top of page

FATMIR TERZIU: SHENJË MIRADIJE



ree

CIKËL ME POEZI NGA FATMIR TERZIU 2012

 

Nga Fatmir Terziu

 

SHENJË MIRADIJE

 

Kthemë e mira ime, përshfaqjen

në lotin e patharë

kuitje grahmash në tavanin e kaltër

vetëm për të të parë

aq pak sa një drithmë të marrë

në ikjen time të përditshme

në pritjen pafund

miradi.

Sa peshë paska kjo shenjë

e mira ime s’e di

krokamë

çmendurake

deri në pambarim.

 

Kthemë të paktën,

e mira ime një lot

të shoh botën që dogjëm të dy!

 

VARG BËRNSIAN [1]

 

Tiganë që skuqin jashtë syve të mi,

Gjellëra të shkyera mes bimësh thatime

Gjellëra. Ngutje për drekë, darkë dhe ...

Sytë janë ngulur thellë në tiganë

Aty ku një zë bie si cikërrimë. Gati

Të drekosemi o njerëz

Ushqimin të ngjeshim thellë në stomak

Një pikëpyetje për trurin që hyn pak në lojë.

Kalojnë përzhitjet e qulljet në tavë. Jeta është varur në ushqim.

Tek shpina e tryezës mbulesa: pjata, lugë, pirunj, thika,

Tutje në brendësi të njeriut: një gargara zorrësh, kryengritje!

Në mur të kuzhinës tablo gjellërash me reflekse

Nga rruga erë buke të pjekur gjetkë

Gati raki, sallatëra, meze

Dhe ikën një vakt, një ditë.

Njeriu në ikje, turravrap stinor

Larg nga Robert Bërnsi, larg

Gjellë e tij e moçme skoceze

Në qypa balte malt wiski të vjetruar

Mbi kapakë të librit me trëndafila të kuq

Shtrirë sofraxhiu i dashuruar...

Dhe ashtu mes rakisë tipike shqiptare

Gojëtrashur gjerbon ndonjë varg Bërnsian

“Si trëndafil çel dashuria. Në mes të kopshtit tim”

Mbeç me shëndet, për ty ngre gotën,

Mos u mërzit, o shpirt!

Sikur ta bredh me këmbë tokën,

Të gjej, por vetëm prit!”

Dhe prapë sytë nga tigani, tryeza, pjatat...

Si tiganë skuqin sytë e mi...

 

[1] Robert Burns, the great Scottish poet.

“A Red, Red, Rose” by Robert Burns

 

 

KOHËDIMRAT I MARDHUR

 

Dimra të ngrirë,

fjetanakë,

vizërimeve ngatarraqe të fletores së zverdhur

pushtuar nga nusërime germash.

Kur tastiera godet

hedh një sy nga pas

shoh ledhatime në zhgarravinat e mia

dritëhijesh.

 

Kush e mardhi qetësinë e dimrave të mi?

 

Një jastëk i munguar

erëloti që parfumosej netëve të gjata

mes ëndërrave e shkepa padashje

lecka të grisura rroba trebrezash

mbushën dhomën e zbrazët kubike

si ikje lotake

e qullët,

e lagët

dëshpëruake,

vaj medet pa maraz,

për grisjen e asaj nate

që kurrë s’u arnua më pas...

kohëdimrat i mardhur.

 

NË KËNDDHOMËN E VJEDHUR

 

Si kohë tandemi pa hapësirë

gulatem

me lugën e vjedhur dasmave,

në xhepin plot supë e paçë bagëtish.

Në një gjethe të freskët rrushi

mbroj deri në dhimbje

hallvën e pjekur moçëm në identitet

ndjej aromën e saj deri në Londër

në Tamiz, në Wandle Park

në çdo qytet.

Çudi si të ndiqka erëmira rrugëve?

Si struc i fshehur në kënddhomën e vjedhur

netë të errëta pus,

zgjuar,

pafjetur

vetëm nga të pështirët(!)

 

SONET NË DITËLINDJEN E NËNËS

 

Kënga e zogjve, e vetmja orë në shtëpinë tonë

masnim me të tendosjen e Dimrit,

ajo njoftonte stinën kur çelnin karakaftet

dhe kur duhet të nxirrnim këmishën e vetme nga rafti...

Prej zogjve dinte nëna kur duhej mbledhur balta

që të thurte çerepët e bukës së ngrohtë

e dinin, zogjtë, kur shfaqej “jorgani i fukarait”*.

 

Dëgjonim kështu me sy të pafjetur. Kënga e zogjve

na zgjonte në mesnatë dhe bëheshim palë

me ikjen e lehtë të nënës

që shkërmoqte gurë nën këmbë të zbathura

duart dhe sytë i bëheshin pikë,

larg mungesës së babait

edhe duke ecur sikur qëndiste pajën e motrave.

 

Kënga e zogjve lajmëronte edhe lulet rreth shtëpisë,

Skalitur pranverat me lëndina bari të gjelbër,

Anës mureve të gurta dhe rrethit të avllisë.

Zogjtë gjenin qoshkat e mureve dhe ngrinin foleja,

se kudo gëlqerja kishte shenjën e gishtave të nënës,

brezi me ngjyrë dheu të kuqërremtë,

ndante të bardhën nga e zeza dimërore.

 

Sot e kësaj dite falënderoj këngën e zogjve

Edhe pse ndonjëherë kam mëkatuar me ta

Gurë dhe çarqe u ngreja atëherë mes arës,

me gjasa se mbroja “vjedhjen” e kokrrave të misrit

ndjej edhe sot dhimbjen therëse të pendesës

mungesën e këngëve të zgjimit të natës së gjatë

që mbase gdhiu prej këngës së tyre lutëse, prekëse...

 

U jam mirënjohës zogjve, të gjithë qiejve,

Më së shumti atyre që ndodhi të vinin në atdheun tim,

u ndjehem borxhli që kurrë nuk i falënderova,

për zgjimin herët në Ditëlindjen e Nënës...

me druajtjen mos i bënin fajtor edhe ata...

 

*Dielli ishte një legjendë më vete e ardhur nga kohërat.

Ai quhej “jorgani i fukarait”.

 

DIKUR

 

Në rrugën e mavijosur nga rrapat e moçëm

hije troshanake

shtrihen e shtriqen pa fron

të ardhur nga brigjet

me... o Zot kushedi

gjethet e rëna nën rrapa

dhe gjuhët në pafundësi

luajnë mbylla-hapa.

 

Në rrugën e pushtuar nga drithmat

nuk ka fare qetësi...

 

Ardhja, ikja

dhe prapë ikja dhe ardhja

janë tashmë kllapia e vetme

në kuleta dhe në çanta.

 

Përhumbja e hijeve në rrugën e mavijosur

një ëndërr e keqe

dritat janë fikur

kohëbotë tjetër, e kërrusur

deri në dhimbje mendjengritur

pleq azilantë të trullosur.

 

LANGOSJE

 

Këllqet mbetja e vetme

e radhëpërdorur në jetën time

shtriqej në çdo CV

teksa merrja urdhërin e brendshëm për punë.

“Ai s’ka këllqe!”

Mu bë gjarpri i jetës

Që s’më pickoi kurrë.

 

MOLIV* I TRETUR

 

Moliv i thërmuar

pa ankime,

gjurmëlënës në shpirtra,

etjen e ktheve në përshpirtje.

Eh, moliv i thërrmuar

Deri në tretje!

Sa vlerë ka karboni yt

në atë rrugë të gjatë,

sa peshë ka trupi yt

tashmë i thatë...?

Moliv i ardhur nga larg

Me ty festova ditëlindjen e vargjeve.

PA EMËR

 

Nuk kisha arsye të kisha të dashurën time pranë

Gjinj të gjëmbët më sollën mbrëmë ëndrrat.

 

Asnjë dashnore s’kishte arsye të ishte aq pranë,

Aty ku era pikturonte me frymë;

Dhe shkundadegët ndërtonin tempuj dashurie, brenda aortës

Për të zgjuar ardhjen e ndjeshme.

 

Nuk duheshin çarçafë të bardhë, të hekurosur

As mobilje të shtrenjta s’kisha ç’ti doja

Në tabakanë e ëndrrës time përhumbja,

Kishte qetësuar deri në themel lagjen trupore...

 

Mure pa korniza. Pa portrete të varura në gozhdë,

Vetëm lakuriqësi tej e mbanë odës kuadrat

Filiza të njoma verdhoshe në mes

Ngarë në atë korije pa fener.

 

Në qoshin e zi skëterrë të ëndrrës

Memecëria kish bërë pronën e vet.

Shkulandreqës tërbues në përpëlitje e sipër

Diku një tufë trëdafilësh shpërndarë pa vlerë.

 

Erë që ngulmonte në qetësinë time

Piktore e stisur e dashurisë

Me pjesën e mbytur të fytyrës

Kërkonte të rivizatonte të bërën pis...

 

PAK IKJE NË 14 SHKURT

 

Në kopshtin e komshiut

dy qenër trazonin dheun me këmbët e tyre,

me qenëlehje, tipike të asaj stine

gati qenore,

me qepje të pashkulshme

ashtu sipas modës së tyre.

 

Përreth gardhit,

kishte vetëm ferra dhe qepë të njoma

të vetmet prodhime që pushtonin gjysmën e vitit,

deri në ardhjen e tepruar të shirave.

 

Në vend të luleve,

pluskonin e harbonin manaferra

që ushqenin pjesën tjetër shtazore.

 

Ciklonin sytë shtazorët në ikjen kuqaloshe

memorandum marrëveshjesh me atë kënd

duke lënë pas vetëm glasat.

 

Aty mungonin vetëm komshinjtë

të paktën atë natë të vonë dimri

kishin marrë me qira Kopshtin e Edenit,

për të bekuar ikjen e qenve.

 

Në atë kopësht

ikja ishte modë

ardhja e qenve nuk bënte çudi.

 

Dhe ndihej aq afër lehja e tyre

Atë natë kur qentë bënë zullum trëndafilët

Të vetmit e paikur të 14 Shkurtit.

 

LAKURIQËSIA

 

Ja mjafton edhe kaq. Kaq dhe pikë.

Puthja iku bashkë me puthjen

buzët, sytë dhe vetë shqisat u harruan.

Puthja? Ngjizja e buzëve kishte vdekur?!!!

Një moçal i qelbur përtej dritares

që kishte prodhuar qymyrin e atyre viteve.

 

Paqja kishte marrë udhën e saj

këllqe të përthyera nën rrogoz,

parada e perdeve të najlonta

që luanin me hënën kukamçefti, në mes të natës,

një vazo me bishta cigaresh në dysheme...

Ja, pra kaq e kishte puthja!

 

Lulet në vazo kishin kohë që ngrinin kokat,

për të retushuar atë paqe të ngratë

diku në mes të dhomës lakuriqësia

me orën lavjerrës nënshkruante kontratë.

 

FALEMINDERIT PËR DITËN,

...FALEMINDERIT PËR NATEN!

 

Në këtë jetë ne nuk mund të bëjmë

gjëra të mëdha, por gjëra të vogla

me dashuri të madhe. (Nënë Tereza)

 

 

Në udhën e gjatë të metaforave

Me kafshë,

me insekte,

me shtazëri në vetvete

Hapa ngutës. Tretje dhe puthje

Jetë që matet me akrepat lëvizës

Ditënatë kacavjerrëse mes aritmetikës

Zbrazja e lavjerësve në ulërimë e sipër.

Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!

 

Bikini të strukura sënduqeve modernë

Në këtë udhë të qepur për askushedi

Tufa lulesh që mbajnë erëmyku mbi mermer

Një grimë,

një premtim,

një zhgënjim që therr.

Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!

 

Krehje të instikta gjatë kësaj udhe

Në xhama,

reflekse,

pllaka kristal

Akuj të ngrirë. Akuj të shkrirë

Statujat me mish të ftohtë gërryejnë vetveten

“Ky lindi hero!”, ... “kjo vdiq heroinë!”

Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!

 

Harresa të ngutshme në fletore me vija

Mes shifrave njëshe,

dyshe

... apo trinjake

Hutime çasti. Përlotje dhe ikje

Jetë që riciklohet mes memories

Gjurmë të moçme, shenjëza motake

Prehje në fushën e largët

Faleminderit për ditën, ...faleminderit për natën!

 

KTHINË

 

Gjethja u mbajt fort tek dega.

Dega u mishërua tek trungu...

dhe trungu zuri fort vend tek rrënja.

(Autori)

 

 

Kohë e butë. Trokitje rrezesh. Freski.

Larushi mahnitëse në gri

Krokama shkurti nën hardhi.

 

“Damarë të vegjël”- kujdes janë delikatë

Zëri i shartuesit vjen ende nga larg

Kujdes o i ngratë...

... kokrrat do të hahen vitin tjetër!

 

Vitin tjetër...?!

Dhe unë i besoj premtimit.

Është ikja e mëngjesit në dhomën e ngrohtë

rutinë e zhurmshme vesëmëngjesi.

Në xhamin karshi përthyhet një rreze

Është koha kur ora të ngre me zor

Dhe le pas atë sfilitje trupore.

 

Dhe unë e pikturoj ditën.

Çadrat hapen si me komandë në rrugicën time

Londra s’paralajmëron asnjëherë

Avujt të mjegulltë

Si topla sheqeri zbukurojnë neonët e rrugës

Shkrihen njësoj dimër e verë.

Dhe unë bëhem pjesë e tyre.

 

Një kunjë shkrepëse ecën majëkrahu me hijen time

matet me aventurën e shkuar ditë e natë

edhe pse mjerisht ka mbetur e lagur.

Dhe unë vazhdoj ecjen time.

 

Është vjelur tashmë rrushi atje larg

Stonecastle ka emër tjetër!

Mirësisht me emër lirie...

Dhe unë tashmë jam zgjuar.

Vreshti im ka ditëlindjen time

(Ah, dhe unë...., ai është kapitull tjetër.)

Im atë ma pati thënë mes krismash

“Vreshti do të jetë dëshmitar për kohërat

atëherë kur do tu duhet të kujtojnë lirinë

me verë Rahoveci do trokasin gotat!”

 

2.

 

Mesditë. Në zyrën time janë zjarr kompjuterat

nga trokitjet e zhurmta mbi tastiera

zhurmë-mërmërima kompjuterike dhe shushama e letrave në print.

Mbi tryezë një fshirëse, buzëvarur tretet mbi fletë.

 

Hapësirën gri e lexoj enkas

dhe fjalëzgjoj me heshtjen time...

është diku larg udhëtimi i fjalës.

Gotëkërcitje të lehta në dasëm

Një dhëndër, një nuse, qindra dasmorë

Një kronikan numëron nën zë

Ime më këndon me forcë

Këngën e lënë në mes atë kohë lufte...

Shoh mbi tryezë sërish gomën që fshin vetveten.

 

3.

 

Messhkurti. Si Shkurt më. I gritë.

Në dërrasa ngulen gozhdë të mëdha

Astarë të kuq u qepen rreth e qark

Të prodhojnë pak simetri me kohën

Që u iku aq larg e larg shekujve.

Yjet, zgjaten e zgjaten këpusin veten

në një sfond blu. I moçmi Kuqezi përlotet.

Gotat prodhojnë Hymnin. E ndërsa

Bota nis trokitjet

mijëra cifla i heqin me kujdes nga trupi

aq sa vetë lashtësia e të Moçmit.

Diku ende dinakëria vazhdon tërsëllimën

mbi një udhë të mjegulltë

ata luajnë veç me kthinën.

 

E SHKUAR NË TRI KOHË

 

Në katin e tejmë është parajsa

E tejqelqtë duket pamja e saj.

Ngrihet e ulet magjishëm kopsa

Sa herë nga penxherja sytë mbaj...

 

Në katin e largët është parajsa,

Për syrin e pangopur që lakmon

Ngul e shkul gozhdë mbi dërrasa

Të nxirë nga çekiçi thonjtë.

 

Në katin përballë ishte parajsa

Ustait i kishte mbirë si në përrallë...

“Dil sërish në dritare, ... se plasa

Të të shoh ty kam veç mall!”

 

Në katin e tejmë shfaqet parajsa

Sa herë tashmë që dielli perëndon

Por, atje tej sheh veç zogj e glasa

Dhe, ... një zë plakushi që rënkon...

 

RUTINË

 

Yjet ikin tutje

E kaltra në gji i merr,

Rrugicës zgjohen zhurmat,

Një rreze nis e bredh,

Nga dritarja vështroj turmat,

Hapësirat gjullurdi:

Me zor pres të shtunat

Të çlodhem pak tek ti.

 

PADREJTËSI

 

Një qenush bën ujdi

Me ferrën pranë tij

Lehtë e ngre këmbën

Dhe fap bën një vijë.

 

Era i shkund gjethet

Ferrës nën avlli

Qenushi zë e meket

Për këtë padrejtësi.

LOTË - IKJE - IKJESH...

 

(Kushtuar viktimave të 21 Majit)

 

Vija të nxirra shpirtit të ngurtë të tokës beton

e hekurt në dihama të përthyera përshpirtjesh

Diku një lemzë ka nisur dhe s’pushon

Murmurima,

vaje

lotë-ikje...

ikjesh...

 

Asfalti bojëgri nxin

Pret shiun të rrëmojë në shpirtin e tij

Ju ikje të qeta lemeritëse shpirtrash gërshetë

Kur s’do ikni nga ky udhëtim që tret...

 

Vajza të brishta një jetë studenti me ëndërra plot hare

Psherëtinë: fjalën ta kthesh në këngë është thjesht

Eh, nëse doni të kuptoni psherëtimën e tyre ndiqni atë këngë

Që grabiti në kulmin e moshës së tyre Qafa e Vishës

Grykëthyera e thatë me dhimbje në zemër

Ikja e strukur e dhjetra të rrinjve...

 

Prekni të zezën e asfaltit që ende rrënkon

Dhe gjeni arsyen e ikjes

Ritmin e krakosur të hekurave

Pastaj shënojeni diku dosjeve, fill

Për të mos ardhur më një ikje e tillë...

 

Një lule poshtë gurit të vrarë

tromaksur me natën e errët

jep një shenjë jete, një shpresë

mijëra sy pastaj atje pikëtakohen...

 

ende krokama e hekurt s’është shuar

atje tej ku këngën vazhdojnë zogjtë

pemët bëjnë roje nderi këkëulur

e gjitha lëviz, zgjohet alarmohet flet shqip

dhe dhimbja kapërcen të gjitha gjuhët e Botës.

 

Vija të nxirra shpirtit të ngurtë të tokës beton

e hekurt në dihama të përthyera përshpirtjesh

Diku një lemzë ka nisur dhe s’pushon

Murmurima,

vaje

lotë-ikje...

ikjesh...

 

TIS

 

Është nata e zezë e ftohtë?

Nata është e ftohtë, por jo e zezë,

është shprazur atje lart, një re e qelqtë

Mbulon por nuk e fsheh dot qiellin.

Hëna trupkafshuar një syqetë verdhoshe

Vështron syflashkët çdo lojë mes grisë

Nata vazhdon tkurrjen, retë qoshe më qoshe

Një tis i hollë mes dy muajve vjeshtorë

Sjell në horizont ardhjen më të acartë...

 

Andej nga rruga e blirave një shtizë vazhdon thurrjen

Në garë e leshta e tjerrur lehtë nën furkë

Ca gjethe kacavirren avujve në ikje

Dhe një zë ledhator vjen me ngut...

 

Trupholla ime hedh hapin e parë

Të dytin e qetë dhe pastaj ngadalë

Unë leqendisur mes të bardhës

Ashtu zhubra zhubra e palë palë.

 

Flokëgjata ime shpurpuris flokët

‘Pusi që lahet vetë’ shkumbëbardhë

Unë s’ndjej më ftohët

Jo, jo s’është andrallë...

 

Belholla ime shtrin hapin e saj

Ndanë gjetheve vjeshtuke lë gjurmët

Fshij sytë e përgjumur si i zënë në faj

Në xhama ka zbritur tisi i mugët.

 

Është nata e zezë e acartë?

Kjo pyetje më ka mbetur risi

Dhe kohën e lexoj të praptë

Retë më mbetën, që më mbetën gri...

 

Dhe nata vazhdon tkurrjen,

përplas hënën mbi Oqean

drejt meje ky fraq i dehur Londre

ah sikur të të kisha pranë!

 

Dhe vazhdoj të pyes natën time

Të gritën e lashë tutje në xham

Vetja ikën kullot mes drurësh thatime

Dhe bari më kall zagushi nën këmbë...

 

Fusha ishte e shkërmoqtë

Si bari në gjirin e saj,

e egër deri në zveni

nën çatinë që pikohej nga loti im

e gjelbra kthehej në gri.

 

Një hymn delikat bartte melodinë

Në strofkën e mugët të mendimeve

E pikave po aq tullafe të shiut

Liqenj lotësh mbushnin bllokun tim

 

Dy fjalë për hijen e blirave

Më mbetën atje tek ajo rrugë

hapa që u tretën në asfalt

Dhe një zemër që digjet prush.

 

Dy fjalë janë thënë disa herë

Poetët i kanë në majë të gjuhës

Nëse ju më kuptoni drejt

Edhe kësaj radhe i shoh të udhës.

 

Por nata më kacavirret prapë

Të pyes në është e zezë apo e acartë...?!

Tis...

Si vetë kjo jetë plot plagë!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page