FLETËZA NGA DITARI I PËRZHITUR (6)
MALTERTIMI NGA MILICIA SERBE DHE
MJESHTRIA E FSHEHEJS SË KRIMIT
Nga Sinan GASHI
Është ditë e nxehtë e 15 gushtit 1993, kur të gjithë njerëzit nuk mund e duronin as xhemperin e hollë, por vetëm këmishët me krah të shkurtër, ngjyrash të ndryshme, dhe pantollona po ashtu të hollë, kryesisht me ngjyrë o të bardhë o aty afër.
Edhe unë isha i veshur sipas gustos së stinës. Kishim lënë takim në qytezën e Gllogovcit, si çdo mesdite tjetër, për të biseduar lidhur me aktivitetet tona politike me kryetarin e LDK-së dega në Gllogovc, Mehdi Bardhin, sektar i së cilës isha unë, rangimi i dytë për nga rëndësia aso kohe.
E mbarova detyrën e ndërresës së parë në gjimnazin “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu”, drejtori i të cilit isha, dhe u nisa më këmbë deri në afërsi të shkollës fillore “Bashkimi”, kur edhe e hasa kryetarin. Ishim duke shkëmbyer biseda rutinore, me pyetje për shëndetin, orët e kaluara e tjerë, kur vjen pran nesh edhe një kolegë i gjimnazit, Tafil Qorri, i biolog. Edhe ai nisi me të rëndomtat, duke e lyer muhabetin edhe me ndonjë fije humori, si “ku jeni ju shefa”, “kur do na sillni pavarësinë”, e tjerë. Ne ishin afër njëri tjetrit, kur në drejtim të komunës parakaloi një veturë e milicisë, e cila na bëri përshtypje me shpejtësinë e saj, mbase më kanë kërkuar mua, mendova unë, pasi që me kishin marrë në pyetje informative për pesë herë, kryesisht për shkollën, mësimin, plan-programet, që nuk ishin sipas ministrisë së Arsimit të Serbisë, e tjerë. Madje, një zyrtare e pushtetin të dhunshëm, Gordana Noga, mësuese e gjuhës serbokroate në Komoran deri atëherë, kishte kërkuar që të hapja paralele me mësim në serbisht, paçka se në këtë komunë ishim 100% shqiptarë. Se ato ishin provokime dhe se ata kërkonin shkas për ndonjë të pabërë, kjo veç shihej e ndihej.
Edhe pse na tërhoqi vërejtjen për një çast, ne vijuam me vazhdimësinë e bisedës, pa e pasur vëmendjen tek ata. Pa një pa dy, ajo makina, mbase pasi na kanë parë në retrovizor, është kthyer prapa dhe është ndalur me shpejtësi pranë nesh. Në çast, me një shpejtësi që ta dikton vetëm një parapërgatitje e keqe qëllimisht më parë, tre milicë dolën vringthi dhe, pa thënë asnjë fjalë, njëri nga ata që e quanin ‘bugari’, në bazë të nacionalitetit të tij, ia futi një grusht të fortë Mehdiut në mjekërr, ku reflektohej urrejtja dhe një mllef që vështirë t’i gjendet filli. Duke mos qenë i përqendruar asfare dhe nga një dhimbje e madhe, ngase goja i pikonte gjak nga lëvizja e një proteze dhëmbësh, e vendosur në mënyrë klasike me fije teli të fortë, ia kishte gërvishtur gingivën. Ai për një çast sikur e humbi drejtpeshimin dhe, që të mos rrëzohej, instinktivisht bëri një lëvizje gjysmërrethore, prej nga e preku me majat e gishtave të njërës dore në faqe milicin. Ai u acarua edhe më shumë dhe me të shara, dy të tjerët e hedhën me dhunë në ulësen e fundit të makinës. Unë dhe Tafili mbeten si mumie. Po sa e vërvitën atë në makinë, na kapen edhe neve për krahu dhe na vendosen pranë Mehdiut, ku, me një ndrydhje bëri vend edhe njëri nga milicët, i cili deri në stacionin e milicisë e grushtonte Mehdiun, me sa ia lejonte hapësira e ngushtë. Aty na zbriten. Mehdiun, që ishte njëkohësisht edhe deputet i LDK-së në legjislacionin e parë, si edhe unë, për zonë e Gllogovcit, e dërguan në katin e dytë, ndërsa mua dhe Tafilit na thanë që të legjitimohemi me letërnjoftime tek personeli anash korridorit. Deri sa na prisnim aty, zbritën poshtë ata tre milicin e aksionit, njërin e kishin mbërthyer për krihesh deri sa e futën në një dhomë aty për karshi. Unë e kisha me vete çantën tip koferi, ku kisha shënime e materiale për shkollën. Pas pak ka dal si i çartur njëri nga policët, ‘bugari’ skizofren dhe me maje të këpucës me ka drejtuar shqelmin mu në hapësirën mes këmbëve, ku thuhet se është vend i ndjeshëm sa mund të të lejë të pa frymë. Fati im qe çanta që e mbaja para ku edhe përfundoi forca e shqelmit, sa që e hapi atë dhe në korridor u shpërndanë fletëza të ndryshme të punës. Njëra nga ato kishte lista e punëtorëve të gjimnazit, sipas radhës, ku shënohej edhe një kompensim prej 30 markave gjermane, që u jepej sa për udhëtim deri në shkollë. Ajo në fund kishte edhe vulën me Republika e Kosovës dhe nënshkrimin tim prej drejtori. ‘Bugari’ rrëmbeu me shpejtësi listat dhe bërtiti thekshëm serbisht: ‘A këta janë milicët e juaj, he nënën.... shqiptare!’, duke drejtuar shikimin nga unë. Jo,.i thashë, duke u munduar të ruaj gjakftohtësinë, këta janë profesorët e gjimnazit ku punoi unë. Ai ma zgjati listën dhe duke e futur në çantë, ai u drejtua rrëmbimthi kah unë dhe ma futi një grusht të forta sa ma futi xhamin e syzeve në arkadë në syrin e djathtë, që më fluturuan sa andej për tokë. Gjaku vrushkull rrëshqiste poshtë faqes duke u mpiksur, sa m’i mbylli qepallat. Stërkalat e gjakut u shpërndanë edhe nëpër këmishën e bardhë, e disa pika në pantallona, që shpejt u shpërndarë si lulëkuqe, ndërsa që syri u mbyll nga gjaku, e qepallat nuk mund të hapeshin më. U kërrusa me një ndrydhje te madhe në vete nga dhimbja prej plagës dhe, si dredhavt, e vendosa xhamin ne kornizën e saj.
Nuk kaloi disa minuta kur policët dolën nga ajo dhoma, me milicin në mes, duke e mbajtur për krahësh, i cili mbante kokën ulur dhe nga hunda e mavijosur i shkonte gjaku skurrë. ‘Shikoni si na keni sulmuar he anën e kriminelëve...’, - dolën duke sharë dhe u futën në një autoambulancë. Thanë se ai i rrahuri nga vetë ata ishte një serb nga Fushë Kosova, që patrulla e tyre e përdorte vendasin për t’ua treguar terrenet, njerëzit dhe, ngase dinte edhe shqip, ishte njëkohësisht edhe përkthyes i ndonjë bisede qe mund të bëhej në kurriz të këtyre. Pra ai ishte mish për top, siç i thonë fjalës.
Tashti një polic, kujdestar më sa duket, nuk më tha që të pastroja gjakun në tualet, por mori një bokall me ujë dhe me urdhëroi që t’i laja sytë në parahyrje të stacionit, në mënyrë që qytetarët që ishin indinjuar nga ai lajm i keq, që rrinin përkarshi nga 70 metra largësi, edhe ky veprim të reflektonte propagandë dhe frikë, sipas tyre. Në një anë të qonin mesazhin se forca serbe nuk ndien për deputetët e Republikës së juaj, se ne jemi më të fortë e ju nuk keni çfarë të bëni, ne mos edhe ejani nëse keni çfarë të na bëni!
Mehdiun e zbritën nga kati i epërm dhe, që të treve, në të njëjtën kohë, me autoburg, na dërguan në stacionin qendror milicor në Prishtinë, B92. Edhe aty ishte korridori hyrës, ku duhet të legjitimohemi sërish dhe të prisnim. Mehdiun menjëherë e dërguan në katin e dytë, ndërsa mua e Tafilit na urdhëruan që të kthenim kurrizin korridorit, të afrohemi nga muri dhe, me qëndrim në një këmbë dhe me duar të ngritura lart, të mos lëviznim për asnjë çast. Ashtu, në një gjendje rraskapitëse ishte jo e lehtë te qëndronim për orë, ndërsa që secili që hynte e dilte nga milicët, na fuste nga një shqelm e një grushtim të përcjella me një sharje të pistë, që vetëm kultura e tyre e prodhon.
Në zyrën që ishte në të djathtë të korridorit, me ftuan të hyja brenda. Isha i lodhur, i uritur dhe nën presionin e dhunës dhe dhembjes së kokës nga qarja e vetullës.
Më urdhëroi një nëpunës në dukje, që të ulëm përball tij. “Hajde, më ha, trego si ka ndodhur ngjarja, pse keni sulmuare patrullën e milicisë, banda e juaj atje?” Unë, domsodoshmërisht nisa me një belbëzim, se edhe fjalët serbisht nuk me lidheshim mirë, të rrëfej ngjarjen pa ndryshuar asgjë. Ai më shikoi me cinizëm përzier me urrejtje, si duket pa e pasur mendjen tek fjalët që thosha dhe, papritmas ma futi një grusht të fortë sa unë, pa e menduar atë sjellje, rashë me gjithë karrige në kokërr të shpinës. “Ngritu idiot!”, u çirr ai. U ula sërish përball tij. Tashti ai nuk më lindte të flisja, fliste vetë.
“Ju doni të na luftoni, ta bëni Kosovën republikë. Po ju s’kemi asgjë more pisa, na kemi forcën ushtarake sa ju bëjmë shkrumb e hi. Në maje të Goleshit kemi murtajat, armatimin dhe vëzhgimin sa ju shfarosim o të mjerë. Kur ju ndihmon juve? Amerika kujtoni!. Po deri sa të vjen Amerika, ju nuk jeni fare të gjallë, he nënën shqiptare ua ... !”
Posa e mbaroi kërcënimin, u futën dy njerëz të mëdhenj si orangutana, me një fizik tej normales dhe pa ndjenja fare. Ata e dinin pse i kishte sinjalizuar zyrtari. Nisëm menjëherë me maltretime, në forma të ndryshme. Dikur me tha shtriju në dyanshëmve në shpinë dhe zbathu këpucët. Ai më çizmet e rënda me shkeli në gjunjë, dhe nisi të më fshikullonte me shufër gome shputave pa ndërprerë. Unë, normalisht lëshoja zëra të mbytura, sepse mundohesha të tregohesha i pathyeshëm para tyre, por kot. Dhimbjet ishin të rënda. Kur e kreu rundin me urdhëroi të mbathem dhe të ngritëm në këmbë. Menjëherë aty e sollën Mendiun, që e kishin ‘kaqkavitë”, që reflektohej nga pamja dhe gjendja emocionale. Për të na nënçmuar e nënvlerësuar para njëri-tjetrit, atë e urdhëruare që t’i vendoste duart në syprinën e tavolinës. Polici i mëshonte gradualisht me shufër gome gishtërinjve, që krijonte një dhimbje të natyrës tjetër, sa durimi ishte i pamundshëm. Pas këtij akti dhe e provokimi, Mehdiun sërish e nxorën jashtë dhe më nuk e kemi parë.
Me mua vazhdoi raundi tjetër, me stil të ‘lehtë’. Më tha që të vendor dy duart mbi një dollap që ishte aty dhe, ai mjeshtri i dhunës, nisi të më fshikullojë me një si thupër, hiq më trash se gishti i dorës, por i gdhendur me katër tehe si thika. Njëherësh mendova se pas dy-tri fshikullimeve do të thyhej ajo dhe kaq, por ndodhi krejt e kundërta. Ai më mëshonte e ajo, jo vetëm që nuk thyhej, por mbështillej pas trupit tim sipas konfiguracionit, sa më digjte sikur të më prente gradualisht me teh thike. Kështu vijoi për disa kohë, duke me mëshuar që nga qafa e deri te pulpat e këmbëve. E ndjeja që lëkura po me fryhej me hematoma gjithandej. Pasi e kreu seancën, me urdhëroi të dalë në korridor dhe e ftoi Tafilin . Asnjëherë nuk e kam pyetur për torturat, por ai mbase do ta kishte më të lehtë, se ne të dy ishim therrë në sy të pushtetit, se ishim dhe udhëheqës të një politike të re, e cila kishte synime për formimin e një shtet të ri demokratik.
Tashti një tjetër civil me urdhëroi të shkoi në katin e dytë, tek një tjetër hetues.
Nga gjithë ajo gjendje fizike dhe emocionale, më ishte kapur goja për një pikë ujë. Më bëhej se buzët me rëndonin si qysh më keq. Eca pas tij dhe, në korridor parakaloi një udbash civil, me një revole lidh me një krahosh nën sqetull, i cili më tha: ”A, lart paske ardhur, drejtor!” Tek më vonë kujtesa ma sjelli ai tip që kishte ardhur me një zyrtar nga Nishi në zyrën time për ta mbyllur gjimnazin që ,natyrisht, nuk e pranova.
Edhe ky tashti nisi me kërkesën për shpjegimin se si ndodhi ngjarja, por me një ton paksa më të butë. Ata e dinin se veprimin dhunues që kishin bërë, ishte në kundërshtim me çdo ligj për liritë elementare njerëzore, dhe se ishte në kundërshtim edhe me ligjet e tyre që i kishin në fuqi.
Endu e çendu, korridoreve, erdhi ora 23,00 e natës, kur na i dhanë letërnjoftimet dhe na përcollën deri te dera me ‘hajt, theni qafën’!.
Ishte gjendje shtetrrethimi. Askush nuk lëvizte e madje edhe ishte mesi i natës. Ku të shkojmë, kur rojet edhe mund të na qëllonin, se nuk kishin asnjë dëshmi se na kishte marrë. I propozova Tafilit që të shkojmë në Breg të Diellit, te shtëpia e Isa Mjekut, një profesorit të gjeografisë që punonte në gjimnazin tonë. Arritëm duke shikuar anash e ecur hijeve të shtëpive, sa mbërritëm në oborrin e tij, me dyer të improvizuara. Para derës së shtëpisë e kishte në pemë të madhe, nën të cilin ishte një karrige parku.
U afrova te dera dhe i radhë ziles. Nuk vonoi fare kur Isai zbriti dhe, me emocionin kolegjial e bujar, tha ‘Hajde drejtor!’, por iu ndal fjala në gjysmë kur më pa të përgjakur. ‘A fatkeqësi komunikacioni, a?’
Isa, ia ktheva pa hyrje, unë dhe Tafili që është aty, na ka maltretuar milicia serbe që nga mesdita. Tashti unë duhet të shkoj në shtëpi sonte, patjetër. Prindërit bëhen merak tejmase, veçanërisht nëna që, e di vet si m’ka.
Ai, pasi lëshoi një ofshamë të lehtë, sqaroi se e ka veturën të paregjistruar ka një vit dhe, për dreq, nuk ka asnjë pikë benzine. Benzina ishte e mangët, sa e tregtonin me shishe të cocacoles. Uli kokën mendueshëm dhe, pasi lëshoi ofshamën e radhës, u fyt brenda dhe, pas pak, zbriti shkallet i veshur për udhë. Doli të komshiu Sylejman Meta nga Krojmiri i Drenicës, e huazoi pak benzinë dhe, ne të dy u ulëm prapa e ai voziste. Shtëpinë ma dinte, se kishte qenë disa herë në vizita kolegjiale. Kur lëvizi për disa kilometra, diku afër Fushë Kosovës, i thashë:
‘Isa, nëse na ndalon milicia, ti mos rreziko asgjë për ne. Thuaj se po shkoj tek një motër në Pejë që është e sëmurë, ndërsa për ne thuaj se i gjeta rrugës duke ecur dhe me erdhi keq t’i lija natën ashtu, dhe i mora. Ti nuk na njeh fare, kuptove!’
Nga frika e të papriturave, i kisha harruar dhembjet e trupit, e në veçanti syrin e verbuar, pas këputjes së retinës, siç u konstatua më vonë nga mjekët.
Rruga në drejtim të Pejës aso kohe ishte pothuaj e zbrazët. Arritëm në kryqëzimin e rrugës në Komoran. Ora ishte afër 12 - tës. Aty ishte krijuar një postbllok i milicisë serbe, i cili kontrollonte çdo lëvizje dhe maltretonte udhëtarët vazhdimisht. Madje kishin vënë edhe ndriçim anash rrugës, për mos t’ju shpëtuar asgjë nga të katër drejtimet.
Milici na ndaloi dhe kërkoi fillimisht dokumentet e shoferit, pastaj hapi derën e prapme, duke na lëshuar një sy baterie si reflektor. Te unë dalloheshin njollat e gjakut në këmishë.
“Aaa, ju jeni ata trimat e bandës, ë?”, - pyeti ai me një nënqeshje përbuzëse. Sërish u kthye te Isai, duke i kërkuar llogari për udhëtimin kaq të vonë, pastaj për praninë tonë aty, e tjerë. Ai, gjakftohtë, i rrëfeu ashtu siç ishim marrë vesh...
Nga kahja e Gllogocit, e kishin ndalur një traktor tip Rakovica, me një rimorkio përplot thasë mielli. Atë e kishte ndaluar një milic tjetër dhe i kërkonte diçka me zë të çjerrë. Ai belbëzonte, por hetohej se nuk e dinte gjuhën e tyre dhe sikur fliste copëra fjalësh përçartë. Ajo, më sa dukej, e bëri edhe më të egër milicin, sa që i ra një grusht të fortë, sa djaloshi i papërvojë rrëshqiti dhe u plandos përmbys në asfalt, sikur të ishte i pashpirt.
Milici që merrej me ne, si duket ishte më përgjegjës, u frikësuar për situatën dhe, duke ia hedhur Isait dokumentet në fytyrë, shau fëlliqtë dhe ‘Ikni!’ tha, duke ecur me të shpejtë kah traktoristi.
Tëfilluam rrugën të liruar nga ankthi, deri sa Isai i lehtësuar për veprimin sakrifikues njerëzor, më dorëzoi para derës së oborrit, kurse me të shpejtë ktheu makinën për ta dorëzuar edhe Tafilin në Gllogovc.
Në shtëpinë time ishin mbledhur pothuaj e tërë lagjja, ku hetohej një shqetësim dhe dhimbje për mua.
Pasi u shpërndanë, babai më tregoi se televizioni e kishte dhënë lajmin se na ka sulmuar një bandë shqiptarësh prej tre vetash në Drenicë, duke e ilustruar me fytyrën e një milici me hundë të mavijosur dhe të lidhur me gazbeze.
“Kjo është loja e ndyrë e tyre përherë, biro! Vetë bëjnë krime dhe pastaj i maskojnë me teatralitet fallco, që forca e medias dhe pushtetit i legjitimon... Kështu më duket se ka ndodhur edhe me arsimtarin atdhetar nga Gjakova, Haki Taha, që ia lanë krimin në dorë, vrasjen e Miladin Popoviqit, si pretekst për tu yshtur në forma të ndryshme ndaj shqiptarëve. Mbrojtje kishin se na shqiptarët e vramë njeriun e rëndësishëm të shtetit në Kosovë, e se janë kundër revolucionit e vëllazërim bashkimit, e çka të duash thuaj pastaj...”
Shkolla e tyre e marifeteve kriminale nuk do të pushojnë asnjëherë.
Legjenda:
1.Sinan Gashi kur kishte përjetuar verbimin e syrit të djathtë nga milici serb
Comments