Fatmir Terziu: Loti i dashurisë në Kishën e Vërnicës
- Jan 16
- 6 min read

Loti i dashurisë në Kishën e Vërnicës
Tregim nga Fatmir Terziu
- “Mos e prek atë pllakë,” më tha Cvetani herën e parë që hymë brenda.
- “Pse?” e pyeta, ndërsa dora më rrëshqiste vetvetiu drejt gurit të errët.
- “Sepse ajo mban mend,” u përgjigj shkurt.
Unë isha gati i përhumbur, kujtoja se bënte shaka. Më vonë, shumë më vonë, e kuptova çfarë donte të thoshte. Cvetani pa, sa majtas e djathtas, dhe më pëshpëriti.
- “Lotët nuk bien gjithmonë nga sytë.” – foli me zë të ulët.
- “Po, pse ma thua këtë?,” e pyeta unë.
- “Disa lotë bien nga kujtesa. Po nejse, flasim një herë tjetër. Hajde shkojmë…”
Dhe ashtu me një drithmë në trup unë ecja pas tij, deri sa arritëm në atë shtëpi, buzë përroit të vogël të rrethuar me thana, që në atë kohë mbante në ballë të saj një pllakë „Monument Kulture“. Nga përroi përballë vinte një jehonë përhumbjeje. Disi e frikshme për mua. Disi…
- “Ulu,” tha i ati i Cvetanit, duke mbushur gotat me raki. “Kjo nuk është histori për t’u dëgjuar në këmbë.”

Që nga ajo ditë isha kureshtar të shihja Ikonën në Kishën e Vërnicës. Por ishin kohë të tjera…
Kur e pashë për herë të parë Kishën e Vërnicës, ajo ishte kthyer magazinë. Dera e rëndë prej druri kërciste si një lutje e harruar. Brenda saj mbizotëronte era e grurit dhe e lagështisë. Por dyshemeja prej guri ishte ende aty. Një pllakë guri më e errët se të tjerat binte në sy. Ajo dukej sikur të kishte thithur dritën e viteve. M’u duk e ngrohtë nën pëllëmbë. Atëherë nuk e dija pse zemra më rrahu fort. Më vonë, shumë më vonë, u kujtova për atë që dëgjova për herë të parë mitin e saj. Mitin nga goja e babait të shokut tim, Cvetan Marku.
- “Është për ikonën?” pyeta.
Babai i Cvetanit buzëqeshi lehtë.
- “Është për dashurinë. Ikona vetëm e pa.”
- “Gjatë pushtimit,” vazhdoi ai, “Virgjëresha qau. Lotët ranë mbi gur.”
I ati i Cvetan Markut fliste pa frikë, sikur fjalët e tij të mos kishin frikë nga koha. Na tregoi për ikonën e Virgjëreshës Mari që kishte qarë gjatë pushtimit osman. Lotët e saj kishin rënë mbi gur dhe e kishin shënuar atë përgjithmonë. “Lotët nuk fshihen,” tha ai, “kur janë të vërtetë.”
- “Dhe guri?” pyeta.
- “Guri nuk harroi.”
Dhe pastaj, pa ndërruar ton, shtoi “Eleazari thoshte se Juda e kuptoi sekretin e sakrificës. Jo tradhtinë, por çmimin e së vërtetës.” Fjalët u shpërndanë në ajër, por njëra prej tyre u kthye mbrapsht dhe më preku. Dashuria…
Lenka nuk jetonte në një kohë të caktuar. Ajo shfaqej sa herë dikush e kujtonte. Herë ishte vajzë e re me flokë të lidhur pas koke, herë ishte vetëm një hije pranë ikonës. Thuhej se ajo vinte çdo natë të enjte, jo për t’u lutur, por për të dëgjuar hapat e Markos që nuk vinin më. Marko kishte ikur përpara se të premtonte, ose ndoshta kishte premtuar shumë më herët se sa duhej. Ata nuk kishin unaza. Kishin vetëm një prekje duarsh mbi gurin e ftohtë dhe një betim të thënë me zë aq të ulët sa vetëm ikona mund ta dëgjonte.
Në një kohë tjetër, ose ndoshta në të njëjtën, Lenka qau. Lotët i rrëshqitën në faqe dhe ranë mbi pllakën e gurit. Në atë çast, ikona u mjegullua. Një pikë uji u nda nga sytë e Virgjëreshës dhe u bashkua me lotin e Lenkës. Askush nuk e pa këtë, por të gjithë e ndjenë më pas. Sepse nga ajo ditë, dashuria në Vërnicë nuk ishte më e heshtur. Unë e dëgjova këtë histori para se të dashurohesha. Por e kuptova vetëm pasi humba.
Cvetani më shikonte i qetë, sikur ta dinte se disa gjëra nuk shpjegohen dot. “Babai thoshte,” më tha një herë, “se kisha u kthye në magazinë, por loti nuk u kthye kurrë në ujë të zakonshëm.”

Dhe kishte të drejtë. Ajo dashuri kishte mbetur pezull si një pikë loti që nuk bie. Ndoshta dhe si një pikë loti që as nuk thahet.
Në një kohë që nuk e di nëse ishte e shkuar apo e ardhme, Lenka u kthye edhe një herë në kishë. Muret ishin zhveshur, ikona ishte mbuluar me pluhur, por guri e njohu. Ajo u ul, vendosi dorën mbi pllakë dhe buzëqeshi. Jo sepse Marko u kthye, por sepse dashuria e tyre nuk ishte zhdukur. Ajo ishte bërë pjesë e vendit. Dhe sot, kur kaloj pranë Kishës së Vërnicës, nuk shoh më magazinë. Shoh një zemër guri që rreh ngadalë. Shoh një ikonë që ende mban një lot të pashtershëm. Shoh Lenkën dhe Markon që nuk ecin drejt njëri-tjetrit, por që ekzistojnë në të njëjtin çast, të lidhur nga ajo që nuk kërkon kohë, por as që pyet pse rrjedhin lotë. Është prova se dikush ka dashur më shumë sesa ka mundur të jetoj, që të ritregoj dhe për arsye të ekzistencës së mishit…
…dhe pastaj, si të ishte thirrur nga një trup që ende digjej nën kujtesë, rrëfimi u kthye te mishi.
Lenka nuk e kujtonte gjithmonë fytyrën e Markos. Nganjëherë i vinte era e tij përpara se ta shihte. I vinte erë druri të freskët. I vinin erë djersësh të ngrohta. I vinte era temjan të vjetëruar. Trupi i kujtonte më mirë se mendja. Në errësirën e kishës, kur qirinjtë dridheshin si frymëmarrje të ndaluara, ajo ndjente dorën e tij t’i afrohej, pa e prekur ende, dhe ajo hapësirë e vogël mes lëkurave ishte më e nxehta.
Në një kohë që nuk ishte as natë as ditë, Marko u kthye. Ose ndoshta ajo vetëm e dëshiroi aq fort sa kthimi u bë i vërtetë. Ai u ndal pranë ikonës, aty ku guri mbante shenjën e lotit. Sytë iu takuan dhe gjithçka tjetër u zhduk. Kisha u tkurr në një rrahje zemre. Ai i foli pa zë. Ajo e kuptoi me trup. Gishtat e tij i rrëshqitën përgjatë kyçit të dorës, ngadalë, si të lexonte një lutje të ndaluar. Lenka mbylli sytë. Në atë prekje kishte frikë dhe besim, mëkat dhe shpëtim. Shpatullat e saj u mbështetën te muri i ftohtë, por gjoksi i tij ishte i ngrohtë, i gjallë. Frymët u përzien, të shkurtra, të pafshehura. Ikona i shihte. Dhe ashtu me atë shikim që vetëm ikona e ka, ndoshta i bekonte.
Buzët e Markos iu afruan qafës së saj pa e puthur menjëherë. Ai u ndal, si të kërkonte leje nga koha. Lenka u përkul pak, një lëvizje e vogël që tha po për të dy. Puthja erdhi e butë, e thellë, e mbajtur gjatë, jo për të marrë, por për të mbetur. Trupi i saj u drodh, sa nga dëshira e shpejtë, aq edhe nga ajo që zgjati.
Në një çast tjetër, ajo ishte vetëm. Por nxehtësia nuk ishte larguar. Ajo e gjeti veten ulur mbi gur, pëllëmbët e hapura, duke ndjerë rrahjen që ende i dridhej në bark. Lotët i erdhën pa dhimbje. Njëri ra mbi pllakë. Guri u errësua, sikur ta njihte peshën e asaj ndjenje. Thuhej se që nga ajo natë, kush prekte pllakën, ndiente një nxehtësi të lehtë, një dridhje që s’kishte emër. Jo epsh të shfrenuar, por kujtim të një afërsie të shenjtë. Ajo ishte dhe mbeti një lloj romance që e zhvesh shpirtin para se të zhveshë trupin.
Cvetani më tregoi këtë pjesë duke ulur zërin.
-“Babai thoshte,” - më tha ai, “se dashuria e tyre nuk u bë kurrë histori e mbyllur. Ajo u bë trup i vendit.” Unë vetëm e dëgjoja. E dëgjoja…
Cvetani vazhdonte…
-“Dhe unë e besoj. Sepse herën e fundit që hyra në Kishën e Vërnicës, pashë një qiri të ndezur pa njeri aty pranë. Ajri ishte i ngrohtë. U ula, vura dorën mbi gur dhe për një çast, vetëm një moment, m’u duk se dikush më mori frymën ngadalë, si një puthje që nuk kërkon dëshmitarë.”
E pashë me kujdes objektin e saj që ngrihej mbi gurë dhe momenti më shpuri sytë në hapësirë. Ishte vërtetë një ndjesi tjetër…Fshiva sytë, dhe ndjeva se Loti i dashurisë ende bie në Kishën e Vërnicës.
Cvetani më vështoi ngadalë dhe foli për herë të fundit, mjaft qetë.
-“Loti bie për ta mbajtur gjallë, si fjalë e pathënë mes dy trupave që nuk u ndanë kurrë vërtet.”









Të treguarit në këtë tregim të mban peshë, ngjan me një të foluri gjatë lutjes, herë shprehur me zë e herë e thënë nën zë.Unë e përcetova si një poezi e dalë nga proza .
Urime Urime Profesor Fatmir Terziu!
I bukur ky rrefim Fatmir dhe vetja mu duk si ne Vatikan ne te djelat e bukura ku sherbesat fetare , lutjet , faljet vertete e bejne kete vend te shenjte te paqes dhe urtise , e brenda mureve predikohet per dashuri ndaj zotit e jashte atyre mureve predikohet paqe e dashuri mes njerezve . E para se dhe une te futem ne kishin e Vernices do te sjell per ndjekesit e revistes tuaj disa opinione te miat. Kam pare ne shqiperi Manastirin e Ardenices , disa Kisha ne Voskopoje, Kishat ne Hocisht dhe Lubonje te Korces , kishen e Laboves se kryqi , kisha Shenkollit ne Lezhe apo kisha ne Lac, por edhe kishat ne fshatrat tona ne Klenje…