top of page

Fatmir Terziu: Vitet kalojnë, por vlerat shtohen

  • May 19
  • 2 min read

 

Vitet kalojnë, por disa njerëz nuk zbehen me kohën, përkundrazi, bëhen më të ndritshëm në kujtesën dhe jetën e komunitetit. E tillë është figura e Dr. Zamira Perfundi Ruspit, një grua që ka ditur të ndërtojë jo vetëm një profesion të nderuar, por mbi të gjitha një model frymëzimi dhe përkushtimi njerëzor. Me përulësi dhe vendosmëri, ajo ka bashkëpunuar me të gjithë, duke krijuar ura lidhjeje dhe mirëkuptimi mes njerëzve. Në kohë të vështira, prania e saj ka qenë një mbështetje e sigurt, si në fushën e mjekësisë, ku ka ndihmuar të sëmurët me profesionalizëm dhe zemër, ashtu edhe në jetën e përditshme, duke qenë pranë atyre që kishin më shumë nevojë. Për shumëkënd, ajo nuk ka qenë thjesht një mjeke, por një dorë e ngrohtë dhe një zë shprese.

Gati dy dekada më parë, së bashku me gra të tjera të përkushtuara si Zamira, Liljana, Lavdija, Kristina, Hankja dhe shumë të tjera, u hodhën themelet e shoqatës shqiptare “Albanian Union - Mother Teresa” në Londër. Ajo që nisi si një iniciativë e thjeshtë, u shndërrua me kalimin e viteve në një vlerë të rëndësishme komunitare, një pikë referimi për shqiptarët në diasporë.

Nën këtë frymë, janë organizuar dhjetëra e dhjetëra aktivitete madhore që kanë sjellë bashkim komuniteti, duke ruajtur dhe promovuar vlerat dhe traditat shqiptare. Shkolla shqipe është bërë një vatër e rëndësishme edukimi për brezat e rinj, ndërsa nënat dhe vajzat janë mbështetur në rrugëtimin e tyre drejt edukimit dhe kualifikimit si ndihmëse mësuese. Festimet, aktivitetet kulturore, ditëlindjet dhe arritjet e përbashkëta kanë krijuar një atmosferë të gjallë dhe të ngrohtë, ku kultura dhe identiteti shqiptar jetojnë dhe zhvillohen çdo ditë.

Portreti i Dr. Zamira Ruspit është ai i një gruaje të fortë dhe të ndjeshme njëkohësisht, një profesioniste e përkushtuar, një bashkëpunëtore e palodhur dhe një figurë që lë gjurmë të thella në zemrat e njerëzve. Vitet kalojnë, por vlerat e saj vetëm sa shtohen, duke e bërë atë një shtyllë të vërtetë të komunitetit. VAZHDON LEXO: REVISTA NË PRINT „ALBANIAN POST“

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page