Astrit Lulushi
Platoni, Agustini dhe Boethius lanë shkrime që mund të konsiderohen klasike të letërsisë dhe filozofisë. Më pas erdhën universitetet, ku njerëzit mund t'i kushtonin jetën e tyre studimit të filozofisë.
Thomas Aquinas dhe Jon Duns Scotus prisnin që veprat e tyre të lexoheshin nga njerëz që kishin kaluar vite duke mësuar terminologjinë e saktë teknike, njerëz që ishin të aftë të ngrinin të gjitha llojet e kundërshtimeve që kërkonin një përgjigje të kujdesshme dhe të menduar. Kjo nuk do të thotë se shkrimi i tyre është i keq, (edhe pse në rastin e Aquinas, shkrimi i tij ishte shumë i çrregullt dhe i vështirë për t'u deshifruar), as që puna e tyre është njësoj e vështirë, por disa nga shkrimet e tyre janë të destinuara për lexues të avancuar.
Në periudhën e hershme moderne, shumë shkrime të rëndësishme filozofike u prodhuan nga njerëz që ishin jashtë sistemit universitar. Proza e shekullit të 18-të e David Hume mund të duket pak e zbukuruar për lexuesit bashkëkohorë, por sipas standardeve të kohës së tij, ai ishte një shkrimtar i shkëlqyer. Por pastaj vijmë te Kanti – dikush që e kaloi jetën në universitet dhe që shkruante për kolegët e tij profesorë. Në periudhën pas Kantit, shkrimi i dendur akademik u bë përsëri normë për filozofët. Në fund të shekullit të 19-të, shpikja e logjikës moderne simbolike i dha shkas një fjalori krejtësisht të ri teknik.
Bertrand Russell, i cili sigurisht ishte i aftë të shprehej me një gjuhë të qartë, thoshte se kolegët e tij filozofë ishin të gatshëm ta linin të shkruante prozë që çdokush mund ta kuptonte, sepse ata e dinin se ai mund të shprehej në logjikën matematikore nëse donte; ai këshillonte të rinjtë filozofë, që dy librat e tyre të parë duhet t’i shkruanin në një stil mjaft të errët nëse donin të fitonin respekt nga kolegët e tyre akademikë.
Më në fund, megjithatë, ka një prirje të re që përpiqet të ringjallë idenë se filozofia e mirë mund të jetë edhe letërsi e mirë, duke botuar artikuj origjinalë rreth filozofisë për një audiencë të gjerë.
Logjika mbi premisa reale është filozofi, logjika mbi premisa te sajuara është përralë artistike e këndshme.