Fatmir Terziu: Tregimi i Lazër Stanit, një shenjë polisemike që i reziston reduktimit në një kuptim të vetëm
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 18, 2025
- 21 min read

Fatmir Terziu: Tregimi i Lazër Stanit, një shenjë polisemike që i reziston reduktimit në një kuptim të vetëm
Në tregimin “Vila e gjarpërinjve”, Lazër Stani shfaqet si një tregimtar i klasit të lartë letrar, i aftë të ndërtojë një narrativë ku përvoja individuale, simbolika kulturore dhe kritika institucionale bashkohen në një strukturë organike dhe teorikisht koherente. Forca e këtij tregimi nuk qëndron në fabulën e tij të drejtpërdrejtë, por në mënyrën se si autori e koncepton rrëfimin si fushë tensioni mes reales dhe simbolikes, mes së thënës dhe së pathënës, duke krijuar një tekst që funksionon si aparat interpretues i realitetit shoqëror. Stani nuk rrëfen për të treguar një histori, por për të ndërtuar një situatë hermeneutike, ku lexuesi detyrohet të marrë pjesë aktivisht në prodhimin e kuptimit.
Vila, si hapësirë narrative, është ndërtuar me vetëdije të plotë teorike. Ajo nuk shërben vetëm si skenë ngjarjesh, por si strukturë diskursive e pushtetit. Në frymën e analizave foucaultiane mbi institucionin, hapësira e vilës prodhon subjektivitet, disiplinë dhe frikë. Shkallët, katet, bodrumi dhe zyrat nuk janë thjesht elemente topografike, por mekanizma hierarkikë që organizojnë trupat dhe mendjet e nëpunësve. Në këtë arkitekturë të pushtetit, individi humbet qendrën e vet morale dhe perceptive, duke u shndërruar në një qenie funksionale, të zëvendësueshme dhe të heshtur. Kjo është arsyeja pse gjarpri shfaqet pikërisht në shkallë, në zonën e tranzicionit, aty ku pushteti lëviz, kontrollon dhe mbikëqyr.
Gjarpri, si figurë narrative, përfaqëson kulmin e mjeshtërisë simbolike të Stanit. Ai është një shenjë polisemike që i reziston reduktimit në një kuptim të vetëm. Në një lexim psikoanalitik, gjarpri mund të shihet si projekcion i ankthit të subjektit të shtypur, një rikthim i së shtypurës në formë fantazmagorike. Në një lexim politik, ai shfaqet si metaforë e pushtetit të korruptuar dhe të padukshëm, që rrëshqet nëpër institucion pa u ekspozuar drejtpërdrejt. Në një lexim kulturor, gjarpri mbart ngarkesën arketipale të mëkatit, fajit dhe njohjes së ndaluar. Aftësia e Stanit për t’i mbajtur të gjitha këto nivele në ekuilibër, pa i shndërruar në alegori të thata, dëshmon një kontroll të lartë estetik dhe teorik mbi materialin narrativ.
Një nga arritjet më të spikatura të tregimit është mënyra se si autori e ndërton zërin narrativ përmes mëdyshjes. Loreta Gjonpali nuk është një rrëfyese e pasigurt për shkak të dobësisë së saj psikologjike, por sepse ajo jeton brenda një rendi diskursiv që delegjitimon përvojën individuale. Mëdyshja e saj është produkt i një pushteti që e ka zhveshur subjektin nga e drejta për të emërtuar realitetin. Në këtë kuptim, Stani ndërton një narrativë ku paqartësia nuk është defekt, por strategji estetike dhe politike. Rrëfimi lëkundet qëllimisht mes reales dhe halucinacionit, duke ekspozuar mekanizmin përmes të cilit pushteti e shndërron traumën në “lodhje” dhe frikën në “stres”.
Figura e gjeneralit të çgraduar funksionon si nyje ndërtekstuale mes së shkuarës autoritare dhe së tashmes burokratike. Ai mishëron pushtetin patriarkal që ka humbur titujt, por jo mentalitetin. Mohimi i fajit, përçmimi ndaj grave dhe cinizmi i tij janë forma të vazhdueshme të dhunës simbolike, të cilat e ushqejnë klimën morale ku gjarpri mund të ekzistojë. Stani nuk e demonizon këtë figurë në mënyrë didaktike, por e vendos në një rrjet ku faji personal dhe struktura shoqërore bëhen të pandashme, duke reflektuar një vetëdije të thellë mbi mënyrën se si historia riprodhon vetveten.
Në planin gjinor, tregimi artikulon me saktësi teorike trupin femëror si hapësirë konflikti diskursiv. Gratë në “Vilën e gjarpërinjve” janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj dyshimit, erotizimit të pavullnetshëm dhe zhvlerësimit institucional. Kjo e bën gjarprin jo vetëm figurë të pushtetit, por edhe të dhunës seksuale të nënkuptuar, të frikës që nuk artikulohet hapur, por që ndikon drejtpërdrejt në psikikën e subjektit femëror. Në këtë aspekt, tregimi dialogon natyrshëm me teoritë feministe të pushtetit dhe trupit, pa rënë në retorikë militante.
Nuk është hera e parë, që Lazër Stani dëshmon klas si tregimtar edhe në refuzimin e zgjidhjeve të lehta narrative. Tregimi nuk mbyllet me sqarim, as me katharsis, por me një akt të heshtur të refuzimit. Vendimi i Loretës për të mos u kthyer më në vilë nuk është dorëzim, por një gjest etik, një dalje nga një rend që e ka bërë të pamundur dallimin mes reales dhe të rremes. Këtu qëndron forca e tregimit dhe arsyeja pse Stani mund të konsiderohet një nga tregimtarët më të rafinuar të prozës shqipe bashkëkohore. Ai e kupton tregimin jo si formë rrëfimi linear, por si instrument kritik, si mënyrë për të ekspozuar plagët strukturore të shoqërisë përmes një estetike të kontrolluar, të thellë dhe intelektualisht të ndershme.
Duhet theksuar se tregimi ndërtohet si një alegori e errët e shtetit postautoritar dhe e mekanizmave të padukshëm të pushtetit që vazhdojnë të funksionojnë përtej ndryshimeve formale politike. Që në hyrje të rrëfimit, vila katërkatëshe shfaqet si një hapësirë e ngarkuar simbolikisht, një trup i vjetër arkitektonik që ka ndërruar funksion, por jo natyrë. Ajo mbart në muret e saj kujtesën e dhunës, të privilegjit dhe të përjashtimit, duke u shndërruar në një organizëm që prodhon frikë, paralizë dhe mjegull morale. Brenda kësaj hapësire, njeriu nuk është më subjekt veprues, por objekt i një administrate që ushqehet me dosje, heshtje dhe nënshtrim. Në këtë kontekst, shfaqja e gjarprit nuk është një episod fantastik i rastësishëm, por forma më e përqendruar e së vërtetës që rrëfimi përpiqet të artikulojë.
Gjarpri i Stanit rrëshqet nëpër shkallët e vilës ashtu si pushteti rrëshqet nëpër jetët e individëve pa u ndier, pa u parë qartë dhe pa lënë gjurmë të drejtpërdrejta dhune, por duke mbjellë një ndjenjë të përhershme kërcënimi. Ai kundërmon, vëzhgon dhe qëndron gjithnjë në lëvizje, duke mishëruar natyrën e një sistemi që nuk qëndron kurrë i palëvizshëm, por ndryshon forma për të mbijetuar. Gjarpri nuk kafshon hapur, sepse nuk ka nevojë ta bëjë këtë. Prania e tij është e mjaftueshme për të paralizuar trupin dhe mendjen e Loretës, për ta bërë atë të dyshojë në perceptimin e vet dhe për ta çuar drejt vetëcensurës. Këtu, frika nuk prodhohet nga akti i dhunës, por nga pritja e saj, nga mundësia e saj gjithnjë e pranishme.
Loreta Gjonpali është figura përmes së cilës tregimi eksploron marrëdhënien mes individit dhe pushtetit, mes realitetit dhe përfytyrimit. Ajo është një nëpunëse e re, e ekspozuar, e brishtë përballë një sistemi që nuk toleron gabimin dhe që trashëgon, në mënyrë të pashmangshme, fajet e së shkuarës. Mëdyshja me të cilën ajo rrëfen nuk është dobësi karakteri, por shenjë e një vetëdijeje të plagosur. Ajo jeton në një botë ku e vërteta nuk garantohet më nga faktet, por nga interpretimi që pushteti u jep atyre. Prandaj rrëfimi i saj lëkundet mes asaj që është parë dhe asaj që është ndier, mes reales dhe simbolikes, duke reflektuar gjendjen e një subjekti që nuk ka më siguri epistemologjike.
Kjo mëdyshje përforcohet nga reagimi i rrethit familjar dhe institucional. Nëna e Loretës kërkon ta qetësojë duke e relativizuar përjetimin e saj, duke e shndërruar frikën në lodhje dhe halucinacion, ndërsa gjyshi, figura e pushtetit të vjetër të diskredituar, e redukton gjithçka në një gjendje psikofizike kalimtare. Në këtë mënyrë, rrëfimi i Loretës zhvlerësohet, ashtu siç zhvlerësohen shpesh zërat e individëve në shoqëritë ku pushteti nuk pranon të vihet në dyshim. Mëdyshja bëhet kështu strategji mbijetese, mënyra e vetme për të folur pa u shpallur e çmendur, e paaftë apo e rrezikshme.
Në nivel më të thellë, gjarpri funksionon edhe si simbol i fajit historik që nuk është shlyer kurrë. Figura e gjeneralit të çgraduar, mohimi i tij i përgjegjësisë dhe përçmimi ndaj grave krijojnë një vijë të qartë trashëgimie morale, ku e shkuara vazhdon të helmojë të tashmen. Loreta e trashëgon këtë barrë jo përmes gjakut, por përmes sistemit, duke u ndëshkuar për mëkatet e një rendi që ende nuk është rrëzuar plotësisht. Në këtë kuptim, gjarpri nuk është vetëm jashtë saj, por edhe brenda strukturave shoqërore që ajo përfaqëson pa dëshirë.
Dimensioni gjinor i tregimit është po aq i rëndësishëm. Trupi i gruas në këtë rrëfim është territor frike, dyshimi dhe projektesh morale. Duhma, insinuatat seksuale, historia e abuzimeve të mohuara dhe reagimi misogjin i gjeneralit krijojnë një klimë ku femra nuk është kurrë e sigurt, as në hapësirën publike, as në atë private. Gjarpri, me ngarkesën e tij arketipale biblike dhe seksuale, bëhet figurë e dhunës simbolike ndaj gruas, e frikës që nuk artikulohet dot drejtpërdrejt, por që përjetohet në trup.
Tregimi “Vila e gjarpërinjve” nuk kërkon të zgjidhë enigmën e ekzistencës apo jo- ekzistencës së gjarprit. Kjo do të ishte një pyetje e parëndësishme përballë asaj që tregimi synon të zbulojë. E rëndësishme është fakti që gjarpri funksionon si e vërtetë narrative, si shenjë e një realiteti ku frika, pushteti dhe heshtja bashkëjetojnë në mënyrë organike. Loreta nuk ikën nga vila vetëm për shkak të një përbindëshi të imagjinuar, por sepse ajo ka kuptuar intuitivisht se aty nuk ka vend për njeriun e lirë. Në këtë mënyrë, tregimi i Stanit shndërrohet në një reflektim të thellë mbi pamundësinë e jetesës normale brenda strukturave të kalbura dhe mbi çmimin psikik që paguan individi kur guxon të shohë gjarprin që të tjerët bëjnë sikur nuk ekziston. Le ta sqarojmë pse…
Tregimi “Vila e gjarpërinjve” ndërtohet mbi një hapësirë narrative të ngarkuar simbolikisht: vila katërkatëshe, dikur pronë aristokratike, tashmë e shndërruar në institucion administrativ. Ky transformim nuk është thjesht arkitektonik, por ideologjik dhe moral. Vila bëhet metaforë e shtetit post-totalitar, ku e shkuara e korruptuar, pushteti arbitrar dhe frika burokratike vazhdojnë të mbijetojnë nën forma të reja. Brenda kësaj hapësire, nëpunësit shfaqen si qenie të mpira, të paralizuara nga urdhrat, dosjet dhe pasiguria, ndërsa vila shndërrohet në një organizëm të errët, pothuajse të gjallë, ku “rrëshqitjet”, “duhmat” dhe “heshtjet” krijojnë një klimë ankthi kolektiv.
Gjarpri në këtë tregim nuk është thjesht një element realist apo fantastik, por simbol qendror shumëplanësh, që funksionon në disa nivele. Gjarpri si metaforë e pushtetit të korruptuar, pra ai shfaqet në shkallët e vilës, pra në zemër të administratës shtetërore. Ai rrëshqet, vëzhgon, ndjek dhe kundërmon, njësoj si mekanizmat e padukshëm të pushtetit që survejojnë dhe frikësojnë individin. Përpjekja e shefit për “hakmarrje” ndaj një kompanie mashtruese nuk buron nga drejtësia, por nga etja për ndëshkim dhe dominim, duke e bërë pushtetin vetë një formë gjarpri. Por gjarpri mbetet dhe si mishërim i fajit historik. Figura e gjyshit, gjeneralit të çgraduar, është një tjetër shtresë simbolike e gjarprit. Skandali i tij, mohimi i fajit dhe përbuzja ndaj grave lidhen me një trashëgimi morale të kalbur, që bie mbi brezin e ri. Loreta, pa qenë fajtore, mbart pasojat e kësaj historie: frikën e dështimit, përjashtimin e mundshëm dhe ndjesinë se po ndëshkohet për mëkatet e të tjerëve. Në një kontekst tjetër, gjarpri shfaqet dhe si simbol psikologjik dhe ekzistencial. Në nivel psikologjik, gjarpri është projeksion i ankthit, stresit dhe shtypjes së brendshme të Loretës. Ai shfaqet në momentet e lodhjes ekstreme, izolimit dhe pasigurisë profesionale. Por fakti që edhe kolegia ndien duhmë, se vila “kundërmon”, dhe se frika është kolektive, e nxjerr gjarprin nga sfera e halucinacionit individual dhe e shndërron në simptomë të një sistemi të sëmurë.
Mëdyshja në rrëfimin e Loretës është një nga teknikat më të rafinuara narrative të Stanit dhe shërben për disa qëllime thelbësore. Autori nuk jep kurrë një përgjigje përfundimtare nëse gjarpri është real apo imagjinar. Kjo paqartësi është e qëllimshme, pasi ajo pasqyron gjendjen e individit në një shoqëri ku e vërteta është e rrëshqitshme, ku askush nuk të beson dhe ku çdo përjetim personal relativizohet. Loreta është një grua e re në administratë, e pambrojtur, e kërcënuar nga dështimi dhe nga paragjykimi. Ajo mëson shpejt se rrëfimi i së vërtetës nuk ka peshë në një sistem të tillë. Prandaj, rrëfimi i saj është i thyer, i pasigurt, i përshkuar nga frika se mos shpallet “e paqëndrueshme”, ashtu siç nënkupton e ëma.
Mëdyshja e Loretës i shërben autorit për të krijuar një realizëm simbolik, ku ngjarjet nuk kërkojnë domosdoshmërisht verifikim faktik, por kuptim. Gjarpri është i vërtetë për aq kohë sa frika, presioni dhe padrejtësia janë reale.
Tregimi ndërton një lidhje të fortë midis trupit femëror dhe frikës: duhma e supozuar “sperme”, ankthi për sëmundje, lotët e Florës, dhe historia e gjeneralit. Trupi i gruas shndërrohet në vend projektesh, paragjykimesh dhe dhune simbolike, ndërsa gjarpri, me gjithë ngarkesën e tij seksuale dhe biblike, përforcon këtë dimension.
Duke konkluduar, themi se “Vila e gjarpërinjve” është një tregim alegorik për frikën institucionale, trashëgiminë e fajit, dhe ankthin e individit në një shtet që nuk i shërben njeriut, por e gëlltit atë. Gjarpri nuk është vetëm kafshë, as vetëm halucinacion; ai është vetë sistemi, i pranishëm kudo, i heshtur, i lig dhe i pamëshirshëm. Loreta rrëfehet me mëdyshje sepse jeton në një realitet ku e vërteta nuk është më e sigurt se gënjeshtra, dhe ku të folurit hapur mund të të përjashtojë, të çmendë ose të zhdukë. Në këtë kuptim, tregimi i Stanit është jo vetëm kritikë sociale, por edhe portret psikologjik i njeriut modern të shtypur nga mekanizmat e padukshëm të pushtetit.
********************************************************************************************************
Tregimi: „Vila e gjarpërinjve“ e shkrimtarit Lazër Stani
E verdhë dyllë, Loreta Gjonpali ngjiti shkallët e drunjta që të nxirrnin në katin e tretë, aty ku ishte dhoma e saj, e strukur nën çati. Kur po ngjiste shkallët, nuk e ktheu kryet as majtas, as djathtas, nuk kqyri në kuzhinë, ku e ëma, Tringa, po kruante fundin e një tenxhereje dhe as dalloi në sallonin e ndjenjjes gjyshin Gjon që po lexonte një gazetë të vjetër. U lëshua në shtratin e saj të parregulluar dhe ngjeshi fytyrën pas jastëkut, që iu duk i lagësht dhe i athët, sikur kundërmonte aromën e një djerse të huaj, të panjohur për të. Nuk i shqitej nga mendja gjarpri që pa kur po ngjiste shkallët e vilës së vjetër katërkatëshe, të cilën pushteti e ri e kishte shndërruar në zyra të aministratës së qytetit. Gjarpri po zbriste ngadalë shkallët, duke u lakuar me mundim e duke e mbajtur kokën trekëndëshe lart, në përgjim. Vështrimin e kishte të lig, të poshtër dhe mjaft të egër. Të paktën këtë mendoi Loreta Gjonpali, duke rikujtuar atë vështrim që i futi të dridhurat. Ajo qe vonuar duke shqyrtuar një dosje me llogari taksash që nuk i përputheshin shifrat. Kishte thyer kokën në atë dosje, por nuk po e gjente gabimin, edhe pse i kaloi me dhjetëra herë nëpër duar ato fletë të zverdhura, të mbushura me numra të shkruar me kujdes, nga një dorë e zellshme nëpunësi. Shefi i pati thënë se në këtë dosje gjendeshin disa llogari të fallsifikuara tridhjetë vjet më parë nga një kompani matrapaze peshkimi, që për shumë vjet kishte mashtruar shtetin, duke mos paguar tatimin mbi fitimin.
“Ne duhet të zbulojmë mashtrimin e kësaj kompanie dhe të çojmë në gjyq trashëgimtarët e saj. Ajo kompani ka mashtruar shtetin për njëzet vjet dhe ne duhet të vendosim nderin e shtetit ne vend, duhet të hakmerremi”, tha shefi, duke ia përplasur në tavolinë turrën e madhe të dosjeve.
Loreta si nëpunëse e re e administratës, duhej ta zgjidhte me sukses këtë çështje, ose përndryshe, karriera e saj në administratë vihej në dyshim. Dhe një dështim në muajin e parë të punës, nuk do të mund të ndreqej kurrë. Dosja e dështimit do ta ndiqte pas si një mallkim, nga një zyrë në tjetrën, nga një shef personeli te tjeri. Askush nuk do ta qaste më në administratë, aq më tepër që edhe gjyshi i saj Gjoni, mbahej mend për skandalin e bujshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Me dekret të presidentit, i qe hequr titulli i gjeneralit. Gjenerali i çgraduar nuk e pranoi kurrë shpërdorimin e postit, ose “abuzimin seksual me gratë e vartësve”, siç qe shkruar asokohe në shtyp, por presidenti me dekretin e tij e shndërroi në kopshtar të rëndomtë, aq sa njerëzia gojëligë e thërret edhe sot e kësaj dite “Gjenerali i luleve”. E vërtetë është se ai, pas hapjes së kufirit me Greqinë, hapi një magazinë të madhe lulesh dhe shiste lule greke. Lulet hollandeze nuk i qaste në magazinën e tij. “Nuk i meritojnë lulet e Europës këta derra”, thoshte, pa e përcaktuar se kush ishin derrat të cilëve ai u shiste lule. Po gjindja, që ia njihte huqet gjeneralit, e dinte se kur ai fliste për derrat, e kishte fjalën për burrat e shtetit.
Loreta u rrotullua në shtrat, u tkurr duke e ndrydhur barkun, sikur ai gjapri i lig që po zbriste shkallët në atë orë të vonë të pasdites, ta kishte kafshuar në kurriz. Ajo e kyçi derën e zyrës, disa orë pas përfundimit të orarit zyrtar, pothuajse në perëndim të diellit, kur në vilë, përveç portierit, me siguri nuk duhej të kishte frymë njeriu. Kjo duhet të ketë qenë edhe ora e përshtatshme që gjarpri të dalë nga strofka e tij. Loreta mbante mend sytë e tij të ligj, kundërmimin e rëndë që lëshonte në ajër dhe atë vështrimin e tij djallëzor që të bënte të ndjeheshe e pambrojtur. Kur vështrimi i vajzës u kryqëzua me vështrimin e gjarprit (këtë Loreta e mbante mend mirë), ai tërhoqi kokën mënjanë, po vështrimi i tij nuk iu shqit, deri sa kapërceu portën e jashtme, ku portieri i përgjumur dremiste me kryet e lëshuar mbi tavolinë.
Një rrëshqitje nëpër hatulla, një rrëshqitje e ngadaltë që vinte e shurdhët nëpërmjet tavanit e trembi për vdekje. Kërceu nga shtrati dhe zbriti me vrap shkallët, e llahtarisur nga frika.
“Në çati është një gjarpër”, tha e lemerisur dhe u ngjesh pas së ëmës, që ende po merrej me larjen e enëve në lavaman.
E ëma i holloi krahun në qafë, e ngjeshi pas vetes, po nuk i besoi asnjë fjalë nga ato që e bija po i thoshte me ngut, duke iu mbajtur fryma.
“Në këtë shtëpi askush nuk ka parë kurrë një gjarpër”, tha e ëma, Tringa, që po fshinte duart me një pecetë të zhugatur. Po kur Loreta këmbënguli se ajo e dëgjoi zvarritjen e tij në hatulla, që ishte e njëjtë me zvarritjen e gjarprit që ajo pa po atë pasdite duke zbritur në shkallët e vilës ku punonte, Tringa hapi sytë e tmerruar, kqyri rreth e rrotull si për të kërkuar ndihmë, po kur pa se në kuzhinë përveç atyre të dyjave nuk gjendej kush, e mblodhi veten dhe tha: “A të të bëj një çaj kamomili?”
Loretës i erdhi t’i thoshte “çajin e sat ëme!”, po e mbajti veten. E mori të ëmën për dore, e tërhoqi pas vetes në dhomën e pritjes, aty ku gjysh Gjoni vazhdonte të lexonte gazetën e vjetër me lajme të vdekura, si për të sjellë me forcë në kujtesë të shkuarën.
“Pra, ti thua se në shkallët e vilës u ndeshe me një gjarpër”, tha Tringa duke e theksuar fjalën “gjarpër” që t’i tërhiqte mendjen të vjehrrit. Po Gjenerali i luleve vazhdonte të lexonte gazetën, pa e vrarë mendjen se çfarë përrallisnin dy femrat. Kërkonte midis faqeve të zverdhura dëshmitë e tri grave të botuara në shtyp, dëshmi skandaloze, që i shkatërruan karrierën ushtarake. Kur gazetarët i patën zënë pritë te dera e Ministrisë, pyetjeve të tyre të shumta, u pati dhënë një përgjigje të vetme: “Nuk merrem me dëshmi kurvash!”. Kjo fjali e vetme qe bërë titulli kryesor i gjithë gazetave të nesërme. Skandali mori përmasa kombëtare, organizatat e grave protestuan te presidenti, të kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Popullit. Një organizatë feministe që drejtohej nga një psikologe shtypi, doli me dhjetëra postera me fotografinë e gjeneralit, të cilat gratë i shkelën më këmbë në mënyrë demonstrative në festën e 8 Marsit. Gjenerali papritmas ia krisi të qeshurit dhe ngriti kryet nga gazeta.
Dy gratë rrinin të ngjeshura pranë njëra-tjetrës, të mbërthyera nga ankthi. Gjenerali vazhdoi të shkoklitej së qeshuri. I kishte hipur një gaz i madh, i papërmbajtshëm, një tallje e pandreqshme me atë mendimin e tij të atëhershëm për të vrarë veten. “Të vrasësh veten për dokrra kurvash, ama gjeneral që ishe!” mërmëriti me vete, duke u shkundur nga ajo dalldi që e kishte pushtuar.
“Më bëni një kafe të fortë”, tha gjenerali duke u drejtuar nga dy femrat. Nënë e bijë nuk luajtën vendit. Të kruspullosura nga ankthi ato qëndronin si të ngrira. Gjenerali ktheu kryet nga ato, kruajti qepallat nën syze që të qartësonte shikimin dhe mbeti shtangur nga fytyrat e tyre të zbehta prej fantazmash.
“Çfarë ka ndodhur?” tha dhe u ngrit në këmbë e eci drejt tyre. Atëkohë, Loreta u shkëput nga trupi i së ëmës, ngriti syti nga gjyshi dhe i tha se atë pasdite në shkallët e vilës ishte ndeshur me një gjarpër të tmerrshëm. I gjatë dy metra, xhepa-xhepa, me kokë shpatuke, me një gjuhë të zezë që e lëpinte pas buzëve të verdha dhe më sytë e tmerrshëm, që asaj i ishin dukur të njohur, sepse ajo mund të betohej, edhe diku tjetër e kishte hasur atë vështrim të lig. Dhe, sikur të mos mjaftonte takimi me gjarprin në shkallët e vilës, ajo dëgjoi nga dhoma e saj zhurmën e shurdhët të rrëshqitjes së një gjarpri nëpër hatullat e çatisë, kur shkoi lart të çlodhej e të merrte veten. Gjenerali i dëgjoi i përqendruar rrëfimet e mbesës, shkoi te tryeza e madhe, mori një cigare dhe e ndezi, diçka tha për një ftohje të vjetër në shpatull që po i acarohej sërish, kujtoi të birin që vdiq para tetë vjetësh në një aksident ajror gjatë një stërvitjeje ushtarake, tha se gjithmonë, gjarpërinjtë kishin jetuar kulaç në shtëpitë dhe gjokset e njerëzve. Loreta nuk e mori vesh se ku e kishte fjalën gjenerali, po ajo tha se ishte e tmerruar, kishte frikë të shkonte të nesërmen në zyrë, madje nuk ia mbante të ngjitej në katin e tretë në dhomën e saj, se gjarpri, ajo qe e bindur, ishte aty, i fshehur në çati dhe natën mund të zbriste e të futej ne dhomën e saj.
“O zot, tha Tringa duke u ngritur, gjarpërinjtë e shtëpisë janë të bekuar, po të ka keq shtati kur i shikon”. Ajo doli në kuzhinë që t’i përgatiste kafenë e hidhur gjeneralit. Ndërsa përziente kafenë në xhezve, Tringa kujtoi me dhjetëra histori me gjarpërinjtë e shtëpive, që nëpër mote, sipas pleqve, kishin bërë punën e rojtarit. Askush në anët e tyre nuk i vriste gjarpërinjtë e shtëpisë. Madje gjyshi i saj Ndoka, bujk i vjetër, që e njihte tokën si trupin e vet, thoshte se është gjynah të vrasësh një gjarpër, se ata, gjarpërinjtë, e pastronin tokën, shfarosnin minjtë dhe dëmtarët e tjerë të bimëve. Nga njëra anë, ajo i besonte gjyshit të saj të urtë, po nga ana tjetër, nuk e dinte origjinën e asaj shprehjes që grumbullonte të gjithë urrejtjen e tmerrshme: “T’ia shtypësh kokën si gjarprit”. I vu përpara kafenë gjeneralit dhe qëndroi në këmbë, me duar të kryqëzuara mbi bark.
“E ke nga lodhja”, tha gjenerali, duke iu drejtuar Loretës. “E ke nga lodhja. Kur je e dërrmuar të shtihen figura të frikshme. Ty të është shfaqur gjarpri, po e ke thjesht nga lodhja”. E përkëdheli mbesën duke ia rrëshqitur gishtërinjtë mbi flokët e saj të dendur dhe rrufiti kafenë, sikur po kthente një gotë me fund, ashtu shpejt e shpejt, në këmbë, në banakun e lokalit.
Pas këtyre fjalëve, askush nuk i zuri më në gojë historitë me gjarpërinj. Loreta megjithatë nuk guxoi të flinte në dhomën e saj, në katin e tretë, po fjeti me të ëmën, në dhomën e dikurshme të prindërve të saj, ku fotografia e të atit, e varur në mur prej shumë vjetësh, dukej se do ta mbronte nga e keqja.
Të nesërmen Loreta shkoi në zyrë si zakonisht, u përshëndet me portierin që po shënonte diçka në një bllok të zhubravitur, ngjiti shkallët, duke zgjedhur vendin ku shkelte, sikur gjithandej të gjendeshin gjarpërinj duke u zvarritur dhe u ngjit në zyrën e saj, ku kolegia e saj kishte hapur dritaren krah më krah. Kur Loreta hyri në zyrë, shoqja e zyrës, një grua rreth të dyzetave, e pamartuar dhe tekanjoze, tha se zyra kundërmonte një duhmë të rëndë kafshësh dhe pati hapur dritaren që të ajrosej.
“Ka dhjetë vjet që punoj në këtë zyrë dhe kurrë nuk kam ndjerë një duhmë të tillë të keqe”, tha ajo, duke kqyrur me dyshim kolegen e re. Loreta nuk i ktheu përgjigje, ndezi kompjuterin e saj, hapi raftin dhe nxori togun e dosjeve të vjetra dhe u bë gati të fillonte punën. Me bisht të syrit ndiqte lëvizjet e nervozuara të koleges që shprehnin hapur pakënaqësi dhe nervozizëm. Loreta u përpoq të gjente fillin e llogarive të ngatërruara dhe të përpunonte të dhënat në kompjuter. Po për dreq, nuk mbante mend se ku e kishte lënë punën një ditë më parë; të gjitha dosjet i dukeshin njëherë të shqyrtuara dhe prapë i dukeshin të panjohura, aq sa ajo nuk po e gjente fillin. I shtyu dosjet grumbull në tryezë dhe ngriti kokën. Edhe kolegia po qëndronte e shpërqenduar para kompjuterit, me fytyrën të rrasur midis pëllëmbëve, pa zënë punë me dorë.
“A zbresim të pijmë nga një kafe”, i tha Loreta koleges së saj, duke e ftuar për herë të parë pas shumë muajve pune të përbashkët, në të njëjtën zyrë. Kur e patën caktuar në atë zyrë, atë e pati trembur fytyra e pakënaqur e koleges, që nuk e fshehu përbuzjen që në orën e parë të punës. “Përpiqu ta bësh vetë punën tënde”, e pati paralajmëruar. “Nuk kam kohë t’u mësoj zanatin çupkave, që pastaj bëjnë karrierë nëpër ministrira”.
Nëpunësja përballë, me emrin bimor “Florë”, zgurdulloi sytë nën xhamin e hollë të gjyslykëve dhe tha se edhe asaj nuk i punohej dhe se një parandjenjë e keqe po e gërryente në fund të barkut. “Zot, nuk kam ndonjë nga ato sëmundjet e këqija të grave!”, tha dhe u ngrit, duke marrë pallton që e varte në një komo të thjeshtë dërrase të kapur pas murit. Zbritën të dyja bashkë në kafenenë e Vilës që gjendej në bodrum. Kafeneja ishte e mbushur plot me nëpunës të rangjeve të ndryshme, të rinj dhe të vjetër, që pinin kafe dhe cigare, pothuajse në heshtje të plotë. Fytyrat e nëpunësve ishin të pakuptueshme si dosjet që shqyrtonin, si urdhrat e shefit të madh, që shpërndaheshin me shpejtësi nga një zyrë në tjetrën, nga një kat në tjetrin, duke u bërë gjithnjë e më të pakuptueshme dhe të frikshme deri sa pushtonin vilën e stërmadhe qosh më qosh, duke tkurrur dhe bërë të pazëshëm nëpunësit. Kushedi sa herë, ata nëpunës i kishin mallkuar tregtarët e mëdhenj të qytetit që e ndërtuan këtë vilë për motrën e bukur të mbretit në vitet tridhjetë, ditën e celebrimit të saj me një princ bukurosh.
Flora, si nëpunëse e vjetër e me përvojë, gjeti në tryezë të vogël në gjysmëerrësirë, ndërsa Loreta u afrua te banaku dhe porositi dy kafe me qumësht. Banakierja, një esmere që krihej vazhdimisht me gishta, i buzëqeshi ëmbël, i shkeli syrin djallëzisht dhe i bëri gati porosinë. Matanë, në errësirë, një burrë kollitej vazhdimisht, sikur donte të nxirrte nga fyti një lëngatë të vjetër. “Ky dreq ta shpif!”, tha Flora. “Ka njëzet vjet që kollitet kështu e nuk vizitohet kurrë te doktorët”.
Pinin kafe në heshtje, duke iu bashkuar turmës tjetër të nëpunësve, që gjithashtu thithnin cigaret dhe hurbatnin kafet, duke shkëmbyer ndonjë fjalë në të rrallë, sa për të thënë. Loreta e kuptoi se diçka nuk shkonte, se vila ishte gdhirë e paralizuar, se nëpunësve nuk u punohej, se diçka ose kishte ndodhur, ose pritej të ndodhte.
“Ajo duhmë në zyrë?! Kurrë nuk e pata gjetur zyrën të mbushur me duhmë sperme”, tha me përçmim Flora, duke kqyrur diku në errësirë, sikur diku në qoshet e errëta gjendej fajtori.
“Po ia këput kot”, ia ktheu Loreta e nxehur. “Dhe mos guxo më kurrë të flasësh kështu me mua!”.
Flora rrufiti e qetë kafenë e saj dhe i kërkoi një cigare një kolegu të një kati më lart. Ai i zgjati paketën, duke i bërë shenjë që t`i merrte edhe Loretës një cigare.
“Askujt nuk iu punoka sot”, tha nëpunësi i katit të tretë pa iu drejtuar askujt. Loreta ndezi cigaren, e thithi me forcë, si për të shuar me atë tym nervat që po i pëlcisnin nga inati. Nuk e duronte kolegen e saj dhe sa më shumë që kalonte koha, bindej se ajo ishte një femër shpirtligë, aq shpirtligë sa nuk e honepsnin as burrat. Thuhej se kurrë nuk pati një të dashur në këtë institucion. Madje qarkullonin fjalë se ajo na paskësh thënë se më mirë e linte t’i thahej mes këmbëve, se t’ua jepte këtyre horrave.
Loreta fiku cigaren në tavull dhe i bëri shenjë koleges të ktheheshin në zyrë. Kur po ngjitnin shkallët, Flora i tha koleges me një intimitet të pabesueshëm se ishte e shqetësuar. Tha se shefit të madh ia kishin bërë gropën ca maskarenj të regjur që punonin një kat sipër tyre dhe se shefit të ri nuk i dihej. Me siguri që do të nxirrte nga puna disa prej nëpunësve të vjetër, që tashmë i quanin si jashtë kohe. Dhe atë do ta flaknin me siguri, se fundja kush do të merrte përsipër ta mbronte. Nuk kishte asnjë mik. Kur u futën në zyrë, Flora shpërtheu në të qara, dridhej dhe dëneste kujshëm, aq sa të këpuste shpirtin.
Loreta ndjehej e zhgënjyer nga vetvetja. Ja, kishin punuar bashkë në një zyrë dhe as që kishte marrë mundimin ta njihte. Madje e pati urryer në heshtje, nuk e duronte dot, po ç’të bënte. I duhej të priste rastin kur atë mund ta ngrinin në përgjegjësi, duke e caktuar në një zyrë tjetër, ose të paktën do ta zbrisnin në përgjegjësi, po prapë do ta dërgonin në një zyrë tjetër. I erdhi të hante veten. I shkoi pranë koleges, i hodhi duart në qafë dhe u përpoq ta qetësonte, duke i thënë fjalë shpresëdhënëse, fjalë të ngrohta sigurie, po Flora, tashmë e fishkur, nuk donte t’ia dinte. Dëneste papushim dhe brinjët e saj lëshonin një kërcëllimë metalike, të trishtuar. Pjesën tjetër të ditës e kaluan në heshtje. Flora shfletonte papushim një dosje, duke u kthyer prapë në fillim, pastaj hapte internetin, kontrollonte postën elektronike, mallkonte një shoqe në Paris që as sot nuk i kishte kthyer përgjigje, ndërsa Loreta përpiqej pa sukses të gjente shkeljet në regjistrat e vjetër të llogarive. Kur mbaroi orari zyrtar, Flora mblodhi plaçkat e saj, u pa në pasqyrë, u ngjiti buzëve një të kuq të lehtë trendafilash të egër dhe doli, duke i kujtuar koleges se tashmë dita e punës kishte mbaruar. Por, Loreta e përqendruar në regjistrat me llogari mashtruese, llogariste në kompjuter shkeljet që nuk i dilnin dhe ia niste sërish punës nga e para. Tha me vete të punonte edhe nja dy orë, se përndryshe nuk do t’ia dilte të evidentonte shkeljet dhe pastaj çfarë do t’i raportonte shefit në fundjavë, se dosjet janë në rregull?! Me siguri që do ta përzinte duke ulëritur nga zyra dhe do ta shpallte një nëpunëse të dështuar të vilës. U përqendrua prapë mbi formularët e një dosjeje të vjetër dhe kërkoi t’i verifikonte shifrat nga e para. Vonë, kur muzgu u ngjesh pas dritares, ajo u përmend se duhej ta ndërpriste punën dhe të kthehej në shtëpi. Mblodhi shpejt e shpejt rraqet e saj, u futi një shkriftim flokëve me gishta, mori çantën e vogël dhe doli nga zyra duke e përplasur derën me forcë pas vetes. Por nuk kishte bërë as dhjetë hapa, kur nga shkallët e katit të tretë dëgjoi rrëshqitjen e frikshme dhe një si fishkëllimë paralajmëruese. Ktheu kokën dhe mbeti e shtangur për disa çaste. Nga shkallët e katit të tretë po zbriste një gjarpër vigan, me xhepa të verdhë në nënbarkëse dhe me xhepa të zinj në kurriz, me kokën shpatuke dhe të gjerë sa një shuplakë dore. Nuk ishte ai i djeshmi. Për këtë qe e sigurtë. Gjarpri nxirrte herë pas here jashtë gjuhën e kuqe flakë dhe sikur fishkëllente përmes dhëmbëve. Një bri i kthyer mbi kokë e bënte edhe më të tmerrshëm. Vajza ia dha vrapit teposhtë shkallëve e bindur se përbindëshi po e ndiqte. Doli fluturimthi nga porta e jashtme, duke përplasur portën metalike që lëshoi një rropamë të tmerrshme aq sa e trembi për vdekje portierin që gjithnjë dremiste mbasditeve. Kur mbërrit në shtëpi, u përplas me të ëmën në sallon dhe e lëshuan këmbët.
“Qyqja, zemër, ç’ke ?!!” i tha e ëma e tmerruar kur pa fytyrën e çartur të së bijës. “Gjarpri!” tha ajo dhe u lëshua pa frymë në dysheme. E ëma e ngriti shpejt e shpejt, i lagu ballin me ujë, e shkundi nga krahët që të përmendej. Kur Loreta erdhi në vete, kqyri rreth e rrotull e frikësuar, shtrëngoi fort dorën e së ëmës dhe mbështeti kryet e drobitur në prehërin e gjysh Gjonit.
Ndërsa e ëma përziente një qetësues në një gotë, Loreta hapi sytë sërish dhe tha pa iu drejtuar askujt: “Nuk shkel më në vilë, nuk shkel më aty, ta di se vdes për bukë!”. Gjysh Gjoni dhe Tringa përpiqeshin ta qetësonin, i thoshnin se ato fanitje i kishte nga lodhja. “Nga stresi”, shtonin duke huazuar fjalë nga emisionet televizive.
E shtrirë në divan, e kalamendur, me sy gjysmë të mbyllur, Loreta vazhdonte të ndiqte fragmente bisedash që bëheshin ndërmjet gjyshit të saj, gjeneralit dhe nënës, që shpërthente nëpërmjet lotëve: “Do të kemi probleme me këtë vajzë! Nuk di të ndajë realitetin nga fantazia” dhe gjeneralin që shtonte: “Punë e madhe; do t’u shesim bashkë lule greke këtyre horrave, do t’u shesim sa t´i dendim!”.









Comments