Filozofia metafizike e lundrimit në vargun poetik të Matos


Prof Dr Fatmir Terziu Abstrakt Në këtë analizë të librit më të ri poetik të poetit Agim Mato duam të ndalemi në lidhjen metaforike që qaset mes artit të fjalës për të ripërcaktuar dimensionin logjik dhe artorganik të fjalës që lëvrohet nga ndikimi i një hapësire kulturore. Tek vëllimi poetik “Lundrimi” (2014) me redaktor një emër të njohur në letrat bashkëkohore shqipe, Pandeli Koçi (alias Sazan Goliku) dhe në botimin e “Milosao”-s, poeti Agim Mato na jep një qashtërsi (më shumë se qartësi poetike) prognozën filozofike të lidhjes dhe arsyes me detin, mes një metafore që lind, rritet dhe zhvillohet e pavdekshme tek procesi më determinues i lidhjes së njeriut me detin, lundrimin (brenda shpirtit si nocion). Lundrimi është vetë roli që arsyeton, por që edhe na jep mundësinë të kuptojmë më thellë. Për këtë studimi do të ndalet tek roli i detit në kulturën njerëzore, aspektualiteti i tij Jonik në krijimin ndikues të rrethnajës, ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit dhe më tej me një zbërthim të tërë dimensionit që jep vëllimi, si qasja kulmore në krijimtarinë poetike të viteve që pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë. Mes kësaj ndalesat do të jenë për të dhënë arsyen, pse Mato mbetet një poet tipologjik me vlera në krijimtarinë e tij. Deti, rrethnaja e dyfishtë kulturore tej lundrimit nga vetja Roli i detit në kulturën njerëzore ka qenë i rëndësishëm për shekuj, ndaj dhe si i tillë edhe për poetin Mato, ai vazhdon të jetë më shumë se arsyeja e arsyeve. Deti është vetë procesi, zhvillimi, heshtja, gëzimi, trishtimi dhe vetë komunikimi. Si poet dhe si njeri ai e përjeton detin në mënyra të ndryshme, herë të qeta dhe pajtuese, por jo pak herë edhe kontradiktore. Deti në vargun e tij është jo thjesht det, por një aspekt ku zanafill ‘lundrimi’ poetik. Ai është aq i fortë, por i qetë, i bukur, por i rrezikshëm. Përgjigjet e poetit Mato në det mund të gjenden në artformësimin e përfshirë të letërsisë poetike të tij, në ndjenjën dhe shij