top of page

Fatmir Terziu: Për Kujtim Kopanin...


Kur kapërcej Parkun „Rinia“

Nga Fatmir Terziu

 

Oh, çfarë melankolie! Oh, me kë po matemi, me kë flasim. Bota është çmendur nga papunësia, gripi i ri, me një model a virus të ri po na ndjek, ne ende nuk mund ta dëshmojmë veten në karrocatën tonë, paratë po shkrihen si akullnaja në ngrohjen globale dhe fëmijët firmosin emrat e tyre në gjuhë e në pagjuhë, mjaft pak, ose aspak në shqip! Kjo jetë është një garë, ju e dini! Makina të reja, nga të gjitha markat, veshje të shtrenjta, një paradë mirëqenieje, asgjë që mund të ishte e dorës së dytë dhe në vend të një etikete të importuar, për disa nga sytë tanë më me përvojë në një tumbak lakuriq shkëlqejnë një palë të ngushta, që herë shkojnë tek Big Brother, herë tek Ishulli i Qejfit, e herë tek ai tjetri i nakatosjes publike. E rëndësishme është të mbash hapin e kohës dhe melankolia të vesh kostumin e saj të mbretit lakuriq, por tjera, kryesorja duket se ka mbetur pas saj.

Si këtu, në ishull, ashtu edhe atje, në shtëpi, njerëzit duan diçka të shkëlqyeshme dhe cëcëritëse për të „zemëruar“ konkurrencën. Dhe, edhe për të shprehur shpirtëroren e tillë në anglisht, sepse është ajka e edukimit verbal të këtyre ditëve, ku të gjithë janë të zhveshur, nëse kanë lënë vetëm pordhën të ecë e të marshoj përpara në shoqëri me një qefin të huaj.

E kuptuam drejt filozofinë e modernitetit, apo jo? Të frymëzuar nga mënyra e re e të menduarit në një pasdite të nxehtë gushti gjatë disa ditëve pushime në Atdhe, shkova për një shëtitje në parkun e ri „Rinia“, i pushtuar nga një trishtim i pakuptueshëm. Nuk ishte asgjë e caktuar, veç se nuk mund të gëzohesha për përmbledhjen time të botuar me poezi, sepse të gjithë dhe kudo më bindnin se tani nuk ishte koha për poezi. Njerëzit ishin të hutuar nga kriza dhe askush nuk kujdesej për spiritualitetin. Për më tepër, sa para kushton në krahasim me dëshirat konsumatore të shqiptarit modern, që ka tashmë kondicioner në të gjitha zyrat e shtetit, një emigrant potencial. Është viti 2018-të, dhe u mendova një çast se mos u thoja gabim syve rrjedhën e viteve. Rrjedha kishte ecur për mua gjetkë…

Në një stol, në betonin e tundosur prej rrethnajës së këndit të lojërave, që kishte mbetur i shkretë, pashë një lloj busti të ngulur mes pemëve. Qemakl Ataturk. Dhe fshiva sytë. Nuk mund të pyesja më tej. Nuk munda, se falë injorancës nuk mund ta bëja këtë. E di që ka një histori të madhe, dhe gjithkush ka një vend krenarie për të, e sidomos origjina ime, por…, as nuk mund ta them. Kah rishtas ma ndërpreu mendimin kapërcimi i bordurave të një njeriu të thjeshtë. Një pedagog, një mësues dhe autor studimesh dhe librash, një njeri intelektual, vërtetë rajonal, por me rëndësi kombëtare, i shtyrë përgjithmonë nga të gjitha konjukturat e mundshme të metamorfozave studimore dhe politike vendase. Tashmë me disa vite mbi kurriz, ky Don Kishoti i fjalës, ky pedagog i jashtëm në departamentin e bio-kimisë pranë Universiteti “A. Xhuvani” në Elbasan, që ka udhëhequr tema për mbrojtje diplome të studentëve, veprën e të cilit e nderoja me frikë alfabetike, nuk hoqi dorë nga lufta për njohurinë e tij të pastër e shumëdimensionale, siç e kishte mbajtur që në rini, në zemrën e tij të vuajtur, idealiste. Kujtim Kopani, ky intelektual që tek “Elbasani-Enciklopedi”, bashkëpunoi në redaksinë e biologjisë në hartimin e zërave si bimët mjekësore, agrumet, llixhat etj. Një ndër themeluesit e parë të shoqatës “Normalisti” në Elbasani dhe që ka përgatitur librat “Tre botanistë të shquar elbasanas”, si dhe monografinë për shkencëtarin elbasanas Kolë Popa natyrshëm mund të shpinte gjetkë mendimesh, por jo tek busti mes Parkut „Rinia“.

Nga larg, mendja ime, e shtrembëruar nga asociacionet abstrakte, e krahasoi atë me një pikëçuditëse të vogël, të paqartë, të hequr nga përdorimi në komunikimin me tekst të bashkëkohësve të rinj. U ula të bisedoja jo me të por me veten, dhe tani po i tregoja vetes si ngas makinën në krahun e djathtë, si bëj pazar në supermarkete dhe si janë fëmijët e mi të përsosur në anglisht. Ai, në mirësinë e njohjes ishte afruar, dhe me dorën e tij, ashtu trupshkurtër në shpatullën time më tregoi se njeriu i qytetit tim ende dinte të buzëqeshte.

- Epo, unë jam ulur në këtë park të deformuar, e të kthyer postmodern, me rrahje të vazhdueshme dominosh e me të q… e ma ta q… dopjo gjashtën nga goja e pleqve që aty e tresin pensionimin dhe po pyes veten se kujt po i rrëfehet ky fjalor i zvetënuar poshtë pishave të çorientuara të Parkut „Rinia“. Kujtim Kopani, profesori që më fliste për librin e tij “Tre botanistë të shquar elbasanas” në një moment më tha: „Eh, more miku im, po pyes veten, se kujt do t'i lë trashëgim bibliotekën time me libra të autorëve që shkruajnë shqip para se të vdes.

Pastaj, me një ashpërsi të ringjallur tipike nga zona e qyteti ku kishte lindur, Peqini me tradita, tipike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ai shtoi:

- Poezi, më kanë thënë se shkruan poezi?! Kjo është gjithçka që më intereson.

- Epo - mërmërita dhe kuptimi im i ri u avullua në vapë si emetimet e dëmshme të makinave që palosnin ajrin në copa metafizike - kujt i intereson poezia tani?

- Më intereson - ia këputi autori i librave me kah tjetër - që ti e di se edhe nëse mbesin pesë veta në këtë tokë, që janë të interesuar për poezinë, prapëseprapë ka kuptim të shkruash. Fundja me poezi je ti! Të gjithë mund të bëjnë pazar, por bëjini të vizatojnë një varg për ju dhe këta blerës do të mbeten pa fjalë. Pse po e varros talentin tënd me gjëra, ndryshe? A ju mungon shpirti për të kujtuar se kush jeni?

Tashmë është 2024. Kanë kaluar katër vite nga koha që ai ka ndërruar jetë, dhe sot, mijëra kilometra e orë larg asaj pasdite të nxehtë, shkruaj këto rreshta dhe varg pas varg nxjerr shpirtin nga grumbulli i shitjeve, uljeve speciale, zbritjeve dhe blej një „merr“ uratë, një dihamë të artë, një porosi të shtrenjtë, një dedikim të merituar për shpirtin e tij të Madh. Dhe së bashku me këtë shpirtin tim ballkanik të integruar, të globalizuar, të britanikizuar dhe të majmunizuar, tërheq në dritë Shqipërinë, atë timen dhe atë tuaj, Shqipërinë tonë, e cila na pret, e vërtetë të paktën në pushime, për t'u kthyer dhe për ta lumturuar me pak ndjesi dhe dhimbje shpirtërore. Edhe unë po shkruaj këtë poezi. Mund të mos ju arrijë, atje lart ku jeni në duart e Zotit, por një gjë që po ua them se ju do të mbeteni për mua një bust më i madh se busti, tek i cili shkëmbyem sytë e gjallë në park, atje në Elbasan, e ju do të mbeteni mes atyre të paktë dashamirës të fundit të poezisë në tokë. Dikush, ndoshta dhe nga ata atje Lart do të  mund ta lexojë dhe të thotë me pëshpirtje sa e bukur është gjuha shqipe dhe sa me kuptim të jetosh.

 



 

Për meritoren

(Për Kujtim Kopanin)

Nga Fatmir Terziu

 

A duhet të shkruhet me të madhe

pas kapakëve pluhur të kësaj kohe,

ndoshta më e duhura fjalë përtej fjale

servilja që mposhtet me „Meritore“?!

 

Se tek ajo nuk mësyjnë dimrat

me sytë e vorbullave të zverdhura

por aty do të qëndrojnë librat

mbi mentalitetet e tilla të vdekura.

 

Se vetëm meritorja hyn tek shpirti

nëse jo një bust një qiri e ndez

me të do të krenohej edhe Krishti

vetë Parku do të ishte në festë.

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page