Fatmir Terziu: Të jesh, apo të dukesh, një 'frikë' moderne
- May 4
- 3 min read

Të jesh, apo të dukesh, një 'frikë' moderne
Nuk kam frikë të mos jem i zgjedhur. Në thelb, kjo është një çlirim. Të mos jesh i zgjedhur nga të tjerët do të thotë të mos jesh 'i burgosur' nga pritshmëritë e tyre. Por frika ime është më e thellë, më e heshtur, më filozofike, sepse kam frikë të jem i zgjedhur gabimisht. Të jem një përzgjedhje e gabuar e botës, një projekt i ndërtuar mbi duartrokitje që nuk më përkasin, një identitet i veshur si kostum, por jo si lëkurë personale, e ardhur nga Zoti, mamaja ime e shtrenjtë, babai im i paharruar, nga rrënjët. Kjo nuk është thjesht një ankth individual, është dilema e njeriut modern.
E djeshmja na mëson se identiteti dikur ishte më i lidhur me rrënjët, sesa me zgjedhjet. Njeriu lindte brenda një roli, biri i dikujt, trashëgimtar i një profesioni, pjesë e një komuniteti që e përcaktonte përpara se ai të kishte mundësi të pyeste “kush jam?”. Në atë kohë, të ishe “i zgjedhur” nuk ishte një shqetësim, sepse zgjedhja nuk ishte personale, por kolektive. Megjithatë, në atë rend të qëndrueshëm fshihej një mungesë lirie, shumë jetonin si versione të paracaktuara të vetes, pa e njohur kurrë mundësinë e një “unë” autentik.
E sotmja, përkundrazi, është epoka e zgjedhjeve të pafundme. Ne jetojmë në një kohë ku individi është i thirrur të ndërtojë veten nga e para. Filozofia moderne e ka zhvendosur theksin nga “çfarë je” tek “çfarë zgjedh të bëhesh”. Por kjo liri, në vend që të na çlirojë plotësisht, shpesh na rëndon. Sepse tani nuk kemi më alibi, nëse jemi një version i rremë i vetes, përgjegjësia është e jona. Frika për të qenë “i zgjedhur gabimisht” lind pikërisht këtu, kur e kuptojmë se mund të kemi ndërtuar një jetë që nuk është e jona, por një reflektim i pritshmërive të shoqërisë, i algoritmeve, i krahasimeve të pafundme. Në këtë kontekst, të jesh “një version i dikujt” bëhet një rrezik i heshtur. Ne imitojmë suksesin, stilin, mendimin e të tjerëve, duke harruar se autenticiteti nuk është diçka që kopjohet. Të jesh vetvetja nuk është një gjendje e gatshme, është një proces i vështirë, shpesh i dhimbshëm, i kërkimit të së vërtetës personale. Dhe këtu lind paradoksi, është më e lehtë të jesh “gjallë”, të ekzistosh biologjikisht, të funksionosh në shoqëri, sesa të jesh vërtet vetvetja.
E ardhmja, nëse duam ta imagjinojmë ndryshe, kërkon një kthesë të brendshme. Jo një kthim pas në strukturat e ngurta të së djeshmes, por një thellim në vetëdije. Njeriu i së ardhmes nuk do të jetë ai që thjesht zgjedh, por ai që kupton pse zgjedh. Një njeri që nuk mat veten me përzgjedhjen e jashtme, por me përputhjen e brendshme. Sepse zgjedhja më e rëndësishme nuk është të zgjidhesh nga bota, por të zgjedhësh veten me ndershmëri.
Në fund, mesazhi është i thjeshtë, por kërkon guxim, më mirë të mos jesh i zgjedhur fare, sesa të jetosh një jetë që nuk është e jotja. Sepse dështimi më i madh nuk është të mos arrish të jesh dikush për të tjerët, por të mos arrish kurrë të jesh vetja për veten. Dhe ndoshta, pikërisht aty fillon liria e vërtetë, kur nuk kemi më frikë të mos jemi të zgjedhur, por vetëm të mos e humbasim veten në rrugën e zgjedhjes.








Comments