top of page

Fatmir Terziu: Satira shqiptare në një nivel të lartë tek „Kandidati për Kandidat“

Updated: Jun 25


 

 

Duket se ardhja në duart e lexuesit të romanit të ri të shkrimtarit Arben Çejku, „Kandidati për Kandidat“, është një sinjal i ngjashëm me atë prurje në vitin 2006, të „Kandidati“-it të psikoterapistit, psikodramatistit dhe shkrimtarit argjentinas Jorge Bucay, kur ky libër u bë i shitur në më shumë se 2 milionë kopje në të gjithë botën dhe gjithashtu i përkthyer në më shumë se shtatëmbëdhjetë gjuhë.

Teksa dihet tashmë se „Kandidati“ i shkrimtarit Bucay, është një detektiv politik, romani i Çejkut ka një natyrë më fine, dhe rrethsillet në këndin e tij të preferuar, sa politik, sa moral, sa social e sa përcaktues të fateve të përzgjedhura. Kur i pari mbetet një roman për luftën e popullit të një vendi të vogël për lirinë e tij, për zgjedhje të pavarura presidenciale, për një jetë normale dhe paqësore pa frikë për të ardhmen e tij, romani i Arben Çejkut shkon deri në labirinth të gjerave të prekshme. Por në thelb të dy kanë krijuar romane emocionues, thellësisht psikologjikë dhe interesantë. Romani i Arben Çejkut, madje mund të thuhet se është një roman alegorik me një prekje satire politike.  Kështu Arben Çejku hyn pa frikë në rendin me shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë të afirmuar dhe të lexuar gjerësisht, dhe që mbetet premtues për fitimin e shumë çmimeve letrare.

E them këtë se më pëlqejnë romanet që fillojnë në mënyrë inteligjente dhe argëtuese, aq sa nuk e kupton kur ke lexuar 30 faqet e para. Më pëlqen edhe më shumë teknika e përshkrimit të personazheve kryesorë veçmas, Pajtim Karari, Qetsor Bubullima, Mimoza Lastari, Shpejtim Ngadalsimi, Trendafile Ferra, Qendrim Fluturaku, pastaj shtrembërimi i komplotit në mënyrë që ata të përfundojnë të lidhur në mënyrën më të papritur dhe të zgjuar.

Dhe tani, siç mund ta merrni me mend, Çejku i mbledh këta individë  në një top intelektual marramendës të quajtur letërsi. Dhe prej saj, letërsi e mirë, me doza të mëdha ironie ndaj jetës publike në atdheun tonë të dashur. Kjo është arsyeja pse ishte e nevojshme të përdoreshin elementët e diskursit që përcakton kandidatin për kandidat. Diku me butësi, diku me mirësi, diku me pak dinakëri, sistemi bindi qytetarë të ndryshëm të përfshihen gati-gati pakuptimërisht në veprën gjigante të përshtajes dhe vetëpërshtatjes. Atyre iu dhanë mundësira dhe emra, atyre iu dha nga e padukshmja edhe vetë e dukshmja, të gjithë emra ose mbiemra, të cilët kishin për qëllim të ngatërronin destinacionin dhe të fshihnin identitetin e vërtetë të udhës nga ishin nisur. Megjithatë, objektet e tyre mbesin jo thjesht një kategori tjetër njerëzish. Këta mbesin më shpesh ata që nuk donin ta besonin plotësisht propagandën në shkallë të gjerë të procesit, në amulli të demokratizimit të gjërave dhe të vetvetes në grup.

Kjo është pikërisht ajo që bën shkrimtari Arben Çejku në romanin e tij të ri „Kandidati për Kandidat“ (Mediaprint, 2025). E njoh këtë autor në thellësi të penës së tij, në themel të talentit të tij, jo thjesht nga ajo që ka shkruar, por nga ajo që ka botuar, e nga ajo që mban të rezervuar për ta botuar. Më vjen mirë që talenti i Arben Çejkut vjen në kohën e duhur, dhe në pjekurinë e duhur. Kështu ky autor nuk është shkrimtari në këtë vepër, por dhe intelektuali që ka bërë për vete një masë të madhe adhuruesish të penës së tij.

Kandidati për Kandidat“ është një roman satirik që tall si kandidatët ashtu edhe sistemin, së bashku me shumë njerëz/rrethana të tjera tipike shqiptare, në një nivel të lartë, shumë të lartë intelektual dhe stilistik. Më pëlqeu shumë libri sepse ai qëllon drejtpërdrejt atë pjesë të realitetit të shëmtuar shqiptar për të cilin mund të turpërohemi vetëm kolektivisht me kokën ulur. Me fjalë të tjera, „Kandidati për Kandidat“ është një histori bashkëkohore relevante dhe e shkruar mirë. E lexova romanin me kënaqësi dhe mund të mendoj për të paktën disa njerëz të cilëve do t'ua rekomandoja. E admiroj thellësisht çdo lloj të tillë të letërsisë vendase cilësore që na kujton me dozën e duhur të humorit dhe parodisë se si ndodhin gjërat në këtë vend dhe pse ndonjëherë ne vetë jemi fajtorë për pasojat.

Satira, sikurse fantazia përtej satirës, ka qenë një shoqëruese e vazhdueshme e trillimit artistik. Sot është një karakteristikë e hipotezave të ndryshme, madje hyn dhe në skutat më të thukshme të shkencës, dhe shpesh e vetë zbulimeve shkencore dhe teknike, që reken të japin arsyet e veta me stile e art... Ne, bashkëkohësit e shekullit të 21-të, mund të jemi krenarë për këtë. Por jo shumë. Sepse satira dhe fantastikja kanë qenë gjithmonë një mjet universal për të shpjeguar të pashpjegueshmen (sigurisht, në nivelin e të menduarit shkencor të natyrshëm në secilën epokë). Imazhet fantastike të totemizmit, animizmit dhe antropomorfizmit u ofruan paraardhësve tanë të vetmin „model“ të mundshëm dhe të kuptueshëm për shpjegimin e botës. Pasi imazhet mitologjike u tejkaluan si „shkencore“, ato mbetën si një burim i paçmuar i krijimtarisë artistike. E njëjta gjë ndodhi me demonologjinë e Mesjetës, me idetë e atëhershme rreth formës së Tokës, ose strukturës së universit. Alkimistët ishin në të vërtetë fantastikë vetëmohues, vetëm se nuk e dinin këtë...

Satira kur ndërthuret tek fantazia, më shpesh quhet sfera e konventës artistike. Kjo është e vërtetë, por është e pasaktë: është sfera e konventës satiro-fantastike. Sepse ekzistojnë dy lloje konventash artistike: realiste dhe fantastike. Dallimi midis tyre është në shkallën e probabilitetit dhe besueshmërisë. Specifika e trillimit artistik (në krahasim me trillimin shkencor popullor) mund të përcaktohet vetëm duke u nisur nga fakti se kjo është një specifikë artistike. Dhe kjo do të thotë: të vlerësosh fantastiken e satirës letrare jo vetëm në vetvete, por si një element (parim) të organizimit artistik të veprës. Këtë e bën mrekullisht pena e Arben Çejkut, po ashtu dhe ajo që ai e beson në tërë udhën e tij prej tre dekadash në poltikë, diplomaci e në njohje të pandashme të vetë realitetit dhe strukturës së realitetit shqiptar.

Ndërsa „Kandidati“ nga Jorge Bucaya mori Çmimin Letrar Spanjoll të qytetit të Torrevieja për romanin më të mirë në spanjisht, që sa i përket çmimeve, ai renditet i 3-ti pas Çmimit Nobel në Letërsi dhe çmimit spanjoll „Planet“, dua gjithashtu të theksoj se „Kandidati për Kandidat“ duhet të mbetet ndër titujt e nominuar për çmimin më të bukur të letërsisë shqiptare në kategorinë „Trillim Bashkëkohor Shqiptar“ apo dhe më gjerë. Nëse do të ketë një adaptim filmik këtë herë, ende nuk dihet, por parashikoj sukses si për librin ashtu edhe për një adaptim të mundshëm filmik të tij. Duhet të ketë më shumë libra si „Kandidati për Kandidat“, të cilët, me ndihmën e shuplakave verbale, na rrëzojnë ashpër, na bëjnë të qeshim deri në lot dhe, së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, na kujtojnë të vërtetën. Po, kjo e vërtetë nuk është gjithmonë e këndshme, por është e vërteta jonë. Dhe Arben Çejku na e tregon pa asnjë të metë. Shiheni vetë.

Komentar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page