Ibrahim Gashi (1965), edhe në përmbledhjen e tij poetike të radhës sjell frymën e vargut të ngjizur që nga fillimin e shkrimeve të tij, ku dashuria shpërfaqet në pamjet shumëdimensionale, që në parim duket sikur ka njëtrajtshëri të shtjellimit, por me “dëgjimin” e tingëllimave shprehëse, kuptojmë se aty gërshetohen shumë dashuri, që në përgjithësi kanë kuptimin e jetës, me vlerat dhe peripetitë e saj, pa mos e anashkaluar edhe dashurinë për atdheun, si pikënisjen e të gjitha dashurive, që mund të shijohen si buka e dheut dhe ajri i qiellit të vendlindjes. Mbi parimet e këtij vlerësimi janë ndërtuar edhe përmbledhjet poetike pararendëse: “Kur hesht nata”, “Rreze jete” dhe “Përjetësime”, gjithnjë duke zgjëruar horizontet e reja të poezisë, me tema e mesazhe të fuqishme dhe plot invencion. Kjo shtyrje e vullnetshme sa vjen e gjen rrugën e vet edhe në librin e radhës “Rrugëtim ndjenjash”, simbolika e së cilës, që në nismë provokon lexuesin të “përballet” me kënaqësinë e shijimit të këtyre vargjeve plot aromë jete e dashurie.
Dashuria si tekst dhe pretekst i frymëzuar
Në vazhdimësi poezia e Ibrahim Gashit vjen si “Frymëzim” i pashterrur, për ta trajtuar të bukurën, jetën, dashurinë në veçantinë e kuptimit të saj. Ndonëse kjo temë mbetet pika më “neuralgjike” në vargun e tij, lexuesi që në faqet e para të librit do ta përvetësoj me lehtësi këtë realitet, për të vazhduar pastaj në tërësinë e lëndës poetike.
Fillimisht, edhe kur ndiqet veprimtaria krijuese e autorit, edhe atëherë kur rrëshqet mendimi më thellë në shpalosjen e vlerave, sikur imponohet zbulimi i faktorëve cytës të kapjes tematike. Dhe në rastin konkret është fare e lehtë të zbulohet kjo gjetje, që nga vargjet:
“Jam bërë spiun
I zemrës tënde,
Nga filozofia e frymëzimit,
Mes dy dashurive
Vetëm për Ty.”
(“Frymëzim”, fq. 17)
Kështu, fjala, edhe si shprehje, edhe si kundrim i çasjeve në pretekst të dashurisë, vjen si brumosje e fuqishme e shpirtit poetik që shpërthen në çast, duke mos kursyer asnjëherë elemete të shumtë ndërtimi, që do t’ia shtojnë vlerat letraro-poetijke dhe e fuqizojnë mesazhin që e përshkon ajo poezi. Pikërisht këtë e përligj në plotëni ndërtimi i poezisë “Dashuria”, ku sytë, buzët, lulet, vesa, pastaj këngët, loti, zjarri, etj. si shprehje e figuracionit, do ta bëjnë të denjë frymën poetike, me motivacion dashurinë, duke i dhënë konotacionet e vlerave në retrospektivë, për të ndërlidhur kështu botën intime që pasqyron poezia. “Portë e dashurisë/ Janë sytë/ Buzët.../ Është shpirti,/ Përmes të cilit/ Kalon jeta/ Çdo ditë!” (po aty, fq. 35).
Ibrahim Gashi përmes vargut operon kujdesshëm në çasjen tematike, duke ia dhënë shijen ambientale shtjellimit të ngjarjeve. Ky realitet që preket në vazhdimësi, ka efektet pozitive, duke konsistuar në ndërlidhjet e përhershme të narracionit tematik dhe personazhit, që do të veproj në shtjellën e këtyre ngjarjeve. Të shumtë janë shembujt e kësaj natyre, që i takojmë edhe në poezitë e këtij libri. Një ilustrim të këtij kundrimi e arsyeton bindshëm “Kafeja e mëngjesit”, duke u nisur nga fillimdita, kur mëngjesi provokon kthjelljen shpirtërore, përmes ajrit të pastër dhe “kafes së mëngjesit”, si riti i parë e fillimditës, siç shprehet edhe poeti përmes vargjeve të tij:
“Në zemrën tënde
Kam një pronë
Atë e quaj dashuri,
Kur pij kafen e mëngjesit,
Në filxhan të pij dhe Ty!”
(“Kafja e mëngjesit”, fq. 32)
Mbarështrimi i poezive, që kryesisht kanë për temë përditshmërinë plot sfida dhe dashurinë, si virtyt dhe fuqi operuese në opusin krijues të tij, në vazhdimësi kanë si pikënisje një element, a veprim nga jeta, për të shtrirë pastaj gamën e veprimit edhe në shtjellimin e ngjarjeve “dytësore” deri edhe në intimitet, si pjesë e pandarë e kësaj poezie. Në këtë rrafsh tematik takojmë mjaft poezi, që secila do të sjell një pikë identifikuese të motivit të dashurisë, si frymëzim dhe realitet që e preokupon poetin.
Kundrimi i ndërsjellë i situatave, si vazhdimësi
Poezia e Ibrahim Gashit vjen përmes vargut të lirë, plot invencion, ndjeshmëri shpirtërore dhe prekje të aktualiteteve të përjetuara dhe imagjinative. Ajo vjen spontane, e lirë dhe pa imponime të domosdoshme të ndërlidhjeve metrike, me rimën, konsonancën, apo në ndërtimin e strukturës së strofës. Por, në raste të rralla mund të takojmë edhe vargje konsonantike, renditje strofash, etj. varësisht ku preken shpatat e konfrontimeve stilistike. Strukturimi i lëndës poetike i paorganizuar në cikle, bën të lexohen ashtu të “çthurura”, siç do të thoshim, me vendosje sipas situatave të krijimit, pa imponime kohe a çasti të veçantë. Kjo është poezi e spontanitetit krijues, me shtrirje horizontale nëpër kohë e ngjarje, ku trajtohen tema nga aktualiteti, që do ta preokupojnë poetin në vazhdimësi. Shikuar nga prizmi i vështrimit kritik, mund të vlerësojmë se ndërtimin e kësaj poezie e përshkojnë elemente të shumtë stilistikë, figuracione, trope e metafora, për ta bërë që të frymoj gjithnjë e më shlirshëm në fushëveprimin tematiko-estetik.
Poeti, sikur na bën të mendojmë më gjatë, pse duhet ta ketë zgjedhur pothuajse në të shumtën, fillimin e poezive në mëngjeset e përjetuara, qoftë edhe me një fiksim të rastësishëm të ndonjë veprimi, si në poezinë “Teshtitja”? Kjo, na kujton thënjen e urtë popullore se “Dita e mirë shihet në mëngjes”. Në fakt është diçka që prejudikon në atë realitet, meqë, ashtu si puna e hershme, që sjell rezultate të mira, edhe poezia që vjen me freskinë e vargut, të çiltër, e përshkuar me ngjyrime poetike krijon kënaqësi leximi.
Teshtitë mëngjesi,
Ende nuk e di,
Pse po eci
Në teshtitjen e tij?
(Po aty, fq.55)
Por, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, në arritjen e qëllimeve të tij, si do ta shpreh edhe në poezinë “Dua të dëgjoj”, poeti sikur nuk ndien siguri në ecjen tutje, deri në arritjen e pikëpjekjeve të synuara, “Atje ku zërat e jetës/ Nuk dëgjohen/ Si më parë.” (po aty, fq. 77). Situata të tilla pasigurie, ngjarje të përshkuara me shqetësime e peripeti jete, e bëjnë më atraktiv rrugëtimin e marrësit elitar.
Ky kundrim i ndërsjellë i situatave, vjen si vazhdimësi e përpjekjeve të poetit që të kapur pothuajse gjithçka që e provokon unin e tij krijues, për ta kënaqur shijen e lexuesit me sa më shumë laryshi tematiko-letrare.
Vargu që s’hesht
Me qëllim të pasqyrimit sa më të saktë të kësaj poezie, i rikthehem edhe njëherë mendimit të larttheksuar, se Ibrahim Gashi, që nga nisma e paraqitjes në opinionin krijues, sjell frymën e vargut të ngjizur, ku dashuria shpërfaqet në pamjet shumëdimensionale. Kjo frymë, në parim duket sikur ka njëtrajtshëri të shtjellimit, por rrjedhimisht vjen e transponuar dhe e përshkuar edhe me tema të ndryshme që e preokupojnë unin e tij, për ta ndërtuar kështu botën universale të krijimtarisë poetike, me tematika të larmishme, kryesisht nga përditshëria, me prekje sensitive në socializimin e njeriut të kohës.
Kushtimisht e them, se vargu i poetit nuk hesht për asnjë çast, edhe atëherë kur ai mund të përjeton angështi brenda përcaktorit kohor, edhe atëherë kur liria e veprimit mbi partiturat e fjalëve tingëllon plot melodi e timbër joshës, deri në paraqitjet emblematike të personazhit, që kryekreje e përshkon një tis i hollë melankolie, apo edhe atëherë kur dashuria është piedestali i fokusimit poetik.
Ibrahim Gashi ka filluar një rrugë që shpie drejt vlerave, që në asnjë mënyrë nuk e duron heshtjen. Në korniza të këtyre përcaktimeve takojmë pikturimin e jetës, premisat deri në veçanti të dashurisë, si emblemë jete, dhe guximin e përballjes me rastësinë përmes armë-vargut, me të cilin “lufton ngërqet” e muzës, deri në vlerësime e vlera që premtojnë.
コメント