FLETËZA...


FLETËZA NGA DITARI I PËRZHITUR


SI MË ‘NDIHMOI’ KADAREJA PËR TA FITUAR ÇMIMIN E PARË PREJ PROFESORI



Është viti shkollor 1977/1978. Jam profesor i gjuhë dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Skënderbeu” në Gllogovc. Si ditëve të tjera të punës, edhe sot, e hënë, 26 shkurt 1978, u përgatita që në pasditen e djeshme për orët e mësimit. Fillimisht plotësoja Fletoren e punës për orën e caktuar, për njësinë mësimore, e tok me to edhe mjetet që do e konkretizonin, e cila i përshtatej asaj njësie mësimore. Synimi im ishte gjithsesi që të jem sa më real dhe bindës në mësim, në mënyrë që nxënësit mos të ngeleshin të hamendësuar se a është vërtetë ashtu ajo e dhënë e dëgjuar në klasë, apo profesori e ka krijuar paksa me fantazi që ta bëjë sa më interesante për nxënësit. Mu për këtë, bagazhin e veturës sime e kisha shndërruar në ‘mini bibliotekë’ lëvizëse, duke marrë me vete gjithçka që kisha dhe e gjëja për qëllimin e tillë. Po e zëmë, veç tjerash, aty kam vendosur harta memece, për të shpjeguar ecejaket e kushtëzuara të rilindësve tanë, ku piketoheshin vetëm qytetet ku ata kishin qëndruar apo jetuar dhe, me një laps ngjyrë kaltër, i bashkoja ato qytete kur krijohej një përkufizim ‘shteti’ mbi shtetet reale, e që unë u thosha nxënësve se ky është ‘shteti’ i këtij krijuesi, ngase krijuesi e ka shtetin e tij, brenda të cilit ndihet më i qetë, dhe vetëm aty mund të krijoj. Për çudi, nga përkufizimet, disa dilnin ‘shtete’ të mëdha krijuesish, e disa fare të vegjël, që reflektonin madje ngjasore me jetëgjatësinë e atyre krijuesve. Po e zëmë ‘shteti’ i madh i tej kontinenteve ishte ai i Fan Nolit që, ngjasonte edhe me jetëgjatësinë e tij të lakmueshme, ndërsa që Migjeni jetëshkurtër kishte një ‘shtet’ të ngushtë lëvizjeje (Shkodër - Tivar - Manastir (Bitol)-Torre Peliçe-Itali), që ngjasonte madje me një thikë që sikur e shponte, për t’ia shkurtuar sa më shpejt jetën e tij delikate. Këto përmasa territori edhe afroheshin me sasinë e krijimtarisë së tyre. Noli sa e Migjeni sa.

Ismail Kadarenë me jetën dhe krijimtarinë e tij e kisha atë ditë në plan-program, me klasat e katërta të gjimnazit. Një fotoportret me ngjyra, që ishte botuar në revistën ‘Zëri i rinisë’, e kisha vendosur me ngjitës mbi një pllakë kartoni, së cilës ia kisha vënë edhe një mbajtëse dhe e vura në tavolinën përballë nxënësve. Në pjesën e fundit të tabelës, e cila kishte një mbajtëse teneqeje për shkumës e sfungjer, i radhita për mjet konkretizimi, veprën e aktualitetit ndërkombëtar të tij, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. I pari ishte botimi i ‘Naim Frashërit’ të Tiranës, pastaj kopjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botimin e ‘Rilindjes’ së Prishtinës; në gjuhën serbokroate “General mrtve vojske” e ‘Radit’ të Beogradit, përkthim i Hamit Thaçit, pastaj “General mrtve vojske” e ‘Bagdalles’ së Krushevcit, përkthim i Esad Mekulit, në maqedonisht “Generalot na mrtvata vojska” e ‘Narodna knjiga” e Shkupit dhe, në frëngjisht, “Le Général de l’armée morte” e ‘Hachet littérature’ e Parisit.

Pasi shënova në krye të tabelës njësinë mësimore me shkumës, u ktheva nga nxënësit për t’ua treguar shkurtimisht biografinë e Ismail Kadaresë. Pas fjalisë së parë, trokiti dera dhe, ende pa thënë ‘Hyr!’, u hap dera. U fut brenda drejtori i shkollës, Musa Haxhiu, e pas tij edhe tre persona të tjerë.

Shikimi im ishte hutues dhe njëkohësisht pyetës...

Drejtori sqaroi se ata ishin një komision i Bashkësisë së Arsimit e Kulturës të Krahinës së Kosovës, të cilët kanë dalë nëpër shkolla të mesme për të kontrolluar suksesin në zhvillimin e mësimit. Edhe për të testuar mësimdhënësit, me vajti mendja mua.

Ata përshëndetën qetas, më shumë më lëvizje kohe. Vetëm njërin, atë që paskësh qenë kryetar i atij komisioni, e njihja. Ishte prof.dr. Isak Shema, i cili madje kishte qenë anëtar komisioni me rastin e mbrojtjes së diplomës sime në fakultet, me temën “Botëkuptimet e Asdrenit sipas veprës ‘Kambana e Krujës’”, lënë në dorëshkrim.

Profesor Isaku, si dashamirës i veprave letrare, nxitoi kah romanet e renditura në fund të tabelës dhe i shikoi me interes. Përshtypje më të madhe i bëri botimi në frëngjisht, format ‘Le livre de poche’, të cilën si duket nuk e kishte parë ende.

I thanë dy-tri pyetje, sa par të thënë, për mësimin dhe zhvillimin e tij.

Doni të qëndroni që të vijojë unë mësimin?, i pyeta qetas. Jo, faleminderit, thanë njëzëri dhe dolën jashtë.

***

Pas dy javësh me erdhi një ftesë nga Bashkësia e Arsimit dhe e Kulturës e Kosovës, për marrjen e çmimit vjetor, ku unë isha vlerësuar Profesori më i mirë i vitit.


Legjenda:

1. Prof. Sinan Gashi në vitet e ’70-ta

2. ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ në serbokroatisht

3. ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ në frëngjish



19 views0 comments