top of page

Fatmir Terziu: Për të mohuar sistemin aktual, duhet të gjejmë...


Nuk po e them këtë për të ofenduar njerëzit që nuk lexojnë


Nga Fatmir Terziu

 

Unë lexoj. Lexoj në disa gjuhë. Lexoj në profesionin tim. Lexoj filozofinë dhe filozofët, por lexoj më së shumti edhe për letërsinë. Nëse letërsia nuk do të kishte qenë me mua, me leximin tim, vështirë se do të kisha përzgjedhje tjetër. Me letërsinë jam i lidhur. Jam i ndikuar. Jam i ushqyer. Edhe një libër i thjeshtë, nëse më pëlqen, nga këndvështrimi im, e mbaj fort dhe ia gjej këndin me të cilin komunikon dhe flet për më gjerë. Tek unë ka ndikuar shumë edhe një libër i një autori serb Marko Vidojkoviç “Kthetrat grabitqare”. Marko Vidojkoviç është një romancier serb. Ai është më i njohur për romanet e tij „Kthetrat“, „Të gjithë kapuçët e kuq janë të njëjtë“ dhe „Redaktor“. Për shkrimet e tij është shpallur fitues i Çmimit Vital, Bestselleri i Artë dhe penës së Koçiqit.

Romani “Kthetrat" është ndërtuar mbi baza dokumentare dhe rikrijon ngjarjet e dimrit të stuhishëm të viteve 1996-1997, kur koalicioni „Së bashku“ dhe lëvizjet studentore çuan në rrugët e Beogradit protestat historike disa mujore kundër regjimit të Millosheviçit për falsifikimin e rezultatet e zgjedhjeve lokale, të fituara nga opozita demokratike. Ai u ndikua edhe nga fjala e shkruar për atë që ndodhi në vitin 1968, për Kryengritjen e Prillit para kësaj, ai u përfshi në histori. Por unë kam lexuar së fundi dhe romanin e tij më të shitur „Djubre“ (Plehrat), që e ka publikuar në shtatorin e vitit 2020-të. Për këtë roman ai mori kërcënimet me vdekje. Një shkrimtar dhe gazetar i hapur, Vidojkoviç njihet për qëndrimin e tij kritik ndaj autoriteteve serbe.

Duke lexuar një roman të tillë, nga një autor serb, natyrisht tek i cili na bashkon vetëm shkrimi dhe letërsia, kuptoj se nëse nuk ka letërsi, nëse nuk ka këtë bërthamë njerëzish që merren me fjalë, nuk mund të ketë shenjë mirëkuptimi për probleme të cilat kombet, njerëzit, racat dhe etnitë i kanë të njëjta problemet, protestat, shqetësimet, nuk do të ketë aspak shenja mirëkuptimi edhe në të ardhmen. Nuk po e them këtë për të ofenduar njerëzit që nuk lexojnë p.sh. Por ne jetojmë në një botë të tillë ku kemi nevojë për këtë, kemi nevojë për shprehje.

Dhe e kuptoj që njerëzit inteligjentë, ata që mund të shprehen mirë, duhet të jenë në vijën e parë. Sipas meje, pas çdo leximi duhet të shkruhet për gjërat që na bashkojnë nga letërsia për përditësinë tonë, shkurt duhet të dimë me gjuhën e jo-mikut dhe gjuhën e duhur për t'ia gjetur problemin edhe vëllait, edhe mikut. Por jo si për të krijuar një realitet të ri vetëm sepse ekziston një realitet tjetër artificial që pretendon të paguhet me të shkuarën dhe atë që nuk duam kurën e kurën të ripërsëritet.

Dhe të shkruajmë sinqerisht, vërtetë, dhe ky është roli i shkrimtarëve që tani e tutje. Unë shoh që kanë dalë shumë libra, por shumica e tyre ende hulumtojnë, ose vetëm mallkojnë. Mendoj se kohët e fundit një opinionist i TV-zioneve të gjithëndjeshme tha në një intervistë „kisha lexuar se bashkëkohësit po mashtrojnë veten se jetojnë në një kohë kaq interesante“. Ai mund të ketë të drejtë, por nëse nuk përshkruhet kjo kohë, nëse nuk përshkruhen vitet e mëparshme dhe të mëvonshme, atëherë si do ta dinë brezat e ardhshëm se si ka qenë koha. Epo, për mendimin tim, roli i letërsisë dhe i shkrimtarëve është të bëjnë pikërisht këtë.

Mungesa e poezisë sociale, e shkrimtarëve socialë, e njerëzve që nuk shkruajnë për trotuaret e Tiranës, Prishtinës, apo dhe me tej, por hyjnë brenda shoqërisë dhe përshkruajnë problemet e saj, është një problem që diskutohet prej kohësh në forume të tilla ku kam marrë pjesë, konkurse poezie e kështu me radhë. Por ndoshta autorë të tillë nuk janë shfaqur, nuk e di. Ndoshta nuk e kërkon as tregu, ky është problemi tjetër i autorëve dhe shkrimtarëve, se patronazhi nuk ekziston në mesin tonë. Është shumë i rrallë. Dhe autorët mbështeten te shitjet (?!) Pak prej tyre janë shkrimtarë që kanë fatin e servilizmit masiv të pushtetit të neokulturës shtetërore dhe shumica i binden popullores, që nuk dua ta them publikisht, por që ka të bëjë me problemin aktual. Megjithatë, Foucault thotë se për të mohuar sistemin aktual, për të propozuar diçka të re, duhet të shqyrtojmë në detaje atë aktualin, të gjejmë pika të mira dhe të këqija brenda.

7 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page