top of page

Fatmir Terziu: Poezia e Sulkuqit si një këngë dhe një kod tipologjik



(nga parathënia e librit shqiè-anglisht

"Fjalë për nesër"/Words for tomorrow

botimet adonis a.h, dhjetor 2020


Poezia e Sulkuqit si një këngë dhe një kod tipologjik për ta lexuar brezat


Prof Dr Fatmir Terziu


Hyrje


Së bashku me përditësitë, pa anashkaluar tematikat e ndryshme të krijimtarisë së poetes Iliriana Sulkuqi, aspektualiteti[1]i kulturës femërore dhe dashuria janë disa nga efektet më të fuqishme, dëshmuese dhe rrënjësisht transformuese të krijimtarisë së saj. Dashuria, afeksioni, lojërat e fuqisë, riprodhimi, dorëzimi, degradimi, ngushëllimi, mëshira, bindja, mashtrimi, tradhëtia, vdekja e dashurisë ... i gjithë spektri i përvojës njerëzore mund të shihet e pasqyrohet nga leximi poetik i poezive të saj në këtë diskurs. Ndryshe mund të thuhej më qartë, se duke lexuar këto poezi, vetëm shtojmë dashuri dhe romancë dhe kemi dëshirë të zjarrtë, kënaqësi dhe frymëzim poetik në mesazhin që sjellin ata në sytë dhe vëmendjen tonë. Për ata që kanë pasur fat të lexojnë Ilirianën, kuptojnë më së miri se dashuria-romancamund të bëhen transformuese dhe ndriçuese në një hapësirë të gjerë kulturore. Ndërsa poezia e saj shpreh me disa fjalë potencën numerike të ndërgjegjësimit tonë për jetën, kështu që edhe ilustrimet simbolike të saj, dashurisëdhe romancës shndërrohen në poezi të fuqishme, të veçanta dhe gjithnjë me rritje vlere dhe kulture, me forcë mesazhi dhe disipline. Ky është efekti i hershëm, kohëgjatë i poezisë së autores. Është efekti që ka qenë në syrin e të tjerëve.


Në fokusin e syrit „Tjetër“


Kohë më parë efektin poetik të poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi e kanë vendosur në vëmendje të ndjeshme autorë e krijues të shumtë, ku ritheksojmë se Klara Kodra, Anton Çefa, Nase Jani, Fatime Kulli, Kolec Traboini, Pëllumb Kulla, Faruk Myrtaj, Fation Pajo, Aleko Likaj, Lindita Agolli, Demir Reshiti, Astrit Bishqemi, Petraq Risto, Pandeli Koçi e qindra të tjerë janë emrat më në zë të trajtesës poetike të Ilirianës. Nëse citojmë disa prej tyre natyrshëm kuptojmë thlebin pse poezia e dashurisë së Ilirianës është gjithnjë rinore, jashtë moshës së saj fizike, dhe pse ajo gjithnjë është një hap me kohën poetike. Këtë na e shpjegon citimi i Anton Çefas qëshprehet se nga poetët erotik të kohës së re, veçohet Iliriana Sulkuqi.Sipas tij „Sulkuqi ka pasuruar erotikën tonë me motive të reja, që nuk janë ndeshur më parë në letërsinë tonë.“ Më tej Sadik Elshani e quan poezinë e Iliriana Sulkuqit si të rrjedhshme me plot frymëzim, ku në të nuk ka fjalë të tepërta, dhe „poezia është e saktë si notat në kompozimet muzikore të Moxartit“. Mevlyde Mezini Saraçi shkruan se tek Iliriana Sulkuqi „Termi poezi e dashurisë, ka një kuptim të gjerë, pasi përveç poezisë erotike përfshin edhe poezinë e dashurisë për atdheun, për vend-lindjen, poezinë e dashurisë me tematikë sociale, universale, refleksive, etj.“

Sakaq kuptohet qartë se me poezinë e Sulkuqit vetë diskursi ka krijuar një afërsi më të qartë e më të sinqertë me atë që lidh dhe jetëgjatëson njeriun. Ky diskurs është vetë miti që ka ardhur si i tillë nga kohërat për kohërat, ose ashtu sikurse e ka shprehur edhe më parë për këtë autore. Mitet e krijimit të shumë kulturave fillojnë me këtë disiplinim, në mënyrë tipike një qiell ku simbolikisht citohet si „babai“ dhe një tokë që po ashtu është në simbolikën tonë „nënë“, megjithëse nganjëherë është një akt i vetmuar, siç është Rruga e Qumështit rezultat i vetë-kënaqësisë së një perëndie. Erotika, dashuria dhe romanca janë një pjesë e rregullt e ekzistencës së shumë hyjnive, midis tyre dhe me njerëz të thjeshtë. Ndonjëherë partnerët e pavdekshëm të këtyre lidhjeve nuk janë aspak njerëzorë; Mbreti-zot Grek Zeus me siguri mban një rekord për ndryshimin e formës për trystat e tij romantike: një dem, një mjellmë, një shi prej ari, etj.


Një kod poetik i domosdoshëm


Edhe në këtë vëllim të ri poetik, me titullin mjaft domethënës „Fjalë për nesër“ (2020-2021), natyrisht me një perceptim në dygjuhësi, Sulkuqi vetëm se e zgjeron disiplinën e saj semantike të dashurisë dhe i jep një arsye më shumë lexuesit më të gjerë të kuptojë vlerën e poezive të saj. Ky vëllim poezish tregon se poezia e saj flet mjaft bukur edhe në gjuhët e tjera, sidomos në gjuhën angleze, natyrisht dhe në atë italiane. E nis me „Ti je krijesa ime Dashuri“, duke na dhënë kështu një kumt, një shenjë të fortë simbolike, një tendencë që kërkon të ndriçojë atë që vjen nga e shenjta strehëz e jetës, të na dhurojë një kod, një disiplinë, një çelës për të matur fjalën poetike, për të ridimensionuar vargun, për të kuptuar vetë poezinë. Le ta shprehim më thjesht mes shembullit të përkryer të autores:

„Tëlinda prej fryme.

Të rrita me bulëza vese.

Të përkëdhela me mollëzat e gishtrinjve,

ku biorryma përçohet në palcë të shpirtit

për të mjekuar dhimbjet...“

Ky është në fakt më shumë se një material i fuqishëm i treguar në mënyrë të përpunuar bukur estetikisht, poetikisht, në një tendencë të dikshme filozofike dhe të bindur në atë që jep mesazhi, në atë që zbulon vetë poezia duke na rrëfyer, duke na dekoduar thelbin e një dashurie, por duke bërë atë që duhet të jetë gjithnjë një arsye më shumë në sfondin e sekuencës. Këtu kemi sfondin e sekuencës së fundit të poezive të Sulkuqit, të cilat metohen me ndjenja dashurie dhe janë të mpirë nga depresioni, që përkon me vitet e tyre. Në një periudhë përkushtimi intensiv dhe estetik, Sulkuqi shkroi poezi aq të ndjeshme dashurie sa gjithçka e shkruar ndonjëherë nga një poet apo poete e madhe. Poezitë e këtij vëllimi janë të shkëlqyera dhe mbresëlënëse. Në tërësinë e tyre edhe pse fshehin përsëri me ndjesi një të padukshme, zbulojnë se, Iliriana Sulkuqi edhe kur është e sëmurë, e rraskapitur, e çuar deri në lodhje masive, mbron thelbin e jetës, pastaj respekton ashtu sikurse veten edhe thelbin e një kodi për të Tjerët, duke përdorur furrën e saj estetike, ku piqet vetë pjekuria e një modeli, apo forme të tillë, tipike, poetike, që shkruhet e rritet me gishtërinj që përkëdhelin vetëm dashuri:

„Gishtrinjtë e mi - pas e më pas

përkëdhelën dashuri

nëpër romane të ndaluara…-

Edhe pse me pigmente largimesh

në hapa jete -

nuk u ankuan….“

Vetë timbri i fjalës së fundit, nuk ka në thelb ankesën, as që e meton apo tenton të thotë e të parathotë ndonjë gjë për të, por ka si kod më vete efektin e një mesazhi, jashtë dilemës së heshtjes, jashtë produktit të kuptimit të parë, ndaj në një refleks poetik të ngjeshur brenda pyetjes retorike ndërton një kod të veçantë estetike, që kapërcen mitin e kumurisë, që flet vetëm me një kuptim, që bëhet „kuptim“:

„Të hesht

kur më ngulet një gjilpërë si kumurisë…

Të hesht kur heshtja më vjen nga Heshtja

dhe më bëhet Kuptim…“

Kur themi „kuptim“nuk nënkuptohet menjëherë thelbi i kësaj fjale, por tërë diskursi ku estetika kërkon të bëjë shtrat, ku kodi i saj tregon se në këtë lloj poezie vetë poezitë ndihmojnë autoren të thotë, ndihmojnë të tregoj se si ndihet, por ato gjithashtu prezantojnë me ndjenjat e dukshme e të padukshme të Sulkuqit, mënyrat e të qenit në botë, njerëzit, shumë ndryshe nga ajo, ndoshta edhe njerëz nga shumë kohë më parë. Disa poezi të autores madje tregojnë se kjo është ajo që ata mund të bëjnë me vetë„kodin e heshtjes“:

„Të hesht, të hesht,

më shumë se çdo kod,

se Heshtja, se Heshtja

ka kodin e saj -

peshon më shumë se një lot i kristaltë,

më shumë se një glob

që s‟e mban nën qepallë…“.

Pikërisht këtu është thelbi i këtij kodi që tregn se poezia e mirë mund të mësojë stinët si tek „Vjeshta e stinëve të mia“, ku auroja ka një kod të veçantë dhe e quan:

„Vogëlushe e fëmijërisë sime,

nuk të mbrojnë çizmet dhe ombrella

nga shirat e jetës me stuhira…“

por, edhe një kod tiplogjik për të marrë një mesazh të vlefshëm atje pa tingëlluar si predikim:

„Natën e parë i vura poshtë nënkresës

të shihja ëndrra me shira…

me Shkumbin e Zaranikë të dalë prej shtrati,

deri pranë shtëpizës sime,t‟i mbushja me ujërat e tyre çizmet,

t‟u dëgjoja muzikën e “pllaq-plluq”-eve...“

Poezia e Sulkuqit rrëfen qartë në këtë rast se mund të jetë si një këngë dhe është gjithashtu një gëzim për ta lexuar.


Konkluzion


Duke lexuar vëllimin e Sulkuqit vetë kodet poetike të saj mësyjnë të të mbërthejnë në një hapësirë të ndjeshme pa u kuptuar tashmë se ti je dikush që është i dashur të bëjë zhytje të thellë në thelbin e saj. E kështu e ndjen që poezia e autores është një nga mënyrat më të forta për të lënë jashtë të panjohurën dhe në zhytje e sipër gjen e zbulon tërë botën me të gjitha hijet dhe dritëhijet e saj. Për këtë çështje, gjithçka që të mban të kënaqur dhe gjallë, është si në muzikë, vallëzim, është e gjitha që mund të jetë dhe përdoret si një qasje e bukur për të lënë të shpërthejë entuziami brenda vetes.

Kështu e kupton më së miri se poezia e këtij vëllimi në dygjuhësi luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën poetike. Për të gjitha disponimet e leximit, nuk ke më nevojë që dikush të të rrëfejë një tjetër arsye gjatë gjithë kohës, natyrisht në jo pak raste, ndoshta dhe shumicën e kohës vetëm një stilolaps dhe një letër për t'i shprehur ndjenjat që ke rikoduar nga leximi i poezisë Sulkuqit me fjalë të tjera brenda vetë diskursit. Poezia e Sulkuqit, duhet theksuar fort, nuk është thjesht një poezi që vetëm duhet lexuar, por studiuar, madje shestuar mirë e mirë në të gjitha tekstet ku arti i saj kërkon të bëjë art për brezat e tjerë.

[1] Aspektualiteti përshkruhet si nënkuptues i "mënyrës dhe mënyrës në të cilën vepron veprimi i foljes" (Brugmann 1904: 493).

 
 
 

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page