Fatmir Terziu: Njeriu në këllëf i Çehovit modern
- Jun 6
- 2 min read

Fatmir Terziu: Njeriu në këllëf i Çehovit modern
Karikaturë me laps model HB
pas rrëzimit të skicatorit të fundit,
ti hap sytë dhe kupton
se gjithë jetën ke skicuar
jo në karton, jo në trandë,
as në telajo,
por në këllëfin tand.
Një skicë e skicuar me dënesje
nga shtysa,
nga mirësjellja e tepërt,
nga heshtja e stërvitur nëpër dhëmbë
dhe nga arti i moçëm
me mos e trazue askënd.
Tash rri shtrimë,
si një degë shelgu e këputun prej vetes,
dhe ndien përreth
erën e lagësht të mureve
ku dikur pate varë
fotografitë e bindjeve tua.
Sa qetë janë të gjithë.
Sa të lehtësuem.
Fqinjët.
Kolegët.
Miqtë.
Kundërshtarët.
Madje edhe hija jote.
Të gjithë të mbledhun rreth shtratit
si rreth një ore të ndalun.
Dikush psherëtin.
Dikush lutet.
Dikush pret.
Sepse tash,
më në fund,
nuk do t’u kujtosh ma
se jeta asht ma e madhe
se rregullorja e saj.
Ti buzëqesh me vështirësi.
Në fund të fundit,
ata kanë qenë gjithmonë të drejtë.
Ata që ecën me kokën ulë.
Ata që folën veç kur duhej.
Ata që mbollën gardhe
dhe i quajtën horizonte.
Ndërsa ti,
i mjeri,
vazhdimisht kishe kërkue
një dritare tjetër.
Një shteg.
Një pyetje.
Një arsye
për mos me fjetë rehat.
Tash e kupton.
Kupton si të deshën.
Si të rrethuen me kujdes.
Si ta mbështollën shpirtin
me pambukun e urtësisë.
Si ta mbyllën frymën
për mos me të lanë
me marrë të ftohtin e lirisë.
Ti kollitesh.
Kollitesh gjatë.
Dhe mes kollitjes pyet:
Kush e solli këtë errësinë kaq pranë?
Askush nuk përgjigjet.
Sepse të gjithë e dinë
se errësina nuk erdhi.
Ajo ka qenë gjithmonë aty.
Veç se ti,
si gjithë njerëzit në këllëf,
e pate marrë për strehë.
Atëherë kujtesa
nis me shkundë pluhnin e viteve.
Dalin fytyra.
Rrugë.
Stacione.
Dashni të pambërrituna.
Libra të mbyllun përgjysmë.
Fjalë që nuk i the.
Britma që i ktheve në kollë.
Qiellin që e pe
veç prej vrimës së çatisë.
Dhe befas të kap një tmerr i vonshëm:
po sikur jeta
të mos ketë qenë frika jote?
Po sikur ajo
të ketë qenë gjithçka
që ti shmange?
Një dridhmë e hollë
ta përshkon trupin.
Mandej ankthi,
si një kalë i egër i stepave çehoviane,
nis me trokëllue
nëpër korridoret e ndërgjegjes.
Mbi shpinë i shkëlqejnë
gozhdët e kujtesës.
Në sy i digjen
zjarrmet e mundësive të humbuna.
Dhe ai rend,
rend pa pushim,
drejt një horizonti
që ti nuk e arrite kurrë.
Ndërsa përreth,
të dashunit e tu
vazhdojnë të flasin me zë të ulët.
Mos me të shqetësue.
Mos me ta prishë qetësinë.
Mos me ta hapë këllëfin.
Sepse e dinë mirë,
nëse ngrihesh edhe një herë,
nëse e sheh të vërtetën krejt,
nëse e kupton sa pak ke jetue,
mund të ndodhë mrekullia më e rrezikshme,
që të vdesë më në fund
njeriu në këllëf,
e të lindë,
tepër vonë,
njeriu nga këllëfi.
Sqarim: "Njeriu në këllëf" (Человек в футляре) është një nga novelat më të njohura të shkrimtarit rus Anton Çehov, botuar në vitin 1898. Ajo është pjesë e "trilogjisë së vogël" të Çehovit dhe shërben si një satirë e thellë kundër konformizmit, frikës nga jeta dhe izolimit shpirtëror.








Comments