top of page

Fatmir Terziu: SIPAS EKSPOZITËS


Dhe ja po ju lë pak tek koha me të cilën zhurmohet Atdheu i dashur sot. Po ju lë miq, në një udhëtim të plotë, në kohë e pakohë. Ju lutem mos i mbushni sytë me lotë! Është e kotë. S’ka kush për t’ju parë…, të gjithë më duken se janë ende në Klasë të Parë!

 

Nga Fatmir Terziu

 

KY NJERI PAS NJOLLËS

 

Sytë e përzier.

Si një mullenjë e stampuar në një mbulesë tavoline.

I urrituri e tërheq pjatën e palarë mbi të,

derisa rrethi me numërorë të thirrur e shikon.

Ti, unë, Tjetri sytë atje,

Shikim i ngrirë tek copat që bëjnë jehonë

në dysheme.

 

SIPAS EKSPOZITËS

 

Jemi në një qosh

në një kënd me një sfond të zi.

Ecim dhe mbajmë hapësirën bosh,

Me mendje transportojmë statuja në shi,

kujtimet e dështimit po bëhen gjithnjë e më të dukshme,

brendabritmat kapërcejnë skelete të kithta,

rastësia peshon si një element delikat në shpërthim.

Po rrjeta e reve rritet çdo ditë,

një ose dy milimetra akull i bruzët depërton nën lëkurë,

ka kohë që s’na ndahet dimri,

por vera po bymehet sheshit.

Nuk ka rëndësi kuleta e shtetit.

 

ENDE SI NË KLASË TË PARË

 

Më kujtohet ora e parë.

Fëmija prapa tavolinës,

ose kur ka një nxënës të klasës së parë në shtëpi,

shtëpia duket pa trarë

oborri s’ka asnjë mend të ketë kufi.

Fletorja e mbushur me kërraba

imagjinatë e padepërtueshme

jug e veri.

Dërrasa e zezë kursen dhe shkumësi zbardh më shumë,

fjalia si avllia është e stampuar me zambakë

fantazmat e një nate pa gjumë.

 

Dhe për të mos mbetur nën kapakë,

u premtova se do të jem gjithmonë pranë.

 

Prill 2025

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page