Fatmir Terziu: Rikoshetë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 11
- 5 min read

Rikoshetë
Tregim nga Fatmir Terziu
Ka kaluar shumë kohë, nuk më ka ndodhur. Dhe, sikurse ndodh kur ndodh, diku thellë në nënvetëdijen time, ndjej se e kam ruajtur si rezervë të fundit lumturie. Atë ndodhi, atë që më ndodh si risi. E aty e kuptoj se kam ruajtur si një shishe verë, verë e vjetëruar. E prek, e ndjej, e shijoj me perceptim. E pastaj sytë janë në kohë të prekshme. Të tashme.
E unë me ata sy të së tashmes, e pashë të mbytur me aromën e verërave të vendndodhjes, me erën e pluhurit, lumit dhe drurëve të tharë në verandat që kërcasin fotografive bardhë e zi. Dhe e shkunda. E shkunda mirë, e mirë. E quajta fëmijëri. Se e tillë ishte dhe kishte mbetur në sytë e mi.
Fëmijëria ime. Është ngulitur në kujtesën e qytetit të vjetër, të pjekur nga dielli i gushtit, e ngrirë në peltenë e vapës, e prerë nga dallëndyshet me shigjetë, si gërshërë në kanavacën e rëndë të qiellit. E gërshetuar nga specat djegës në shiritin e spangos ku kanë mbetur shenjat e gishtave të gjyshit në hurmat e moshuara. Është gjithmonë fillimi i shkurtit. Shkurt. Dhe vetëm shkurt, në Shkurt. Është gjithmonë një pakohë e zhurmshme në të cilën ora e vetme e lëvizjes është ora 16:00.
Pastaj dyert hapen si lëvozhgat e arrës dhe ne fëmijët derdhemi jashtë, me feta buke të shtruara me sheqer e me pak ujë sipër, me ndonjë top të arnuar në duar dhe çelësa në qafë, të varura në shirita gri. Ne do të dalim për të luajtur. A ka gjë më të rëndësishme se kjo? Ne i bërtasim njëri-tjetrit, i kapërcejmë detyrat, gënjejmë se kemi mësuar tabelën e shumëzimit, sepse jashtë është liria absolute, e cila i jepet vetëm një herë në jetë. Në vitet kur nuk mund ta realizosh plotësisht, por vetëm jeto në të si në një përrallë pa fund.
Papritmas gjithçka ndryshon. Ajri dridhet nga klithmat “je vrarë, je vrarë”, dhe djemtë i qëllojnë me korka balte armikut imagjinar, të përflakur nga kënaqësia e egër fisnore, buzë transhesë me dryn të madh dhe portë të hekurt. Ata janë të gjithë me lëkurë të errët, me flokë të qethura nga gërshërët e nënave dhe çizme gome të grisura. Trupat e tyre të dredhur e të parritur ngatërrohen në bar, ngrenë re pluhuri midis vorbullave të zhavorrit dhe shigjetat e tyre prej lëkure dridhen me një puls të pabarabartë në zemër të vapës. Të djegur nga djersa dhe papastërtia, djemtë duken si brumbujëza të vogla. Disa orë pasioni ziejnë në amfiteatrin e arës së mbjellë me qiqra dhe me jonxhë, duke thithur me durim rrezet e perëndimit të diellit në ngrohtësi të mirë, shtëpiake dhe të gëzueshme.
Emra… Emra. Shkurtime. Pseudonime. Emërtime. Emra që mbetën pas tyre, si korka balte të shkelura me nënshkrime të paqarta nga fëmijët e dikurshëm. Emra që u shkruajtën në muret e transhesë. Emra që u gdhendën në pemë. Emra brenda një ëndrre. Emra brenda një dashurie. Letra? Të pakta. Të guximtat ishin të mistershme. Jo si këto që lexova dje. Jo. Një letër dashurie për një pemë të dashur. Qyteti i Melburnit ka krijuar një adresë emaili për çdo pemë në qytet, në mënyrë që njerëzit të mund të raportojnë problemet, me degët e rrëzuara dhe të ngjashme. Në vend të kësaj, qindra po përdorin adresat për të shkruar letra dashurie për pemët e tyre të preferuara. Dhe disa madje marrin përgjigje. Marrin përgjigje?! (Ore je budalla, apo të ka ikur mendja!? Po sikur të të dëgjojnë?! Shkundem dhe ende nuk e kuptoj mirë që jam duke jetuar në kohë dhe moshë tjetër.)
Po tonat? Tonat u tretën bashkë me muret, me transhetë, me hurmat, me frikërat… U tretën dhe mbetën thjesht si një memorje. Memorje. Ëndrra. Fëmijëria është ëndrra më e lumtur nga e cila na zgjon në mënyrë të vrazhdë jeta. Për gjashtëdhjetë vjet nuk doja ta kujtoja. Disi po ecja përpara në jetë me kujtime të operuara nga fëmijëria.
Ne djemtë luajmë veçmas. Veçmas luajnë dhe vajzat. Kukullat e tyre prej lecke janë bota e tyre. Rendi është prioritet i feminitetit. Me ta, jeta e një dite është e rehatshme, e mbushur me rehati të përkohshme dhe të rreckosur. Fëmijët e tyre artificialë flenë mbi ëndrra plastike, uji me gjethe të grimcuara kthehet në supë dhe pjesët e fustaneve të vjetra të nënave rimodelohen në duart e tyre të papërvojë në veshje fantastike kukullash. Dhe u ngjiren, dhe u shtojnë emra. Emra dhe nofka, që mbesin të mbështjellë në kujtesë si një grumbull gjethesh krokante nën rrjetën e artë të perëndimit të diellit. Dhe diku një venitje dhe një arratisje nga ëndrra, nga memorja bardhë e zi që lëkundet në lëkundje pafund në kopshtin e zhurmshëm dhe të vdekur. Mospëlqimi im i parë i fëmijërisë zhytet në një heshtje shurdhuese.
Të rriturit na kalojnë si silueta kërcënuese të rritjes së pakuptueshme, dhe mbesin në sytë e mi përgjithmonë të shqetësuar, gjithmonë të zënë, gjithmonë pa para. Pamja e tyre na bën të përulemi.
Të lutemi për lojën e pakthyeshme të fëmijërisë. Për kohën e pamjaftueshme të asaj moshe: "A mund të kem pesë minuta të tjera?" Loja sapo ka filluar. Nuk mund të punoni pak më shumë? Pse harron gjithmonë të blesh bukë? Pse na dërgoni gjithmonë në dyqan?
Por pesë lekë për të blerë diçka gjithmonë përmirëson disponimin tonë. Do marrim ca “gurabije të forta”. Më pas do t'i zhysim në rubinetin me orar për t'i zbutur dhe do të kënaqemi duke gëlltitur tulin e lirë, ngjitës, të ëmbël si sherbet. Shija e fëmijërisë sonë. Asgjë pas kësaj nuk mund ta fshijë atë.
Vetëm një hap përpara dhe unë tashmë jam hedhur në një kohë tjetër. Ajo ka fytyrën e portretit të varur në murin e shtëpisë së babit tim të dashur. Adoleshenca ime. E shoh të hedhur në shtat. E shoh adoleshent pulsin tim që ngec e grabitet nga një sy tjetër, opozitar. Ajo ecën drejt meje me pantallona të shkurtra të bardha dhe një xhaketë prej kadifeje të kuqe të errët, me një lulesë shumëngjyrëshe mbi supe, ose një karakafte imagjinare që lëkundet si krahu i një pilivese mbi kofshën e saj të valëzuar dhe hipnotike seksi. Rinia është e bukur në mënyrë të pakthyeshme. Lum ata që ruajtën kujtimin fotografik të momentit.
Është mizore kur hapat e butë vijnë drejt teje. Këtu është bardhë e zi, i ulur si zog i trembur në parmakun e verandës së vjetër, i përhumbur në monologun e radios dhe revistës radiofonike që i jep „dajak“ Reganit, apo „kapitalizmit dhe imperializmit“, në masën e ngritur lart mbi një fasadë që flasht, me qerpikët e grurit, loti i nënës, i stolisur me unazën e thellë në gisht dhe përrenjtë e rrëmbyeshëm poetikë të përrallës për jetën e lirë, …përrenj. Përrenj që na mbyllin me një alarm ajror në afërsi të transhesë ku shkruhet me të madhe „Armiku na ka në grykë të pushkës dhe ne në grykë të topit“. Cili top? Topi ynë prej lecke? Dhe zgjohem. Aty u treta në një shkumë shpresash, naiviteti, sylesh dhe idealizmi të çmendur. Sa qesharake dhe e trishtueshme është që edhe e mbaj mend.
Më tej, disi nuk është interesante dhe e kuptoj që rinia i jepet njeriut për të besuar se jeta është e bukur. Shkurt me atë që të kujtohet, nga ajo që në kohë e në pakohë të tërheq e të flet, kupton se jeta dhe e gjitha është thjesht një rikoshetë.
Shpresa Fundo Gjergji
Kujtime qe udhetojne me ty cdo moment...
Jeta ka rruge e shtigje plot, por te nxjerr aty ku e ke kerkuar me ngulm dhe smund ti rikthehesh dot me. Mbeten vitet e se shkuares, qe te duket sikur ke jetuar ne nje iluzion te ralle! Ama ke jetuar dhe jetofshi edhe shume e shume vite profesor, qofshi i lumtur me familjen tuaj, edhe e me shendet! Suksese gjithmone!
Perhere Respekte pa fund prof. Fatmir Terziu!
Dhimitraq Zografi
Pershendetje z. Fatmir
Ju uroj shendet e krijimtari te pasur
Eshte kenaqesi te lexosh shkrimet tuaja. Jane tebukura
Me respekt Dhimitraq Zografi
Shege Orhani Ademi
Shum e bukur,jeta feminore eshte e bukur me shum nostagji dhe kujtime te bukura qe nuk perseriten me bravo
Diamanta Zalta
Oh sa bukur keni shkruar Profesor . Ju dini te ktheni ne Art gjithcka jetesore , ju e beni lexuesin te besoje thellesisht se Jeta eshte e bukur sido qe te vije . Kenaqesi t´ju lexojme i nderuar ! Respekt i pa mbarimte !
Namik Dokle
Vendlindja e gjithkujt prej nesh nuk është një emër fshati apo qyteti, por është fëmijëria që kemi kaluar.
Përshëndetje, Fatmir Terziu!