Fatmir Terziu: Letër Publike
- Jun 8
- 3 min read

Letër Publike për dikë që më pyet: “Pse nuk m’i boton Poezitë e Mia?”
I dashur mik,
Pyetja jote më ka ardhur shumë herë në forma të ndryshme. Herë ma dërgon me e-mail, herë në një mesazh të shkurtër, herë me zemërim, herë me zhgënjim. Fjalët ndryshojnë, por thelbi mbetet i njëjtë: “Pse nuk m’i boton poezitë e mia?” Ndoshta pret një përgjigje të shpejtë. Ndoshta mendon se ekziston një kriter sekret, një portë e fshehtë, një formulë që hap rrugën drejt botimit. Por letërsia nuk ka doganierë që vulosin pasaportat e talentit. Asnjë redaktor, botues, apo kritik nuk zotëron çelësin e së vërtetës artistike. Megjithatë, do të përpiqem të të përgjigjem.
Nuk është detyrë e poezisë të bindë një redaksi. Nuk është detyrë e saj të fitojë menjëherë duartrokitje. Poezia nuk lind për të kaluar provimin e botimit. Ajo lind sepse diçka brenda njeriut nuk pranon të heshtë. Prandaj, përpara se të pyesësh pse nuk botohesh, pyete veten, përse shkruan? Nëse shkruan vetëm për t’u botuar, atëherë ke vendosur karrocën para kalit. Botimi është një ngjarje. Shkrimi është një fat. Njëra ndodh një ditë. Tjetra të ndjek gjithë jetën.
Mos e mat vlerën e vargut me numrin e faqeve ku është shtypur. Ka poezi që janë botuar mijëra herë dhe kanë vdekur qysh ditën e parë. Ka poezi që kanë mbetur në një fletore të harruar dhe vazhdojnë të jetojnë në heshtje, si burime nën tokë. Pyetja që duhet të të shqetësojë nuk është nëse poezia jote është pranuar. Pyetja është nëse ajo ka lindur vërtet. A është shkruar sepse nuk kishe rrugë tjetër? A ka kaluar përmes teje si një nevojë? A të ka kushtuar diçka? A ka marrë me vete një pjesë të jetës sate?
E gjitha, sepse arti nuk ushqehet me dëshirën për t’u parë. Ushqehet me guximin për të parë. Mos nxito të kërkosh gjykim. Shumë krijues të rinj e dërgojnë menjëherë një tekst nëpër revista, konkurse e portale, pa e lënë të piqet. Një poezi nuk është një lajm që duhet publikuar sa më parë. Ajo është një fryt që kërkon stinën e vet. Lëre të flejë. Rikthehu pas një muaji. Lexoje sikur ta kishte shkruar dikush tjetër. Shiko nëse ende të dhemb aty ku të dhembte ditën kur e shkrove. Nëse jo, mos e fajëso redaktorin që nuk e botoi.
Shkrimtari i parë që duhet të bindësh je vetja. Ka edhe një gjë tjetër që duhet ta dish. Shpesh njerëzit mendojnë se poezia është çështje emocionesh. Nuk është e mjaftueshme. Të gjithë ndiejnë. Por jo të gjithë dinë ta shndërrojnë ndjesinë në gjuhë. Poezia kërkon punë. Kërkon lexim. Kërkon durim. Kërkon të dëgjosh qindra zëra para se të dallosh tëndin. Kërkon të heqësh dorë nga shumë vargje që i do, vetëm sepse nuk i shërbejnë së vërtetës së poemës.
Krijimi nuk është vetëm frymëzim. Është edhe disiplinë. Është edhe vetëkritikë. Është edhe aftësia për të pranuar se teksti i sotëm mund të mos jetë ende teksti që kërkon koha. Mos u zemëro kur dikush nuk të boton. Mos u lëndo aq shumë nga refuzimi. Në letërsi, refuzimi nuk është gjithmonë gjykim. Nganjëherë është vetëm mospërputhje. Nganjëherë është rastësi. Nganjëherë është paaftësi e tjetrit për të parë atë që ti ke parë. Por edhe kjo nuk ka rëndësi, sepse poeti nuk duhet të ndërtojë shtëpinë e tij mbi miratimin e të tjerëve. Nëse e bën këtë, do të jetojë gjithmonë në ankth. Një ditë do ta lavdërojnë dhe do të ndihet i madh. Ditën tjetër do ta harrojnë dhe do të ndihet i vogël. Ndërsa arti i vërtetë kërkon një qendër më të qëndrueshme. Kërkon një besim që nuk varet nga duartrokitjet.
Prandaj, miku im, kur të më pyesësh përsëri pse nuk t’i botoj poezitë, unë do të të kthej një pyetje tjetër. Po sikur askush të mos t’i botonte kurrë? A do të vazhdoje të shkruaje? Nëse përgjigjja është po, atëherë je në rrugën e duhur. Nëse përgjigjja është jo, atëherë problemi nuk është botimi. Atëherë duhet të kërkosh më thellë, sepse poezia nuk fillon në shtypshkronjë. Ajo fillon aty ku njeriu mbetet vetëm me ndërgjegjen e vet dhe përpiqet t’i japë një emër asaj që nuk mund të thuhet ndryshe. Dhe kur arrin ta bëjë këtë, botimi bëhet vetëm një holl i vogël kalimi. Nuk duhet të jetë destinacioni. As qëllim, as arsyeja. Gjithnjë vetevetja, puna, gjuha dhe vlera. Po aq sa mesazhi dhe idea. Po aq sa diskursi i thellë, i shkruar për tu lexuar.








Unë as gjej fjalë për këtë shkrim që,me urtësi,i vë pikat mbi i. Ngaqë kam kohë që jam ulur shesh tek"Fjala e lirë" dhe kam kohë që njoh krijimtrinë tënde,si mik,po të bëj një propozim:-FATMIR XHEVAHIR TERZIU,shtoi mbiemrit ndajshtimin:"Marotonomaku"! Të rri për shtat dhe e meriton.
Shumë, shumë bukur profesor. Qartë,saktë,pa nënkuptime, këshilla me vlerë për ata që duan të bëhen poetë të vërtetë.
Një pergjigje dinjitoze dhe me ndjenjë !
Respekt !
Respekt për penën tënde të artë i nderuar Fatmir Terziu
Përgjigjie profesionale!
Respekt!