Fatmir Terziu: Jo thjesht për ta rikujtuar Prof. Eduart Gjini…
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 11
- 6 min read
Updated: Jun 12

Jo thjesht për ta rikujtuar Prof. Eduart Gjini…
Prof Dr Fatmir Terziu
Mendimi im, është shpeshherë, një gërmim i thellë në largësi. Ai depërton thellë. Fluturon larg dhe lart. Afrohet afër. Kthehet shumë, shumë larg në të kaluarën. Më pas, fluturon nëpër rajonin e mjegullt. Disa herë përhumbet. Me raste dëgjon pëshpëritje. Të folura, sikurse flasin fantazma të kohërave të harruara. Disa herë dalin zëra. Shpesh dalin vetëm zëra të zhytur në astarin e bardhë të kostumit të përjetësisë.
Në këtë rast mësyn imagjinata ime. Imagjinata ime? Më saktë ajo që furnizohet nga mendja ime. Diku ngec një laps. Diku një penë. Diku një shishe boje. Diku një stilograf. Diku një stirolaps. Të gjitha, në errësirën e gërmimit, më ngjajnë me ndonjë mjet gërmimi, të ndonjë prej atyre që përdornin arkeologët.
E pos kësaj e ndjej veten kaq afër me këtë profil. Kurioziteti me këtë rast kërkon e kërkon… Si një arkeolog gjatë gërmimeve, kërkon e gërmon, gërmon në kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë. Kurreshtja rrëmbehet gjithnjë e më shumë në përpjekjet e saj dhe gjen në atë kohë të largët për mua gjëra të dashura, imazhe të çuditshme, të varrosura në barërat e harresës, dhe me kënaqësi ndalet në to dhe nuk dëshiron të ndahet prej tyre.
Aty flasin vetëm heshtjet. Vetëm barërat. Vetëm gurët e bashllagët. Zoti është një dëshmitar i pazëvendësueshëm… Zot, me gërmimin e parë, çfarë tufe vizionesh kërcyen nga varrezat e gjërave të vdekura!
Dhe tani imazhet e zbehta ringjallen në thellësitë e kujtesës sime. Duket se të gjitha janë kaq të dëshiruara dhe të dashura për zemrën time! Dhe shpirti im, me mall të ëmbël, dëshiron të qëndrojë më gjatë në atë botë të kthjellët të fëmijërisë. Dëshiron të freskohet në atë botë pafajësie dhe gëzimi, të besimit të thjeshtë në mirësi, edhe pse ai, tani i shkatërruar në zhgënjimet dhe stuhitë e jetës, i ngrënë nga dyshimet e hidhura, i tradhtuar nga përvoja e jetës...bën thjesht detyrimin.
Jo se ato vite ishin të lira nga pikëllimi dhe hidhërimi. Kishte natyrisht nga të gjitha. Dhe të gjitha si natyrshmëri ekzistence, janë shoqëruese të njeriut që nga djepi. Por diku tashmë janë si puna e errozionit. Shumica janë fshirë. Vetëm anët e ndritshme të gjërave janë të dukshme dhe nga distanca nga e cila e shikojmë atë kohë, gjithçka në të na duket e ndritshme dhe e gëzueshme, qëndron një kristal i lëngët magjik dhe i kaltër, si një mal i largët në horizont: humnerat, shkallët, majat nuk janë të dukshme dhe vetëm vijat e tyre harmonike vizatohen me një bukuri të admirueshme në qiell...
Por tani dëshiroj, duke udhëtuar në këtë mori të madhe kujtimesh, të ndalem vetëm në disa imazhe që atje, nga thellësitë e së kaluarës sime, më shikojnë herë duke qeshur, herë të ashpër, por po aq të dashur për shpirtin tim…
Atë ditë Kristoforidhit i ishin mbledhur një tufë kumurish. Afër e afër, aq afër…, përkitazi gugiteshin. Përkëdhelnin Abetaren e Kristoforidhit në prehërin e tij dhe pastaj ndiqnin një itinerar që vetëm kumuritë dinë ta ndjekin. Ndërsa sytë tanë, sikurse ndodh me sytë, përcillnin bisedën tonë në tavolinë, dhe diku gjetkë ndonjë tjetër pikasje të bashkëlidhur me qllim…

Isha ulur pas shumë vitesh për një kafe me një nga figurat e respektuara të fushës së Arsimit në Elbasan, Eduart Gjinin. Në fakt ishte një kërkesë e imja e hershme, që bisedë e papërfudnuar në kohën që ishte TV-Dardan, por mjaft e qetë, intelektuale dhe e ndjeshme. Diçka më e madhe, më e fuqishme se kafja dhe vetë biseda na lidhte të dy, pikërisht nën atë gugitje kumurish, pikërisht aty ky Elbasani „mburret“ me të madhin Kristoforidh…
E ndërsa mbaja shënim datëlindjen e tij 1 shtator 1949, përbri shënoja Elbasanin. E kështu me radhë…, duke shtuar atë që zakonisht thuhet si rëndomtë, por që në këtë rast pikëtakon fort, se vërtet ai lindi në një familje me tradita të rrënjosura patriotike dhe atdhedashëse, të përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë. Në qetësinë e bisedës ndjej thjeshtësinë e rrjedhën e bukur të fjalës. Sot ndërsa shkruaj, kur kfja dhe biseda janë një e shkuar dhe vetë Eduart Gjini na ndjek nga Lart, dua të them se në të gjitha nivelet shkollore ku Eduarti merrte mësimet, ka qenë gjithmonë i dalluar për cilësi të larta përgatitore, i përgjegjshëm dhe kërkues ndaj vetes. Që herët, pas mbarimit të Shkollës së Lartë në Fakultetin e Shkencave Ekzakte në Degën Fizikë, ku mbaroi me rezultate të larta, emërohet Drejtor i Gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut. Aty Eduarti shquhet për punë organizative dhe rritjen cilësore të mësimdhënies së kësaj shkolle. Rreth periudhës 1975-1976, emërohet Kryeinspektor në Seksionin e Arsimit në Elbasan, detyrë të cilën e kreu me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm deri në fillim të tranzicionit. Falë punës së tij organizative dhe kërkuese, në këtë periudhë e në vazhdim, Elbasani u bë qyteti etalon në olimpiadat e ndryshme kombëtare të shkencave ekzakte, duke nxjerrë nxënës të mirëpërgatitur, konkurrentë të fortë, dhe fitues të merituar. Pas viteve ’90, emërohet drejtor në Shkollën “Qamil Guranjaku” të Elbasanit, nga këtu, Drejtor i Gjimnazit “Dhaskal Todri” po në Elbasan, e më pas në Shkollën Profesionale “Salih Çeka”, ku dhe mbylli karrierën e tij si drejtues e mësimdhënës.
Ama, rreth këtij personi, atmosfera komplekse dhe e mrekullueshme e arsimit, i gjithë arsenali i metodës së mençur të tij, ngrihet në kujtimet e mia me të cilat mbajta shënime dhe natyrisht e intervistova dhe e vizitova në institucionet ku ai punoi pas viteve 90-të: Këndet i Klasave dhe tabelat efikase në mure, kompletimet, mbi të cilat shqiptoheshin me zë të lartë aftësitë dhe përvojat, po aq dhe fjalët e mëdha të shtypura nën drejtimin e përvojës së tij me një eksperiencë të lartë, përmbledhja e të cilave udhëhiqte aftësitë e tij mëdha drejtuese.
Në të gjitha shkollat dhe institucionet që ka punuar, por dhe në jetën shoqërore, veçantia dhe vlera e tij më e lartë, ka qenë korrektësia, përkushtimi, mënyra pozitive e komunikimit me eprorët, vartësit apo njerëzit e thjeshtë, si dhe përgjegjshmëria në sipërmarrjet e ndryshme që nuk ishin të pakta. Eduarti shquhej për urat lidhëse midis shkollave dhe drejtorëve të tyre, jo thjeshtë si epror, por si bashkëpunëtor në funksion të cilësisë së punës drejtuese dhe metodikave të nxënies.

Është nder kur themi se Eduarti me cilësitë e tij, krijoi një familje të shëndoshë nga ana morale edukative, por edhe me cilësi të larta intelektuale. Bashkëshortja e tij Fatbardha Gjini, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, dhe njeri i nderuar në hapësirën shoqërore të qytetit dhe më gjerë. Gjithashtu edhe vajzat Albiona, Erida dhe Klodiana, duke u lindur dhe rritur nga dy prindër të mrekullueshëm, janë po aq të nderuara dhe intelektuale shembullore.
E duke përfunduar me këtë përkujdesje të fjalëve të mençura të të paharruarit Eduart Gjini, të asaj rrjedhe thjeshtësie, të asaj kohe të shkuar e të ritreguar, që vetë ai e duroi me intelektualizëm dhe profesionalizëm, natyrisht nuk mund të lë pa përmendur atë që kishte mësuar dhe nga i Ati… I ati i kishte treguar për kohëra të tjera…Dhe, Eduart Gjini, niste e më tregonte…
Siç mund ta shihni, unë nuk kam harruar!... Në ato të treguara prej tim eti, mund të shihet edhe egërsia e lindur e një kohe tjetër, të ngurtësuar nën peshën e zgjedhës shekullore, të zbehur ndaj ndjenjave njerëzore dhe mëshirës ndaj të dobëtëve, sepse nuk i kishte hasur kurrë ato ndaj vetes te tiranët. Zakonet e ashpra dhe konceptet e ashpra të edukimit ishin bashkuar për ta bërë shkollën jo një tempull të shenjtë të shkencës fisnikëruese, por një vend inkuizicioni dhe torture, mendimi i të cilave e bënte nxënësin të zbehej ndërsa nisej për në shkollë në mëngjes. Baballarët dhe mësuesit ranë dakord dikur, pikërisht në ato kohëra, që ne do të duhej ti ndryshonim me efikasitet, me elegancë e kulturë, për shenjtërinë e shkopit, „një bimë e rritur nga parajsa“. Babai, i cili po e çonte të birin në shkollë për herë të parë, do t'i thoshte solemnisht mësuesit:
- Mësues, po të jap mishin, më kthe kockat: bëje si burrë!
Dhe mësuesi, shpesh një njeri shumë i mirë, siç ishte mësuesi i asaj kohe, i vetëdijshëm plotësisht se po bënte një vepër të mirë, kreu „mizori“ kundër „viktimës“ së tij të pambrojtur me qëllim që të nxirrte prej saj një person të mirë...
Le të mos i fajësojmë këta mentorë, le të mos i fajësojmë këta baballarë, mizorë në verbërinë e tyre, të egër në dashurinë e tyre. Ata nuk gabohen, ata ishin bij të epokës së tyre. Le t'i dërgojmë edhe një përkulje mirënjohëse shkollës shqipe të asaj kohe: çfarëdo që të ishte, ka një meritë të madhe: përgatiti të ardhmen... Edhe ne duhet të falim, të mësojmë nga gabimet dhe ecjen tonë Perëndimore të edukimit të mos e ndalim…
Comentarios