top of page

Fatmir Terziu: Vanghea Mihanj Steryu një poete dhe artiste me risi globale


Vanghea Mihanj Steryu një poete dhe artiste me risi globale


Nga Fatmir Terziu

 

Bota është bërë shumë e vogël. Është aq e vogël, sa një lëvizje e „miushit“ të shtypur nga dora të shpie ku të duash, të sjell çfarë të duash në sytë e tu. Dhe ti ashtu i emocionuar e ndjek atë pikë të botës me sytë e hapur dimensional në ekranin blu. Me këtë rast je bërë pjesë e termit që nuk e dëgjon më rallë, pra je bërë Global. Një emër që hera-herës na bën bashkë, hera-herës na sjell mendjen vërdallë, e hera-herës na zhduk e na humbet e pastaj kur i duhet na ringjall. Këtë herë shtypja e parë e mëngjesit me dorën e djathtë e zmadhoi akoma më shumë në sytë e mi forcën ringjallëse të miushit, që më solli një surprizë të bukur nga Maqedonia e Veriut, e që mbante firmën e shkrimtares dhe artistes shumëartëshe dhe emërmadhe Vangja Mihajlova Shterjova (Vanghea Mihanj Steryu).

Dhe nuk ka gëzim më të bukur kur emri i saj në mesazhier të sjell dhuratën më të bukur që ke marë ndonjëherë. Ajo ka përfshirë Princeshën Elize, vajzën e djalit tim Andit dhe nuses së tij Emirjonës në një libër të botuar enkas me autorësinë e saj dhe të mbështetur nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Shkup, me titullin „Lakuriqi i Luleve“ (2024). Në kopertinën e këtij libri me lirika të bukura, me këngë të çlirta, e të dëlirta, shkruhet: „Shkrimtarja e mirënjohur Vanghea Nihanj Steryu, më datën 04/03/2024 nga Shkupi i ka kushtuar poezi këngë: Princeshës Elize. Para se të shfaqet poezia më këtë rast, është vendosur fotografia e vogëlushes Elize, që po tull peta me një pamje duale të fokusuar tek gjyshja e saj që e mëson se si të veproj dhe me sfondin tjetër në fokus duke u përqëndruar tek procesi i të bërit peta tradicionale shqiptare për byrek. Më tej është poezia që në vetvete është një pasqyrë perfekte e talentit dhe shpirtit të lartë artistik që zotëron kjo zonjë e nderuar në shumë hapësira mbarëkombëtare, falë talentit, zemërgjerësisë, përkushtimit dhe kontakteve artistike që ajo mban.

Kam pasur rastin e bukur disa vite më parë ta takoj në Strugën e bukur në evenimentin e madh poetik të Poezisë, një eveniment që ajo e organizonte me mjeshtëri e përkushtim. Aty pashë nga afër talentin e saj, përkushtimin e madh, humanizmin dhe dashurinë njerëzore për të gjithë e mbi të gjitha një talent jo vetëm në art, por dhe në artin e organizimit dhe bashkimit të kombeve. Aty mësova se ajo është ndër “zërat më të njohur të lirikës arumune” jo vetëm në vend, por dhe në hapësirën e gjerë Globale.

 

Po cila është Vanghea Mihanj-Steryu

 

Pra për ta bërë të thjeshtë e të qartë Vanghea Mihanj-Steryu, është një shkrimtare, poete, përkthyese, artiste dhe regjisore arumune nga Maqedonia e Veriut. Ajo, pra sikurse e citova  renditet ndër “zërat më të njohur të lirikës arumune” në vend dhe jo vetëm kaq.

Vanghea Mihanj-Steryu ka lindur në vitin 1950 në fshatin Schiphol të Dolanit (atëherë në Republikën Popullore Federale të Jugosllavisë), në një familje fshatare arumune (Vllahe) të Dimitar Mihailov dhe Palihria Siman-Nikolich. Ka studiuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Serbisë. Nga viti 1969 deri në vitin 1972 ajo ka ushtruar punën e saj në Kuvendin e Komunës së Shipit. Nga viti 1970 jeton në Shkup, ku nga viti 1974 deri në vitin 1992 ka punuar në Filarmoninë Shtetërore. Ajo është një artiste e pavarur që nga viti 1993.

Duke qenë se rrjedha e familjes së saj ishte me një arsye të fortë njerëzore të lidhur me përkujdesjen dhe rritjen e bagëtive, pra të blegtorisë, ku emri i madh i kohërave „barinj“ kishte fshikullime konotative, autorja që kishte shfaqur talent që në moshë të vogël nuk e ndoqi atë udhë, por udhëtoi në fusha të tjera të artit dhe krijimtarisë. Prindërit dhe të parët e saj të ardhur nga hapësira gjuhësore e arumunëve, nga Moscopole dhe Janina, dhe që sot ka mbetur si e vetmja ndër të gjitha popullsitë arumune të vendosura në anën e djathtë të Danubit... që ka ruajtur emri etnik në lidhje me origjinën e tyre ishin përkrahësit e saj më të mirë.

Jo më kot, Hristu Cândroveanu që ishte një redaktor, kritik letrar, poet, prozator, përkthyes rumun i përkatësisë etnike arumune, që ka botuar disa vepra në lidhje me arumunët, që drejtoi disa revista arumune dhe u përfshi në disa organizata arumune e ka cilësuar si një „shkrimtare të talentit të padiskutueshëm“.

Kështu jeta e saj rodhi mes talentit dhe përkushtimit, e cila pas debutimit të saj në 1975, Vanghea Mihanj-Steryu botoi 32 libra me poezi dhe prozë. Gjatë "Panairit Ndërkombëtar Arumun të Librit", edicioni i 16-të, i mbajtur në Iasi, 8-10, Cernăuți, 10-11 tetor 2007, u prezantuan, disa nga vëllimet e nënshkruara nga Vanghea Mihanj Steryu: Roman ti Ficiurits - "Steali di mîrdzeali"/SbeçäÈ oä Mohèctpè, prozë e shkurtër për fëmijë, Tser fră steali, vjersha, Casi fîrî pîmatsi, roman dhe antologjitë Mutritlu a poetsilor/ Poets viems (bërë në bashkëpunim me Anita Steryu-Dragovich), Boatsea-aëoèotte dhe antologjia Ciuciurlu-a Vreariljei.

Kjo Antologji është një përmbledhje me vepra të 29 autorëve të gjuhës arumune nga vendi, por që jetojnë edhe përtej kufijve (Ion Milo - Suedi, Goran Trailovich - Pancevo, Serbi, Vasile Barbu - Uzdin, Serbi, Vasile Tărîþeanu - Cernăuți), në versionet arumune dhe maqedonase të nënshkruara nga Vanghea Mihanj-Steryu dhe Anita SteryuDragovich. Antologjia, e hapur nga Lucian Blaga dhe Mihai Eminescu, bashkon poezi të nënshkruara nga 27 autorë të tjerë bashkëkohorë - më i mirë i përfaqësuar numerikisht është qyteti Iasi (përmes: Cassian Maria Spiridon, Emilian Marcu, Valentin Talpalaru, Cristina Gheorghina Voicu, Gabriela Ciobanu, Marius Chelaru). Poetët e tjerë të antologjizuar: Maria Marginean - Alba Iulia, Mihai Prepeliță - Bukuresht, Veronica Dumitrescu – Tîrgovite, Mihail I. Vlad – Tîrgovite, Maria D’Alba – Alba Iulia, Marta Izsak – Tîrgu Mure, Victor Mihalachi – Tîrgovite, Felicia Moneag – Sălaj, Valentin Tacu – Cluj-Napoca, Gheorghe Dăncilă – Alba Iulia, Elena Liliana Popescu – Bukuresht, Dumitru Cerna – Cluj-Napoca, Ianco Vale – Tîrgovite, Valeria Manta Tăicuþu – Rîmnicu Sărat, Corneliu Radu Păiuan – Timioara, Camelia Morcozan – Cluj-Napoca, Angela Tărtiu – Alba Iulia.

Ajo është dhe një përkthyese me emër dhe me me një përkushtim e profesionalizëm të madh në punën e saj rreth punës së poetëve arumunë. Kështu, në Mutritlu e poetëve/Viemat e poetëve, të realizuara me rastin e Festivalit Ndërkombëtar "Constantin Belimace", 2001, janë antologjizuar: Marta Izsac dhe Toma Eanachi, dhe në Boatsea-a Poetslori – Matilda Caragiu-Mariotseanu, Gheorghe Vrana, Dumitru Piceava, Mihail I. Vlad, Camelia Morcozan, Maria Marginean, Gabriela Ciobanu, Toma Eanachi. Për këtë autore ka bërë hera-herës përzgjedhje dhe prezantim autorial dhe poetik i mirënjohuri Marius Chelaru, sidomos me ciklin poetik dhe jetëpërshkrimin e autores tek Revista Românã nr. 3 (57) / 2009.

 

Vanghea Mihanj Steryu një emër Global

 

Pse e themi këtë? Është e thjeshtë. Është e kuptueshme. Është mjaft efikase kur thuhet se ajo është „rivendosja e rrugës drejt unitetit të gjuhës arumune“ (Catinca Agache; Diacronia: 2007). Tjetra që e bën atë të përmasave globale është se poetja arumune-maqedonase Vanghea Mibanj Steryu nga Shkupi është një prani unike, absolutisht e jashtëzakonshme në festivalet e poezisë“ (Ibid).

Mbi të gjitha me një bukuri dhe dallim që i referohen modelit estetik të lashtësisë, bën dhe rindërton rrugë nga vatra e harruar arumune, nga Maqedonia e Veriut, në atdheun e gjuhës arumune, në një gjest të përsëritur të rinyjës së lidhjeve familjare rreth lashtësisë: Trungu trak, dako-rumun, i etikës së një populli të përhapur në jug të gadishullit ballkanik, koordinatat thelbësore të të cilit ishin bariu dhe besimi në Zot.

Si mjaft etni të tjera, që kanë fate të ngjashme, ashtu dhe ajo me penë e përkushtim, me talent e kulturologji, me art dhe peozi ndërton ura shekujsh dhe lidhjesh shekullore. Ajo me penën dhe talentin e saj bën të ringjallet ajo që nocioni i etnisë që i përket, të mbart me vete një histori të tërë të një popullsie autoktone në jug të Danubit për t'i rezistuar politikave të shkombëtarizimit dhe asimilimit të detyruar, një histori e mbarë racës arumune e njohur me emra të ndryshëm, si - vllahë ose cufovlahi, siç i quajnë grekët finfari, si serbët dhe hungarezët i quajnë, barinj (çoban), siç i quajnë shqiptarët, ose maqedono-rumunët, siç i përshkruan Eminescu, arumunët, rumunët, siç e përkufizojnë veten e tyre - të fiksuar në këtë etronim nga gjuhëtari Gustav Weigand (1895) - të përhapur në Greqi, Shqipëri, Bullgari, Serbi, Rumani dhe në diasporë.

Jo më kot Catinca Agache  shkruan „Ajo mbart në fshehtësitë e shpirtit të saj arumun, rrëmujën e përpjekjeve të para për të rivendosur identitetin kombëtar nga disa studiues arumunë të shekullit të 18-të, si Anastasie Cavalioti, Daniil Moscopoleanu, Mihai Boiangi“ (Po aty).

Sikurse e citon autorja e nënkuptojmë qartë se Vanghea Mihanj Steryu është, pra, produkti i kësaj historie të trazuar të arumunëve ende në kërkim të identitetit dhe një nga eksponentët më të rëndësishëm bashkëkohorë, ndër ata shkrimtarë të mrekullueshëm arumunë nga Maqedonia që tregojnë një vendosmëri të admirueshme për ruajtjen e pandryshuar të qenies kombëtare.

Por me krijimtarinë e saj, me përkushtimin ndaj etnisë së vetë, ajo nuk ka qenë vetëm një model për këtë kënd, por edhe për shqiptarët në Republikën e Mqedonisë së Veriut, gjë që e ritregon edhe me botimin e kësaj Antologjie poetike me lirikat e saj për fëmijë dhe të mbështetur nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Shkup.

51 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page