top of page

Fatmir Terziu: Komshillëku


Komshillëku

Nga Fatmir Terziu

 

Në Fjalorin më të ri të Gjuhës Shqipe, ekziston fjala „Komshi“ dhe shpjegimi i saj. Një fjalë tjetër, e ngjashme, por me një kuptim më të thellë, „Komshillëk“ duket larg, dhe thuhet se ekziston vetëm në një hapësirë të ngushtë. A e dini se çfarë do të thotë komshillëk? Për mua, ky është kontributi shqiptar për të kuptuar universin si një pafundësi kohe dhe hapësire. Në kushtet e sotme, natyrisht me një traditë të shkulur nga të parët, në mjedisin ku jetojmë do të thotë, të hysh në mënyrën më miqësore në hapësirën personale të fqinjit. Dhe kjo në anën tjetër të mjedisit dhe vendit ku unë jetoj ndoshta është e barabartë me një vrimë të vogël në gardhin e oborrit.

Njëherë e një kohë, shqiptarët ndanin copa jete përmes „komshillëkut“. Disa në një tas me grurë. Disa në një copë bukë çerepi dhe saçi. Dhe vetëm kripa e buka mund të kalonin nga dora në dorë në këtë „komshillëk“ unik të respektit dhe ekzistencës. Aq e ngrohtë dhe aromatike tingëllon në veshët e mi ajo lidhje, sa nga drithërima e kripës nga „komshillëku“ prej shijes së saj deri tek vetmia në zemër, duket se tashmë përshkon nëntë male, dhe të kaplon në të dhjetën!

Njerëzit atëherë nuk kishin nevojë për ndonjë rimishërim për t'u ndjerë të kënaqur që ishin këtu dhe tani. Tek ta mjaftonte trupi dhe shpirti. Dhe që ata të mund të përcjellin, përgjatë zinxhirit të „komshillëkut“, kuptimin e jetës, gëzimin që i jepej vetes në një moment të ngushtë, kur të vinte miku dhe të mungonte ndonjë gjë, dhe thjesht me një fjalë të ndershme, të shpenguar në një lot të shpëtuar, ti e ktheje në krenari.

Ka një orë që po bie shi si gjilpëra, duke shpërthyer flluskat e mendimeve të mia të ngatërruara. Kur bie shi si gjilpëra, është më mirë të mos mendosh fare, sepse mendimet e tua do të zbërthehen në lecka të lagura me modele të shthurrura. Si një lloj pecete shtëpiake të panevojshme të groposur në baltën e oborrit. Gardhi midis dy banesave e forcon kufirin midis oborreve tona me një mërzi të lartë prej druri. Më vjen befas se gardhi anglez nuk ka fytyrë. Është „me pas-shpinë“, ndoshta si një taktikë luftarake e provuar kundër ndjenjës së butë të „komshillëkët“, këtij emigranti absolutisht të papranueshëm nga Shqipëria në tokat lokale. Me lëvizje të ngadalta, të matura, një gjigant trupmadh me rreth pesëdhjetë mendje më hyn në ndjesi dhe më drejton aksionet e njohurive të mia mizore në tokën ku jetoj, punoj dhe integrohem, gati këtë herë për të gëlltitur stoikisht rembat e gjakut të prishur në emër të traditave shekullore britanike.

Kolosi është ama një zbutës i bukur dhe disi i thatë në aurën e tij të zhytur në mendime të gardhit, përmes së cilës me fuqi goliath ngërthen gardhin e rendit midis jetës së trazuar në dyanësi. Çdo njëzet minuta, përpjekja e tij ritualiste për të ndërtuar një përjetësi prej druri midis dy kopshteve të shpërfillura, një sekujeje dhe një soditjeje rilindase të asaj që është arritur deri tani, rrëmben fytyrën fisnike dhe pa shprehje të artistit të disiplinuar.

Njëzet minuta luftime. Dhjetë minuta pushim nga puna. Pas tre centimetrave të lejuar të perdes së hapur, vëzhgoj lëvizjet dhe zbehjet rituale të këtij perceptimi mbresëlënës, puna ciklike dhe admirimi i të cilit për atë që ka arritur, më pushton në një ekstazë të sinqertë, kontinentalisht të pakontrollueshme.

Nëse je mashkull dhe ndodh të vëzhgosh zbaticat dhe rrjedhat ritualiste të një femre imponuese, cikli i punës dhe adhurimi mbi arritjet e cë cilës të magjeps në një ekstazë të vërtetë, kontinentalisht të pakontrollueshme, dhe ndodh që të jesh në MB, mos harroni kurrë këtë: 1. Bukuria e spektaklit që ju prezanton kjo femër impozante, në fakt e merr frymëzimin nga riti dhe tradita e respektit tuaj. Dhe: 2. Për shkak të mungesës absolute të shokëve shpirtërorë në Britani, praktikisht nuk keni asnjë shans të mësoni asgjë për njeriun imponues, fatin e tij, të ardhurat dhe ëndrrat e mundshme, ndoshta dhe të turpshme.

A mund ti afrosh një kafe? Kjo varet. Varet nga shumë gjëra… Një ditë si kjo me shi ndoshta nuk mund të kuptohet pse perceptimi mashkullor që ngul e shkul gozhdë në gardhin e ri të komshijes kërkon të mbaj larg „komshillëkun“. Kur i ftuari muskuloz mbaroi ndërtimin e vijës kufitare midis dy banesave të bashkëngjitura, i puthi dorën zonjës që bënte Joga pas gardhit të ri dhe u largua. Një gëzim zogu fluturoi në zemrën e saj. Vura re se në këndin e poshtëm djathtas të kryeveprës së tij të palëkundur, ky zotëri kishte interpretuar versionin anglisht të „komshillëkut“. Një vrimë e vogël, që mulohej me një llamarinë me menteshe, aq sa mund të kalonte vetëm macja e zonjës.

Por vetëm kaq. Mendja ime e hutuar nga mospërputhja ballkanike përballë barrierave, të fus dorën herë pas here dhe t'i lë pak raki fqinjit tim, derisa ai të mësojë se si një gllënjkë e zier në Skrapar, apo përmet kalon menjëherë Ngushticën e Kanalit me trenin më të shpejtë... Unë fshij sytë dhe prej inagurimin që do ti bëj gropës së „komshillëkut“ macja që ka disa muaj është me dietë moderne. Dhe fshij lotët që më bien nga sytë… Ndoshta në emër të vëllazërisë botërore! E bëj edhe unë?! E bëj pas shtrydh pak ndjesi dhe njohuri perceptuese tek „komshillëku“. Një fjalë e ndershme e shpenguar në një lot të shpëtuar!

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page