top of page

FILLIMI I NJË JETE TË RE


FILLIMI I NJË JETE TË RE

I

Fragment nga romani "Matura 72"



Ishte 1 shtatori i vitit 1968. Një ditë e shënuar për mua, ndonëse për shumë të tjerë ishte ditë fare e zakonshme. Xhaxhain e kisha shtrënguar fort për dore sikur do të më ikte. Atë ditë do të regjistrohesha në shkollën e mesme. Ecja ngadalë, ndonëse xhaxhai donte të nxitonim sepse do të shkonte në punë. E thërriste detyra. Ai ishte oficer në repartin ushtarak në periferi të qytetit industrial, në një majë kodre, Mal i Bardhë, i thonin, por askush nuk e shpjegonte përse quhej kështu.

Unë nuk e njihja qytetin fare. Deri në atë kohë kisha dalur vetëm dy herë nga fshati. Një herë në takimin e nxënësve të dalluar në Tiranë dhe një herë tjetër në Kampin e Pionerëve në Durrës.

Qyteti i Delishit ishte një qytet i ri, i sapondërtuar dhe që po vazhdonte të zgjerohej. Kishte marrë emrin e fshatit ku ishte ngritur. Fshati i vogël njihej që në lashtësi. Kalaja e Sebastës i rrinte si kurorë mbi krye. Ndoshta kjo kala kishte marrë emrin e Princit Sebasta nga Kurbini. Tani kishin mbetur vetëm disa mure, për të cilët nuk kujdesej askush. Vetëm një tabelë me mbishkrimin :”Vend historik”, “Ruhet nga shteti” dhe asgjë më shumë. Më tej në Albulenë ishte zhvilluar një nga betejat më të famshme të Skënderbeut.

Në krye të qytetit apo fshatit të dikurshëm kishte gurra të ftohta e shkrepa piktoreskë. Njëra prej gurrave rridhte vrullshëm dhe e përshkonte qytetin në anë të tij. Atje ku buronin gurrat ishin kullat e Selalve, kulla treqind vjeçare, ku jetonin brez pas brezi bijtë e këtij fisi dhe që nuk donin t’ja dinin për qytetin.

Përmbi qytetin e ri, si një kurorë, qëndronte një kishë shekullore që kishte bërë histori. Kisha e Shën Ndout identifikonte qytetin, por jo zyrtarisht sepse një vit më parë feja ishte ndaluar. Tani vetëm përshpëritej vesh më vesh për mrekullitë e Zotit dhe të kësaj kishe.

...Kisha humbur në mendime, por tërheqja paksa e fortë e xhaxhait më shkundi. Isha vetëm 14 vjeç. Kisha veshur një triko leshi të përzier, gjysma lesh delje dhe gjysma lesh dhije. Kush ka provuar në trup leshin e dhisë e di fort mirë se sa të ferron. Në dorë mbaja dëftesën e klasë së tetë. Dora ishte lagur nga djersa dhe sikleti. Megjithëse dëftesa “shëndriste” nga dhjetat, përsëri sikleti im ishte i paparë. E vetmja gjë që më gëzonte ishte kjo dëftesë me dhjeta. Por a do të bënin punë dhjetat për tu regjistruar në një rreth tjetër të vendit ? !

Me trup të shkurtër, të imët dhe shëndetlig nuk ja mbushja mendjen askujt. Shkollë të mesme në fshat dhe në zonë nuk kishte dhe kështu e vetmja mënyrë shkollimi ishte të banoja tek xhaxhai dhe të ndiqja studimet në gjimnazin e këtij qyteti.

Truri im që zgjidhte në çast ekuacionet e algjebrës ishte bllokuar nga stresi i regjistrimit. Sakaq u gjendëm në oborrin e shkollës. Oborri gumëzhinte nga zërat e nxënësve. 1 shtatori, dita e parë e shkollës. Nxënësit e tjerë ishin regjistruar që në gusht, kishin blerë librat dhe ishin gati për mësim. Vajzave u shkëlqenin përparëset e atllasit të zi me jakat e bardhë dëborë, ku poshtë përparëseve fshiheshin gjokset e tyre të bëshme. Edhe djemtë ishin veshur e hekurosur si për festë.

Unë jam rritur në atë kohë që nuk njihej adoloshenca. Ishim anëtarë të Bashkimit të Rinisë. Në moshën 14 vjeç, pasi bënim një kërkesë dhe pasi diskutohej në organizatën e Rinisë, pranoheshim në këtë organizatë, që ishte dhe që konsiderohej fidanishte e partisë. Përjashtoheshin nga kjo organizatë vetëm ata që ishin me biografi të “keqe” dhe ata që bënin sjellje të keqe në kundërshtim me vijën e partisë.

Në botë, mosha nga 13 deri në 19 vjeç, (thirteen –nineteen ) quhen adoloshentë, ose tinejxhër, por unë e kam të gjymtuar adoloshencën, për vetë faktin se unë e nuk e njoha atë. Në moshën 13 vjeç isha në kushtet e mbijetesës, në një shkollë 8 vjeçare dy orë larg fshatit dhe shtëpisë sime. Nuk kisha hapësirë e mundësi as të meditoja, jo më të thurja ëndrra. Tani jam vetëm 14 vjeç e gjysmë dhe nuk e di se si do të vazhdojë jeta ime. Gjysma e vitit midis katërmbëdhjetës dhe pesëmbëdhjetës sikur më buçet në vesh: gjysëm, gjysëm, gjysëm...

Frika nëse do të më regjistronin në shkollë apo jo më kishte pllakosur trupin. Vija nga një rreth tjetër. Duhej edhe një shkresë shoqëruese dakordësie nga seksioni i arsimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit nga vija se ishin dakord që unë të vazhdoja shkollën e mesme në këtë qytet dhe në rrethin tjetër. Shkolla e mesme në lokalitetin tim ishte larg. Në atë kohë kishte një rregull që sot mund të duket absurd. Nuk lejoheshin dy vëllezër nga e njëjta familje që të shkonin për studime, që të bëheshin shofera, që të punonin jashtë fshatit në qytet. Unë kisha në këtë kohë dy vëllezër me studime në Durrës dhe në Shkodër. Kjo shkollë ishte mundësia ime e vetme.

Ndërkohë u futëm në sekretarinë e shkollës. Sekretarja, një mesogrua, shumë e sjellshme, sapo pa xhaxhain tim ushtarak, më kërkoi dëftesën. Dëftesën e mbaja në dorë. Sekretares i shkëlqyen sytë. Po regjistronte një nxënës me të gjitha dhjeta se deri në atë ditë kishte regjistruar vetëm pesanjosë dhe në të rrallë edhe me gjashta e shtata.

- Vërtetimin e rrethit ma sillni më vonë, i tha ajo xhaxhait.

Xhaxhai nuk bëri zë. Atë vërtetim nuk e solla kurrë sepse edhe po të doja unë ta sillja nuk ma jepnin sepse ishte në kundërshtim me “urdhërin e brëndshëm” dhe mbi numrin e përcaktuar.

- Mund të fillosh që tani. Klasa jote është e IX A, këtu në këtë kat.

Xhaxhai më shoqëroi deri në klasë dhe pastaj u largua për në punë.

Fillova kështu vitin e parë të gjimnazit në qytetin e ri të Delishit në shtator të vitit 1968.

II

Nxënësit e klasës sime i kisha sjellë ndërmend në të gjitha netët dhe ditët. Pyetje të shumta më rrinin në tru dhe s’më linin të marr frymë.

Si do të ishin ata ? Më të qytetëruar ? Më të zgjuar ? Më të bukur ? Më të rritur e të më të zhvilluar fizikisht ? Të veshur më mirë ? Më të .... ?!

Këto pyetje ma kishin drobitur trurin në kokën time të vogël dhe në trupin tim të imët. Unë vija i shkurtër dhe i dobët, ndërsa kishte të tjerë që në atë moshë ishin shumë më të zhvilluar fizikisht dhe kjo përbënte një shqetësim të brendshëm të vazhdueshëm për mua. Por si kudo vepronte mënyra e kompensimit te njeriu, te natyra dhe kudo. Unë kisha një zgjuarësi natyrale që bënte dallimin, ndaj dhe kisha rezultate shumë të mira në mësime.

Hyra në klasë, i skuqur deri në majë të veshëve. Një nxënës i ri në klasën e re. Shumica e njihnin njëri tjetrin se kishin qenë bashkë në shkollën 8 vjeçare të qytetit, ndërsa pjesa tjetër vinin nga zona rurale dhe rrethe të largëta sikurse edhe unë. Vështrimi i shokëve dhe shoqeve të klasës për një çast u përqëndrua te unë që sapo hyra. Nuk ishte çast. Për mua ishte i gjatë pambarim. Klasa m‘u duk ngjyra ngjyra. Nxënësit po ashtu. Binin në sy veshjet e tyre, sidomos ato të vajzave. Vajzat megjithëse me uniformë, përparëse të zezë atllasi dhe jaka të bardha që shkëlqenin e kishin gjetur mënyrën për të treguar edhe veshjet e tjera të veçanta. Përparëset i kishin prerë të shkurtëra mbi gjunjë, që të lejonin të dukeshin fundet e bukura prej stofi ngjyra ngjyra. Komçat e përparëseve lejonin të shiheshin trikot e bluzat e bukura të modës së fundit dhe poshtë trikove binin në sy gjokset e tyre të zhvilluara siç janë gjokset e vajzave pesëmbëdhjetë vjeçare, të cilat natyra i rrit para kohe edhe më shumë se vërsnikët e tyre djem. Dikush me sandale lëkure, dikush me sandale të „Gomë – Plastikës“ së Durrësit, dikush me atlete e dikush me këpucë të lehta të shtatorit ishin veshur si për festë. Dhe në fakt ishte festë. Dita e parë e shkollës.

Po djemtë ? Disa ndryshonin nga unë, veçanërisht çunat e qytetit, që ishin me pantollona të shkurtëra. Unë nuk kisha mbajtur pantallona të shkurtëra në shkollë time të fshatit. E kishim për turp të dilnim me pantallona të shkurtëra. Djemtë e rritur, burrat, nuk dilnin me pantallona të shkurtëra, ndonëse në atë kohë në kinematë e kohës qarkullonte filmi „Burri me pantallona të shkurtëra“.

Përveç çunave të qytetit në klasë ishin edhe djemtë e fshatit që udhëtonin disa orë larg për të ardhur në shkollë. Ata udhëtonin nga Gurasi, Patoku, Fusha e Kuqe, Adriatiku, Mali i Bardhë, Mamurrasi e Thumana për në qytet me ç’të mundnin, me autobuz, makina rasti dhe më të shumtën edhe në këmbë. Nxënësit nga Mamurrasi vinin me trenin e Tiranës që arrinte në Delish në orën 8.45. Ne ishim ndoshta e vetmja shkollë në Shqipëri që e fillonim mësimin në orën nëntë që të priteshin edhe nxënësit që vinin me tren.

Klasa qëlloi që kishte një raport të zhdrejtë djem – vajza. Kishte vetëm dhjetë vajza dhe tridhjetë djem, ndërsa klasa tjetër e një viti më parë kishte raport një me një, sa djem edhe aq vajza.

Filluam të prezantoheshim. ....

- Sako Drini, thashë unë.

Ata u vetëprezantuan me rradhë, djem dhe vajza: Cufe Gjini, Petrit Kacadej, Gaz Tafaj, Sel Malbardhi, Martina Kolgecaj, Ada Berisha, Drita Gramshi, Paro Kostandini, Leze Fani, Viktori Pjetri, Shpresa Minai, Ana Tafili, Astrit Muzikanti, Skënder Muço, Ali Gurrzi, Frrok Pëllumbi, Prel Prela, Ndue Gjelaj, Zef Dukagjini, Fran Gurra, Pjetër Sybardhi, Nik Vataj, Nik Gjeloshi, Nik Ndreu, Jak Smaçi, Qemal Xhafzotaj, Piro Jaupaj, Bardhok Curraj, etj.etj.

Pirro jetonte te daja, Bardhoku te halla, unë banoja te xhaxhai dhe kështu si unë ishin shumë nxënës të tjerë të vitit të dytë si Malja, Sanija, Lefteri etj.

Në bankë më ftoi Cufja, një djalë i mirë me origjinë nga Mati që e kishte babain shofer eksporti. Me Cufen kishin dëshirë shumë veta të rrinin me të, por ai zgjodhi të rrinte me mua. Shpesh herë ma zinte vendin Anja dhe unë detyrohesha të shkoja në vendin e saj, të shkëmbenim vendet. Cufja e kishte pak bezdi këtë ndërrim se e stigmatizonin shokët, por Anja e bënte fakt të kryer. U bëmë shumë nxënës në vitin e parë, plot pesëdhjetë. Që të ndahej klasa duhet që numri të kalonte mbi 52. Fleta e regjistrit nuk nxinte më shumë se 52. Për dy nxënës klasa mbeti pa u ndarë. Një babiloni e madhe. Në klasën tonë kishte edhe 16 e 17 vjeçarë që kishin ardhur me vonesë pasi nuk kishin patur mundësi tjetër shkollimi. Shkolla e mesme e përgjithshme në këtë qytet industrial ishte hapur vetëm një vit më parë. Tani që e kishin marrë vesh të gjithë ishin dyndur drejt saj. Ne ishim matura e dytë që do të dilte nga kjo shkollë 1968 – 1972, pra matura e vitit 1972.

Kishte filluar të ndërtohej një qytet i ri. Shkolla e mesme e përgjithshme regjistronte fillimin e saj. Unë filloja një jetë të re.

Mësuese kujdestare na caktuan Liljanën, mësuesen e matematikës. Liljana vinte nga Tirana si dhe shumë shokë dhe shoqe të tjera të saj, mësues të shkollës. Tirana ishte distributori i këtij qyteti me inxhinjerë dhe arsimtarë. Liljana ishte shumë e rreptë. Që në ditën e parë nga prezantimi me ne mbeti e pakënaqur. Ajo vinte nga Shkolla „Ismail Qemali“ e Tiranës. Disniveli midis dy shkollave ishte i dukshëm.

Vangjelica ishte mësuesja e gjeografisë. Kishte ardhur nga Tirana. Ishte e martuar me një inxhinjer të Uzinës së Superfosfatit dhe banonte në qytetin e Delishit. Binte në sy për pamjen e saj. Kishte flokë shumë të shkurtër. I mbante të shkurtër nga halli sepse kishte një shenjë derme në kokë dhe e mbulonte me flokët e kthyer mbi të. Ndiqte modën, vishej mirë, nuk ja ndiente për asgjë.

Mua më donte. I vinte keq. Isha i vogël në trup, i veshur pa shije, me ç’të kishja. Kur erdha nga fshati, pa idenë e qytetit, me varfërinë e fshatit, me skamjen familjare isha veshur me rroba që binin në sy për modën e shkuar dhe për vjetërsinë e tyre.

Nëna, si të gjitha nënat, më kishte thurur një triko leshi që të mos mërdhihja sepse Delishi ishte qytet i ftohtë, kampion i erërave. Por ajo nuk kishte ku ta gjente leshin rudë, apo leshin e përpunuar dhe kishte sajuar një bashkim të leshit të deles së vetme me lesh dhije. Dhija, për ata që nuk e dinë, e ka leshin të ashpër, prandaj edhe trikoja kishte dalë me shumë fije të ashpra që dilnin mbi të tjerat dhe që binin në sy. Unë e ndjeja thellë ashpërsinë e saj.

Kjo nuk i kishte shpëtuar mësuese Vangjelisë. Unë nuk e kuptova kurrë përse mësuese Vangjelia ulej në bankën time, pranë meje dhe fillonte të m’i shkulte fijet e leshit të dhisë në trikon time. Ndoshta ajo donte të m’i hiqte sepse binin në sy, ndoshta englendisej me këtë “sport”, por për mua kjo ishte torturë. Sa herë ajo shkulte fijen e leshit të trikos sime, mua më dukej se po shkulej diçka nga zemra ime. E ndjeja vehten shumë keq, më vinte shumë rëndë. Të gjithë sytë e nxënësve ishin drejtuar drejt meje...

45 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page