Kur të kënaq shqipërimi i Harallamb Fandit
(Ndalesa e dytë)
Nga Fatmir Terziu
Nga Alda Merini tek Wislawa Szymborska janë dyzetë e tetë „stacione“ ku ndalon, kthjellohet, lexon në thellësi dhe përkulet respektueshëm të shqipërojë pena, mendja, njohuria dhe përkushtimi i Harallamb Fandit, duke i prurë lexuesit një botë të madhe poetike në një botë të strukur në një botë të kaltër që dominon librin e tij „E kam ende buzëve“ (Fandi, H. „Emal“ – 2019). në këtë botë të vogël, e madhja fillon të lexohet bukur në gjuhën shqipe, duke pasur parasysh vetë përkujdesjen e autorit të këtij libri që ti qëndroj besnik asaj që poeti amerikan Robert Frost tha njëherë: „Poezia është ajo që humbet në përkthim“ dhe shumë lloje letrare e shohin përkthimin si një detyrë pothuajse të pamundur. Për Harrallamb Fandin, megjithatë, përkthimi i poezive nga gjuhë të tjera, është një pasion i hershëm, një dëshirë e madhe e tij, një aktivitet i mbushur me pasion dhe përkushtim.
Duke ditur në fund të fundit, se një gjë është e vërtetë midis shumë gjërave të tjera, që e bëjnë përkthimin të vështirë, në disa raste edhe të pamundur, ai vetë i quan shqipërime, pasi më tej dihet që gjenialiteti dhe karakteri i njerëzve përmbahen në gjuhën që ata flasin; imagjinata i ka rrënjët në gjuhën, gjeografinë dhe kulturën e një vendi; dhe asnjë gjuhë nuk ka të njëjtin kontekst. Në këtë kontekst, duke pasur përvojën personale, si të poezisë dhe të përkthimit në më shumë se dy dekada, pashë dhe lexova me vëmendje përkthimin e Fandit të poezisë „Të dashuruarit e varfër“ të Eugenio Montales, poezinë „Një i harruar“ të poetit Kostandinos Kavafis, apo dhe „A të kujtohen ëndërrat…?“, poezi e Pedro Salinas, e më tej disa të tjera, si të Nazim Hikmet, apo dhe të poetit kilian Pablo Neruda. Tek ky i fundit u ndala më shumë, dhe aty ndalesa ime ishte që të gjej pikërisht atë që Frost e quan „të vështirë“. Është pikërisht momenti që nënkupton, momenti që flet me orgjinalitet, me forcën e kuptimit të parë, kuptimit radikal, sidomos kur bëhet fjalë për „dy krahë/një violinë“ apo dhe për „pafundësi gjërash“ që „…sytë/ kanë dëshmuar se i panë/skalitur tek kokrra e bajames“. Duke qenë se poezia e Nerudës është tipike, thuajse krejt ndryshe, gjithnjë filozi më vete, pashë me bindjen e plotë, se pena e Fandit nuk gabon, edhe pse ndoshta kultura e përcjelljes mbetet një dëshmi tjetër në ndërlidhjet diskursive poetike të përkthimit.
Sidoqoftë, nën këtë ndërrmarje të sinqertë, të shëndoshë e të bukur, Harallamb Fandi na fut kaltërsi edhe brenda librit të tij me shqipërime, dhe na kryen rekursin e një bote të madhe që vjen nga të mëdhenjtë e Globit. Me këtë rast Fandi u ka dhënë përgjigje mjaft pyetjeve të tilla si “A mund të përkthehet një kulturë, botëkuptimi i saj, metafizika e saj? Nuk ekziston vetëm gjuha idiomatike dhe imagjinata idiomatike, por edhe efekti akumulues i përdorimit idiomatik. Si mund të përkthehet? A mund të përcjellë dikush në një gjuhë tjetër atë që ka vlerë të menjëhershme për një lexues vendas?” Kjo linjë e të menduarit, është argumenti i zakonshëm që jo pak herë, sipas akademikëve dhe studiuesve të mbetet kundër përkthimit, por që shqipërimi ose prurja në gjuhën shqipe e bënë atë të mundshëm, estetikisht të kënaqshëm dhe natyrisht me shumë pak humbje dhe përhumbje.
Në këtë libër të prurë me përkushtimin më të madh Harallamb Fandi na rrëfen në heshtje të mirëkuptojmë se përkthimi i poezisë është një “akt dashurie, një akt ndjeshmërie supreme”. Unë e ndoqa me kurreshtjen më të madhe shqipërimin e këtij autori, u thellova më tej në përkthimin, mënyrën se si mundet ai të çmontoj një poezi në një shkallë të veçantë sikur të ishte një mësues letërsie, edhe pse ai është një botë arti më vete, piktor dhe humanist i fushës së mjekësisë. Ky libër i Fandit të kompletuar më bën që të më pëlqejnë leximet e afërta dhe të përpikta, pasi e di fort mirë që të përkthesh është si të jesh medium, duke qëndruar në këpucët e personit që po përkthen, ku njëri bëhet një tjetër. Është leximi më i afërt i një teksti letrar. Urimet e mia të sinqerta i nderuar Harallamb!
Commentaires