top of page

Fatmir Terziu: Rëra dhe kukulla

  • Dec 9, 2025
  • 2 min read

Updated: Mar 13

Rëra dhe Kukulla

Tregim

 

Atë orë mësimi na e dha një i huaj. Nuk e di pse e quajtëm të tillë, kur e dinim se në gjashtë vjeçarin tonë, “i huaji” nuk do të guxonte kurrë të kalonte ROGVL-të tona, Rojet e Organizuara në Grupe Vigjilente Luftarake, që rrethonin çdo cep të gardhit me tela, të quajtur 'Klon'. Megjithatë, ai erdhi nga larg, i gjatë dhe i bëshëm, dhe u përkul thellë kur hyri në klasë. Me vete mbante një kovë me rërë. Ngadalë e vendosi në këndin e majtë të tavolinës dhe, pa një fjalë tjetër, e derdhi në një paisje të mistershme së bashku me një trup kukulle, ngjyrë e zverdhur, si i vdekur. Rëra filloi të grumbullohej, pa ndonjë rend të dukshëm, dhe ngadalë e mbuloi trupin e kukullës, duke e zhdukur në mënyrë çmendurisht të qetë.

Ai tha se dikush nga ne duhej ta ndihmonte. Nuk e di pse unë ngrita dorën, ndoshta nga hutimi, ndoshta nga ndonjë kuriozitet i panjohur. Ai na tha se kjo do të shërbente për të matur kohën, një kohë që ne duhej ta merrnim në racion, si çdo gjë tjetër në atë kohë.

“Kjo është matësja më e vjetër e kohërave,” - tha ai.

Heshtja e klasës u bë e rëndë, një heshtje që, edhe sot, më detyron të pyes veten nëse dora ime u përdor nga i huaji për të matur jo vetëm rërën, por edhe jetën time të vogël.

A nuk ishte dora ime ajo që lëvizi kokrrat e rërës, që mbajti në pëllëmbën e saj trupin e kukullës, e cila pushonte aty për pesëmbëdhjetë minuta të caktuara, para se koha të shpejtohej dhe kokrrat e fundit të zhdukeshin me vrull rrufeje?

Ai e quajti këtë formë të prekjes “formë të të dashuruarit.”

Ne ishim fëmijë, dhe fjala e huaj na dukej po aq e huaj sa rëra që rrëshqiste përmes gishta tonë. Dashuria, sipas tij, duhej të kishte vetëm një pikë, gozhdën e fotos në krye të klasës.

Por dora ime e vogël, e prekur nga një kënaqësi e heshtur, do të shkaktonte dëmin e pariparueshëm. Ajo do të mbante përgjegjësinë e një misteri që, pas shumë vitesh, do të tërhiqte regjistrin në sirtar dhe do të linte faqet e dorëshkrimit të ngrira, të pathënë, pa shpresë për falje.

Mbledh guximin të shkruaj për atë dorë.

A nuk e udhëhoqa çdo lëvizje të saj? A nuk ishte ajo që nxori fletoren time, që shtriu dorën për trupin e zverdhur të kukullës?

Dhe kukulla më ndiqte. Çdo mëngjes, ndërsa trupi i saj i paçmuar shfaqej në dritën e parë të ditës, nuk mund të largoja sytë nga fytyra e fjetur, nga buzët e mbushura pak nga rëra, nga gjumi dhe etja, nga shenjat e para të një dashurie të ngathët dhe të pasigurt.

Koha vazhdonte të rridhte, matësja e saj heshtur, ndërsa ne qëndronim atje, të vetëdijshëm për boshllëkun që ajo lë pas.

Dhe në fund, gjithçka që mbeti ishte, unë, rëra dhe kukulla.

Po kohën? Kush e maste atë?

Pyes veten çdo herë që shoh rërë dhe kukulla, çdo herë që ndjej dorën e fëmijërisë që ndoshta, papritmas, maste gjithçka.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page