top of page

Fatmir Terziu: Rudolf Marku, ose poezia e denjë për të gjitha rastet festive globale



Nga Fatmir Terziu

 

Le ta themi më qartë. Më qartë e më hapur që në fillim. Ndërsa është bërë masive, dhe poetët, sikurse ndodh me thënien hap „fletë“ dhe dalin „poetë“, në fakt pak prej atyre „petëve“ janë të destinuara të bëjnë „byrekë“ (me këtë rast „bukë“ me shkas), kapin diskursin e saktë e të qartë të përshkrimit të saktë. E aq më tepër pas çdo të ashtuquajture „petë“ të dalin vërtet „poetë“ (!) Atëherë kur pak e shumë, ka dhe s'ka, ka pak struktura që të thonë fjalën e drejtë, pse ndodh ta thonë shijet dhe përzgjedhjet e vetë talentit, krijimit, poezisë dhe shkrimit (modelimit vargor dhe estetik të saj), që të ndjejmë e ta themi mjaft qartë: poetë janë pak, mjaft pak, e thënë së paku, si modeli i pakonkurueshëm që prezanton hera-herës poeti Rudolf Marku. Dhe ndaj e them hapur e lexoj dhe ndjej mjaft kënaqësi nga vargu, dhe e përgëzoj natyrisht së largu.  

Së largu, se me Rudolf Markun vetëm një herë fizikisht kemi shtrënguar duart së paku, dhe atje në zbritje-hypjen ajrore në Rinas, e në asnjë rast tjetër, ndoshta nga gjeografitë, e arsye të tjera që vetëm termi dhe diskursi emigrim i kupton dhe i nënkupton. Por me leximin e tij kam qenë në kontakt me vite, dhe kur ai përfshihej si ndër më të mirët e atyre viteve në poezi, që guxonin të shembnin mure e të guxonin të flisnin pa tkurrje. Me poezinë e Markut dhe jo vetëm, me shkrimin dhe talentin e tij në të shkruar, në heshtje, e në shprehje publike kam ndeshur mijëra arsye për të festuar, për të shoqëruar udhën lexuese me Tjetrin, me të renditurin vendas e të huaj, por asnjëherë në një destinacion për të sfiduar. Dhe ndjej kënaqësi kur mosha të ndryshme kritikësh ndalen dhe e vlerësojnë këtë model të poezisë që nderon rastin dhe çastin, por që bën atë që gjithkush e ka si një destinë, jo thjesht një destinacion, apo një festë për dashurinë, sikurse ndodh me poezinë e Paul Elyar (Paul Elyard), kjo sepse në këndvështrimin tim, jo vetëm me atë që kam lexuar më parë, por dhe me prurjet e cikleve të Markut tek „ExLibris“, një nga mediat dhe mediumet më të avancuara të kohës sonë, them se Rudolf Marku ashtu sikurse Paul Elyar është një univers poetik, pra një emanacion i poezisë. Marku njësoj si poeti që citojmë, duket se ka marrë më të mirën e poetikës së vargut të lirë dhe e ka përthyer atë nëpërmjet ndjeshmërisë së tij unike, njohurisë didakte poetike më të avancuar, për të krijuar poezi që përbëjnë bazën e shkollës poetike shqiptare më të gjerë të kohës që jetojmë.

Poetë të respektuar ndër vite, po aq dhe pedagogë të fushës, sikurse janë Sadik Bejko dhe Vangjush Ziko, kanë vënë në dukje në shënimet e tyre për ciklet dinjitoze që hera-hershëm poeti publikon në organin e lartcituar. E thënë më saktë, ndërsa ndjek mendimet e avancuara, por dhe vlerën që rimer me to, pra me këto botime të ndjeshme e shumë cilësore, „Poeti Laureat“ nuk shoh ndonjë ambicie të plotësojë boshllëqet e lëna nga botimet e tij të mëparshme, por shoh se pasqyron në një masë të madhe vetëm ngjitje dhe është më shumë një shkollë më vete poetike e cilësisë dhe vlerës së prekur që në kohën kur ka startuar të shkruaj.

Sot, duke shkuar më thellë e më thellë estetikës së vetë diskursit të fjalës poetike, që i qaset përditësisë në të gjitha dimensionet e saj, në prezencën gjeografike, lëvizëse, apo dhe shteruese, dhe duke e kaluar mjeshtërisht penelatën në telajon e tij poetike, Marku u dirigjon situatave të ndryshme të poezisë, gonxhe që të çelin në të gjitha stinët, ose dhe zogj të lirë që të rigjejnë përhumbjet nga vitet dhe gjestet kohore: „Ka vite që nuk arrin ta gjejë të dashurën e vet,/Të gjithë i thonë se kanë vite që s’kanë parë një tërfil me pesë fletë,/Ndaj fluturon kuturu, si një i dënuar dantesk…“ (Marku, Rudolf;  „Një mysafir në ballkonin e shtepisë“). Me këtë rast poezia e tij bëhet emblematike, duke u shfaqur e denjë për të gjitha rastet festive gobale, dhe dihet kush janë ato që i meriton poezia, por dhe për këndet e fronet poetike më të ndjeshme në territorin konkurues gjeografik.

Rudolf Marku nuk është thjesht ai që është, por poeti që vjen në një hapësirë të gjatë kohore, e që nuk është si ajo dukuria e të marrit për dore, por si ajo dora që fshikullon në të gjitha rastet dhe destinacionet kohore. Që nga koha kur kjo dorë ka ardhur në varg dhe që nga dita kur rilexohet si një rast i veçantë, „Tirana“; „Një lule metalike“; „Një shishe në det“; „Dhuratë“; „Erdhën me harta, kompase dhe kostume të shtrenjta“; „Një trup i lakuriqtë“; „Shenjat“; „Poetët“; „Një pemë në mesin e qytetit“; „Piratët e Ulqinit“; „Hamlet“; „Blitz“; „Moderne“; „Lahutarët“ apo dhe „Këpuctari plak“; dhe „Argonautët“ dhe jo vetëm janë diamante të shtrenjta poetike që mbesin krenare të „shiten“  në shumicën e antologjive të poezisë botërore.

Brenda vetë diskursit të tij të qartë e të qashtër poetik, fjala e duhur, nuk mund të përmblidhet thjesht me fjalë të tjera, sepse poezia e Poetit Laureat Rudolf Marku dhe gjithë vepra e tij është shprehje e një tërësie të pashmangshme, që ushqen, i jep jetë tërësisë, ekzistencës dhe zbrazëtisë filozofike, po aq sa dhe dashurisë së pashtershme për lëvizjen e lirë, për individin e lirë dhe për njerëzimin që e meriton gjithnjë këtë liri dhe lirizëm jetik.

37 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page