Fatos Kola: Homazh për Profesorin e nderuar Bashkim Sadikaj
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 3
- 5 min read

Të dashur miq, me hidhërim të thellë po iu përcjell dhimbjen e trishtë që përjetova kur mësova se dje u nda nga jeta në Bolonja të Italisë njëri ndër figurat më të njohura ndërkombëtarisht të skulpturës shqiptare të fundshekullit XX dhe fillimshekullit XXI – mjeshtri i madh dhe profesori i paharruar Bashkim Hilmi Sadikaj.I cili ne Itali njihet ndryshe edhe me mbiemrin historik të familjes së tij "FIDA" që profesori sigloi të gjitha punimet e dalë nga dora e tij duke e shndërruar në pseudonimin e tij artistik.
Prof. Bashkimi u shfaq si një meteor në artin dhe akademizmin shqiptar pas emërimit si pedagog i skulpturës në Liceun Artistik “Jordan Misja” në fundvitet ‘60. Them kështu sepse në lëminë e dijeve teorike mbi teknikë-teknologjinë dhe në morinë e realizimeve magjepsëse që performoi, ai nuk kish pararendës prej nga të kish mësuar… Çka do të thotë se shkolla shqiptare e skulpturës përfitoi prej gjenisë së tij krijuese bash gamën e njohurive, shprehive dhe teknikave manipuluese e formësuese që askush nuk dëshmoi se i zotëronte apo t’i kish demostruar para tij. Ndaj dhe pyetja legjitime “Nga kush dhe nga ku i ka mësuar Prof. Bashkimi këto dije e shprehi mjeshtërore, mbetet ende e hapur dhe pa përgjigje" , sepse në shkollën tonë këto dije mbi teknikat dhe teknologjitë në plurimaterie nuk jepeshin më parë nga asnjë mesonjës i shkollave shqiptare të artit.
Me vlerat e mëdha shpirtërore, me humanizmin, aftësitë dhe sukseset e bujshme profesionale, Prof. Bashkimi u shndërrua në idhullin e nxënësve dhe në kolegun e denjë e meritor të profesoratit më të ndritur të shkollës shqiptare të artit të asaj kohe, sikurse ishin dhe mbeten korifejtë e paarritshëm e të papërsëritshëm Ramadan Sokoli, Janaq Paço,Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Naxhi Bakalli, etj..
Për ne nxënësit e tij, Prof. Bashkimi nuk ishte thjesht një mësues i skulpturës – ishte një udhëheqës shpirtrash artistikë, ishte frymëzuesi i pashoq që na mësonte jo vetëm si të punonim me gurin, drurin, metalin, bakrin, qelqin apo rezinat sintetike, por mbi të gjitha na mësoi ta ndjenim e përjetonim skulpturën si një mënyrë e të menduarit dhe të jetuarit në kompleksitet emetimesh ndijimesh dhe përjetimesh. Ashtu si vet natyra është dhe shfaqet gjithmonë plurale dhe e papërsëritshme në materialitetin e saj.
Ndaj sot pohoj me krenari se mentor dhe udhërrëfyes në rrugëtimin personal kah thelbi i artit skulpturor kam patur Prof. Bashkimin, i cili vulosi formimin tim profesional qysh nga mjeshtëria e deri tek nocionet e plurimaterialitetit brenda një vepre skulpturale, me destinacion projektimin e shpirtit artistik mbi materie. Ide dhe koncepte që, më vonë, si dishepull i tij i shndërrova në programe dhe metodologji akademike për studentët përgjatë 15 viteve që drejtova atelierin e plurimaterialitetit në skulpturë, në Akademinë e Arteve.
Pas emigrimit të tij pa kthim në fillimvitet ‘90, Prof. Bashkimi u vendos në Bolonja të Italisë, ku krijoi një tjetër tempull arti – studion e tij ku me pasion të pashuar vazhdoi të krijojë, të restaurojë dhe të ekspozojë.
Me sfidën triumfale që nisi dhe kulmoi bash në zemër të “atdheut të artit pamor” (Italisë), Prof. Bashkimi jo vetëm mposhti konkurrentët e të gjitha racave dhe magjepsi kritikët e artit, artdashësit dhe klientët, por u shndërrua në një nga figurat më të ndritshme të artit tonë pamor në mërgatë, ku restauroi dhjetra kisha me objektet e kultit të tyre, me ekspozita të shumta dhe me një koleksion të rrallë antikuarësh. Studio e tij në mes të Bolonjës u risolli italianëve shembëlltyrën bashkëkohëse të epokës së Rilindjes dhe shkëlqimin e atelierëve të mjeshtrave gjenialë, ku tashmë një magjistar nga përtej-Adriatiku i linte pa gojë teksa realizonte mrekulli në krijime dhe restaurime.
Shkurt, Prof. Bashkimi ishte pararendësi akademik shqiptar i konceptit të plurimaterialitetit – një qasje kjo ku një vepër merr frymë përmes shumë materialeve që bashkëjetojnë me harmoni dhe shprehin kompleksitetin e botës së artistit.
Veprat e tij sot zbukurojnë dhe mobilojnë ambientet më të rëndësishme të kujtesës dhe identitetit tonë kombëtar…Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, disa vepra në “Muzeun Historik Kombëtar” në Tiranë dhe mobilimin e memorialit të vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë – si dëshmi të një shpirti që i blatoi atdheut jo vetëm vepra arti, por copëza të përjetshme kujtese dhe krenarie.
***
Prof. Bashkimi ishte bir i një familjeje të shquar dibrane. Ishte djali i parë i Hilmi Sadikaj (studiues i thellë e poliglot i kulturës materiale dhe shpirtërore, i historisë qytetërimore dhe i autoktonisë sonë në mbarë trojet Lindore shqiptare, që nga ilirët e deri tek arbërit).
Ndaj dhe natyrshëm, krahas babait e vëllezërve të tij (të gjithë figura të spikatura në sport, shkencë dhe art). Përmend këtu profesor Avni Sadikaj (kampion kombëtar në mundje për disa vite dhe trajner i shquar i këtij sporti)i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë para pak kohësh, inxhinierin biokimist me famë Perlat Sadikaj (i cili ja ka dal mbanë që me dijet e tij të konkuronte shkencën gjermane dhe italiane, vende ku ai punoi për vite me radhë), përmënd vëllain e vogël të tyre skulptorin qeramist Bujar Sadikaj i cili njihet si një nga mjeshtrat e rrallë të qeramikës artistike që jeton dhe ushtron veprimtarinë artistike në Milano të Italisë.
Prof. Bashkimi mishëronte, përfaqësonte dhe rrezatonte vlera të larta morale e intelektuale, si dhe kontribute të qenësishme e atdhetare.

Ndarja e tij nga jeta është humbje e pakompensueshme për familjen e tij, për Myzejenin bashkëshorten e tij, për vajzën e tij Edlirën dhe djalin Sokolin. Të cilët i ndenjën mbi kokë deri në momentin e fundit. Theksoj që e gjithë familja e tij, janë artistë të dizajnit dhe restaurimit dhe profesori i pati në krah dhe në stimuj të vazhdueshëm gjithë familjen e tij me edukacion artistik. Humbja e profesor Bashkimit, është humbje e madhe e artit shqiptar, humbje për shkollën shqiptare të arteve pamore, për kujtesën tonë kulturore dhe identitare.
Por Prof. Bashkimi do të jetojë në veprat e tij, në nxënësit e tij, në gjithçka që ai preku e jetësoi me duart prej magjistari të artit, me mendjen dhe shpirtin e tij të lirë e dhurues. Ai ishte dhe do të mbetet përjetësisht një Guru i nxënësve të tij dhe projektues i risive të skulpturës moderne shqiptare.

Ekzistenca e tij fizike ishte një jetë e tërë në shërbim të artit, gjatë së cilës mendja e tij e ndritur dhe duart e tij të bekuara rrokën, pushtuan, sublimuan dhe shpirtëzuan çdo materie duke ringjallur me restaurimet e tij mijra objekte kulti.
Lamtumirë Profesor i shtrenjtë! Engjëjt që ti ringjalle në dhjetra kisha këndofshin për ty këngët e përjetësisë, në Parajsën e amshuar !
Kam bindjen që skulptura moderne shqiptare do të flasë gjithmonë me zërin tënd parak, i shtrenjti profesori dhe miku im i zemrës!
Ish nxënësi, miku dhe adhuruesi juaj, Fatos Kola
Ngushëlloj thellësisht nga zemra familjen e shkëlqyer të tij Myzejenin (bashkëshorja), Edlirën (e bija),Sokolin (i biri),Perlatin (i vëllai), Bujarin (i vëllai)së bashku me familjarët e tyre, si dhe trashëgimtarët e Avniut. Ngushëlloj të gjithë miqtë artistë dhe artdashës të tij!
Nuk pashe ditlindjen , per kete humbje jete . Per te tille figura te artit ka vetem ditlindje . Miqesisht : I. Foto