top of page

Fiqri Shahinllari: SHKURT-TRENDI I KOHËS?



 

Nga Fiqri Shahinllari

 

"Shkrimin  tënd "Krushqit investitorë" e lexova në  „Fjala e Lirë“, Londër. Të faleminderit, që na  jep tregime reale, të  shkurtra që nuk të lodhin …"    

 

Kështu më shkruante para ca ditëve  Illo Foto, studiues, miku im, rezident në Nju Jork. Dhe mua më flakëriu mendja te  trendi, që ka filluar shumë vite më parë, për t'u rënë  shkurt gjërave n'dac në shkrime, n'dac në bisede,n'dac në  fjalime. Kur Illua përmend "Fjala e Lirë" e ka fjalën për gazetën e Dr. Fatmir Terziut "Fjala e Lirë" që del në Londër. Kur ai thotë: "Të fln" do të thotë "të falenderoj"..

Çdo lexues i këtyre rrjeshtave  mund të shtojë tokgermat: RD, ZP, PD, PS, LSI, SPAK..po, edhe të tjera, si MA, BA, FLM (faleminderit) KLM, (kalofshi mire) KLB (kalofshi bukur) e një mori tokgermash të tjera. Illua thotë se gjërat e shkurtëra nuk e lodhin lexuesin. E drejtë. Po a e lodhin shkruesin ato? "Po të shkruaj gjatë se nuk kam kohë të shkruaj shkurt" i shkruante një njeri i mencëm mikut të vet. Duket si paradoks. Gjithçka në funksion të kohës. Një foto zëvendëson mijra fjalë, thuhet. Po kështu edhe një pikturë, një skulpturë. Sejcili që  vështron këto krijime artistike i analizon sipas shijes së tij, sipas këndvështrimit të tij. Kënaqet ose jo. Por cdo rregull ka një përjashtim. Me që jemi tek fotoja që zevëndëson mijra fjalë, sapo m'u kujtua një shprehje plot "inat" e mikut tim, shkrimtarit Agim Bacelli, resident edhe ky ne Nju Jork. Ishte mërzitur sepse në facebook, disa të njohur prej tij mjaftohen vetëm me postimin e fotove dhe asgjë tjetër që të shoqërojë foton. I dhashë të drejtë. Më ndodh edhe mua tek shikoj vetëm foto, pa diciturë që të përcaktojë vëndin apo personat që pozojnë. Ic. Vetëm thatë, vetëm fotoja. Më e keqja është se shpesh tregohen njerëz duke ngrënë dhe trapeza plot me ushqime e pije. Dhe e dini? Ai që shikon të tilla foto e "bën" vetë diciturën: "Këta njerëz rrojnë për të ngrënë apo hanë për të rrojtur(jetuar)? ..Nejse, e kemi fjalën për shikimin e fotove, pikturave, skulpturave që zëvendësojnë mijra fjalë por"flasin" shkurt për shikuesit e tyre të cilët harxhojnë pak kohë tek I soditin ato...Por,ama, nuk harxhon kohë sa krijuesit e tyre. Piktori është mjeshtër i penelit, skulptori, ky mjeshtër, flet me gjuhën e daltës. Edhe shkrimtari është mjeshtër i artit të fjalës. Për t'u dhënë formën përfundimtare veprave të tyre kush e di sa netë pa gjumë kanë kaluar, sa shumë e kanë lodhur trurin, sa tepër e kanë shtrydhur morinë e mendimeve! Këtu, të nderuar lexues të këtyre radhëve. mua më bren dyshimi, jam I dyzuar sa i përket shkrimeve. E di që fjala duhet të zerë vënd si guri i qoshesë, se shkrimet duhet të ngjishen, të jenë të shtrydhur e tërharur nga teprimet që e lodhin lexuesin. Dikush thotë "...të vlefëshme janë faktet e jo llafet. Faktet flasin shkurt e saktë". Askush nuk e mohon rëndësinë e fakteve. Por letërsia ka vecoritë e saj. Faktet nuk vlejnë pa interpretim. Gjella me kripë e kripa me karar. Kur fjala "lumturi" p.sh vihet në vëndin e kontekstin e duhur ajo edhe pse është një ndjenjë që nuk shihet, që nuk ka peshë por ama lexuesin e vëmendeshëm e "ngre peshë". Kështu edhe për fjalën "brengë" e cila  në kontekstin e duhur e con poshtë zhivën shpirtërore të lexuesit. S'ka nevojë për stërhollime fjalësh të tjera. Sepse ka raste që një personazh kumbon më shumë me heshtjen e vet. Fjalët, mendoj, duhen peshuar me peshoren e farmacistit, pse jo edhe te mbështetur ne shkencat psikologjike e shoqerore. Kur ngjarja zgjatet pak në rastin kur flet një femër kjo gjë justifikohet pasi dihet se një femër, në rastet e momenteve të trazuara të jetës kërkon t'i zgjidhë me anë të komunikimit ndërsa një mashkull, me veprim. Ndoshta  kjo është arësyeja që femrat flasin mesatarisht njëzet e ca mijë fjalë në ditë ndërsa meshkujt sa gjysma e tyre.  Mirëpo ka ca gjëra, ca pasazhe të cilave nuk mund t'u bësh bisht. Nëse nuk e qëndis ritmin e brëndëshëm, në lëvizje të personazhit në një ngjarja nuk ke bërë gjë, përvecse një vërë në

ujë! Ke ndërtuar një kafaz pa bilbil brenda.E, këtu, mendoj lexuesi nuk mund të qahet për gjatësinë e tregimit. Se ka raste që jo mendimi por llogjika e ngjarjes të  con në shtigje që as vetë autori nuk e parashikon. Nuk me harrohet përgjigja  e Tolstoit të madh dhënë një mikut të vet i cili e kish pyetur:" Pse e cove Ana Kareninen nën rrotat e trenit"? Tolstoi iu përgjigj;" Nuk e cova unë, ajo shkoi vetë atje"Penën e mjeshtrit të kalibrit boteror, Tolstoi, në rastin e Ana Karenines e kish drejtuar gurgullima e llogjikes, e shtjellimit të natyrëshëm të  ngjarjes që përfundoi ashtu sic përfundoi.

Nevoja për të thënë gjërat shkurt por plot lëng mendimi e veprimi duket sidomos ne dramat apo tragjedite ku ka dialogje..Nuk më kujtohet tani nëse e kam dëgjuar apo lexuar një thënie të Bernard Shout."Dialogu midis personazheve-thotë ai përafërsisht-nuk duhet te jete me shume se një minutë apo një minutë e gjysëm"..

Kam dëshirë ta mbyll këtë esse me një perceptim që kanë edhe autorët e romaneve fantastiko shkencorë. Në rininë time kam lexuar një roman të tille, me titull të përafërt:" Një ngjarje në vitin 40 e ca mijë.."Autori është rumun, nuk më kujtohet emri po edhe titulli I sakte i romanit jo. Bëhet fjalë për një udhëtim në hapësirën qiellore me një anije modern sferike që udhëtonte me shpejtësi më të madhe se ajo e dritës. Udhëtarët shikonin nga dritarja, të cuditur një anije te vjetër në formë të stërgjatur me shpejtësinë e dritës.. Njerëzit e anijes moderne me kokë të madhe e trup të vogël kur ecnin nëpër planate te tjerë vinin re qe kafshët e egra të atij planeti si luanët p.sh fshiheshin nga frika ose u hapnin rrugë njerëzve… Gjyqet qe beheshin midis planeteve nuk kalonin me tepër se tri deri në pesë minuta!!! Pra shkurt..

A është shkurtësia në komunikimi trend i kohës edhe në të ardhmen?

Fiqri Shahinllari: shkruar 6 vjet më parë, ribotuar sot 25 Shtator 2024).

46 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page