Fatmir Terziu: Pas një “lajmi të madh” nga Çorrraj
- Jan 16
- 3 min read
Updated: Jan 17

"Ma mbushën dhëmbin, që po më bie," - do të thoshte i mirënjohuri Cen Biza në Elbasan. Por kjo do të ishte thjesht një shaka. Se, pas kësaj shakaje, pashë dhe lexova dy anë të një medaljeje. Njëra ka të bëj me lajmin që poston në video, miku im artist dhe patriot, Adham Prifti dhe tjetri me një koment, që e nis me pytjen „E kanë shaka?“ Nejse le të shkojmë në thelb të seriozitetit. Sikurse e shoh nga larg, dhe nga vetë postimi i mjeshtrit Prifti, riparimi i ish-Qendrës Kulturore të fshatit Çorraj u ka dhënë disa njerëzve arsye për gëzim dhe shpresë, por ama disave që kanë mbetur, që shkojnë e vijnë vetëm për të hequr mallin e vendlindjes, se Çorrraj si shumë të tjera zona e fshtra po sheh në pasqyrë zbrazëtinë. Sipas lajmit në video shihet se u vendosën dyer e dritare, dhe sipas komentit e shkrim të Adham Priftit, u bë një punë me kontribut vullnetar nga bashkëfshatarët, nën kujdesin e pleqësisë së fshatit dhe të disa individëve që nuk pranuan ta linin godinën në harresë. Në një vend normal, ky do të ishte një lajm i zakonshëm. Në Shqipëri, fatkeqësisht, ai kthehet në “lajm të madh”, sepse na kujton sa poshtë ka rënë vëmendja ndaj jetës kulturore në fshat.

Por a është vërtet një lajm i mirë? Po, por vetëm nëse e shohim si fillim, jo si triumf. Sepse faktet, kur lexohen me qetësi, e përmbysin entuziazmin e parë dhe na vënë përballë një të vërtete të pakëndshme. Çorraj nuk është një fshat i zakonshëm që po ringjallet rastësisht, por një vend me trashëgimi të jashtëzakonshme, i lënë për dekada në harresë institucionale. Çorraj është vendlindja e tenorit me famë botërore, Josif Gjipali, e poetëve Viktor Qurku, Ilirjan Zhupa, e intelektualëve, e muzikantëve si Adham Prifti, është tokë ku kultura nuk është import, por burim. Është fshati i Maro Kondit, trimëreshës që u përball me pushtuesin jo me fjalë, por me jetë, duke e kthyer sakrificën në simbol të përjetshëm të dinjitetit shqiptar. Një vend që ka dhënë kaq shumë për historinë dhe identitetin kombëtar nuk mund të kënaqet sot me minimumin e mbijetesës kulturore.

Kthimi i kokës pas në vitet ’90, kur shqiptarët panë për herë të parë se si funksiononin fshatrat përtej kufirit, me rrugë, qendra rinore, pyje të ruajtura, treg dhe investim komunitar, e bën edhe më të dhimbshme këtë realitet. Nuk mungojnë modelet, nuk mungojnë shembujt. Ka munguar vullneti dhe përgjegjësia. Dhe sot, kur një qendër kulturore “riparohet” me forca vullnetare, ne duhet të pyesim, ku kanë qenë institucionet gjatë gjithë këtyre viteve? Ky shkrim nuk është kundër nismës së banorëve të Çorrajt. Përkundrazi, ajo meriton respekt dhe mbështetje. Por nuk mund të pranojmë që kultura në fshat të mbijetojë vetëm falë sakrificës së komunitetit. Kjo është një padrejtësi e re mbi një histori të vjetër sakrifice. Kur shteti mungon, lavdërimi i vullnetarizmit shpesh shërben si alibi për dështimin e politikave publike.
Riparimi i ish-Qendrës Kulturore ka kuptim vetëm nëse ajo hap dyert për jetën kulturore reale, për librin, poezinë, muzikën, kujtesën historike, për fëmijët dhe të rinjtë që sot rrezikojnë ta njohin Çorrajn vetëm si vend largimi. Përndryshe, ajo godinë do të mbetet një simbol bosh, një fasadë që mbulon varfërinë shpirtërore të politikave ndaj fshatit.
Prandaj, lajmi është i mirë vetëm nëse shndërrohet në përgjegjësi. Nëse Çorraj trajtohet ashtu siç e meriton historia e tij, jo si një cep periferik që “rregullohet” herë pas here, por si një vatër kulture që duhet të jetë e gjallë. Ndryshe, Maro Kondi, poetët dhe brezat që kanë derdhur gjak e mendim për këtë vend, do të mbeten dëshmitarë të heshtur të një harrese që vazhdon.















Comments