evoluar një sistem të qeverisjes përfaqësuese, më shumë se dyfishimin e jetëgjatësisë, duke lëshuar Revolucionin Industrial dhe duke përqafuar një etikë dinamike të punës. Qytetërimi, ose forma më e avancuar civilizimi, tregon se kjo bëri që më pak se një duzinë perandorie perëndimore arriti të kontrollonte më shumë se gjysmën e njerëzimit dhe katër të pestat e ekonomisë botërore. Ndaj dhe autori nuk dikton më kot se „në Perëndim e njohin këtë sekret vetëm profesorë të caktuar filozofie.“

Dhe çdo gjë e ka një fillim, një zhvillim dhe një fund. Me këtë shkojmë nmë tej në paralelen mes romanit të martikos dhe asaj që dikton Ferguson kur ky i fundit argumenton se „ditët e mbizotërimit perëndimor janë të numëruara, jo për shkak të përplasjeve me qytetërimet rivale, por thjesht sepse pjesa tjetër tani ka shkarkuar gjashtë aplikacionet vrasëse që dikur u monopolizuan nga perëndimi, ndërsa Perëndimi fjalë për fjalë ka humbur besimin në vetvete.“ Qytetërimi bën më shumë sesa tregon historinë magjepsëse të ngritjes së ngadaltë dhe rënies së papritur të Perëndimit; ai gjithashtu shpjegon historinë botërore me guxim, qartësi dhe zgjuarsi. E diskutueshme, por bindëse dhe bindëse, Civilization është Ferguson në më të mirën e tij. Po këtë zgjim dhe vëmendje të domosdoshme e bën dhe narrativi i „Përjetësi pa kohë“, ku Martiko ndjen forcën e brendshme dhe ndikuar nga njohuritë e gjëra të tij të shtjellojë bukur.

Ndërsa rikthehemi tek paralelja ndikuese, natyrshëm kërkojmë të rimarrim thelbin tek narrativi dhe fatura e mbizotërimit global të qytetërimit perëndimor. Rritja e mbizotërimit global të qytetërimit perëndimor është fenomeni i vetëm historik më i rëndësishëm i pesëqind viteve të fundit. Në të gjithë botën, një pjesë e habitshme e njerëzve tani punojnë për kompani të stilit perëndimor, studiojnë në universitete të stilit perëndimor, votojnë për qeveritë e stilit perëndimor, marrin ilaçe perëndimore, veshin rroba perëndimore dhe madje punojnë me orë perëndimore. Kjo ndodh tashmë dhe në Shqipëri, ndodh dhe në mjedisin rus, ku autori ndalet me një intuitë të madhe. Me këtë Martiko shton se jo më kot „Zgjodha Rusinë për të trajtuar problemin pasi është një mushkëri shumë e madhe.“ Megjithatë, gjashtëqind vjet më parë, mbretëritë e vogla të Evropës Perëndimore dukeshin të pamundura për të arritur shumë më tepër sesa një luftë e përhershme e brendshme. Ishte Kina Ming apo Turqia Osmane që kishte pamjen e qytetërimeve botërore. Si i kapërceu Perëndimi rivalët e tij lindorë? Dhe a ka kaluar tani zeniti i fuqisë perëndimore? Ndërsa këto pyetje janë në një narrativ të shumëshitur dhe të një autori të pëlqyer, pjesa tjetër ngjashëm shkon apriori përshtashëm tek romani i Martikos, që sfidon kështu mjaft dhe sjell faktorin kohë tëperceptohet që nga fillimi i një shkrimi të tillë mjaft tërheqës që në fillim: „Sot është ditë e shtunë, 5 nëntor i vitit 1932. Pas dy ditësh, në Sheshin e Kuq, do të zhvillohet parada e fitores së Revolucionit të Tetorit. Po sot, Nadjezhda Allilujeva do të vijë në shtëpinë tonë. Ajo është gruaja e burrit më të fuqishëm në Bashkimin Sovjetik, Josif Visarionoviç Jugashvilit, Sekretar i Përgjithshëm i partisë bolshevike, i mbiquajtur Stalin. Kjo fjalë, në gjuhën ruse, ka kuptimin çelik. Vizita e Nadjas, për të ardhmen e familjes sonë, nuk është gjë e paktë.“


Protagonisti i enigmës së errësirës


E pothuajse në tërë udhën narrative të romanit Stalin i kalon qindra e qindra risjellje në leximin e emrit, edhe kur shpërthen në gjuhë tjetër „comme un beau diable“ (si një djall i pashëm) edhe kundër Andrej Andrejevit, burrit të Dora Kazanit“, edhe kur emri i tij i sajuar përshtashëm do të thotë çelik, edhe kur „Koba“ është një tjetër emër përkëdhelës për Stalinin“. Stalini në narrativ është boshti ku kuptohet zbrazja dhe mbushja e burgjeve, kur del në skenë një fjalë e tillë si „amnisti“ është po aq dhe thelbi i dinastisë së tij të pashkulshme, kur thuhet se të rrëzosh atë është njësoj sikur të kërkosh „zbritjen e Krishtit në tokë, Apokalipsin e Shën Gjonit, për të përmbysur Stalinin!“. E nëse hekuri dhe çeliku kanë një emërtesë të dukshme vetëm për Stalinin, autori e depërton më tej thelbin e tij me narrativin, kur shkruan se „- Hekuri dhe çeliku nuk kanë lidhje vetëm me personin e Stalinit, por dhe me tre persona të tjerë. - Molotov domethënë çekan. Kaganoviçin e thërrasin me përkëdheli Llazari i Hekurt. Personi i tretë, që ka lidhje me metalin e fortë, është Ljudmilla Stal: një nga dashnoret e shumta të Stalinit. Pikërisht nga kjo e grabiti nofkën.“

Dhe enigma e errësirës vazhdon. Autori e sjell në dritë se në vend të parasë jepen dekorata, e kështu rubla bëhet një arsye më shumë për të treguar se letrat e tilla, kartonët e pavlerë të dekoratave janë në fryrjen masive të kultit. Ky kult arrogant i Stalinit duket dhe kur shfaqen fakte të tilla „Stalini, me një anëshkrim të madh, që arrinte nga një cep i letrës në tjetrin, firmosi për të dekoruarit duke bërë shënimin: “Le të marrin edhe këta mutër urdhrin e Leninit!”. Ndaj me një errësirë të tillë kuptohet qartë pse autori kërkon të theksojë „miqtë e Stalinit dhe të afërmit e tyre, janë emëruar në postet më të lartë të Bashkimit Sovjetik.“ Romani bën një radiografi të imët dhe sqaron më tej se të gjithë këta miq janë natyrshëm pjesë e kësaj llustre, që shpërndan vetëm errësirë. E kjo errësirë në mënyrë filozofike shkon me faktorin e lirisë, burgjeve, vrasjeve, sheshit të pushkatimeve e mjaft e mjaft arsyeve të tjera që lidhen e stërlidhen me protagonistin Stalin. Errësira është e dukshme në zgërdëllimin e syve që kapin gratë e shoku-shukut, në intrigat dhe mezetë e tryezave, në kërcimin e Lezgingës, në zbrazjen eshisheve „Moska e Kuqe“, në muzikën dhe në yshtjen e saj, në përplasjet e duarve nga Polina, Kujbishevi, Voroshillovi, Ekaterina, Andrejevi, Dora, Kaganoviçi, Maria, gjenerali Jegorov, Galja, Artjomi, Vasili, fëmijët e Mikojanit dhe mjaft të tjerë, edhe në vetë buzëqeshjen arrogante të Stalinit, e dukshme është tek flirtet (Stalini ka pasur marrëdhënie dashurore me vjehrrën, nënën e Nadjes), rrahjet, goditjet, vrasjet, qasjet e kriminelit, e mëtej kur „për shpirtrat e ngritur në qiell me dhunë, kuptohet që kurrë nuk bëhet fjalë në kongrese, me pjesëmarrje qeniesh të verbra, të kësaj natyre... Xhelatëve zor se u bie ndërmend për viktimat.“


Kur flitet për vrasjet mjafton të shkëpusim „Akuza për Stalinin si vrasës i Kirovit ishte akoma më tmerr nga vetëvrasja e Nadjes. Mllefi, urrejtja, fjalët fyese për figurën e Vozhdit ishin me të vërtetë skandaloze: amoral, incestar, kriminel, krahë-thyer, kobër, mi muresh... Lenini i Madh vihej në një peshore me Rasputinin. Sipas Serzhit, ata nuk ishin veç dy intrigantë që u shfaqen në Rusi nga asgjëja. Aristokratët e ndërgjegjes, të paktët, të veçantët, të rrallët, qenkan më të lartë nga heronjtë të cilët, kur mbijetojnë, kthehen të gjithë në spiunë! Midis njëmijë e një gjërash të kësaj natyre, Igor Gruzinski parashikonte se Stalini do të vriste gjysmën e delegateve të kongresit XVIII.“

Natyrshëm kur „Stalini merr fjalën, duartrokitje të stërzgjatura, me urra të forta, shoqërojnë njëra-tjetrën, si dallgë të furishme, që përplasen në një breg me guva shkëmbore. Poskrebishevi e Kaganoviçi janë të zgjedhurit e Byrosë për organizimin me sukses të propagandës. Të gjithë ata që marrin fjalën, sa herë marrin frymë, nxjerrin një gënjeshtër nga goja. Në sallë, persona me zë të fortë, hedhin herë pas here parulla. Dëgjohet, më shumë nga të gjitha: Jetë të gjatë Stalinit tonë! Dhe pastaj koha në pakohë shkon të emetojë „Kongresi do të zgjasë dy javë.“ E më ndjeshëm kjo kohë e pakohë vetëkuptohet si e tillë kur në faqet e romanit lexon: „Sa herë flet për jetën e lumtur, paraqitet tmerrësisht i skandalizuar kur thotë se armiqtë e popullit bëjnë përpjekje të çmendura, për të shkatërruar me çdo kusht parajsën e Stalinit, këtij udhëheqësi të jashtëzakonshëm, që tradhtarët e pabesë të revolucionit, dëshirojnë t’i marrin jetën e çmuar.“


Diskursi i errësirës


Edhe ëndrra ka një metim në diskursin e kësaj errësire që vjen nga forma e zhdërvjellët e qytetërimit. Civilizimi kërkon të shpjegohet në këtë forcë narrative mes asaj që shkon në dritën e duhur: „Më zuri gjumi duke menduar se, ndoshta, ditën tjetër, fjalori francez do të më ndihmonte sadopak, për të sqaruar fjalët e vështira që prindërit e mi përdorën në bisedë: Profetë, Apokalips, Bizant, Justinian, Krishterim, Shkolla e Athinës. Pashë në ëndërr peshq të kuq, duke u përpjekur të zinin miqësi me alga nënujore, që lëkundeshin në harmoni të plotë me valët e qeta të një deti të panjohur.“ Ëndrra zhbirron më tej në roman „Fshatra të shumtë, të boshatisur, kanë marrë pamje të shkretë, sikur të ketë rënë kolera. Kushedi nëse dikush i ka drejtuar vetes pyetjen, nëse jeta e lirë, e qetë, pa kokëçarje, ka pasë ekzistuar ndonjëherë më parë, në të kaluarën. Nëse ky lloj përjetimi i çuditshëm është i vërtetë apo ëndërr e pazakontë, hipnozë pa kthim, dërguar nga qielli në tokë prej ndonjë lloj Zoti të padukshëm, me natyrë magjistare.“

Edhe përtej gjumit të rrënduar nga qepallat tipologjia e ëndrrës të rrëmben për të kuptuar tërë këtë diskurs të kësaj kohe të pakohë „Ëndërrova, në gjumë, dallgë në stuhi, teksa rrahin shkëmbinj të thepisur dhe guva, në bregdetin e Marsejës. Pastaj ujëra të qeta, të kthjellëta, me një kaltërsi marramendëse, si ato që ndihmuan Edmond Dantesin, pasi çau thesin me thikë, të notonte drejt udhës se lirisë nga kështjella-burg e ishullit të vogël të Ifës... Shkrimtari Osip Mandelshtam, me origjinë hebreje, ende qarkullon i lirë në rrugët e Moskës. Po thuhet se orët i ka të numëruara, deri sa ta arrestojnë...“ e kështu ndoshta pas shumë e shumë kapjeve të ëndrrës në diskursin e vetë narrativ ajo që kuptohet qartë është ikja, mendimi për lirinë, për një jetë tjetër, „Për çudi, brenda vetes ndiej se, edhe pse kaq e paarritshme dhe e largët, Marseja ka ende vlerë për mua. Nuk ka vende më të mahnitshme e më të dashura se ato që ëndërrojmë në errësirë...“ E më tej, fare më saktë kuptojmë nga goja e narrativit se „Kur rashë për të fjetur, m’u bë në ëndërr sikur diku, në brigjet e detit të Zi, ngjitesha në ca shkëmbinj të lartë. Kapesha pas tyre me qëllim për të arritur deri në majë. Ndërkohë, hyja në ca guva malore jo shumë të thella, që më nxirrnin përsëri në vendin e parë, nga ku isha nisur. Nuk e humbisja rrugën në labirintin e errët malor. Mund të më vinte si pasojë e optimizmit të tim ati. Thotë, në ndonjë rast, se neve Perëndia nuk do të na humbasë...“ Ëndrrat si forma diskurse të zë zezës pështjellëse, shihen kur dikush është i burgosur, shihen në mendime e në logjikën e këshillës në ëndërr, në vizitën e ëndërruar diku, diku është një ëndërr e bukur e një nate vere me yje shpresash të drithëruara në qiell, për botën e ëndërruar matanë kufijve të mbyllur, sikurse bën Raisa e të tjerë e të tjerë.


Përtej ëndrrës është e zeza


Krahas ëndrrës është e zeza, që shfaqet me doreza të zeza, dërrasën e zezë, aty ku shkruhet emri i Raisës, mbi një rezervuar me ujëra të zeza, me re të zeza dhe matanë reve të zeza, pallton e zezë, flokë të zeza, mace të zezë, propagandë të zezë, mustaqet e zeza, pëlhura e zezë gjermane, çizmet e zeza, furnalta të zeza, një palë vetulla të zeza, sorrën e zezë, bukë të zezë, dhe më tej kur autori na shfaq se „Gazetarë, të pajisur më leje të posaçme nga policia sekrete, ndriçojnë pa pushim kufomën. Në dekor mbizotëron e kuqja dhe e zeza. Janë dy ngjyra që i pëlqejnë edhe nazistët.“

Duke parë përdorimin e matur, por të domosdoshëm të ngjyrës, ngjyrimeve, dhe faktorëve të përqëndruar tek ngjyra e zezë, e bëjënë këtë narrativë të shkojë ngjashëm me realizimet e bukura të fiksionit gotik. Fiksioni gotik, i quajtur ndonjëherë horror gotik në shekullin e 20-të, është një zhanër i letërsisë dhe filmit që mbulon tmerrin, vdekjen dhe ndonjëherë edhe romancën. E zeza në këtë roman, është pra gjithashtu një ngjyrë e përdorur njësoj si në në letërsinë gotike për të simbolizuar të keqen, vdekjen, fuqinë, misterin dhe frikën. E zeza këtu ndoshta dhe me afërsinë e diskursit të saj mer dhe kap gjithashtu konotacione të ndryshme, veçanërisht në kontekstin e protagonistit Stalin, dhe kur kombinohet me të kuqe ose kashtisje ngjyrimesh të jep faktin se ajo mund të krijojë një skemë ngjyrash shumë agresive.

Natyrisht të gjitha këto janë një pjesë e asaj që sfidohet nga vetë termi kuptimplotë i civilizimit. Sikurse të dhënat për protagonistin, karakteret e zymta, ngjyrat dhe ngjyrimet, ëndrrat e zymtësisë dhe të së zezës, kanë një kapje të thjeshtë dhe tejet domethënëse në narrativ: „Të jesh kundër civilizimit evropian do të thotë të jesh kundër vetë Kohës.“ Prandaj dhe Martiko e përzgjedh këtë dhe kur citon se „Këtë aspironte dikur edhe filozofi Vladimir Soloviov, ai karakter i bukur, i jashtëzakonshëm rusi, që, një mbrëmje me ngricë, në Petërburg, i dha pallton një cigani dhe, për pasojë, vdiq nga pneumonia.“ Në këtë pikë të arsyes së civilizimit, paralelja e lartcituar me librin e filozofik të Ferguson shkon thuajse tepër arsyeshëm me „temat e Bizantit“ rreth të cilave shtjellon dhe pikëtakon jo rastëishëm dhe Martiko. E kuptojmë arsyen e një paragrafi sqarues, që natyrshëm i jep forcë diskursive këtij mesazhi të qartë filozofik, ku Martiko me një stil të ndjeshëm, me një të shkruar mjaft fine, kërkon të bëjë e të ribëjë të njohur faktorë të tillë mjaft të domosdoshëm.

Ja si shkruan autori: „Rusët morën nga Bizanti besimin fetar, pa pasur kulturë të mëparshme. Megjithatë, çfarë rëndësie ka kjo! Qytetërimi i Athinës së lashtë është më madhështori i shfaqur ndonjëherë në rruzullin e dheut. Megjithatë grekët janë trashëgimtarët më të këqij në botë. Njësoj si rusët dhe francezët, energjia e tyre shpërthen në luftë me vetëmohim kundër armiqve të jashtëm. Sapo mbaron lufta, nisin të vrasin njëri-tjetrin. Mbushin me kufoma, deri në majë, puse të thellë. Nga gjithë popujt e Ballkanit qenë pikërisht grekët të parët, që filluan të dëbojnë turqit. Sllavët e bullgarët u ngritën në luftë menjëherë pas tyre. Porsa grekët fitojnë lirinë, nisin luftën civile. Të njëjtën gjë, veçse në trajtë të qindfishuar, bëjmë dhe ne. Miliona janë vrarë në fare pak vite, vetëm në Ukrainë. Vjen nga mungesa e logjikës së Platonit e Aristotelit në Hyjnoren qiellore me origjinë bizantine.”


Konkluzion


E ndërsa e kupton formën më të avancuar që rusët e kanë përfituar nga qytetërimi, jo më kot autori në këtë kohë të pakohë, një formë përjetësie në pakohë, gjen forcën të theksojë se ndërsa e përfytyruan dhe e përfituan këtë qytetërim “në Rusi, duan ta zhdukin nga faqja e dheut”. Dhe kjo dihet sipas Martikos se “Qytetërimi e kultura evropiane u ngrit në një nivel të lartë, pikërisht në saj të mendimit të individëve jo të zakonshëm, si Sokrati.”

Kështu romani „Përjetësi pa kohë“ (2021) i shkrimtarit Robert Martiko duket se ka një hapësirë të nollshme narrative ku pakoha shkon relativisht në aspekte dhe aspektualitet mjaft domethënëse filozofike, të domosdoshme dhe të munguar në letërsinë shqiptare, ku drejtimi logjik dhe trajtesa e tillë shpjegon qartë atë që studiuesi Cécile Fabre tek studimi i tij “Lufta kozmopolitane” (2012), ku ai i drejtohet rasteve kur të drejtat e individëve shkelen nga vetë regjimi i viktimave, me fjalë të tjera, në luftërat civile, që Martiko e quan të keqen e pashtjelluar më parë për këtë mangësi që i shkon plagë edhe vetë Perëndimit të sotëm.

Duke ditur se luftërat civile, të cilat, rastësisht, anashkalohen vazhdimisht në literaturën filozofike, në këtë kontekst Martiko ka pasur sqimën e tij të talentit që e shoqëron ta trajtojë dhe ta bëjë fakt dhe argument me këtë roman, që duhet të lexohet më gjerë.

251 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page