top of page

FAZANI


FAZANI

Tregim nga Kozma Gjergji      


          Teksa pinim kafe në klubin e gjuetarëve Llaqi, miku im demokrat, më tregonte me fantazi mahnitëse episode të një gjuetie të madhe që kishte realizuar në pyjet e Patrikut. E ngrinte zërin qëllimisht ta dëgjonin dhe të tjerët. Dhe tërhoqi vëmendje sa njëri i tha :

          -Unë t'i besoj të gjitha vetëm nëse betohesh për kokën e zagarit…

           Edhe mua po më dukeshin të ekzagjeruara, prandaj i kërkova atij sinqeritet nëse ishin të vërteta. 

          -Janë vetëm gënjeshtra, ëndrra dhe dëshira gjuetari. Kam kohë që nuk shkoi më për gjah. 

          -Si kështu?! Përse? 

           -Nga frika se më vrasin.Këta janë të gjithë kriminelë komunist. Të bëjnë derr kur të duash e ta mbushin bythën me saçma. Eh, sa krime gjoja aksidentale kanë mbuluar derrat dhe pyjet!… 

          -E ke gabim, - ia ktheva. -Nuk ka shoqatë më pluraliste se kjo e gjuetarëve. Ja, shikoje, - i tregova me dorë tavolinën rreth së cilës ishin shumë gjuetarë, - i ke bashkë socialistin, demokratin, ekologjistin, demokristianin, zogistin, socialdemokratin, të drejtësisë e për integrim… Është vërtet kuriozitet të dish se ç'është vallë ajo lidhje a tjetër gjë që i bënë  aq miqësor me njëri-tjetrin këta njerëz të bindjeve nga më të ndryshmet e deri në ekstreme.

            Dhe pa e zgjatur iu drejtova pikërisht atë pyetje. Në emër të tyre erdhi menjëherë përgjigjja nga gjuetari socialist T.

           -Kemi zagarët nga e njëjta bushtër. 

           -A e dëgjove? Ç'do të thuash tani? - i thashë Llaqit. 

           -Është pusht ai, lanet, kunjaxhi…  Ashtu, qesh e ngjesh, don të na thotë, se të gjithë jemi pjellë e asaj matkës plakë që shkoi në të sëmës…

            Nuk e ngava më tej bisedën. U largova pasi më duhej të përgatitesha, se bashkë me dy të tjerë kishim vendosur të shkonim për të gjuajtur në  malin e Redonit me pyje e faunë të pasur. Duhej të arrinim në të gdhirë. Shpresonim që atje t'i kënaqnim të gjitha dëshirat, sidomos unë e Rokua, sepse Tokut gjithnjë i pati prir fati. Ndërsa ne ktheheshim vjedhurazi për në shtëpi duarbosh, ai përkundrazi, parkonte veturën sa më larg dhe me vargjet e shpezëve të gjuajtura hedhur mbi supe e lidhur brezit përshkonte lagjen, duke tërhequr kureshtarë të shumtë. Kur vriste dhelpra, drer, derra, i vendoste mbi makinë dhe kalonte krekosur duke përshëndetur me dorë. 

              Ngado flitej veç për të, si për një hero, që kthehej kurdoherë fitimtar nga betejat. Edhe në TV e qytetit, një kronikë pompoze iu kushtua portretit të tij prej gjuetari të famshëm. I kërkuan madje të vinte kandidaturën për kryetar bashkie, sepse gjykonin që një i tillë ashtu siç bën zap egërsirat do bëj edhe ligësitë e prapësitë. 

              Të gjitha këto, Rokos, njeri me zili e smir të tepruar, i vinin si poshtërim. Shfrynte e shante sa herë dëgjonte lavdërime për të. 

             -Do Zoti më ndihmon edhe këtej, -tha Toku. 

              Rokua ia priti menjëherë :

             -Ç'hyn Zoti këtu?!… Si mund të të ndihmojë për të vrarë vetë krijuesi e mbrojtësi i jetës?!            

              Toku e vërejti hetonjës e më habi dhe shtoi: 

             -Nga shanset që kam pasur më është dukur se gjithnjë më ka ndihmuar një fuqi hyjnore, e padukshme… 

             -Broçkulla…., - ia ktheu me ton Rokua. -T'i kemi sjellë ne në pritë dhe ti vetëm sa ke shkrepur armën. Tamam si ai kopshtari, që megjithëse ia bën të gjitha shërbimet pemës në fund kokrrat ia hanë të tjerët…

              Arrita t'i qetësoi dhe e ndërrova krejt bisedën. Mbërritëm. Pa humbur kohë u fiksuam. në pozicionet që përcaktuam.  

              Menjëherë rrahu krahët e u ngrit vrullshëm një fazan për nga pozicioni i Rokos. Ai ngriti rrufeshëm armën e goditi dy herë, ndërsa shpendi pa asnjë shqetësim vazhdoi fluturimin

 lartë në drejtim të Tokut. Edhe ai qëlloi. Zogu bëri një ulje disa metra, gjë që tregonte se saçmat e kishin kapur. Qëllova dhe unë. Fazani në panik u kthye sërish andej nga erdhi dhe gradualisht u ul në tokë në afërsi të Tokut. Zagari i tij rendi, e mori në gojë dhe e solli te ai. Afrohemi dhe ne për ta parë. Ç'krijesë e bukur! Qëndronte i tulatur. Toku i gëzohej dhe për të na e bërë të qartë se shpendi i përkiste atij na tregoi se vetëm goditjet e tij e rrëzuan. 

              -Ç'thua!... - iu hakërrua Rokua. -Ishin dy goditjet e mia që e detyruan të bënte atë hark gjersa ra në tokë. 

             -Nuk e kapi asnjë nga saçmat e tua, -e kundërshtoi Toku, -se fazani vazhdoi të ngrihej drejt qiellit nga ana ime. 

             -T'i nuk e di ligjin, që thotë se, kush e qëllon i pari atij i përket dhe preja.Pra, që në goditjen e parë ky zog është bërë prona ime. 

             -Por ama, kur e godet, ndryshe ai ikën… 

             -S'ka nevojë më të ta përsërisë që shpendi më përket mua, kurse ty vetëm glasa e tij. 

              Përballë Rokos me atë trup si të ariut e mbi gjysmë metri më i lartë se ne, prapëseprapë Toku i armatosur ndihej plotësisht i barabartë. Gjithë kurajo ia ktheu :

              -Mos më fol me këtë gjuhë, se s'ta ka frikën njeri… 

              -Ju lutem, -iu ndërhyra, -ç'bëni kështu për një zog… Jeni miq, koleg…  Ndajeni përgjysmë e mos u gridni për hiçgjë… 

               U shqetësova pa masë se po e ndjeja rrezikun. M'u kujtua Llaqi dhe rastet kur edhe për vogëlsira të  tilla qenë humbur jetë. 

               -Në asnjë mënyrë, -tha prerë e kërcënueshëm Rokua. -Larg duart nga prona ime, ndrysheee… 

                Këtë çast fazani sikur ta kishte kuptuar situatën e rëndë iu dha krahëve e mori fluturimin. Të dy gjuetarët ngritën armët. Toku qëlloi mbi shpendin, kurse Rokua mbi kolegun. Ndërsa Toku përpëlitej i gjakosur, Rokua rrëmbeu zogun e ia krisi vrapit dhe u zhduk në pyllë. 

                Më përshkoj tmerri. Mezi arrita të formojë numrat e telefonit të ndihmës së shpejtë dhe policisë. 




260 views2 comments

2 Comments


sotir.mimi
sotir.mimi
Apr 20, 2020

S.Athanasi

Një tregim që të mban në një drejtim: në atë të mburrjes - legjendë të gjuetarëve dhe unë mendova se mburravec, do të pendohej nga bukuria e fazanit dhe do të braktiste gjuetinë.

Por, jo. O zot ku të çon egoizmi. Të godasin shokun. Z.Kozma na thotë se mund të ndodhë edhe kështu. Urime, koleg!

S.Athanasi!

Like

Vasil Klironomi: FAZANI

Një tregim tragjikomik po unë do të mbetem te komikja.«Humorii mirë, endihmon lexuesin të qesh pa përpjekje. Truri i tij fiton energji dhe bëhet më aktiv. Si konkluzion,larmiae formave të humorit cilësohet si fenomen diturie. Shkrimtarë që i njohin vlerat e humorit tërheqin vëmendjen e lexuesit me këtë fenomen që në themel, ka një mënyrë të veçantë komunikimi dhe simpatizohetsiprirje.»Këto radhë i mora nga një eseja ime se i përshtaten shumë këtij tregimi fin dhe i shkruar nga një shkrimtar virtuoz siç është Kozma Gjergji.

Urime i dashur mikdhe tregime të tjera të këtij niveli!

Vasil Klironomi

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page