Fatmir Terziu: Urim ditëlindjeje për Përparim Ramën
- Jan 20
- 1 min read

Sot, më 20 janar, dita hapet si një plan urban i ndriçuar nga drita e mendimit krijues. Në këtë ditë, Përparim Rama, arkitekt i hapësirave dhe i kohës, mbush vitet siç mbushen qytetet me kujtesë: me linja që nuk plaken dhe me vizione që ecin përpara.
Kam pasur fatin dhe përgjegjësinë ta ndjek këtë rrugëtim jo vetëm me syrin e vëzhguesit, por edhe me fjalën e shkruar. Libri im, “Përparim Rama: emër global i arkitekturës bashkëkohore”, është përpjekje për të kapur atë që zakonisht i shpëton biografive, frymën. Frymën e një djali nga Prishtina që e ktheu mërgimin në laborator idesh, dhimbjen në vizion, dhe qytetin në gjuhë universale.

Arkitektura e Përparimit nuk ndërton vetëm hapësira, ajo ndërton ura mes kulturave, mes Lindjes dhe Perëndimit, mes së shkuarës së plagosur dhe së ardhmes së menduar me dinjitet. Nga Venecia në Londër, nga Prishtina në Doha, nga filigrani në demokraci arkitekturore, ai ka dëshmuar se identiteti nuk është kufi, por burim.
Në këtë ditëlindje, urimi im nuk është vetëm personal. Është një falënderim publik për njeriun që e sheh qytetin si organizëm të gjallë dhe njeriun si masë të çdo projekti. Për arkitektin që nuk harron rrënjët, për urbanistin që mendon brezat, për qytetarin që beson se hapësira mund të na bëjë më njerëzorë.
Gëzuar ditëlindjen, Përparim Rama!
Uroj që vitet që vijnë të jenë po aq krijuese sa vizionet e tua, po aq të guximshme sa projektet e tua dhe po aq të ndershme sa rruga që ke ndjekur deri këtu.









Comments