FESTA E PAVARËSISË DHE RESPEKTI PËR FLAMURIN
Nxitje për këtë shkrim u bënë disa foto që pashë në internet, me imazhe që mendoj se e fyejnë flamurin, simbolin tonë kombëtar. Në njërën nga fotot paraqitet një femër me të pasmet krejtësisht lakuriq e me flamurin tonë kombëtar mbi supe e mbi kokë. Në një foto tjetër, po kjo femër ka mbështjellë karriken me flamurin kombëtar shqiptar dhe është ulur përmbi të.
Imazhe të tilla publikoheshin pikërisht në Ditën e 110-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare.
28 Nëntori është padyshim festa më e rëndësishme e historisë sonë. Dhe është diçka e bukur kur shikon që në tërë botën, kudo që ka shqiparë, ajo festohet, ku në mënyrë solemne e me aktivitete të karakterit solemn, ku me mbrëmje festive në të cilat këndohet e vallëzohet deri në orët e vona të natës. Kjo është në traditën tonë dhe bëjmë mirë që e ruajmë këtë traditë.
Por kur vjen puna për shpalosjen dhe ekspozimin e flamurit, shpesh herë bëhen gabime, të cilat jo vetëm nuk e lartësojnë emrin dhe imazhin e simbolit tonë kombëtar, por e zhvlerësojnë dhe e fyejnë atë. Flamuri kombëtar është simboli ynë që mbrohet me Kushtetutë. Ai ngrihet apo ulet në mënyrë ceremoniale, ulet në gjysmështizë në raste të përcaktuara me ligj, ngrihet cepi i tij e puthet duke u përkulur me nderim në raste paradash e ceremonish zyrtare nga personalitetet më të larta të shtetit etj. Me flamur mbulohet arkivoli i presidentëve të shteteve kur vdesin apo i atyre që kanë rënë në shërbim të Atdheut. Në raste festash ai mund të vendoset në shtizën e tij në vendet më të dukshme e më të respektuara, apo të fiksohet lart në paretet e mureve të sallës.
Por a respektohen gjithnjë këto rregulla?
Për fat të keq jo.
Shikojmë një mani, që vjen nga një patriotizëm i shtirë, për ta ekspozuar flamurin vend e pa vend e në mënyra aspak të përshtatshme dhe respektuese. E shikojmë atë të hedhur mbi shpatulla, të veshur si bluzë e deri edhe si minifund, të shtruar si mbulesë mbi tavolina e plot mënyra të tjera.
Fjalët Atdhe dhe Flamur janë të shenjta. Me to nuk mund të luhet e as të krijohet inflacion fjale dhe nuk mund të përdoren vend e pa vend. Atdheun e Flamurin përmendi sa më pak dhe sherbeju sa më shumë. Kjo duhet të jetë deviza e atdhetarit të vërtetë.
NË EMRIN TËND...FLAMUR
Në emrin tënd,
diktatorë,
njerëz të pafajshëm
kanë prerë e vrarë.
Pastaj, të mbuluar me ty,
kanë ikur për në varr.
Në emrin tënd,
politikanë,
tribunave çirren
duke të ngritur në erë,
ndërsa pas kurrizit tundin
flamurë të tjerë.
Në emrin tënd,
bukuroshe të zhveshura
reklamave të tundin gjithkund,
pastaj të nesërmen
të veshin si minifund.
Në emrin tënd,
demagogët,
përse bëjnë kaq zallamahi?
kur ti do veç fllad
që të valëvitesh në ajrì.
Në emrin tënd...
Kush të do vërtet,
e shpreh veç një herë
e në heshtje, të madhen dashuri…
Duke u flijuar për Ty,
kur çasti të vijë.
Ndue Lazri
Comments