Shndërrimi i plehrave në estetikë
Nga Fatmir Terziu
Jetoj në rrugën kryesore. Një rrugë me zhurmë. Thuajse njëzetë e katër orë të pandalshme nga makinat, të dehurit dhe të rastësishmit. Pa shtuar ambulancat, zjarrfikëset, makinat e policisë…, emergjencat, se Spitalin e kam një rrugë më poshtë. Është një rrugë e rrethuar si një “rrip dëlirësie” nga shtëpitë e fqinjëve të mi anglezë, dashamirë.
E ndjej kënaqësinë më të madhe në fund të gushtit të çdo viti. Ashtu e ndjej edhe tërë shtatorin. E dini pse? Është një kënaqësi e papërshkrueshme kur gështenjat e mrekullueshme lëshojnë bujarisht gjethet e tyre përgjatë vijave të drejta strikte të trotuarit, që i mbushin edhe me kërcimet delikate të kokrave të tyre të pjekura, por që nuk e di se për kë janë…, Eh, gështenjat, të egrat gështenja...
Mes kësaj gjeometrie të artit të rrugës, shpirti im i futur thellë në përditësinë e shkrimit, triumfon i dedikuar, i mbërthyer si një merimangë e artë në manikyrën platinore të gishtit tregues të diellit. Poshtë, nën hijen e saj, sikurse ju citova, gështenjat e rrëzuara hapin kapakët e tyre me gjemba dhe ngrijnë në syrin e fundit të verës, aq të pashpresë, me një stukë të ndershme dhe lajkatare të natyrës që përballet me ndonjë shkelmim të pafat ndaj tyre, ndonjëherë dhe timin, aq sa ndonjëherë vetë dua t'i shkelmoj me inat, për kalbjen e harlisur në të cilën më lënë memorjen...
Por unë vazhdoj të fluturoj përpara, i mbartur nga stina, duke rrotulluar iluzionin kalimtar se kam mundësinë e çmuar të jem vetëm për një moment me poezinë time personale fundgushtore, me një stigmë të afërt vjeshtore.
E mrekullueshme, apo jo? Ky quhet një digresion lirik i qëllimshëm, përpara se filli i rrëfimit të këputet, i mishëruar në samarin me përdalje të resë së ngjeshur, të ngulitur mes dy kontejnerëve që shërbejnë si grumbullim plehrash, në të cilin viktimat e para naive të rënies së gjetheve „vdiqën“ me psherëtima të buta, poezia ime e brendshme e ndrojtur i gudulis për aq sa ata e nëkuptojnë këtë gudulisje.
I ardhuri më i ri në këtë gjeometri sfidante jeton matanë rrugës dhe do të doja shumë që ky mesazh t'i jepte fund historisë, së zbrazjes së kazanëve të plehrave në atë pikë. Është e pamundur, më falni, do të vazhdoj.
-Turp - bumëroi zëri dhe mbi të gjitha dhe i tërhequr zvarrë nga indinjata ime intelektuale, për shkak të rënies sime të vrazhdë në realitet, i bëra jehonë në përputhje me rrethanat:
- Apo?!
- Po - u përgjigj ai dhe shtriu flokët e tij të këputur e të shkrafanjitur para meje si gjarpërinjtë e rraskapitur në modelin e flokëve të një gorgoni në pension.
Nuk mund të lëvizja askund në këtë situatë. Përpara, mbeturina, dhe prapa, mbeturina, dhe në mes, një dëshirë e pafuqishme për të shpëtuar në pamundësinë për t'u ngritur vertikalisht, i bllokuar nga gjethet e ngordhura dhe keqdashja e gjallë e të sapovendosurit me një sens ndryshe, në ato shtëpi të shtrenjtë, që u shkon përshtat vetëm të pensionuarve të majmë:
- Ata mashtrues ardhacakë që pushtuan bashkinë me qëllim lanë rrugët e qytetit në pisllëk për të torturuar qytetarët e ndershëm që duhet të përballen vetë me situatën e neveritshme!
Fillova të mbyll syrin, që anonte nga hapja e gojës së tij, sepse fjalët më shpëtuan dhe nuk më mbeti gjë tjetër veç qerpikëve. Veç kësaj, u tmerrova të digjesha si një liken malor shqiptar në një trotuar anglez, i lënë pas dore nga pakujdesia …, duke iu nënshtruar gërvishtjes së caktuar. Unë e quaj këtë një rritje të dramës narrative, një, për shkak të zhurmës së fortë në zemrën time, dhe dy, për shkak të shtrëngimit magjik të të ardhurit të fundit në këtë anë të gjeometrisë së rrugës, që shkyçej, në kyçin tim të majtë:
- Dëgjo - më qortoi përveç kësaj - jam inatosur me …! Nuk do të pyesësh pse? Ju do të pyesni! Mbylle gojën! Unë jam gjithashtu i tërbuar sepse gjatë kohës që …, dhe kolla nuk e linte aspak të vazhdonte e të përfundonte një fjali!
Ai ishte kundër të gjithëve. Ai ishte kundër vetvetes. Dhe unë heshtja…
Por një zë i afërt e mundi heshtjen time:
- Shiko - me theks të fortë …, pështyu cigaren, - erdha të të them personalisht që po iki. Nëse do të më pyesni pse, do t'ju them menjëherë, se jam ngopur. Ti më ndjek gjithë ditën për të pastruar për ty, dhe paga është e vogël…, dhe nëse nuk më paguan sikurse dua, gjeni dikë tjetër që t'ju pastroj juve, e ju ti jepni qindarka...
I skuqur, por i mbetur i shastisur në kulmin e tregimit, i urova me kërshëri personazhit të tij kryesor një "një ditë të mbarë" dhe vazhdova të hidhja shikimin tim përgjatë trotuarit, duke ndjerë shkeljen e butë mbi një tufë gjethesh vjeshte.
Një gështenjë me gjemba, jeshile dhe ende e papjekur e goditi të porsavendosurin fort në ballë. Ishte koha, ose të vraponim në farmacinë Mayday, ose të formulohej një epilog poetik i incidentit ku një merimangë, e varur në një gozhdë, mes pemëve ishte duke i rrethuar trotuaret me gjethe, me një frymë mbante ende verën e fshehur të vdekjes së saj në thellësi, në një gjeometri me ngjyra ari, si një urtësi e konceptuar e botës! Dhe në atë rrugë gjithnjë i vijmë në ndihmë njëri-tjetrit. Ai nuk e dinte këtë…
Pas disa orësh, pas meje, me një zhurmë të madhe, i sapovendosuri po zhvishte bukurinë e fundgushtit në kazanët e mbeturinave. Unë as nuk u habita. Shndërrimi i plehrave në estetikë për shpirtin ka qenë, është dhe do të mbetet një art-transformim i pakuptueshëm për një rrëfim të tillë të detyruar! Të tjerat janë ikje, zhurmëra, zhurmime…
Comments