Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip*, një tjetër vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe





Prof. dr. Rami Memushaj


Parathënie


Leksikografia dygjuhëshe, me shqipen si gjuhë të parë ose të dytë, ka një traditë gati 400-vjeçare. Ajo zë fill me “Fjalorin latinisht-shqip” të Frang Bardhit dhe ka ardhur duke u pasuruar duke nisur nga shekulli XVIII e deri në ditët tona. Janë botuar me dhjetëra e dhjetëra fjalorë të këtij lloji, është rritur edhe numri i gjuhëve të huaja me të cilat ballafaqohet leksiku i shqipes. Ndër fjalorët dygjuhësh të shqipes, një vend të posaçëm zënë fjalorët frazeologjikë dhe ndër ta, për numrin e zërave dhe për pasurinë e madhe frazeologjike, zë “Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip”, njëri ndër katër fjalorët që kanë si autor të vetëm ose kryesor prof. Eshref Ymerin.

“Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip” i autorëve Eshref Ymeri e Sefulla Kata, i botuar vetëm dy vjet pas daljes së “Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip”, është dëshmi e intensitetit me të cilin është punuar prej tyre për ta përfunduar brenda një afati kaq të shkurtër. Lëndën e shqipes profesor Eshref Ymeri e ka nxjerrë nga korpusi i pasur i frazeologjizmave, i krijuar prej tij nga vjelja e shprehjeve frazeologjike (frazemave) të fjalorëve shpjegues e frazeologjikë të shqipes dhe të rreth 500 veprave letrare, politike e publicistike. Edhe masën më të madhe të frazemave të frëngjishtes ai e ka nxjerrë gjatë viteve kur punonte për hartimin e “Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip”, kohë gjatë së cilës - në mungesë të fjalorëve shpjegues e frazeologjikë shqip ose të fjalorëve frazeologjikë gjuhë e huaj - shqip - për t’u gjetur frazemave të rusishtes barasvlerës sa më të afërt shqip, qe i detyruar të qëmtonte fjalorët e anglishtes, të italishtes e të frëngjishtes për të parë ç’frazema të këtyre gjuhëve u përgjigjeshin frazemave të rusishtes. Ka qenë një punë fort e mundimshme e cila ka zgjatur disa dhjetëvjeçarë, por që ia lehtësoi autorit barrën e hartimit të fjalorëve frazeologjikë italisht-shqip, rusisht-shqip, anglisht-shqip dhe, më në fund, edhe të “Fjalorit frazeologjik frëngjisht-shqip”. Inventarin e shprehjeve frënge e ka pasuruar më tej z. Sefulla Kata, specialist i frëngjishtes, i cili, veç kësaj, ka verifikuar e saktësuar zë për zë barasvlerësit apo përshtatjet shqip të frazemave frënge. Si rrjedhim i këtij bashkëpunimi të një frazeologu me një specialist të frëngjishtes, ka dalë një vepër e vëllimshme dhe mjaft e arritur, e cila shënon një sukses të ri të gjuhësisë shqiptare.

Për ndërtimin e korpusit të Fjalorit autorët kanë shfrytëzuar një literaturë të pasur në të dy gjuhët, që për frëngjishten përfshin rreth 18 fjalorë, nga të cilët 6 fjalorë shprehjesh frazeologjike e proverbash; kurse për shqipen, përveç kartotekës së pasur vetjake të prof. Eshref Ymerit, edhe 16 burime të tjera: fjalorët shpjegues të shqipes, dy fjalorë sinonimesh, Fjalorin frëngjisht-shqip të V. Kokonës, 7 fjalorë frazeologjikë, nga të cilët dy fjalorë frazeologjikë të shqipes dhe pesë fjalorë frazeologjikë gjuhë e huaj - shqip. Veç këtyre, është shfrytëzuar edhe korpusi i fjalëve të urta të shqipes, i nxjerrë nga botimi i Institutit të Kulturës Popullore “Fjalë të urta të popullit shqiptar” (1983).

Ashtu si tre fjalorët e parë frazeologjikë, edhe ky fjalor i ri përmban një lëndë të pasur gjuhësore nga të dyja gjuhët. Në frëngjishte kjo pasuri arrin në 40.200 frazema të frëngjishtes, të ngritura mbi 7440 vatra kuptimore në 1526 faqe. Ky numër frazemash është gati dy herë më i madh nga ai i fjalorëve të mëparshëm frazeologjikë të këtij autori, çka e bën këtë vepër një fjalor frazeologjik të tipit të madh. Frazemat e shqipes është e vështirë të numërohen, megjithatë mund të themi se kemi të bëjmë me një korpus shumë të pasur.

Hartimi i një fjalori frazeologjik me përmasa të tilla, në të cilin gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë kulture të madhe dhe me një leksik shumë të pasur, siç është frëngjishtja, ka qenë një sipërmarrje e vështirë për autorët. Por ata e kanë përballuar me sukses këtë sprovë, duke dëshmuar jo vetëm njohjen e thellë prej tyre të pasurisë frazeologjike të shqipes, që e bën atë të aftë të ballafaqohet me një gjuhë letrare me një traditë lëvrimi gati mijëvjeçare. Kësaj autorët ia kanë arritur falë lëndës së pasur frazeologjike të shqipes dhe të frëngjishtes të grumbulluar gjatë një gjysmë shekulli nga prof. Eshref Ymeri dhe përkushtimit të z. Sefulla Kata, që me vullnet e durim e ka pasuruar më tej lëndën e fjalorit dhe ka saktësuar barasvlerëset shqipe të frazemave frënge.


Ky fjalor i ri përbën një vepër tjetër madhore të leksikografisë dygjuhëshe që autorët ua dhurojnë përdoruesve, në radhë të parë përkthyesve prej frëngjishtes ose në frëngjishte. Botimi në harkun e më pak se 14 vjetëve i katër fjalorëve të mëdhenj dygjuhësh me autor të vetëm ose kryesor prof. Eshref Ymerin, është dëshmi e gjallë e një pune që vetëm një studiues i palodhur e me vullnet të hekurt mund ta përballonte. Pa e tepruar aspak, mund të themi se këto ndihmesa e bëjnë atë kontribuesin më të madh në fushë të fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe një ndër frazeografët më të shquar shqiptarë.

“Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip” paraprihet nga Hyrja, në të cilën autorët shtjellojnë hapat e hedhur prej tyre për hartimin veprës, burimet e shfrytëzuara dhe vështirësitë që paraqet hartimi i një fjalori të tillë. Më tej ata vënë në dukje pasurinë e madhe frazeologjike të gjuhës frënge, duke theksuar se burimet e kësaj pasurie janë të brendshme (urtësia popullore, historia, folklori, letërsia artistike etj.) dhe të jashtme, si bibla dhe huazime ndërgjuhësore, sidomos nga latinishtja, greqishtja e vjetër, anglishtja, italishtja etj.

Në një syth të veçantë, autorët shpjegojnë se zërat e këtij fjalori janë organizuar duke u mbështetur në fjalët që shërbejnë si vatër kuptimore e frazemave, të cilat janë kryesisht emra dhe, më rrallë, një pjesë tjetër emërtuese e ligjëratës (folje, mbiemër a ndajfolje). Vatrat kuptimore, të renditura alfabetikisht, janë dalluar grafikisht, duke i dhënë me shkronja të mëdha të trasha, ndërsa frazemat që lidhen me një vatër kuptimore janë renditur poshtë saj gjithashtu alfabetikisht. Kjo mënyrë renditjeje e lehtëson shumë gjetjen e një shprehjeje frazeologjike në fjalor, mjaft që përdoruesi i tij të jetë në gjendje të dallojë vatrën e saj kuptimore. Për shembull, të gjitha frazemat që kanë si vatër kuptimore fjalën ouvragei “punë”, janë renditur alfabetikisht poshtë saj sipas shkronjës së parë me të cilën fillojnë frazemat:


OUVRAGEI ■ ouvrage de fée - punë me shije të hollë.

ouvrage de patience - punë e mundimshme me shumë kujdes.