top of page

Fatmir Terziu: Iku nga kjo jetë Ai, por jo vepra e tij!


Tashmë kronikat, kanë kuajt e tyre të bardhë që të bëjnë udhë të tjera midis bardhësisë dhe errësirës, që nga hapja e një perdeje otomane deri tek guri që pikëtakon themele të vjetra e të reja, duke përshkruar një histori të gjatë, të kërkuar e të shumëkërkuar si këngë, mit, legjendë, moral, kontradiktë, miqësi dhe armiqësi, art dhe artefakt, shkrim në Gjuhë të bukur Shqipe, përkthim në gjuhëra të tjera, dhe jo pak, duke i hequr dhe duke i vendosur bindjen dhe lëkundjen e mëposhtme: Kjo ishte vetë epoka, me zgjimin, talentin, guximin, frikën, arritjen, botimin dhe sfidën e saj të papritur, tekat e saj të arsyeshme e të paarsyeshme, shqetësimet e saj instinktive, guximin e saj të vrullshëm, zhurmat dhe ndjeshmërinë e saj të shijueshme e hera-herës të debatueshme, midisja midis shokut, kolegut dhe zotërisë. Sot është Gjeniu për një palë. Sot është ndryshe për një tjetër. Sot Ai ka lënë pas veprën e tij, dhe gazetat, ekranet, mediat sociale, blogjet, ata që e lexuan dhe ata që s'e lexuan, ata që do të flasin dhe kur pretendojnë se sot flasin…

Kush foli kështu? A ishte heroi i vetë Epokës, i prirur të mbetej Maja e penës së strukur poshtë dritëhijeve? A ishte Kadare individi, i pajisur nga përvoja e tij personale me një filozofi të pakapshme? A ishte Kadare autori që shpreh idetë 'letrare' mbi realitetin? A është urtësi universale? A ishte psikologji didaktike? Ai tashmë iku. Iku sikurse ikin me IK… Iku në veprën e tij i Madh. I madh dhe më i madh për të Huajt ( përkthyer në gjuhë me numërime dy shifrash…)

Ne nuk do ta dimë kurrë, për arsyen e mirë se shkrimi është shkatërrimi i çdo zëri, i çdo pike origjine, ku buron dhe thahet heshtja. Shkrimi është ajo hapësirë ​​neutrale, e përbërë, e zhdrejtë ku subjekti ynë rrëshqet, ajo forma negative ku humbet gjithë identiteti, duke filluar nga vetë identiteti i shkrimit të kujtesës dhe vetë harresës, në vellon e heshtjes e të mospërqafimit të dualitetit Shkrimtar-Njeri. Sot la mënjanë penën e tij shkrimtari që i dha emër Shqipërisë. Iku nga kjo jetë Ai, por jo vepra e tij!

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page