120 VJETORI KUR U Lé N’ SHKODER I MADHI
AT MESHKALLA !
(PERGATITI FRITZ RADOVANI, 2021)
Nga At Pjeter MESHKALLA: (Pjesa e XV)
FISNIKRIA E KRISHTENË
Udhë të gabueme
Fanatizmi
Organizata e “Veprimit Katolik” synon kryesisht me përtri jetën e krishtenë ndër katolikë, gadi kjeshë tue thanë: Me i ba katolikët (me emën), të krishtenë të vërtetë.
Edhe fushata jonë për bujarinë e madhninë e të krishtenit, këte objektiv ka: Me zgjue, përballë shterpësisë e vobegsisë shpirtnore, një mburrje shenjtë në zbatimin e jetës fetare.
Porse, mburrja e zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundët, me u largue prej qellimit të shénjtë, tue u teprue. Atëherë, bahët fanatizëm.
Edhe emni fanatik në burimin e parë (prej lat. Fanum – tempull), kishte një kuptim të pelqyeshëm që d.m.th. sherbyes në tempull, por, kur, fetarët e besimeve pagane filluen me përzi në sherbimet fetare disa sjellje të trénta, kërcimesh, hallakatjesh e përgjakjesh, emni fanatik mori kuptimin e mnishëm të furisë e të verbimit.
Katoliku duhët me kenë fanatik, ose, besnik në sherbim të Zotit, Të Fésë dhe të Kishës. Ky lloj fanatizmi asht një ndérë për até, pse tregon karakterin e burrit që, shpallë haptas mendje-mbushjën e vet, pa marré ase turp, pa tregtime e, me zbatim në jetë.
Kur përkundra, mburrja, kalon në teprime të marra, në furina e sulme të verbëta, në besime të shkjepta e në bestytni, -fryte të padijes fetare- atëherë, krijohët fanatizmi i tréntë e i mnishëm, i cili, për faj të tonë e ban të mnishme, në sy të botës edhe Fénë e vërtetë.
Verbimi fanatik nuk asht Fisnikri e krishtenë: Asht udhë e gabueme!
Një shembull:
Po, një shembull praktik: Me sha e me qestisë fetë tjera, duhët çansue, padyshim fanatizëm i verbët, si kundra edukatët e kundra shpirtit të krishtenë.
Thotë njeni: “Unë, e due dhe e çmoj Féne teme!”, thotë tjetri: “Unë due me kenë apostull i përhapjës së Fésë...”, thotë prap një tjetër: “Unë i dal zot Fésë seme pse, ma shajnë e ma përbuzin”...
Nuk asht shenjë se e duem dhe e çmojmë Fénë tonë, kur, shajmë e qestisim Fénë e të tjerve. Ndjesia fetare asht shumë delikate, asht çeshtje ndërgjegje... A e njeh ti ndërgjegjën e shokut tand?!.. Ti mundësh me iu falëndérës Perendisë e, me iu lutun që, me të ndihmue, me të ruejtë në Shpirtë të gjallë e të pastër Fénë e Shenjtë, mundësh, me iu lutë që, me i shndritë mendjen edhe atyne që ende nuk e njohin; mundësh, me ia zbardhun faqën me jetën tande shembullore, tue ecë mbas mësimeve të Sajë. Fénë Shenjte ti studjoje, orvatu me e kuptue mirë, sa me kenë në gjendje edhe me e mbrojtë e me e ndriçue, jo, me të shame, por, me arsye. Veçse, kërko gjithëherë thelbin e pandrrueshëm të mësimit të krishtenë, tue e dallue mirë prej shtojcave e rrethanave që ndrrojnë. Mos u lavdro për Fé, pa e ditë se në çka përmbahët; mos shit madhështi për ndodhina të rastit dhe dukje të jashtme, të cilat kjenë apo nuk kjenë, Fénë nuk e ndrrojnë, (bie fjala, një funksion, një proçesion, një predk i shkelqyeshëm). Të jeshë i drejtë!
Mos i moho të metat ose fajet e sakta që kanë mujtun me u ba edhe prej të krishtenve, edhe prej përsonave të hjerarkisë kishtare (edhe të krishtenve Krijuesi u ka lanë lirinë e vullnetit e, mundën me gabue por, ndërsa Féja mbetët Ajo që asht). Prandej, as ndër besime të tjera mos me kërkue me mohue çka gjenë të mirë e të drejtë. Kurrë, nuk do t’ju ngarkosh atyne faje që nuk i kanë! Gjithashtu, nuk asht aspak burrëni me prekë pa nevojë: Ndër besime fetare, disa varrë (plagë) delikate; e, në rast nevoje (si, p.sh. kur jemi të detyruem me mbrojtë një të drejtë të cenueme), kjo punë duhët ba me Fisnikri të krishtenë, pa pezmatue, pa fye dhe, me prova të sigurta.
Nuk tregon se kemi zêll apostullimi kur shajmë e qestisim Fénë e të tjerëve. Me siguri askush nuk ka të drejtë me të ndalue që, tu dishrojsh të tjerëve një të mirë, që ti vetë e gëzon. Por, me përbuzje e qestisje, nuk mundesh kurrfarë dobije me i sjellë Fése sate, madje, e damton, tue i krijue anmiq, për shkak të një shfrimi të pasionit tand personal. Çfardo urdhni (detyrimi) në besim, jo vetëm me anë të forcës, por edhe me anë të shtërngimit moral, asht në kundërshtim të flaktë me shpirtin katolik.
Shkruen i famëshmi Imz. G. Bonomelli: “E di mirë se ndër disa kohna, ndër disa vende, prej anës së disa njerëzve, u përdor disa herë forca, për me i detyrue të tjerët me ndie e me pranue mësimin katolik, si, edhe disa herë iu diktue Féja e Pagëzimi. Por, mos të përzijmë veprën e keqndritun të disa privatve, me até të Kishës Katolike!
Kjo, nuk ka shtërngue kurrë, asnjënjeri të vetëm me rrokun Fénë, o me ia pranue mësimin.” (Ministeri cristiani, II, 82.).
Kisha kërkon vetëm të drejtën me shpallë lirisht e pa pengime mësimet e Ungjillit e, me theksue detyrën e ndërgjegjës me rrokë Fénë e Krishtit.
3. Nuk tregon sé duem me i dalë zot Fésë sonë, kur me shpagim kërkojmë me u hakmarrë.
Fjala e urdhnit për të krishtenin asht vétëm fjala e Krishtit:
“Duani armiqtë tuej!” (Math. 5, 44.) dhe, ajo e Shën Palit:
“Munde të keqën me të mirë!” (Rom. 12, 21.) Kur e kërkon ndërgjegja dhe detyra, së drejtës duhët me i dalë zot deri në vdekje, me çdo flijë: Porse, a nuk janë bash ata që rrijnë me pushkë në faqe, për me i dalë zot Fésë, të cilët, mandej, janë ma të parët që e turpnojnë me vepra e, ndoshta edhe me të shame, Zotin, Krishtin, Fénë!?..
VËLLAZEN ME TË GJITHË!
Kësodore kemi me provue me fakte, se, asht e mundun bashkëjetesa ma paqësore e, ma e frytëshme, me besime të tjera: Pa kenë nevoja me e mënjanue Fénë tonë, madje, ma shumë, tue e ndjékë besnikrisht.
Marrë nga revista “Kumbona e së Diellës” Viti 1942, nr. 6, fq. 69-70.
Bashkvuejtësit tregojnë...
I riu Agim Musta, bashkvuejtës i Padër Mëshkallës, shkruen: “Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.
Ndersa, zotni Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim.
Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi!”.
Në kujtimet e Tij zotni Riza Kuçi, shkruen: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rendë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua Pader Mëshkalla dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë. Mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim vëprimi njerëzor i Padër Mëshkallës...”.
Melbourne, 9 Prill 2021.
תגובות