top of page

Fatmir Terziu: Kujdes kuptojeni mirë: „Lamtumirë Komandant“


Fatmir Terziu: Kujdes kuptojeni mirë: „Lamtumirë Komandant

(Kulla qëndron në majë me letërsinë e tij)

 

Nga  Fatmir Terziu

 

Më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjet më parë u shfaq në mesin e lexuesit shqiptar kudo që ndodhet, e më gjerë, një vepër me titull „Vdekja e Enver Hoxhës“ (Botuar në Tiranë nga „Arbëria“, në vitin 2008.). Në intervistat e tij të fundit, autori i romanit në fjalë, Pëllumb Kulla, e cilëson atë si satirik dhe ndan me buzëqeshje se në prizmin e distancës kohore, ai e njeh romanin më tepër si një shkrimtar që kërkon të flasë me lexuesin dhe jo me partitë të cilat nuk e trajtuan asnjëherë sikurse duhej Enver Hoxhën. Romani është provokues për shkak të gjuhës së tij, por duke mos shkelur leksikun e duhur dhe përdorimet e eufemizuara. Pjesa tjetër është një bisedë në sinkron. Dhe ndoshta ndryshe nga herët e tjera e pyesim në metodologjinë e veçantë Kullën… ose në përgjigjen ndryshe… “Unë vetë për romanin, “Lamtumirë Komandant!”

Kulla përgjigjet: “Librin tim e kam thurur si një mozaik. Të gjithë tregimet qëndrojnë absolutisht më vete. Me përjashtim të historisë që tregon grimiori, një histori, e cila është ndarë në dy faza për nevoja kronologjike. Por edhe ajo mund të përmblidhej në një.

Kapitujt e librit ndryshojnë. Vdekja është baza në të gjashtë kapitujt: ajo troket në burg, troket në një shtëpi komode pushimi, dhe deri në një qytet periferik. Por e përbashkët këtu është lënda bërthamore, vdekja e Enverit, që rrezaton motivet e pjesëve përbërëse të librit. Dhe ajo, vdekja e Komandantit, mua më shërben vetëm për të ndriçuar skuta dhe maja. Ndriçon të burgosur dhe anëtarë Byroje, artistë dhe tregtarë të rënë nga vakti.” Dhe kur vjen fjala tek vepra Kulla shkon në majë të gjilpërës përgjigjen: “Vepra është rritur dhe mbigraduar, pasi mori jetë nga një tregim i thjeshtë me kampistët punëtorë të Vlorës, në mes të të cilëve atë ditë atje ndodhesha vetë. Ata që të gjithë e kishin mësuar  gjëmën gjashtë orë më parë, por prisnin lajmin zyrtar për t’u alivanosur!” Kështu që nëkuptojmë që tregimi kishte arsyen për ta shpjeguar, pra atë që Kulla na e thotë se “Tregimi më pati shumë sukses. Qëlloi që tregimin  e lexoi dhe mjeshtrja e grimit e televizionit shqiptar, Zhaneta Petushi.  Një mbrëmje ajo na e plotësoi gojarisht me rrëfimet e ngjarjeve në aventurën e vet. Ne ngelëm të mrekulluar me tregimet e atyre ditëve të paharruara. Atëherë, i ripërshkënditur nga rrëfimet e Zhanit, unë iu përvesha romanit. Grimjoren e bëra grimjor. Zhani ende nuk kishte dalë dot nga bota e frikës dhe nuk desha që ta përmendja ndihmën dhe emrin e saj. Sot unë Zhaneta Petushin, këtë artiste të madhe - dhe të pavlerësuar aq sa ajo meriton! - po e përmend për herë të parë. Ajo vetë e ka prishur fshehtësinë  dhe e ka përmendur në shtyp dy-tri herë. Kur vjen fjala për diktatorin shohim se Kulla të na shpjegojë: “Në roman, unë emocionalisht jam distancuar nga gjykimi i diktatorit. Asnjëherë nuk e shaj, asnjëherë nuk e mallkoj dhe nuk e analizoj. Nuk merrem me të. Ai na ka lënë Telon, na ka lënë anëtarët e Byrosë, na ka lënë dyfytyrësinë e përgjithshme që ndjejmë se është bërë për ne, shumicën e shqiptarëve, një pajë e jetës. Unë në libër shpalos historira të dhimbshme që vdekja e Komandantit i ndriçon: përshkruaj pikëllimin e imponuar me disiplinë ushtarake.  Në librin tim edhe fjalët e dhimbjes vinin nëpër rrethe që nga Tirana. Mobilizimi i poetëve të realizmit socialist, për të furnizuar me shprehje pikëllimi njerëzit, ishte kërkesë e KQ.  Edhe se sa pikëllim duhet të kishin fytyrat e anëtarëve të Byrosë, dukej sikur porosia vinte nga lart.

Edhe se cili do të qante i pari dhe kujt do t'i binte të fikët, dukeshin si të vendosura nga një super-regjisor. Mua, siç e sheh artisti, më pëlqen, më mahnit, ky mobilizim i përgjithshëm ushtarak i ndjenjave. Por asnjëherë në libër, siç thashë, nuk flas për kryepersonazhin me termat, diktator, stalinist, antikombëtar, kriminel, vrasës i pangopur… Paçka se figura qëndrore i meriton totalisht ato.  Është i papërsëritshëm ai imazh teksa i vdekuri rrinte në mes të një pikëllimi dekorativ shumëditor. Dukej si një artist i madh, i rrethuar nga vepra e vet gjys-shekullore, vargani që po  bënte paradë rreth arkivolit të tij. Njerëzit e pikëlluar që rrotullonin arkivolin, kishin portretet që pat bërë peneli i tij…” Dhe së fundi poezicioni I shkrimtarit?

“Ky është pozicioni që kam zgjedhur. Të gjitha çfarë ndodhin në librin tim, janë paradoksale, fanatike dhe fetare, por nuk janë të karikaturizuara. Janë të vërteta. Nuk janë zgjedhur si lëndë humoristike, pavarësisht se ato janë qesharake. Libri im është realist dhe dëshmitar. Unë nuk kam bërë kurrë humor të vetqëllimtë në krijimtarinë time dhe pretendoj të jem një nga njerëzit më seriozë në ushtrinë e madhe të shkrimtarëve shqiptarë. Njerëzit gabimisht kujtojnë se përkdhelem, kur më quajnë humorist! Asnjë titull unë nuk ia kam ofruar publikut me cilësimin “humor”, apo “humoristik”! Nën asnjë titull tregimi, nën asnjë kapak libri unë nuk e përdor fjalën humor! Kurrë! Kështu jam sjellë dhe me këtë libër. Siç tregova më lart, dhe siç nuk ia tregoj dot çdo lexuesi, këtë qëllim kam pasur. Forma e patrikotuar nuk më ka shpëtuar dhe nuk ka dalë rastësisht. Atë e kam zgjidhur vetë ashtu. Veçse, tek tuk, penjëza të holla (që këputen kur të duash), futen në punë të lidhin historitë, por jo sa të bëhen aqë të nevojshme, saqë copat të mos rrinë dot më vete. Pra formën e kam lënë me unitet të handakosur, por përmbajtjen e kam "grusht bashkuar". Dhe, siç shihet, në këtë pikë, në çdo faqe rroj “me frymën e shokut Enver”!”

Pra sikurse ndjehet, Kulla nuk anon drejt vulgarizmave parazitare, as drejt ekstremeve mendjelehtë, por tregon aftësi në trajtimin e këtij lloj humori, duke e përdorur atë si një xham zmadhues mbi detajet dhe çuditshmërinë e ndërtimit të personazheve dhe veprimit të romanit, që në fakt sikurse dihet tashmë është shumë romane në një. Në lidhje me këtë, mund të theksohet se teksti i romanit arrin një formë artistike të lartë, dhe përpiqet ta zhysë lexuesin në atmosferën panelore të situatës, të banuar nga personazhe qesharake, që ndodhen në historinë e tyre komike absurde me një fund të tillë.

Romani është argëtues me intrigën e tij, prandaj thekson ndërtimin e psikologjisë dhe kërkimin e thellësisë së jetës. Në disa vende Kulla përdor stilin e tij, që herë pas here duhet ta lexosh e rilexosh, pasi maja e mprehtë e humorit të tij e kërkon këtë vëmendje. „Lamtumirë Komandant“, që sikurse e thamë do të jetë botim i tretë, se dy botimet e mëparshëm, në 2008 dhe 2016, mbanin titullin “Vdekja e Enver Hoxhës”. Romani meriton të përmendet, si vepra e parë e realizuar nga një autor shqiptar me një prekje të një lexuesi të gjerë dhe mbi të gjitha, të njihet si një prolog i paraqitjes së madhe të Kullës në këtë aspekt, si një zhanër ndoshta më vete i letërsisë artistike, pra si përmbledhja e shumë romaneve në një. Përmbledhja, e cila përmban gjashtë kapituj, secili me një titull më vete, mund të thuhet vërtet me plotë gojën se mund të mbart më vete gjashtë romane  të shkurtër. Ky roman në fakt që kur u botua në 2008 dhe u ribotua në 2016,  u shoqërua me interes të madh të lexuesve dhe nuk mbeti asnjë kopje në treg.

Dallimet midis kapitujve janë vërtet të dukshme. Ato mund të vihen në dukje nga pamja zhanër i tyre, stili i shkrimit të tyre, mënyra e kompozimit të tyre, temat në shqyrtim. Por, ajo që do të ishte më kurioze është se si ngjajnë kapitujt në një tërësi që lidh dhe e ndërlidh nga fillimi në fund këtë roman tipologjik, që ta bëj të flasë rrjedhshëm dhe bukur në qëllimin final, pra çfarë percepton shkrimtari nga arritjet e tij letrare të dekadave më parë.

Në „Lamtumirë Komandant“, Kulla demonstron një ndjenjë për oksimoronët, një afinitet për fjali të shkurtra pa folje që tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe për rregullimin shumëngjyrësh të kuptimeve brenda fjalisë. Në koleksionin e tij vërehet edhe vëmendja ndaj detajeve dhe loja me fjalët. Një shembull i një ballafaqimi të tillë, ndonëse i perifrazuar dhe që nuk rrezikon të hyjë në fushën e mbiinterpretimit, është shprehja nga „Zia ka gjithmonë një fund“ e nënkuptuar nga „një histori me fund të lumtur“ që fjalët humbasin midis zbrazjes së programeve të radiove e televizioneve prej këngëve kushtuar e përkushtuar  “Qysh duron e qëndron shtrirë/gjëmëmadhi prej stërralli?!…”. Thuajse gjashtëmbëdhjetë vjet pas botimit të kësaj shprehjeje, Kulla krijoi tërë hapësirën mjaft tërheqëse të këtij kapitulli, e cila i dha emrin harresës që nis nga vetë kënga, dhe në të cilën fjalët jo vetëm që bien dhe humbasin, por edhe zhduken plotësisht nga paradigmat e mendimit, ato nuk ndodhin, marrin lindjen dhe vdekjen e tyre, por mungesa e tyre fiktive brenda rrëfimit nënkupton deformimin në komunikimin mes njerëzve përtej tekstit dhe pamundësinë për të pasur një identitet pa praninë e mjeteve shprehëse verbale.

Një tipar tjetër i stilit, të cilit Kulla i mbetet besnik në tërë koleksionin e tij filozofik të humorit e satirës së mprehtë, është paralelizimi i dy ose më shumë rrëfimeve brenda rrëfimit. Mirëpo, nëse kjo ndodh në mënyrë më pak se e organizuar në „Lamtumirë Komandant“, si shkas dhe jo si shkak i stilit të Kullës, atëherë duhet nënkuptuar se në rrëfimin e tërë të situatave autori arrin të ndërthurë aspekte dhe aspektologji të ndryshme me finesë. Një shembull i kësaj aftësie janë kapitujt „Fytyra e të gjallëve“ (fundi i rrëfimit të grimorit) dhe „Mos  pi më, të lutem!“ (Përshkrimi i asaj dite nga një rrëfimtar tjetër). Të dy tekstet karakterizohen nga pasqyrimi në ndërtimin e mikroparcelave, të cilat, me anë të paralelizmit dhe lidhjes graduale të tyre nëpërmjet një aludimi, drejt fundit të romanit në fjalë mbledhin tablonë, ato nuk punojnë veçmas, por në kombinimin e tyre të komplotit.

Një tendencë disi e ngjashme drejt dualitetit në nivelin e kompozimit mund të shihet edhe në kapitullin „Muzikë për mort“, në të cilën personazhi Kujtim e braktis gjë-e-gjëzën për emrin e burrit të shtetit, periodikisht një gjë-e-gjëzë ndërhyrëse, e ndarë zyrtarisht me shkronja të pjerrëta nga pozicioni i burgut dhe i të burgosurit sikurse ishte vetë ai teksa dëgjonte tanket të kalonin bri repartit 501 të burgut të tij. Edhe pse gjë-e-gjëza është një fragment dhe një spontanitet për një përfundim të mëtejshëm, mund të thuhet se funksionon si një mikroplot brenda narrativës më të madhe të rrëfimit. Futja e muzikës për mort në ndërtimin e disa situatave të tilla, përfshirë altoporlantët e burgut, mbetet një tipar i demonstruar mjaft bukur dhe i qëlluar që demonstron penën, talentin, mënyrën se si autori kërkon ta bëjë atë sa fine, aq dhe groteske, ku humori shkon si një vijë e verdhë në qëllimine mesazhit të qartë e mjaft kuptimplotë. Kulla me këtë stil estetizon me mjeshtëri muzikën e burgut, atë muzikë për mort.

Në kapitujt „Vargje për gra që dinë të vajtojnë“ dhe „Fytyra e të vdekurit“ Kulla vazhdon përvojën e tij duke i dhënë teksteve të tij një tingull të viteve në rrjedhë. Nëse në roman në tërësi toposi i lagjes lotore të fundit të shekullit të kaluar është fotografuar me banorët e zakonshëm dhe zakonet e tyre të vogla, që janë objekt talljeje të autorit, atëherë te këta dy kapituj struktura e vetë rrjedhës, zhbirimi i personazhit, të cilat lidhen me vitet në rrënie, bien në plan të parë dhe vitet që ngjason të pasojnë. Humori moshor braktiset dhe hyn në thellësinë e ngrohtë të marrëdhënies midis çiftit, që do të festonte shtatëdhjetë vjetorin e martesës, „brenda kuvlisë sonë të ngrohtë dhe nuk do të kishim asnjë të ftuar. Bile, ishim të sigurtë se edhe të paftuar nuk do të kishim, ngaqë askush nuk na e mbante mend ditën e martesës. Do ta festonim ngushtë, të tre: Xhulja, unë dhe Diti që atë kohë sapo pat mbushur tri vjetët“, pra të ndarë nga rjedha e jashtme, sikurse nënkuptohet izolimi dhe në këtë pikë dhe nga fakti që dy po plaken dhe tjetri po rritet. Megjithatë, shigjeta, situatat e mëpasme, pamja dhe qasja e Kinostudios, kënga në shesh „Kush më merr mua/merr yll jo grua!“ çarçafi i lagur që linte të dukeshin qartë format e njeriut që dergjej aty i vdekur, i lënë krejtësisht pa vëmendjen e mjekëve, e deri tek “Duhet të ta themi dhe ty një lajm të hidhur që pak e dinë: Komandanti ynë i lavdishëm nuk është më! U nda nga ne! Na la!” janë një histori më vete. Historia është humoristike dhe falë rrëfimit në vetën e parë dhe zhargonit të rrugës, tingëllon si historia nostalgjike e preferuar e të gjithëve për një ikje që nënkupton shumë gjëra në atë kohë. Ky rrëfim mbetet stilistikisht më i afërt me gjuhën e Kullës origjinal, ndryshon nga disa nëntekste me ekspozimin e tyre më të shkathët, por në të dy rastet çelësi është absurditeti i situatës, i cili rritet në çdo moment të mëpasshëm dhe i fut personazhet në një ngërç komik. Këtu të qeshurat nxiten nga situata dhe drejtohen nga bashkimi i rrethanave sesa te personazhet dhe shtrembërimi i tyre.

Brenda romanit dhe rrëfimit, si një deus ex machina, lloji i situatave duket se e forcon akoma më shumë rrjedhën e personazheve të tjerë. Në të gjitha rastet, inskenimi merr një justifikim psikologjik, dhe plotëson tablonë e dekadës. Megjithatë, optika e re drejt një tipologjie të ngjashme që ofron Kulla në rrjedhë të narrativit, sikurse tekstualitetet e nëntitujt janë kurioze, një këndvështrim që nuk ka më asnjë lidhje me vetëm të vdekurin. Të pranishëm në të gjithë kapitujt janë subjektet e errëta politike me famë skandaloze në të kaluarën e tyre, të cilët arrijnë të dalin nga moçalja e viteve të trazuara dhe të jetojnë në ditët e sotme, me kollare të bardha, karrige departamenti dhe me brutalitet ndaj qenieve njerëzore që i rrethojnë. Megjithatë, një personazh që nuk ka dalë nga filmi i viteve të errëta dhe grunge është vdekësi i radhës dhe frika. Kulla arrin të krijojë një ndjenjë nxitimi, shkatërrimi dhe heshtjeje tipologjike që pason frikën që në fëmijëri: „Frika ishte aty në ajër, por ishte një frikë e një lloji tjetër. Ishte ajo e njohura e vjetër, që nuk më ndahej netëve të fëmijërisë, kur ndonjë i afërmi ynë vdiste dhe unë e përfytyroja se do të më shfaqej sapo të isha vetëm. Ja, tani isha vetëm me një tjetër të vdekur, por po aq të frikshëm, sa ata që më rrinin pezull në errësirat, që më dukeshin pa fund tek më merrej fryma nën jorgan. Ishte një i vdekur madhor ky, një njeri që tani mund të ngrihej, të flakte çarçafin dhe të më thoshte me zë të rëndë: “Cili je ti, mo?”. Pavarësisht etiketimit të kësaj frike, ajo që nënkuptohet më pas është si një llum social për shkak të sjelljes së egër, autori shpërthen stereotipin dhe në heshtjen e mesnatës së qytetit, ai e vendos personazhin e tij në një situatë ku i padukshmi, kushdoqoftë ai, është i vetmi i aftë të ndihmojë një njeri që është gati të riprovoj frikën, të riprodhoj atë në kushte të tilla.

Qasjet e rrëfimtarit të viteve më parë i lëshojnë rrugë presionit të temave të rënda të përditshmërisë, prej të cilave njerëzit largohen sepse nuk dinë si t'i trajtojnë. Fokusi është te njerëzit, kudoqofshin dhe sidoqofshin, të kthyer në viktima për shkak të pafuqisë së pafajësisë së tyre. Tema e tjetërsisë dhe pamundësisë së pranimit të saj shënon histori si në situatën e provave teknike dhe fotografimit të fytyrës së komandantit. Aludohet për vështrimet dhe insinuatat me doktorin Çapajev në një mënyrë që i kthjellon lexuesit. Autori është i kursyer në ndërhyrjen e tij si gjyqtar, megjithëse pozicioni i tij është i shënuar dhe i ngjan simpatisë së ngrohtë që ndjen për personazhet e tij margjinale. Në fakt të gjitha detajet që sjell pen e Kullës janë aq të mira në lexim, por dhe aq të domosdoshme për të bërë më shumë pyetje sesa për të gjeneruar përgjigje të gatshme. Atyre nuk u mungon në fakt qëndrimi i filozofimit dhe largimit të brumit të panevojshëm në retorikën boshe. Një pjesë qaset në formën më të lartë të humorit me dhimbjen aktuale, le ta themi jashtë letërsisë, dhe për këtë arsye autori tregon mjeshtërinë e tij, aty ku lind nevoja për zbutjen e kushtëzuar që ofron letërsia.

Si rreshtim i këtyre fjalëve të fundit mund të vihet në dukje paralelizmi midis kapitujve në roman. Kapitujt janë diametralisht në rrjedhë përsa i përket ngarkesës emocionale dhe realizimit të ndryshëm të temës së vdekjes. Tek situata e televizionit kur „në kronikën e ditës po jepte pritjen, që Komandanti, pat dhënë atë pasdite për nder të kryetarit të partisë marksiste-leniniste të Brazilit“, humori është magjepsës dhe atmosfera në mënyrë idilike njaft fine. Nuk mungon komploti dhe tensioni, dherrëfimi zotëron dinamikën e kujtesës. Kalueshmëria e materies derdhet dhe shkrihet në kënaqësi. Dhe këtu, me çdo paragraf të mëpasshëm, Kulla rrit në heshtje shpejtësinë, dhe rifreskon hapësirën, i jep eufori dhe solemnitet. Rrëfimi nuk bie në një situatë të vetëshpjegimit të mesazhit të tij. Prandaj, edhe pas leximit të parë, lexuesi mund të mos jetë në dijeni të asaj që ndodhi në tekst, por me leximin e mëvonshëm të kuptojë se bëhet fjalë për një histori për vdekjen e Komandantit. Kjo është vdekja e butë, disi përrallë, pa brutalitet dhe krizën shoqëruese të vdekjes. Mënyra se si Kulla e zbut këtë temë të vështirë për t'u gëlltitur është duke paraqitur vdekjen përmes thjerrëzës së kujtesës, d.m.th. kujtesa ringjallet jo vetëm si një shenjë e së shkuarës, por edhe si një lajmëtar i asaj që do të vijë.

Megjithatë, një qasje tjetër ndaj vdekjes së Komandantit ofrohet në tërësinë e këtij stili të Kullës. Kujtimi i kohës ia lë vendin çastit të pritur prej vitesh të konvulsioneve të fundit trupore deri tek çarçafi i lagur. Këtu lexuesi ka mundësinë të përjetojë vdekjen nga gjenealogjia e saj, diagnoza, distancimi gradual nga njerëzit dhe planet e tyre të kota, tjetërsimi nga trupi, humbja e kuptimit. Vdekja zotëron insinuatat e personazhit, duke shkuar aq larg sa të provojë momentet e tij të fundit si një staturë tjetër të shkërmoqur në humorin tipologjik të skenës që ndodh. “Gjatë natës trupin e Komandantit e kishin zhvendosur në zyrën që i patën marrë nënkryetarit  të Parlamentit dhe që specialistët patën arritur ta shndërrojnë në frigorifer. Provat me parametrat e frigoriferit kishin dalë mjaft mirë dhe në orën tre e dhjetë të mëngjesit, prijësi i vdekur qënkesh vendosur atje.”– një oksimoron i fortë që parashikon për lexuesin përjetimin e vdekjes së Komandantit. Dhe kur lexuesi është në prag të vështrimit në lehtësinë dhe skenën del ajo që tashmë nënkupton shumë gjëra: “Në ditët që do të ekspozohet trupi për vizitorët”.

Kulla tregon aftësi në të folur në situata të ndryshme, situata që sjell në pah vetë atë që e bën gjuha e magjisë e fantastikes aq misterioze dhe e frikshme, e butësisë dhe dhunës fëminore, e filozofisë së jetës dhe e bisedave të përditshme.,Këto gjuhë formojnë një konglomerat që lejon shkrimtarin të jetë fleksibël. Kështu, ndjenja e sigurisë së lexuesit shpesh tronditet nga një detaj, ose situatë e parëndësishme që ndodh spontanisht që ndryshon gjuhën e pritshmërive fillestare. Ndjenja në dukje e lojës, gëzimi përrallor, vajtimi, sentimentaliteti mund të vërshojnë shpejt në kodet e përmendura të pushtetit, dhunës, sensit të jetës dhe vdekjes, tejmbushje, e cila mund të bëhet edhe në drejtim të kundërt, pa theksuar qartësinë e kontrastit. Shkrimi i Pëllumb Kullës është në gjendje të na lërë përshtypje si lexues dhe të na bëjë të mendojmë si njerëz, se ky roman nuk është sikurse quajti në fillim vdekja e …, por nuk është as „Lamtumira e Komandantit!“. Këto janë rrëfime filozofike të pjekura e të gatuara në humor të paparë, letërsi e pashkruar më parë, mesazhet e të cilave rezonojnë si një premtim serioz për kohën e ardhshme dhe që meritojnë një shqyrtim kritik në të ardhmen.

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page