top of page

Fatmir Terziu: Roja i Vilës së Madhe


Roja i Vilës së Madhe


Tregim


Duke kaluar përbri Vilës së Madhe, roja i saj dëgjoi zërin e një kalimtari të rastësishëm, që fliste, me sa duket, për Vilën e Madhe: “Ky është budalla, për besë. Me atë zotësi dhe aftësi që ka si nuk mendoi ta ndërtonte këtë vilë andej nga Gjiri i Preferuar, por e bëri këtu në mes të këtij fukarallëku. Mirëpo, hajde i thuaj”.

Roja, mbajti hapat e tij afër kasolles së qenve (kasolle i thënçin, pasi ngjante dhjetë herë më e madhe dhe më e mirë se shtëpitë e atyre që jetonin ndanë vilës), po nuk bëri asnjë shenjë nga folësi i rastit, që t’i jepte shkas që të kuptonte se ai e kishte dëgjuar atë. Ishte me siguri, ai llafazani i fshatit, të cilit, me të parë nga larg rojen, nuk i rrihej pa hedhur një nga të tijat për të Zotin e kësaj vile. Dhe prapë në të tijën: “Si nuk vuri një pasqyrë këtu në anë të madhe të shihej e të shihte si jeton dhe si ushqehet fukaraja?’

Roja, përsëri bëri të tijën. Preferoi të ushqente qentë e vilës me mishin, që sapo e kishte sjellë një makinë e madhe tip frigoriferike. Nxorri dy kofshët e mëdhaja dhe pasi ua copëtoi me një sharrë elekrike mishin, ua ndau në proporcione të barabarta pesë qenve të mëdhenj që dukeshin, jo dhe aq të urritur. Sa herë që ai dëgjonte fjalë të tilla, dhe të tillat nuk ishin pak, ai kishte marramendje.

Por, kalimtari kësaj radhe kishte më shumë etje të fliste e të shpotiste. “Si nuk bëri një palë shkallë të tilla mermeri për të zbritur andej nga ana jonë, por u mjaftua vetëm me këto që e ngjitën deri në majë të këtij vendi?”

Roja heshti. Kësaj radhe ia nguli shikimin kalimtarit. Ai, kalimtari, vazhdoi përsëri. “Përkujdes dhe mbron vila që të jetojnë të mëdhenjtë në qetësi, e merr vesh ti këtë punë? Ah, ta kisha unë biografinë e tij.”

Kësaj here roja, mendoi se nuk mund të injoronte këto fjalë. Por prapë buqëqeshi, u mjaftua me kaq se iu kujtuan porositë e të Zotit të Vilës, që të kishte kujdes me fjalët dhe shpotitë e “dashakeqësve”.

Torollak, tha me vete. Torollak e kaluar torollakut. Por, prapë nuk u kthye andej nga erdhi ai zë, falë frikës nga i Zoti i Vilës, se mos e humbiste atë vend pune, të cilin e kishte gjetur me vështirësi, edhe pse kishte dy mastera të kryer me rezultate të mira, madje.

Ngriti kokën nga kodra tjetër përqark dhe pa qiellin e mbushur me re dhe mendoi se, po të mos hapej koha sot, kishte rrezik që i Zoti i Vilës të mbetej prapë andej larg, matanë kufirit të largët ku kishte shkuar për të disatën herë pranë gjysmës tjetër të familjes së tij, të cilën e kishte dërguar për studime më të mira.

Ndërsa largohej nga ana e atij zëri, që sillte përsëri fjali të tjera në veshët e tij, mundohej të hidhte hapa të lehtë, që kalimtari matanë avllisë së madhe të mos e ndjente se ai ishte duke u larguar më thellë, ndoshta atje ku zëri nuk mund të bënte efektin e tij mes tërë asaj ngrehine prej betoni të fortë.

Kalimtari e kishte bërë fora atë ditë. “Si nuk…, si nuk lidhi dy litarë mes këtyre dy kodrave dhe … pastaj të kishte lehtësi në ikjen e tij nga lart…”

Kishte vënë re se fjalë të kota të qepeshin bezdisshëm në memorje, por me këto fjalë Roja mbeti pa fjalë. U mundua prapë t’i injoronte këto fjalë, mendoi me vete të mos merrej me një kalimtar të rastit, rikujtoi porositë e të Zotit të Vilës, por kur i ridëgjoi përsëri nga kalimtari nuk e pa të arsyeshme më të heshtte, por menjëherë pas një riciklimi në vetvete të asaj që kishte dëgjuar me veshët e tij kohë më parë.

“Si ka mundësi që ky e paska dëgjuar? Si ka mundësi? A nuk ka kohë që i Zoti i Vilës mendon për një teleferik që të lidhë të dy këto kodra?” Atëherë, ngadalë e ngadalë doli dhe bëri beh në ballë të tij, aty afër portës së gjerë të asaj vile.

Roja mezi e mbante veten që të mos thërriste: përse flisni marrëzira? “I Zoti i Vilës jo më kot e ka projektuar këtë teleferik. Ai ma ka shpjeguar mua pse.

Ia kishte shpjeguar vërtet në ato pak minuta të pakta që shkëmbeheshin bashkë në hyrje dhe dalje të vilës me të zotin e saj. Le të dërdëllisë mileti për halle të tjera. Le të ankohet fshati, se … do ti lërë pa gjumë. Ato nuk e kuptojnë tani se ka ardhur koha për turizëm në vendin tonë? Pa le, pa le, ky na i quan litarë…”

“Hë, de hë, litarë thashë. Unë nuk kuptoj fjalë të mëdha. As atë që the ti, “telefurrik”, as…”

“Ha, ha… teleferik. Jo “telefurrik”. Po nejse s’ka punë litarësh këtu?”

“Qesh, ore qesh sa të mundesh ti, litarë ore litarë, litarë duhen… se kjo punë e tillë e trazuar, u nis që kur filloi për t’u ndërtuar, por kot nuk e thonë, se ato litarë vetë ke për ti mbajtur me ato duar...”

I çuditshëm paske qenë. Dhe fjala “çuditshëm” në të dy palëveshët tingëlloi herë si për mirë e ca si për keq.

Roja i Vilës së Madhe instinktivisht ngriti kokën dhe pa drejtimin e ecjes së reve. Koha po hapej andej larg dhe ndriçimi i ditës dukej i përshtashëm për të parë dhe andej nga kodra tjetër. Ai mbajti shikimin andej dhe lëvizi vetëm qepallat e syve duke imituar një skenë ndryshe për kalimtarin e rastit…, aq sa ta linte të kuptonte, se e kishte kuptuar punën e litarëve.

Do t’i pëlqente vallë? Do ti pëlqente …?!

“Ti po shikon larg? Ndoshta matanë kodrës. Ndoshta… Unë nuk e di, por po ta them që t’ia thuash të Zotit të Vilës, se jeta është një libër, më saktë është si një copë litar, ajo merr kuptim vetëm në lidhje me gjërat që i mban së bashku të lidhura, të sinqerta, të kuptueshme.”

Roja bëri sikur u pajtua me fjalët e kalimtarit. Pastaj fshiu sytë që i mbetën matanë kodrës në një pikëtakim me qiellin dhe retë që iknin me forcë dhe i foli: “Fjalët sot janë si predhat dhe si litarët e algave që një fëmijë sjell në shtëpi mbi një gjetje të shndritshme nga plazhi, të cilat në një orë, ose e kanë humbur famën e tyre, ose kanë bërë efektin e duhur tek i zoti që i dëgjon dhe i transmeton ato aty ku duhet”.

Pastaj bëri për nga porta e Vilës së Madhe. Zëra të tjerë u bashkuan me lëvizjen e rëndë e të ndjeshme të asaj porte nën telekomandë. Zërat sa vinin e bëheshin më të fortë. Ishin zëra që nuk i ndaheshin hapave të tij. Zëra që tentonin të hynin në brendësi të asaj vile, mes ulërimës së fortë e të mistershme të qenve të mirëushqyer, mes tërë atij misteri që kishte jetuar brenda asaj avllie të betonuar e të lartë. Zërat kishin arsye të tjera. Dhe s’kishin të ndalur. Nuk u ndalën edhe kur ai ndaloi hapat e tij. Edhe kur qentë pushuan së lehuri… Edhe kur i Zoti i Vilës së madhe tashmë kishte udhë tjetër.

Roja shtangu. Idiot, tha prapë me vete. Si kujton se mund të shpëtosh kështu me kukafshehti? Dhe përfytyroi fytyrën e tij, në çastin kur do t’i thoshte: jo vetëm kostumin që s’duhet ta ndryshosh, por asgjë tjetër, kretin…

Përpara u duk Vila e Madhe, krejt ndryshe, merrte ajër, mbi të u dukën shenjat e vjetra të datuara në vitin 1913-të, edhe pse i kishte mëvetësuar koha. Memorja e rojes u turr tutje si në ndonjë karusel dhe hyri thellë në tërë atë dosje të madhe dokumentash, dhe diku mbi një fotografi të vjetër pa babanë e tij që e mbante në krah me një letër në duar. Fshiu sytë që e tradhëtuan dhe mbylli dosjen që kishte vite e vite që e mbante të hapur.

Kalimtari i rastit nga larg ia bënte me dorë, ia bënte me shenjë dhe Rojes i dukej sikur ia kujtonte pasqyrën, shkallët, litarët…

Roja nuk mund të shihte më shumë përtej gjurmës së lotëve që i i rrokuliseshin poshtë dyanësive të baqthit dhe i bëheshin glob në kraharor.

79 views83 comments

83 Comments


Diana Lika Halili

Përshëndetje Fatmir Terziu tregimi më pëlqeu shumë, është aktualiteti dhe realiteti I vendit tonë për fat të keq kur qentë janë të mbingopur dhe populli është I varfër, është një antitezë e madhe midis dy botëve, e përshkruar me pasion dhe figura letrare pafund, përgëzime dhe faleminderit që na jepni mundësinë ti lexojmë shkrimet tuaja, suksese në krijimtari !

Like

Fatime Dhe Kujtim Bajraktari

Ju lumte pena dhe mendja , Nje fabul qe eshte nje realitet , Brravo

Like

Nasibe Lipa Cavdarbasha

Nje fabule,qe edhe sot pas kaq vitesh eshte nje realitet i popullit tone...fatkesishte po shume reale,ju lumte pena e mendja,mik i nderuar !

Like

Hekuran Halili

Fatmir, ju pergezoj per tregimin e shkruar me kaq mjeshteri artistike, por me shume se kaq, nje tregim qe ne pak rreshta jep nje histori tronditese te fateve njerezore ne te gjitha koherat.. cilesi kjo e penave mjeshterore qe trejtojne probleme sociale te medha...Urime!

Like

Eli Kanina

Mund të jetë një histori personale në derën atërore që ka frymëzuar këtë tregim. Nisem nga lotët mallëngjyes, dosja me dokumentacionin dhe fotot, mbetur hapur për shkak të gjygjeve të përkatësisë apo me zërat e përtej murit që imponojnë ndryshime etj. Por universal dhe alegorik në mesazh e bën inteligjenca dhe stili i përzgjedhur nga autori, që e sjell si një emërues të përbashkët i gjithë fateve personale, kur bëhen bashkë jo më tek Vila e Madhe, por tek Zonja Mëmë, Shqipëria. Janë detajet e servirur që na e drejtojnë vëmendjen nga historia, për ta parë këtë tregim si pasqyrim të saj, që nga shenjat e datuara në 1913, por edhe në politikat e ndjekura, sygjerimet e përtej kufijve…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page