Fatmir Terziu: Konaku “Hodaj” si hapësirë e kujtesës kulturore dhe vazhdimësisë identitare
- May 4
- 4 min read

Konaku “Hodaj” si hapësirë e kujtesës kulturore dhe vazhdimësisë identitare
UNESCO dhe studimet bashkëkohore mbi patrimonin jomaterial theksojnë se kultura jeton jo vetëm në monumente, por në praktika, rituale, mikpritje, kujtesë dhe rrjete komunitare. Në këtë optikë, Konaku “Hodaj” bëhet shembull konkret i një trashëgimie të tillë: një vend ku memoria nuk muzeifikohet, por vazhdon të prodhojë kuptim.
Prof. Dr. Fatmir Terziu
„Mjeshtër i Madh“
Në traditën shqiptare, fjala konak nuk është thjesht një emërtim arkitektonik. Sipas kuptimeve të përfshira në fjalorët e gjuhës shqipe, konaku përkufizohet si një shtëpi e madhe, bujtinë ose ambient pritjeje, shpesh me funksion mikpritës, ku udhëtarët, mysafirët dhe miqtë gjenin strehë, ushqim dhe siguri. Në një kuptim më të thellë antropologjik, konaku ka qenë historikisht institucion social: vend i fjalës, i besës, i kuvendit dhe i ndërmjetësimit kulturor. Në hapësirën shqiptare, nga veriu në jug, konaku nuk ishte vetëm banesë, por një mikrokozmos i organizimit shoqëror, ku ndërtohej marrëdhënia midis individit dhe komunitetit. Por në qoftëse do të njohësh nga afër vëllezërit Hodaj, apo rrënjët e tyre natyrshëm tek „Xhaxhurët“ në Elbasan do të ndjesh një kuptim më të thellë akoma.
Rëndësia e këtij termi buron pikërisht nga përmasat e tij simbolike. Konaku ka qenë gjithmonë një pikë gravitacioni e kujtesës kolektive. Në të ruheshin jo vetëm objekte dhe tradita materiale, por mbi të gjitha rrëfime, kode etike dhe forma të trashëgimisë shpirtërore. Në këtë kuptim, konaku shqiptar është pararendës i asaj që sot studimet e kulturës e quajnë hapësirë e memories sociale, një vend ku e kaluara bëhet aktive dhe merr funksion në të tashmen. Pikërisht mbi këtë themel semantik dhe kulturor merr kuptim të plotë nisma për vendosjen e pllakës përkujtimore në hyrje të shtëpisë së familjes Hodaj, në lagjen e njohur të „Xhaxhurëve“ në qytetin e Elbasanit. Shënimi, apo nënshkrimi njërës prej pankartave “Konaku ‘Hodaj’, Vatër e Poetëve dhe Artistëve, nga Misioni Kujtesë për Vazhdimësi” nuk është vetëm një akt ceremonial, por një kodifikim publik i një historie tashmë të konsoliduar në memorien komunitare.
Ky akt përfaqëson një kalim domethënës nga kujtesa private në kujtesë publike. Shtëpia e familjes së z. Lefter Hodaj, e njohur ndër vite për mikpritjen, bujarinë dhe hapjen ndaj njerëzve të artit, kulturës, medias dhe sportit, merr tashmë statusin simbolik të një institucioni kulturor informal. Në një kohë kur hapësirat autentike të takimit njerëzor po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga komunikimi virtual dhe fragmentarizimi social, një konak i tillë fiton vlerë të shtuar si vend i ruajtjes së marrëdhënieve organike. Nisma duket se buron nga nevoja për të identifikuar dhe dokumentuar ato qendra të heshtura të kulturës, të cilat shpesh nuk figurojnë në hartat institucionale, por kanë luajtur rol të rëndësishëm në formimin e rrjeteve intelektuale dhe artistike. Prandaj, misioni “Kujtesë për Vazhdimësi” bart një filozofi të qartë, kultura nuk mbijeton vetëm përmes monumenteve të mëdha apo institucioneve zyrtare, por edhe përmes ruajtjes së vendeve ku janë kultivuar lidhjet njerëzore dhe vlerat shpirtërore.
Ceremonia e zhvilluar në hyrje të kësaj shtëpie dëshmoi qartë këtë dimension. Prania e figurave të njohura si tenori Kastriot Tusha, gazetari Aleksandër Çipa, poetja Shqipe Bytyçi, Mimoza Leskaj dhe përfaqësues të diasporës shqiptare nga Greqia e Zvicra, e shndërroi ngjarjen në një akt të përbashkët afirmimi kulturor. Këta personalitete nuk ishin thjesht të ftuar ceremonialë, por dëshmitarë të një realiteti të gjallë, se Konaku “Hodaj” ka funksionuar ndër vite si hapësirë e mikpritjes krijuese. Deklarimet e tyre janë domethënëse në aspektin diskursiv. Kur Kastriot Tusha e quan këtë konak “tempull të vogël të shpirtit shqiptar”, ai e zhvendos konceptin nga arkitektura drejt sakralitetit kulturor. Aleksandër Çipa, duke e cilësuar vendosjen e pllakës si “akt kujtese dhe përgjegjësie”, e vendos ngjarjen në një kontekst etik e qytetar. Dashamirësja e poetëve dhe artistëve, e respektuara mësuese dhe drejtuese e arsimit në vite Anila Çota përcjell emocione të tjera. Ndërsa poetja Shqipe Bytyçi dhe Mimoza Leskaj theksojnë dimensionin emocional dhe identitar, duke e lidhur këtë vatër me rrënjët dhe vazhdimësinë e identitetit shqiptar. Nga larg, e përlotur, por jo e pranishme në këtë festë madhështore, iniciatorja e këtij evenimenti, poetja e mirënjohur, tashmë Nder i Elbasanit dhe Qarkut të Elbasanit, Iliriana Sulkuqi, Fejzullahu, përcjell lotin e saj poetik në vend të urimit të përzemërt për të gjithë Hodajt, për të gjithë Konakun, për Ilin, Titin, Lefterin e të tjerët.

Po pse pikërisht Vatër e Poetëve dhe Artistëve? Sepse një vatër, në kulturën shqiptare, është më shumë se zjarr fizik; ajo është qendra e ngrohjes shpirtërore, e bashkimit dhe e frymëzimit. Kur një shtëpi bëhet vend takimi për poetë, artistë, gazetarë, sportistë dhe miq të kulturës, ajo tejkalon funksionin familjar dhe shndërrohet në një laborator të shkëmbimit kulturor. Konaku “Hodaj” ka fituar këtë status jo përmes një vendimi formal, por përmes praktikës së vazhdueshme të mikpritjes dhe ndërtimit të komunitetit. Në aspekt më të gjerë, kjo ngjarje përfaqëson një model interesant të trashëgimisë së gjallë kulturore. UNESCO dhe studimet bashkëkohore mbi patrimonin jomaterial theksojnë se kultura jeton jo vetëm në monumente, por në praktika, rituale, mikpritje, kujtesë dhe rrjete komunitare. Në këtë optikë, Konaku “Hodaj” bëhet shembull konkret i një trashëgimie të tillë: një vend ku memoria nuk muzeifikohet, por vazhdon të prodhojë kuptim.
Fjala e z. Lefter Hodaj e përmbledh në mënyrë të natyrshme filozofinë e kësaj nisme: “Kjo derë ka qenë gjithmonë e hapur dhe kështu do të mbetet.” Kjo fjali bart një etikë të lashtë shqiptare, ku dera e hapur nuk është vetëm akt mikpritjeje, por deklarim identitar. Në kulturën tonë, dera e hapur është metaforë e besimit, e nderit dhe e solidaritetit. Prandaj, vendosja e pllakës përkujtimore nuk duhet lexuar si një akt izoluar simbolik. Ajo është një ndërhyrje kulturore me funksion dokumentues dhe edukues. Ajo i thotë komunitetit se ekzistojnë hapësira që meritojnë të ruhen, jo sepse janë të vjetra, por sepse janë të mbushura me histori, kujtime dhe marrëdhënie njerëzore.
Në fund, Konaku “Hodaj” përfaqëson një model të rrallë të vazhdimësisë shqiptare, aty ku shtëpia bëhet institucion, mikpritja bëhet kulturë dhe kujtesa shndërrohet në mision. Kjo është arsyeja pse formula “Nga Misioni Kujtesë për Vazhdimësi” nuk është vetëm një moto, por një koncept i domosdoshëm për kohën tonë, kujtesa nuk është kthim nostalgjik në të kaluarën, por themel për të ardhmen.








Comments