top of page

Fatmir Terziu: Zogjtë erdhën të parët

  • Jun 17
  • 4 min read

EDHE NGA FERRA KA VLERA

(Ose Kopshti i Ferrave ku Zogjtë erdhën të parët)

 

Na u bënë si ferra? E dëgjoi dhe pastaj tundi kokën. E më pas sytë ia dha hapësirës së madhe mes atyre kapakëve të thjeshtë, por të shtrenjtë… Askush nuk e dinte saktësisht kur kishte filluar. Në fillim ishte vetëm një ferrë e vetmuar, pas godinës së madhe gri të Bashkisë, aty ku njerëzit hidhnin letrat e pavlera, formularët e refuzuar dhe ëndrrat e kthyera mbrapsht me vulë. Ferrën e quajtën gabim. Një ditë, një punonjës i zyrës së regjistrimeve propozoi që të pritej. Të nesërmen erdhi një komision që vendosi se duhej studiuar. Pas një jave u ngrit një sektor i veçantë për monitorimin e ferrës. Pas një muaji u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Ferrës. Ndërkohë, ferrën askush nuk e pyeti.

Ajo vazhdonte të rritej. Njerëzit e qytetit kalonin çdo ditë pranë saj. Disa e shanin.

- S’ka për të bërë asgjë kjo ferrë.

Të tjerë qeshnin.

- Shiko si është shtrembër. As pemë nuk bëhet, as lule. Disa e përdornin si shembull dështimi për fëmijët e tyre.

- Nëse nuk mëson, do të përfundosh si ajo.

Ferrën nuk dukej se e shqetësonte asgjë. Në heshtje nxirrte degë të reja. Vitet kaluan. Një mëngjes qytetarët u zgjuan me një njoftim të çuditshëm. Në të gjitha muret ishte ngjitur i njëjti afishe: “Ndalohet rritja e ferrës përtej kufijve të miratuar.” Poshtë ishte vula e Bashkisë. Ferrën nuk e kishin njoftuar. Ajo vazhdoi të rritej. U ngritën grupe pune, komisione hetimore, ekspertë të ferrave dhe specialistë të anti-ferrave. U botuan raporte voluminoze ku shpjegohej pse ferrat nuk duhet të rriteshin aq shumë. Ndërkohë, ferrën askush nuk e kishte parë nga afër. Ata studionin fotografitë.

Një ditë, kryeinspektori i qytetit vendosi të shkonte vetë. Kur arriti, u ndal. Ferrën e kishin mbuluar një tufë zogjsh. Në hijen e saj rrinin pleq që pushonin. Fëmijët luanin përreth. Një grua kishte lidhur një shirit të kuq në një degë dhe lutej në heshtje. Një burrë që kishte humbur punën rrinte ulur pranë saj dhe lexonte libra. Kryeinspektori mbeti i hutuar. Në raportet e tij ferrën e kishin përshkruar si të padobishme. Por aty, para syve të tij, njerëzit po gjenin diçka që nuk e gjenin askund tjetër. Ai u kthye në zyrë dhe kërkoi të ndryshonte raportin.

Të nesërmen e transferuan. Vitet vazhduan. Ferrën tashmë e shihje nga çdo cep i qytetit. Degët e saj kishin kapërcyer muret, gardhet, tabelat dhe urdhrat. Ajo nuk kishte kërkuar leje. Nuk kishte plotësuar formular. Nuk kishte marrë certifikatë. Një ditë, njerëzit që dikur e kishin tallur nisën të vinin nën hijen e saj. Ata sillnin karrige. Pastaj tavolina. Pastaj kujtime. Dhe ndërsa rrinin aty, askush nuk guxonte të fliste për kohën kur e quanin të pavlerë. Vetëm një plak, që kishte parë gjithçka që nga fillimi, buzëqeshi dhe tha:

- Sa të çuditshëm jemi ne njerëzit. Kalojmë jetën duke numëruar gjembat e një ferre dhe harrojmë të shohim manaferrat. Askush nuk iu përgjigj. Sepse në atë çast të gjithë kishin duart të njollosura nga frutat e saj. Dhe për herë të parë kuptuan se ndonjëherë vlera nuk lind aty ku e mbjell bota, por aty ku bota nuk sheh asgjë përveç gjembave.

Ferra vazhdoi të rritej, por jo më vetëm. Askush nuk e kuptoi se kur kishte ndodhur. Një mëngjes pranë saj u shfaq një ferrë tjetër, pastaj një e tretë, pastaj dhjetëra të tjera. Nuk ishte e qartë nëse kishin mbirë nga farat e saj apo nga hijet që ajo hidhte mbi tokë. Dukej sikur vetë toka po mësonte gjuhën e ferrës. Shpejt, rreth saj u krijua një mbretëri e vogël, e padukshme për ata që shikonin vetëm nga dritaret e zyrave.

Zogjtë erdhën të parët. Ata ndërtuan foletë mes gjembave, aty ku askush nuk mund t’i prekte. Pastaj erdhën krimbat, të cilët qyteti i kishte shpallur të pavlerë, sepse jetonin nën dhe. Ata gërmonin tokën natën dhe linin pas rrugë të fshehta për rrënjët. Më pas erdhën fluturat. Pastaj bletët. Pastaj frutat. Frutat ishin më të çuditshmet. Askush nuk i kishte parë të lindnin. Një ditë degët ishin bosh dhe ditën tjetër vareshin prej tyre kokrra të errëta, të ëmbla dhe të ndritshme si sy të vegjël nate. Banorët e qytetit nuk e kuptonin.

- Si mund të dalë ëmbëlsi nga gjithë këta gjemba? – pyesnin.

Por ferra nuk u përgjigjej pyetjeve. Ajo nuk kishte folur kurrë. Ndërkohë, zogjtë hanin frutat dhe shpërndanin farat larg. Krimbat pasuronin dheun. Bletët sillnin jetë nga një lule te tjetra. Edhe ferrat e reja që mbinin nuk ishin më thjesht ferra; ato ishin bërë strehë, ushqim, rrugë dhe mbijetesë për qindra qenie të vogla. Atëherë një plak që kalonte çdo ditë aty pranë tha diçka që askush nuk e harroi:

- Njerëzit e gjykojnë një qenie nga gjembat që u shpojnë duart. Natyra e gjykon nga jeta që mbledh rreth vetes. Dhe vërtet, kur e shikoje nga larg, nuk dukej më si një ferrë. Dukej si një botë. Një botë e ndërtuar nga ajo që të gjithë e kishin quajtur të pavlerë. Dhe ndoshta ky ishte sekreti më i madh i saj, nuk ishte rritur për t’u bërë diçka më shumë se ferrë, ishte rritur aq sa të tjerët të gjenin vend pranë saj. Në fund, nuk ishin gjembat që e bënë të madhe, por jeta që ajo kishte mësuar të mbronte.

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page