top of page

Fatmir Terziu: I numëruari i Gushtit të Fundit dhe...



I numëruari i Gushtit të Fundit

Nga Fatmir Terziu

 

Para pak ditësh u largua i numëruari i fundit i Gushtit të Fundit. Iu duk se ishte me fat, që po filmohej përherë të parë, sepse tashmë numri i tij po mbyllte një numërim zyrtar. Dhe pas tij,  thuhej se do të shfaqej numërimi i tij në një film, jo si tek "Dimri i Fundit" me frikë (Gjermani e priste në Gjermani), pasi në skenar, thuhej se do të vazhdoj akoma më shumë numërimi tek sezioni i madh vjeshtor disamilionësh turistik. Ndaj ai u ndje mirë kur e dëgjoi në korr ky ishte disamilionëshi historik i turizmit veror!

E ai u ndje disi i emocionuar, në fakt, kur pa se edhe ai me këtë numërim kishte bërë padashje pakt. Edhe pse ishte shqiptar, dhe pse kishte ardhur të shihte të afërmit e tij në shtëpinë e tij për pak ditë në lista quhej turist! Ky turist shqiptar, e ndjente veten ndryshe për herë të parë. Kishte hyrë krejt pa menduar e papritur në këtë numërim filmik, në këtë listë meritore, jo më nga veprat, por nga xhepat. Heshti një çast dhe nisi të zbërthente ato që kishte dëgjuar e që po dëgjonte…

 

***

 

Për xhepat e e shqiptarëve, që jetojnë, punojnë dhe aktivizohen jashtë Shqipërisë, dhe që erdhën dhe vizituan Shqipërinë askush nuk pyet. Për Ministrinë e Turizmit kthimi i tyre i përkohshëm është statistikë. Për pikat doganore e në kalimet e tjera më tutje është vetëm mburrje. Për zyrat në shtet ardhja e tyre është festë. Për bashkitë në mos më pak është arkë. Për tregjet në rrugë e në sokak është bankë. Për supermarketet është sikurse me të tjerët, tek çmimet dhe standartet. Për dyqanet ku këmbehen valutat është ngjashëm me batutat (e pyeti shoku-shokun, teksa dilet nga një Këmbimore në Shkodër, pse qesh: Eh, more vëlla dola rru' e qeth(!?)). E për të tjera edhe sikur ti them askush nuk ngre më ndonjë problem.

Ata vijnë dhe fjalorët e xhepit nisin e shpërthejnë sipas rastit. Bilbilat e policisë i quajnë „drejtues të pakualifikuar“, kafenetë „vizitorë të vonuar“, e në raste të tjera në fakt, mbesin gojërat tek nofka „emigrant“. Kudo dëgjohet përkitazi, erdhën emigrantët, do rrinë këtë muaj dhe do ikin: „Miku im, mikja ime kujdes çmimin! Çmimin… E gjizës, kujdes, mos e shit nën… Emigrantët duan speca me gjizë. Ata duan…“ Dhe gjiza u tretet në bark. E kanë hak! Hak brenda kësaj matrice, brenda kësaj ane arithmetike, ku nuk bën askush sy, qoftë dhe një nga ata ligjorët e syrtareve, që shkon të kontrolloj fjalorin tek emri çmime.

Çmimet kanë bërë udhë të gjatë në xhepin dhe kursimet e tyre. Biletat janë sikurse ndodh me raketat. Ngrihen nga toka dhe plasin duke zhurmuar në ajër. Çmime marramendëse udhëtimesh. Çmime marramendëse kostosh.. Gjithkush e nis me një faturë të padjegur dritash, me një ujë të papirë, me një taksë bashkie për pastrimin që kurë se ka bërë pis, me një mistri në dorë për suvanë e rënë gjatë dimrit, me një shuk para për hidraulikun, që e lut dhe nuk e gjen më kafeneve, e … pastaj në fund me veten. Me veten se ka ardhur, pra ka mbërritur emigranti për pushime…

Pushime të mbara, me një risi të re, i numëruar si tek „Dimri i Fundit“ në rrëmujën turistike të Pyllit të Ri të xhirimeve propagandistike. Dhe ku do të vësh pikën? Ku ta gjesh të plagosurin me kusurin e xhepit? Tek shazlloni? Kush më thotë sa ju kushtoi?! Tek veza surbull, apo ajo e … Eh, kush e bëri vezën, e kush pulën, pula-vezë e veza pulë, seç u trash kjo formulë. E kënga e pupullit shkon larg në fakt. Aty ka muzikë dhe përditë pa frikë. E kush mund ta quaj ndotjen akustike ndonjë problem për veshët e lodhura e të dyllosura të emigrantëve?

Për larushinë që sjell gushti, sidomos në Shqipëri, është një muaj që po hyn në histori. Shpëtimtari i arkës së shtetit, dhe i xhepit të miletit, tashmë pa frikë quhet muaji gusht që të gjitha ardhjet, prurjet dhe tkurrjet i mbledh me një grusht. Në një grusht të tillë e vërteta është se gjithçka zë fill. E fill nuk është më trill. Është thirrje publike: Mirësevini në Shqipërinë turistike! Por është edhe një kujtesë, ndoshta në kthimin emigrant me vonesë: I dashur votues kësaj radhe kujdes „votën“ tënde virtuale, mos harro dhe patjetër të na urdhërosh edhe në vitin tjetër. Vitin tjetër kujdes, është viti zgjedhor 2025-së!

Kështu ky lloj emigranti, mes vapës që i ngjan prushit, duket se në sytë e sotme të shqipërisë zyrtare është i numëruari i Gushtit të Fundit. Themi kështu, se në vitin tjetër do të jenë edhe zgjedhjet e përgjithshme, dhe një përllogaritmë tjetër ndoshta do të jetë më e bindshme.  Më e bindshme, apo akoma më e frikshme?! Gjithkush kur ti lexoj këto fjali, do të thotë ne i dimë të gjitha. Po fundja tani kemi shtet të rilindur, kemi dhe një ise aty nga „Mjaft“, dhe prandaj zyrtarisht pasgushtin e përcjelljes dhe shtatorin e vjeljes e nisëm aritmetikisht nga dyert e mbyllura në Dajt. Ndaj i dashur emigrant, pos rrjedhës, kujdes votën virtuale të 2025-ës!

37 views0 comments

Hozzászólások


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page