top of page

Fatmir Terziu: Pak kohë për poezi


KËSHILLË

Nga Fatmir Terziu

 

Kurë mos e paragjyko një drejtues makine në timon

aq më shumë kur ai hesht,

flet me vehten, ofshan e kritikon

gropat kur ndesh,

në asfaltin e bërë përshesh,

pra, kurë mos i fol,

e kupton vetëm kur ti nget në rrugën e tmerrit

çfarë do të thotë:

„Mos i fol shoferit!“

 

E njëjta gjë kush e di,

ndodh me poetin kur shkruan poezi.

 

NËNË

 Nga Fatmir Terziu

 

A i perceptoni gjuhët e zemrës?

Ato tingëllimat e prushta kur ninullat gatuhen me zjarr

ai dialog parfum i pazëvendësueshëm që nuk i vdes aroma,

jetët që mbarten në Klasin e Parë,

në çdo cep që ka Bota,

të gjitha ditët lëvizje të gjalla nëpër damarë,

udhë ku çel dhe banon jeta

dhe gjithkush shfaqet me një zgjim të mbarë

aty ku nisi dashuria, aty ku lindi e vërteta.

 

Dhe kështu hyri në Gjëndjen Civile

emri i ri u shkruajt e më pas u bekua

dhe drita e bardhë e asaj dite

e kualifikoi Nënë, jo vetëm një Grua!

 

Dhe unë me ato kujtime përzgjodha vargjet

me to nuk bëra thjesht një poezi

rrezet e diellit u bënë si harqet

e dielli një kupë me verë e me raki

dhe pastaj,

si gjithnjë për Nënën mall,

deri sa të zgjohem pi,

edhe në ëndrra vendos zemrën në recetën e saj

më bën të shoh atë që dua të di,

e zgjohem pasi nuk bën më të qaj.

 

Aty ndalem. I mirëkuptoj gjuhët e zemrës

ato tingëllimat e prushta kur ninullat gatuhen me zjarr

atë jargavan të përjetshëm që i bekohet aroma,

dashurisë që mbartet në Klasin e Parë,

në çdo cep që ka Bota.

BABAI PRET GJERBAT E SHIUT

Nga Fatmir Terziu

 

Shtamba e vjetër e babait bujar

pi tani në mes të qiellit.

 

Etja,

virtyti,

memorja,

e ngatërruar në rrjeshta

ka mbetur e heshtur në varreza.

Dikur këto ishin Mbretëria ku luanin fëmijët

Dielli u bënte kurora kapur dorë për dore

bashkë me ëndrrën e virgjër

Mbretëria e fëmijëve u bë qiellore.

 

Një lule e gjallë në kodër lulëzon

që nga ajo verë,

gjithçka pëtej arsyes reflekton,

vetë jetën që ka ndryshuar

vjen,

ikën,

e anasjelltas,

ne nuk jemi lavdëruar, as nuk jemi qortuar

babai iku.

 

Zëri i babait tim të ndjerë jehon i qetë në tjegulla,

pret gjerbat e shiut

dhe na bekon.

 

Nga hëna e re në hënën e plotë

shpirti i babait tim të ndjerë udhëton…

 

 

NGJYER BARDHËSISHT PËR DIKU TJETËR… 

Nga Fatmir Terziu

 

Ka kohë që vërsnikët po kursejnë për bojën,

zgjohen nga ëndrrat dhe nxitojnë plotë teka,

habiten kur i shikojnë flokët thelpija,

në një lëndinë ku lulet thurrin gërsheta:

krejt në një lojë tjetër, fëmijëria, e rinia

luajnë kukafshehta.

 

Përhumben. Kur vjen koha tek dashuria

janë si gjethet që i ledhaton vjeshta,

në rrënien e lirë, të dehur nga vetmia.

 

E prekshme, ndoshta dhe magji mund të quhet

por ja kjo magji qenka sikurse boja,

ëndërrohet edhe kur s'duhet,

në gjurmën e çdo ndjenje kur fillon si loja

vegimeve kur një lojë tjetër luhet.

 

Ka kohë që vërsnikët e mi kanë bojën si magji

ëndrrave në mendje e në zemër

dhe kur zgjohen u mbesin yjet në sy

ngjyer bardhësisht për diku tjetër…  

 

 

KALOVE URËN

Nga Fatmir Terziu

 

Trarët, si fjalët, nuk e shembin urën në një libër

proverbi bredh gojë më gojë vetëm prej njeriut,

kalove urën, e pranvera nuk u bë dimër,

nuk u struk as vetë lumi në vrimë të miut.

 

Trarët dhe fjalët gozhdohen njësoj për një urë

kur bëhet fjalë për kafshë e për njerëz

një kalimtar nuk duhet ta harroj urën kurë

edhe kur ndodh të shaj për të hera-herës.

 

Ndoshta kur të pyetet një kal, mespërmes urës,

çfarë do të thotë kur kalëruesi që shaloi e shan,

unë nuk ia vë veshin, do të thotë, shumë turmës,

mbaj në kurriz vetëm atë që më mban…

 

… ndaj nuk lodhem dikujt t'ia di hallin

kur kalon urën të thotë: „Ta dhjevsha kalin!“

 

ASNJË SHKRONJË NUK DUHET FSHIRË

Nga Fatmir Terziu

 

Ndonjë shkronjë thotë se bën kryeradhën,

në këtë botë grabitëse të internetit,

e thënë fare shkurt,

të gjithë shkronjat janë pjesë e alfabetit,

një ligjësi në grup.

 

Kur një shkronjë ndahet nga tufa,

Gjuha është një plagë në trup.

Sikur ndodh me një „ë“ pa dy pikë të buta

dhe një „ç“ pa grep që të lodh trutë.

 

Dhe kjo nuk është vetëm në shqip!

Po fjala shqipe më trisht:

fshirja e çdo shkronje ka një kuptim të dytë,

po vret Gjuhën Shqipe në shpirt!

 

Prandaj mos shkruani në internet pa „ë“ e pa „ç“

ne paguajmë taksë për të.

21 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page