Fatmir Terziu: Kur perfeksioni i alegorisë shkruan ritmin e diskursit të bukurisë
- Jan 19
- 3 min read

Proza e Ramiz Gjinit në vëllimin “Katundi mes malesh” (M&B: 2025) shfaqet si një territor estetik ku fjala nuk është thjesht mjet rrëfimi. Fjala dhe rrënja e saj diskursive janë materie e gdhendur me vetëdije të lartë artistike. Epiteti “gdhendës i fjalës” është i pamjaftueshëm për të përkufizuar këtë autor. Mendoj se më afër së vërtetës është ta quash mjeshtër të munguar të diskursit letrar. Natyrisht, një shkrimtar që arrin perfeksionin jo përmes teprimit, por përmes masës, ritmit dhe dritës së brendshme të gjuhës. Stili i tij nuk gjendet në rafte të gatshme teorike, sepse buron nga një marrëdhënie organike me rrënjën e gjuhës shqipe dhe me përvojën ekzistenciale që ajo mbart.
Vëllimi me 15 tregime kërkon kohë, jo për shkak të vëllimit sasior, por për shkak të densitetit kuptimor. Këto tregime nuk “lexohen” në kuptimin e zakonshëm. Tregim të tilla përjetohen. Gjuha e Gjinit të merr për dore dhe të shëtit në kohëra e gjeografi të vetëdijes shqiptare e globale, aty ku e përditshmja dhe metafizikja bashkëjetojnë pa konflikt. Diskursi i tij ka një ritëm të brendshëm. Ky ritëm është pothuaj muzikor. Në këtë muzikalitet sundon me efikasitet alegoria. Alegoria nuk është zbukurim. Tek “Katundi mes malesh” që në titull është strukturë mendimi.
Tregimi “Ajo që donte diellin” është një shembull emblematik i këtij perfeksioni alegorik. Në pamje të parë, rrëfimi vendoset në një hapësirë të zakonshme. Shfaqet një kafene e thjeshtë. Një kafene e populluar nga figura periferike të jetës urbane. Por kjo hapësirë shndërrohet shpejt në një skenë simbolike. Një skenë, ku koha rrëshqet, identitetet shpërbëhen dhe kujtesa merr trajta trupore. Kafeneja bëhet një limbo ekzistenciale. Kafeneja shndërrohet një vend-kalim mes rinisë dhe pleqërisë, mes premtimit dhe përmbushjes, mes jetës dhe vdekjes.
Figura e Anës është nyja qendrore e alegorisë. Ajo shfaqet njëkohësisht si e ardhme dhe e shkuar. Ana pikturohet si vajzë dhe si plakë. Thellohet si dashuri e premtuar dhe si dashuri e konsumuar nga koha. Ky dyzim nuk është lojë narrative. Ai është një reflektim i thellë mbi ciklin e jetës. Ai është gjithashtu dhe një laps i detajuar piktori mbi natyrën e dashurisë që nuk matet me çastin, dhe që në stilin e Gjinit matet me durimin e viteve. Dielli, i cili përmendet si dëshirë e vazhdueshme, është simbol i dritës së përjetshme, i atij kuptimi që njeriu e kërkon edhe kur trupi është rrënuar.

Diskursi i bukurisë në këtë tregim nuk qëndron në estetikën e jashtme. Ky lloj diskursi rrëshqet në bukurinë e pranimit. Gjuha e Gjinit arrin kulmin kur përshkruan trupin e plakur pa asnjë sentimentalizëm të rremë, ku lëkura, kockat, damarët, të gjitha shndërrohen në shenja poetike të kohës së jetuar. Këtu qëndron forca e tij. Forca e diskursit të Gjinit qëndron në aftësinë për ta bërë të prekshme metafiziken. Qëndron edhe për ta ngritur të përditshmen në rang simboli universal.
Alegoria e plakës që shndërrohet në një “fjollë mjegulle” dhe zhduket, ndërsa jashtë shfaqet Ana e re, është një nga momentet më të fuqishme të prozës bashkëkohore shqipe. Ajo përmbledh në një imazh të vetëm idenë se dashuria e vërtetë është një premtim që shtrihet përtej një jete të vetme, përtej kujtesës individuale. Fundi, me semaforin dhe sekondat që zbresin drejt zeros, rikthen njeriun në realitetin e kohës lineare. Mjeshtëria e autorit, gjuha fine, diskursi e bëjnë qëllimisht të ngarkuar me një kuptim tjetër, ku çdo fillim është i shoqëruar nga hija e një fundi të ardhshëm.
Në këtë tregim, dhe në gjithë vëllimin “Katundi mes malesh”, shkrimtari i talentuar Ramiz Gjini, dëshmon se perfeksioni i alegorisë nuk qëndron në errësimin e kuptimit, por në qartësinë e ndjesisë. Diskursi i bukurisë së tij është i qetë, i thellë dhe i pamëshirshëm në sinqeritetin e vet. Ai nuk kërkon të impresionojë. Ky lloj diskursi kërkon të zgjojë. Dhe pikërisht për këtë arsye, proza e tij mbetet gjatë në mendje, si dielli që, edhe kur perëndon herët, lë pas një dritë që nuk shuhet lehtë.









Comments