Fatmir Terziu: Kur rikthehet respekti i fëmijës tek prindërit
- Jun 19
- 2 min read

Fatmir Terziu: Kur rikthehet respekti i fëmijës tek prindërit
Në këto momente natyrisht m'u larguan fjalët e mëdha, ato që kanë të bëjnë me para, me dhurata luksoze, me fjalë të mëdha. Më mbetën vetëm ato momente, pikërisht, ato që maten me dashurinë, mirënjohjen dhe respektin që fëmijët tregojnë ndaj prindërve të tyre. Pikërisht një moment i tillë vjen edhe nga poeti dhe miku ynë i nderuar, Skënder Milaqi, i cili ndau me miqtë në rrjetet sociale një përjetim të veçantë familjar. Me rastin e 70-vjetorit të bashkëshortes së tij, fëmijët i dhuruan çiftit një guidë turistike në Barcelonë. Në pamje të parë mund të duket si një udhëtim i bukur në një nga qytetet më të famshme të Europës. Por në thelb, kjo ishte shumë më tepër se kaq. Ishte një akt dashurie. Një përkulje respekti përpara sakrificave të dy prindërve. Një falënderim i heshtur për vitet e përkushtimit, mundit dhe kujdesit që ata kanë dhënë për familjen.
Në kohët kur shpesh dëgjojmë për largësi shpirtërore mes brezave, për mungesë kohe dhe për indiferencë, raste të tilla na rikthejnë besimin tek vlerat e familjes shqiptare. Na kujtojnë se edukimi i mirë nuk humbet. Ai mbetet i rrënjosur në zemrat e fëmijëve dhe, kur vjen koha, shfaqet në forma të bukura mirënjohjeje. Barcelona, me madhështinë e saj, me veprat e jashtëzakonshme të Antoni Gaudit, me Parkun Güell, me Sagrada Familia-n, me lagjen gotike dhe sheshet e saj të famshme, u bë skena ku një familje festoi jo vetëm një përvjetor, por edhe triumfin e lidhjeve njerëzore. Çdo hap në ato rrugë mbante brenda vetes një mesazh: “Ju faleminderit për gjithçka që keni bërë për ne.”

Në rrëfimin e Skënder Milaqit bie në sy jo vetëm gëzimi i udhëtimit, por edhe mirënjohja e thellë ndaj fëmijëve. Fjalët e tij janë të thjeshta, por të mbushura me emocion. Ato dëshmojnë se lumturia e prindit nuk qëndron tek madhështia e dhuratës, por tek mendimi, kujdesi dhe dashuria që fshihet pas saj. Në fund të fundit, respekti i fëmijës ndaj prindit nuk shfaqet vetëm me fjalën “faleminderit”. Ai shfaqet kur fëmija kujton sakrificat e tyre, kur gjen kohë për ta, kur kërkon t’u falë gëzim dhe kur i bën të ndihen të vlerësuar. Kjo është pasuria më e madhe që një prind mund të ketë. Historia e familjes Milaqi është një kujtesë e bukur se vlerat e familjes ende jetojnë. Dhe sa herë që një bir apo bijë zgjedh të nderojë prindërit e vet, shoqëria bëhet pak më e mirë, familja bëhet më e fortë dhe jeta fiton më shumë kuptim.
Le të urojmë që raste të tilla të jenë sa më të shumta. Sepse aty ku rikthehet respekti i fëmijës tek prindërit, rikthehet edhe shpresa për një shoqëri më të njerëzishme, më të dashur dhe më të ndërtuar mbi vlerat që nuk plaken kurrë.








Comments