FILOZOFIA E FJALËS


NË OHËR

Në liqenin e qetë era e veriut tërbohet,

sipër nesh një zë i frikshëm ndihet mefshtë.

Dallgë të vogla,

përplasen brigjeve të murit të ftohtë.

Në këtë janar pa borë,

një shtresë e ftohtë mbi liqen ka zënë.

Hëna lakuriqe sikur fshihet,

ndërmjet reve plumb të zeza.

Erë e veriut fryn,

mbi fytyrat e çjerrë,

mbi shpirtrat e dëshpëruar,

mbi trupin e zhveshur të hënës.

Hëna ngrihet,

trishtimi i saj buzagaz tek ne hidhet.

Trishtim i ri, i njomë,

krejt i gjorë tek ne ka mbirë.

Liqeni,

tek buçet fillim brigjeve në mur.

Mërzinë e vjetër, edhe më na ndez,

e shpirti ynë gjithë vrer.

Natë melankolike,

kundrejt këtij fati të mpirë.

Të revoltuar,

hidhëruar,

dëshpëruar.

Veç një varkë pa vela,

përkundet e vetmuar në këtë liqen.

Kjo varkë e shkretuar,

atje në skaj duke u përkundur vështron

qytetin ëndërrues të Ohrit.

Prej larg, nga teatri antik,

liqeni me pamje antike Ohrin shfaq.

Bukuria e tij tek shpon të ftohtin e zi, nata brenda natës trishtimin e nxit përmbi ne. Ajër i rëndë, dallgë e orëve të vona, tek buçet fillim brigjeve në mur. Një dallgë godet fuqishëm bregun, është trishtim i ri që poetët thërret. Ohri në këtë janar, me shpirtin e trishtë po na ngushëllon!

POETIT

Ëndrrat e mia u zverdhën,

humbën ndriçimin e nevojshëm.

Dëshpërimi më shpoi si thikë e ftohtë,

plot hidhërim i tërhoqi shpirtit tim.

Fjalën time si shtizë gjahtari,

e mallkoi kjo botë,

ky njerëzim.

Fjalën e poetit do ta hedh si shtizë,

edhe përkundër smirës,

drejt të vërtetës.

Ky dëshpërim përvëlues,

nuk më tremb,

më lartëson.

Vdekjes, dëshpërimit, përçmimit,

shpirti im nuk u përkulet kurrë,

pos lirisë.

Poet,

fjala jote më tremb,

më dhemb!

MANASTIRET

Heshtin!

Por jo dhe kambanat!

Mure me gurë antike,

me figura të lashta mistike.

Brenda nuk hyn dielli,

ngrohen me zjarrin e qirinjve.

Betohen për mëkatet,

kryqëzohen përballë profetit të kryqëzuar.

Kube e lashtë,

e ngritur në formë vezake sipër qiellit.

Njerëzit kryejnë ritualet,

përgjërohen mureve,

dhe figurave brenda.

FILOZOFIA E FJALËS

Fjalën deshën ta zhveshin nga fjala,

nga magjia e saj që një komb e ngre në këmbë.

Deshën ta vrasin si në duel, tinëz

në udhët pa kthim

por nuk mundën dot.

Deshën ta mbyllin në qeli,

ta shkëpusin nga vetë fjala

edhe këtë nuk e bënë dot.

Hëna është ngjitur në qiell,

me pamjen e kaltër

tek ndrit xhamin tim përjashta.

Një dritë pingule

sytë m’i zverdh.

Më hyn brenda meje,

si shtizë kur fjala depërton thellë.

Fytyrën kam mbështetur në xham,

duke pritur fjala t’ma thotë

brengën e saj të fundit.

Prej fjalës nuk rrodhi,

as brenga as dhembja

veç triumfit sot në liri.

MOTIV POETIK

Në je penduar për gurët e tokës,

mos eja dot

se udhë e gjatë është për tek unë.

Koha ikën tashmë si shejtan,

vonë po bëhet gjithnjë për gjithçka.

Kur terri po afron, Hënën natën vonë

e shoh si portret amorf të ngjitur në qiell.

Dua të iki i vetëm atje në një tokë si për mua,

dhe asnjë zë prej kësaj toke mos dëgjoj.

Të iki në stepat e largët,

atje njësoj për sytë e mi.

Do jem me veten,

ju premtoj si poetët:

me poezinë, shpirtin tim që zgjohet përditë në mërzi.

Dhe në vjeshtë,

kur një artikull i ri trishtimin rreth syve t’ma lexojë.

Do ju kujtoj për mërzinë e gurëve,

që unë kisha braktisur dikur.

3 views

Shkrimet e fundit