top of page

Fatmir Terziu: Hipokrizia e dobishme e një duartrokitjeje


Hipokrizia e dobishme e një duartrokitjeje

Nga Fatmir Terziu

 

Thuhet se përkulja e Kryeministrit të Shqipërisë para shqiptarëve në Athinë kishte një vrull emocional.  Ajo ka shkuar madje më tej në histori... me një duartrokitje masive që disa e quajnë historike. Ndaj, bazuar tek kjo dhe mjaft të tjera, shpejt përpara na dalin lidhje imazhesh, dhe imazhet ndalen në vitet e para nëntëdhjetës. Ndërsa bota qëndronte naive me atë që ndodhte në Shqipërinë e udhëhequr nga komunistët ne lexonim madhështinë e dëgjonim brenda “gardhit” rrjedhat e burrërimit të fjalimeve të udhëheqësit të lavdishëm.

E përmend këtë episod vetëm sepse javën e kaluar, në një takim madhështor Kryeministri i Shqipërisë duke folur me një guxim të jashtëzakonshëm kapërceu vërtetë historinë. Dikush e quan madhështi, dikush e cilëson thjesht një hipokrizi, e cila pason nga emocioni në emocion, dhe me tonin patriotik e nacionalist gati të verbon. Aty në atë sallë me Flamurin Kombëtar askush nuk pervalon. Kombëtari valon... Po kjo shfaqje e hipokrizisë a të tradhëton?

Kjo shfaqje befasuese e hipokrizisë solli në mendje atë rresht nga Game of Thrones, ku Jon Snow thotë: “Gjithçka përpara fjalës "por" është dreq.” duke zbukuruar dhe përforcuar fjalimin e Ramës. Duke ndjekur parimin e trefishtë të Aristotelit për retorikën (etos, logos dhe pathos), Rama shtjellon fjalimin e tij duke ngritur një dhimbje për autoritet moral. “Ju erdhët në këtë djep të civilizimit të vjetër të Greqisë së lashtë për t’i ikur gërmadhave të regjimit komunist dhe mallkimit të tij të varfërisë më ekstreme. Kapërcyet male, fjetët nëpër parqe, kisha, stola rrugësh, dolët pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe si kuajt në pazarin e gjësë së gjallë afendikotë që ju merrnin për një punë të zezë krahu, gjakosët duart dhe dërrmuat kurrizin me punët më të rënda. Kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e turpit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri. Shumë ndër ju ndërruat emrat që ju kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentet e punës dhe regjistruar fëmijët në shkollë. Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmijën të mbytej në lot se kishte dalë më i miri në shkollë por nuk ju dha e drejta e ceremonisë së flamurit dhe faji i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dykrenare dhe nuk kishte lindur nën mbrojtjen e kryqit të bardhë. Por ja ku jeni. Ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat. Ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi por asnjë padrejtësi nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu”.

Pra në fjalimin e tij nga Athina përpara shqiptarëve, Kryeministri Edi Rama ka përmendur sakrificat me të cilat janë përballur emigrantët kur shkuan për herë të parë në Greqi në vitet ’90. Kreu i qeverisë shqiptare foli për ndërrimin e emrave, punët e rënda për pronarët grekë, janë përballur me paragjykimet, e madje janë nxjerrë dhe nga shtëpitë e tyre. Kryeministri i Shqipërisë nuk foli si një politikan që ka “frikë” nga “fqinji” por duke e vendosur veten si një komentator politik që ia vlen të merret seriozisht kur bëhet fjalë për teorinë e luftës së drejtë dhe gjeopolitikën e fqinjësisë së mirë, Rama i afrohet temës së tij. Por ndërsa Aristoteli rekomandon që folësi të kalojë te logot (ose të tërheqë arsyen e audiencës duke ndërtuar argumente logjike), Rama e shmang këtë sfidë. Në vend të kësaj, ai hidhet drejt e në patos, ose praktikën e tërheqjes ndaj emocioneve të audiencës. “Ju arritët të mos jeni më të huaj në këtë vend. Ju i bëtë vetes vendin tuaj në shoqërinë greke duke fituar respektin e punëdhënësit dhe dinjitetin e njeriut të lirë në një vend demokratik. Ju erdhët, luftuat, fituat. Dhe mos e harroni kurrë: Me ligj dhe me zakon Greqia është sot edhe e juaja po aq sa ç’është e vetë grekëve. Bashkë me grekët ju shqiptarët jeni europianët e Greqisë. Ju ktheheni edhe në Shqipëri ku keni mbajtur gjithë këto vite me ndihmën tuaj financiare prindërit e moshuar, vëllezërit, dhe ku keni nisur dhe të investoni kursimet tuaja.”

Ai më pas e përzien këtë me një etikë pak më të mbushur me ego: “Unë e di, jo të gjitha dallimet janë sheshuar përgjithnjë për të gjithë, e di që jo gjithnjë gjërat shkojnë si duhet, e di që fantazmat e paragjykimeve shfaqen tek-tuk përmes ndonjë goje apo ndonjë dore të së shkuarës në rrugën tuaj të hapur me forcën e shembullit, por di që koha juaj nuk kthehet më kurrë mbrapsht. Jo vetëm shoqëria greke, pjesa më e madhe e së cilës, u bë mbështetja juaj qysh në fillim të odisesë tuaj heroike, por edhe politika greke. Vendimmarrësit e këtij vendi sot e kanë të plotë vetëdijen se Greqia ka nevojë për ju njësoj siç ju keni nevojë për Greqinë. Greqia dhe shqiptarët e Greqisë janë bërë të pazëvendësueshëm për njëri-tjetrin.”

Kryeminstri i Shqipërisë, me një shprehje  të ekzagjeruar, më pas thotë: “Kufijtë mes vendeve tona kanë qenë gjithnjë politikë. Asnjë ndarje artificiale nuk e zhbën dot një të vërtetë të madhe të rëndë historike e cila është e shenjuar në kujtesën tonë të përbashkët kolektive. Kjo e vërtetë është se kultura jonë e përbashkët mesdhetare e ballkanike është plazmuar shumë kohë përpara se sa të lindnin shtetet tona”.

Kjo është, nga fillimi në fund, muzikë për veshët e Fushatës. Në rastin konkret duket si një orkestër që ka zhurmë dhe prezencë masive, por në të vërtetë është një gricje me arsyen e lartcituar. Dhe Edi Rama e bëri atë një situatë të favorshme, të duartrokitur, në një kohë me mjegull të qartë në lidhje me problemet që dihen në marrëdhëniet e sotme mes fqinjëve të qeverisjes aktuale. Si e arriti këtë? Duke ngopur mediat sociale dhe mediat e trashëguara njësoj me fjalët e tij që realizuan emocionet e pamjeve të njerëzve emigrantë që vuajnë, kombinuar me dënimin e demokracisë së vetme në kufirin Shqipëri Greqi të fill pas nëntëdhjetës.

A keni menduar ndonjëherë pse nuk u shfaq ndonjë pakënaqësi apo ndonjë qasje ndryshe? Përgjigja është se në plan të parë në atë sallë orkestra politike e Tiranës vuri Flamurin Kombëtar, dhe salla u skuq. Kush mund të dilte ndryshe përballë Flamurit Kombëtar? Tjetra është se një orkestër e tillë thuhet se censuron të gjitha pamjet që dalin nga salla të tilla. Fakti që të gjithë lapsashtrënguarit e asaj salle dhe të gjithë transmetuesit e tjerë dështojnë të informojnë lexuesit dhe shikuesit e tyre për këtë fakt është i turpshëm në vetvete. Por objektivat e orkestrës së ngritur të Rilindjes janë të qarta: ai po përpiqet të zgjojë emocionet e njerëzve kundër një udhe të vështirë të tranzicionit në mënyrë që të errësojë të vërtetën ku kaloi ky popull, këta emigrantë, që është se sot brezi i dytë po lufton për një jetë më ndryshe, akoma më të mirë se baballarët që jetuan thjesht në mbrojtje dhe në kërkim të lirisë së fëmijëve. Kushdo me mendje të shëndoshë e di se gratë dhe burrat shqiptarë nuk po i dërgojnë më fëmijët  e tyre maleve për të rrezikuar jetën e tyre në përpjekje për një jetë më të mirë, por ata tashmë kanë ndërgjegjen ndryshe, ose atë që tashmë dihet publikisht. Por shikoni mjaft filmime të fëmijëve shqiptarë të lënë pa Gjuhën Shqipe dhe është e vështirë të kujtosh se ajo sallë e kuptoi njëqind përqind atë që u tha e jo më pastaj të mbash të vërtetën si të vertëtë emocionale pas kësaj të vërtete.

52 views6 comments

6 Comments


Vanghea Steryu

Urime d-ne Terziu!

Like


Xhevat Mustafa

Analizë prej publicisti, studiusi, poeti elitar! Por edhe prej një intelektuali dhe qytetari PERËNDIMOR! URIME, MIKU IM!

Like

Halil Rama: Pergezime mjeshter i fjales. Nje analize perfekte, e ftohte....sic di ti krresh vetem ti....taman"vesh per fushaten e ardhshme te PS...Ju sugjeroj t'ja dergosh Vali Madanit ta botoje ne "Panorama".. Te fala e perqafime Halili

Like

Rexhep Shahu: Me pelqeve shume Fatmir, ti shkruan bukur miku im

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page