top of page

Fatmir Terziu: Lamtumirë, Vahid Adil Shevroja

Lamtumirë, Vahid Adil Shevroja

 Prof. Dr. Fatmir Terziu


U nda nga jeta Vahid Adil Shevroja, një njeri i urtë dhe punëdashës, që mbarti me dinjitet emrin e një familjeje të nderuar dhe la pas gjurmë të mira në çdo vend ku jetoi e punoi. Ikja e tij është një humbje e ndjeshme jo vetëm për familjen Shevroja, por edhe për miqtë, bashkëfshatarët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Vahidi lindi në fshatin Trebisht Muçinë të Gollobordës, në një familje me tradita të forta humane dhe qytetare. Ishte i biri i Adil Shevrojas, një figurë e respektuar gjerësisht, i njohur për humanizmin e tij dhe për shërbimin e vyer si dentist privat në një kohë kur mungonin profesionistët e kualifikuar. Me përkushtim dhe zemër të madhe, Adil Shevroja u shërbeu banorëve të të gjithë zonës, duke u bërë një emër i paharruar për njerëzit që gjetën tek ai ndihmë dhe lehtësim në kohë të vështira. Edhe pse i prekur nga padrejtësitë e sistemit, ai nuk u thye shpirtërisht, por vazhdoi të ishte një prind i përkushtuar, që ndante kohë, dije dhe dashuri me fëmijët e tij, duke u mësuar atyre respektin për punën dhe për njeriun.

Në këtë mjedis u rrit dhe u formua Vahidi, bashkë me vëllezërit e tij, Emrullah Shevroja, Eqerem Shevroja, Mehdi Shevroja, Uran Shevroja dhe motrat e nderuara, pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët gjithashtu gëzojnë respekt dhe vlerësim në komunitet për ndershmërinë, sjelljen dhe kontributin e tyre. Lidhja vëllazërore dhe fryma e bashkëpunimit në familjen Shevroja ishin një forcë e veçantë, që i bëri ata të dallohen për unitet dhe korrektesë në marrëdhëniet me njerëzit. Vahid Shevroja krijoi krushqi me shumë fise të Trebishtit dhe më gjerë, duke forcuar lidhjet shoqërore dhe duke shtuar më tej respektin që familja gëzonte në zonë. Më pas, ai ndërtoi familjen e tij në zonën e Tiranës, ku hodhi themele të reja jete, pa u shkëputur kurrë nga rrënjët dhe kujtimet e vendlindjes. Familja dhe fëmijët e tij ecën në një rrugë shembullore, duke reflektuar edukatën, punën dhe vlerat që Vahidi u transmetoi me përkushtim.

I njohur si mjeshtër në shumë fusha të ndërtimit, Vahid Shevroja ishte njeri i aftë, i saktë dhe i besueshëm. Ai la pas jo vetëm vepra konkrete të punës së tij, por edhe një emër të mirë, të ndërtuar me djersë dhe ndershmëri. Përvoja e mërgimit i hapi horizonte të reja dhe e njohu me kultura të tjera, veçanërisht me kulturën perëndimore, e cila ndikoi në zgjerimin e botëkuptimit të tij dhe në respektin që ai gëzoi gjithnjë e më shumë mes njerëzve. Vahidi la pas një model familjeje me rrënjë të thella në Trebisht të Gollobordës dhe me zemër tashmë të vendosur në Tiranë, një trashëgimi morale që flet për vazhdimësi, dinjitet dhe vlera njerëzore të qëndrueshme.

Ngushëllime të sinqerta familjes Shevroja, bashkëshortes, fëmijëve, familjes, motrave dhe vëllezërve Emrullah, Eqerem, Mehdi dhe Uran Shevroja, të afërmve dhe miqve të shumtë që ndajnë dhimbjen e kësaj humbjeje.

I qoftë dheu i lehtë.


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page