top of page

Fatmir Terziu: Nesim Balla, postieri i kohëve të vështira



 Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Askush nuk mund ta ndaloj ëndrrën. Ajo vjen dhe ikën. Shfaqet dhe imazhin, kërshërinë dhe pëshpëritjen e saj e lë më pas në zgjimin tjetër. Por ëndrrat që vinin në kohën e rinisë sonë ishin ndryshe. Disa mbylleshin fort, si sekretet e asaj kohe që qëndronin në kasafortë, në kasaforta postash sekrete, të cilat ishin si fate të shkruara në errësirë e që lexoheshin pasi transportoheshin ashtu të mbyllura e të vulosura nga postierët nga një vend në një tjetër, po në errësirë. Apo dhe më tej… Po kjo është një udhë e gjatë, një udhë e një "udhe" tjetër që vjen sot për të rrëfyer ndryshe, një memorje, një ndodhi, një histori, një arsye për një Njeri…

***

Kloni me tela e gjëmba në buzë të rrugës

E ndjej ende kohën kur fillova mësues në Ostren të Madh, për herë të parë në jetën time. E ndjej dhe më së shumti e kuptoj sot se vendet janë si njerëzit. Shtetet e mëdha janë të destinuara për vepra madhështore. Të vegjlit janë të dënuar të mbijetojnë. Ata pengohen të rriten dhe popujt e tyre të hidhëruar ikin në Migrimin e Madh të Globalizimit. Por kjo është sot. Dje? Dje ishin thjesht një këputje e një fjale që të bënte „Armik të Popullit dhe të Partisë“. E ajo fjalë quhej arratisje.

E mbaj mend një arratisje të tillë, ndërsa kapërceja klonin me tela me gjëmba, e me korrent që rrethonte si gardh Zonën Kufitare të Vërnicës e deri poshtë në Tuçep, ndërsa unë së bashku me Postierin, Nesim Balla, ishim të parët që shkelnim mëngjeset ende pa gdhirë zona. Ata, u tha se kishin ardhur nga Tirana, dhe aty në atë vend kishin lënë vetëm shkallët që ishin palosur e ishin hedhur në të dy anët. Ne më pas dëgjuam lehjet e qenit të kufirit, hapat e kufitarëve dhe …, më pas pëshpëritjet dhe thashëthemet. Askush nuk tregonte më shumë se si ikën ata gjashtë persona të një familjeje… Sidoqoftë, në pëshpërima dhe në vende ku pëshpërimat kishin formën zyrtare ata u quajtën armiq dhe ajo quhej „arratisje, tradhëti…“

Nesimi e quante nëpërka e rrezikshme

***

Prej disa vitesh mbaj me vete këtë kujtim të zhvendosur për mirë e për keq, ndërsa kohërat kanë ndryshuar dhe vetë nofka „arratisje“, në konotacionin e saj kohe, e ka fshirë vetveten nga Fjalori. Në fakt qershori i asaj memorjeje ende në ëndrrat e mia vendoset në Fushë të Vërnicës, përgjatë xhadesë, ku gjarpri me kuadrate, që Nesimi e quante nëpërka e rrezikshme, përgjatë një shtegu të pabarabartë gurësh gëlqerorë, ndjeu atëherë goditjen e qytës së armës që mbante ai në krah, për arsye të detyrës të tij si korier i Postës Sekrete dhe këmba ime e zbathur, po aq dhe trupi im shpëtoi nga helmi që ai gjarpër tentoi të më shpërndante në trup.

E kështu unë eci ende në ëndrrat e mia, krah për krah me këtë njeri të urtë e të mençur, që bënte çdo ditë gjashtë orë rrugë, në udhë e paudhë, që të ushqente familjen e tij dhe fëmijët, duke lënë ende kujtime dhe pëshpërima frike mbi nxehtësinë dhe zagushinë e asaj kohe, duke i lënë të gjitha mbrapa. Sa herë që i shoh këto ëndrra, më duket se dielli më shpon lëkurën e butë me një mizori lajkatare, duke synuar me ngulm drejt në heshtjen e shpirtit tim të trazuar.

Në kohën që po shkruaj, pyes për Vërnicën, ndërsa e linim pas rrugës së gjatë nga Trebishti për në Ostren të Madh, dhe në mesazhier më tregojnë për një fshat të shkretuar. Njerëzit e lanë atë dhe u zhvendosën përtej, dhe vendasit e fëmijët e tyre shkuan shumë larg. Mbetën vetëm rënojat dhe diku tek-tuk shtëpitë. Të qëruara dhe të panevojshme, si grupe të shkreta pas spektaklit të gjatë të jetës përpara duartrokitjeve kockore të vdekjes.

Përballë meje, i përkulur nga rizomat e viteve, si një ndjesi e një kohe, dhe jo e një moshe të kapërcyer, del në fotografimin e viteve të fundit, vetë ai, pra bashkëudhësi im i atyre viteve, postieri dhe i urti i fjalës, Nesim Balla. Ai ka një sfond të qartë, dhe memorja rrëshqet përgjatë fotos poroze të etur dhe në mënyrë të padukshme, në memorjen time të rizgjuar më rikujtohet, më afrohet. Asnjë hap. Asnjë zhurmë. Jemi larg, jo aq afër si atëherë në atë rast. Një lëvizje e vazhdueshme në rënie, e qëllimshme dhe e padukshme në rrugën drejt përkushtimit jetik, të cilën ata që shkuan në majë harrojnë ta kuptojnë se sa rrugë kanë bërë këmbët e këtij postieri të respektuar. Dhe për çudi në një nga gjërrat që koha ka fiksuar mbetet dhe 16 shkurti, një datë tek e cila më shpie memorja. Pse? Ajo i përket pikërisht asaj kohe…

Ata ishin më shumë se njëmbëdhjetë

Unë së bashku me Nesim Ballën ishim duke udhëtuar për në Ostren të Madh. Ishin orët e para të mëngjesit. Kishte rënë dëborë dhe Shabanareni ishte zbardhur. Sa bëmë pak më tej, në Grykën ku ka rënë aeroplani i Luftës së Parë Botërore, ndjemë një zhurmë turfulluese. Përpara nesh në luginë si një ushtri e mirëorganizuar kalonin disa derra të egër. Nesimi, që kishte pushkën në krah, të cilën e mbante për arsye të detyrës së tij si Postier i Postës Sekrete dhe shtypit të asaj kohe, me njëherë bëri një hap pas një guri të madh. U shtri dhe vuri në shenjë njërën prej derrave.

Nëse na sulmojnë unë do ti qëlloj! Nuk më lejohet ta përdor armën për këtë qëllim, por të shpëtojmë është kryesorja…“ – foli ai.

Dhe në fakt ne ishim në rrezik. Ai shtiu dhe e shtriu njërin derr për tokë. Të tjerrët ia mbathën. Ne shpëtuam dhe vazhduam rrugën, por rruga jonë u ndërpre atë ditë nga ushtarët e kufirit. Ata ishin vënë në alarm. Kur u mbyll dhe u sqarua ajo e shtënë, mishi i derrit të egër u nda në disa pjesë, dhe me sa di festuan, dhe ushtarët e kufirit duke ngrën mish, po aq dhe disa zyrtarë e midis tyre edhe Përgjegjësi i Postës së Ostrenit të Madh, Hyqmet Muça. E kjo ishte më 16 shkurt të vitit 1984

Ndërsa tashmë 16 shkurti, (jashtë çdo koincidence me atë të derrave të egër) është caktuar nga Bashkimi Evropian si Dita Ndërkombëtare e Postierëve dhe Korrierëve. Profesioni i „lajmëtarëve“ është ndër më të lashtët dhe në kohët e vjetra ishte i mbushur me shumë rreziqe dhe tensione. Nuk është rastësi që shprehja: „Mos e vrisni të dërguarin“ ka mbetur edhe sot e kësaj dite. Dihet se në Greqinë e Lashtë, Perandorinë Romake, Egjipt, Persi dhe Kinë kishte lidhje postare shtetërore të zhvilluara mirë, të cilat kryheshin në këmbë, ose me kalë me anë të një stafete. Në kohën e komunizmit ishte posta sekrete dhe atë e bënin postierët e asaj kohe.

Edhe sot, në epokën e internetit, shërbimet e korrierit janë një pjesë e pazëvendësueshme e përditshmërisë sonë. Kjo është ndoshta arsyeja pse njerëzit e këtij profesioni kanë shumë pushime, më 9 tetor, për shembull, festohet Dita Botërore e Postës.

Dokumenti i parë postar i njohur i gjetur në Egjipt daton në vitin 255 para Krishtit, por edhe më parë shërbimet postare ekzistonin pothuajse në çdo kontinent, të kryera nga korrierë që u shërbenin mbretërve dhe perandorëve.

Në një udhë të tillë ishte dhe mbeti në kujtimet e mia dhe ky Njeri fisnik, shumë i qetë, i dashur dhe mjaft popullor, por aspak i qetë nga sistemi që e vuri në atë detyrë, për arsye që ndoshta nuk është momenti të bëhen publike. Nesim Balla, poestieri i ditëve të vështira, nga Trebisht Bala, e gëzoi jetën e tij duke qenë Njeri mbi të gjitha, dhe i qartë në detyrën e tij, po aq fisnik në shumë drejtime, edhe kur e provokonin edhe kur i vihej jeta në rrezik. Ai ndërtoi një familje model, me një grua zonjë, e me fëmijët e nipërit e mbesat që janë tashmë gjithandej nëpër botën e lirë…, ndërsa vetë e mban ende me thonj tokën prodhimtare në vendlindjen e tij, Trebisht, edhe pse si gjithë të tjerët e ndan përditësinë mes Tiranës dhe vendlindjes së tij.

106 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page