top of page

Fatmir Terziu: Një takim plotë mall me Profesoreshën Drita Isaj



Nga Fatmir Terziu

Bashkë me Luçin e takuam për herë të parë. Por në bisedat e mia me bashkëudhësen e shtrenjtë të jetës sime, Ajo ka qenë mjaft herë e pranishme. Dhe e dini pse? Sikurse dihet në fakt, njerëzit kujtojnë disa mësues sepse ata i ndihmojnë nxënësit të rriten dhe të ndryshojnë, në vend që thjesht të mësojnë një lëndë. Këta mësues janë të qëllimshëm për të ndikuar tek nxënësit e tyre dhe për t'i lënë ata të ndjehen të transformuar. Dhe kjo preambulë ishte një nga gjërat që kishte dhe zotëronte Profesoresha Drita Isaj. Në këto biseda për shkollimin tim, gjithnjë Luçit i shpjegoja se Profesoreshë Drita Isaj, ishte mjaft komunikuese.

Ajo ishte si të gjithë mësuesit që komunikojnë materialin e tyre në mënyrë të qartë dhe mjaft efektive, që përgatiten dhe i paraqesin mësimet në mënyrë të rregullt, që inkurajojnë ëndrrat e studentëve dhe i ndihmojnë ata të punojnë drejt tyre dhe që natyrisht janë të paharrueshëm. Unë vetë si mësues, drejtues shkolle, pedagog, gjithnjë kam hulumtuar ndikimin e mësuesve në jetën e nxënësve. Në mjaft artikuj të mi kam ndarë pjesërisht kërkimet e mia dhe kam diskutuar teknikat që mësuesit mund të përdorin për të pasur një ndikim më të madh te studentët, pikërisht në atë ndikim që fitova nga mësues e mësuese, si Drita Isaj.

E ndërsa të gjitha këto në një takim të rastësishëm shfaqen dhe largohen shpejt, ajo që mbetet në takim është një bisedë ndryshe, ku tashmë Prof Drita e ndan jetën e saj edhe mes Portsmouth-it dhe vendlindjes. E pështjellur mes siqeritetit, respektit, udhës së betonuar të Parkut „Rinia“ në Elbasan, ajo bisedë duket se zbut më erroziven e shndërron një kohë të gjatë në një impuls të strukur atje lart e lart, ku gjithnjë themi se vijnë frymëzimet. Drita Isaj kurë s'e ka lënë dialektin e saj të të folurit, por është aq vendase, elbasanase sa të gjithë rrënjët që rrethojnë këtë park, aq dhe gjurmët që ikin e vijnë afër dhe larg, sa të gjithë ata që kalojnë, dhe janë me qindra që përshëndesin, respektojnë dhe lënë pas një respekt, të paktën të pastër, të qartë, në Fjalë.

Në ditët e para që vendosa të ndërroj drejtimin e studimeve, dhe të studioja tek „Dhaskal Todhri“, në fakt pasi nuk më dhanë bursë, edhe pse mesatarja ime ishte 10-të, për arsye se më thanë se „kisha pasur Gjyshin në burg“, i bëra një pyetje nëse ia vlen, një të njohurës së familjes time, që kishte studiuar më parë tek Shkolla e Mesme e Përgjithshme „Dhaskal Todhri“ në Elbasan dhe nga ajo mësova se aty do të gjesh mësues dhe mësuese kërkues dhe ambicioz, me disiplinë dhe rregull, por edhe shkencëtarë të ardhshëm, pasi interesat e tyre shtrihen gjerësisht në kërkime dhe vazhdimësi! Aty do të kesh mësuese si Drita Isaj, që është e dhënë më shumë rreth motivimit të nxënësve, historisë dhe filozofisë së mësimdhënies. Patjetër që ia vlen!

Dhe dita e parë. Takimi i parë ishte rrjeshti, ndarja e klasave, pasi ishin mbi njëmbëdhjetë paralele dhe provimi në matematikë e në letërsi për të na ndarë sipas rezultateve. Takimi i dytë ishte urdhëri i rreptë i Drejtorit të Shkollës, Zeqir Sarja, që fliste pak, por që buzëqeshte, thuajse aspak. Takimi i tretë ishte pa fjalë. Pa fjalë, se të tjerat duhet ti mësoja ngadalë e ngadalë… Dhe ja prezantimi i mësueses sonë në klasë…

„Përshndetje, emri em ashtë Drita Isaj. Unë kam lindur në qytetin e …“ Dhe askush nuk e kishte të vështirë të kuptonte se mësuesja jonë kishte lindur në Shkodër. Dhe vazhdoi…

Gjithmonë kam menduar se do t'i gjeja lehtësisht fjalët për të përshkruar veten, por mjerisht! Doli të ishte shumë më e ndërlikuar. Në që u diplomova për Histori-Gjeografi në sytë e mi kishte mjaft dëshira, vullnet dhe më shumë pasion. Dhe të treja e solli fati që të bëhen realitet në Elbasan, në këtë mjedis të bukur arsimdashës, pra në këtë qytet. E thënë thjesht, unë jam një person që fati i ka vendosur të bëjë atë që i jep kënaqësi, duke ndërthurur punën dhe pedagogjinë në një mënyrë magjike.

Gjithçka filloi kur isha në klasën e tetëvjeçares në vendlindje. Shkollë me mësues të përkushtuar, por edhe pasioni i vjetër për të shkuarën tonë. Gjatë mësimit të parë të historisë në atë shkollë, para nesh qëndroi mësuesi të cilin nuk do ta harroj deri në fund të jetës sime. Ai e filloi historinë e tij magjepsëse të ngjyrosur nga të gjitha bukuritë e gjuhës shqipe. Që nga ai moment e kuptova se doja të isha si ai. Për këtë arsye, zgjodha të studioj historinë në Universitet, dhe të kaluarën tonë të lavdishme. Në universitet pasioni im studentor për të kaluarën shqiptare u shndërrua në dashuri për historinë si shkencë. Në atë moment, nuk e mendoja se do të bëhesha mësuese në të ardhmen e afërt. Por…

Nuk e di pse edhe sot këto fjalë më kanë mbetur në memorje. Në memorje më ushqyen këto fjalë edhe kur ndiqja vetë praktikën tradicionale pedagogjike. Duke pasur në memorje thjeshtësinë, duke u ushqyer nga fjalë të thjeshta por mbresëlënëse, vetë si mësues më pas, pas orëve të para, ndjeja atë kënaqësinë e zbulimit të një bote krejt të re për njerëzit që dëshironin të ishin në një udhë të qartë e të projektuar. Unë në fakt si fillim zgjodha mësimdhënien si profesion sepse dija dhe doja të ngjaja me atë që kisha ngulitur në memrje, dhe se doja t'u jepja studentëve kuptueshmërinë time. Dhe është e thjeshtë, ndoshta për dikë datat, faktet, madje edhe personalitetet nuk janë të rëndësishme, por memorja dhe fiksimi pas pozitivitetit të fituar nga ajo mësuese, mbeti sikurse mekanizmi i ngjarjeve që është gjthnjë i rëndësishëm.

Drita Isaj ishte një mësuese e dashur me të gjithë, dhe jashtëzakonisht e motivuar për të punuar dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë së bashku me studentët e saj. Ja dhe fjalia e saj e parë që mbaj mend: „Drita Isaj: Lënda që po jua shpjegoj nuk është ajo që lidhet vetëm me të shkuarën, por qëllimi im është që ju të shihni edhe të ardhmen tuaj, të ardhmen tonë“.

Edhe në këtë takim të shkurtër më duket se Prof. Drita Isaj ende më flet jo vetëm mua dhe mjaft të tjerëve atë që na kishte thënë me kohë në bangat e shkollës: „Vetëm si mësuese mund t'i ndihmoj njerëzit të kuptojnë historinë jo si një rrëfim i thatë i ngjarjeve të së shkuarës, por si një makinë kohe në të cilën, duke parë prapa, ne shohim të ardhmen tonë.“ Tamam siç ka thënë populli ynë i mençur: “Vetëm nëse përkulim kokën para së shkuarës, mund ta shohim të ardhmen në këmbët tona”.

Ky pra ishte qëllimi i Prof. Drita Isaj në klasë, që studentët të shohin të ardhmen e tyre, të ardhmen tonë.

Duke biseduar mësoj më shumë. „Duke hyrë në klasë, skenari im mbetej në korridor (qesh). Çdo klasë ishte e ndryshme për një sërë arsyesh, mosha të ndryshme, studentë të ndryshëm, interesa të ndryshme, personalitete të ndryshme, humor të ndryshëm. Në përgjithësi, megjithatë, përpiqesha t'i mbaj gjërat në një sekuencë të caktuar. Për mua, gjëja më e rëndësishme ishte të zbuloj nëse studentët dinë diçka për temën që do të mësojmë. Shpesh herë, për fat të mirë, merrja përgjigje pozitive, gjë që ma lehtësonte detyrën. Ju ishit vërtet një brez i motivuar, një brez ndryshe, një brez model…“

Në këtë shtrëngim duarsh memorjet shkojnë e vijnë, pikëtakojnë dhe metojnë më thellë në dy udhë. Edhe në një udhë timen, në atë udhë që u frymëzua nga profsorë të tillë. E aty më duket vetja ende në ndonjë shkollë shqiptare… si në një vegim. Klasa kalon në diskutim, shpjegim dhe krahasim. Krahasojmë atë që më kanë thënë me atë që i prezantoj. Ndoshta, si çdo mësues, edhe unë gaboj duke rënë në më shumë shpjegime sesa duhet, por mundohem ta kapërcej këtë mangësi. Shkundem. Ime shoqe më thotë se dikush po më përshëndet. Dikush tjetër më ngre dorën dhe më pyet për kafe… Unë ndjej kënaqësi. Kënaqësi që në qyetin e Kristoforidhit njoh dhe më njohin shumë. Njihem nga mësuesit e mi, nga profesorët e mi, njohem dhe nga lexuesit e mi tashmë në një tjetër hapësirë.

5 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page