Fatmir Terziu: Hamit Gurguri, shkrimtari me vlera, midis Kosovës dhe Suedisë
- Jan 25
- 7 min read

Hamit Gurguri, shkrimtari me vlera, midis Kosovës dhe Suedisë
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Kam pasur fatin të shtrengoj duart me të në Borås të Suedisë. Dhe jo vetëm kaq, por të ndjej urtësinë e një njeriu fisnik, butësinë e fjalës, temperamentin e mikpritjes, dhe vlerën e traditës. Të ndjej dhe të shijoj bisedën, atë që të shpie tek historia, kultura, tradita, gjeografia, trashëgimia, heroizmi, patriotizmi, letërsia, krijimtaria. E ky është Hamit Gurguri, shkrimtari me vlera, midis Kosovës dhe Suedisë. Hamit Gurguri përfaqëson një nga figurat më domethënëse të letërsisë shqipe bashkëkohore në hapësirën e Suedisë, një shkrimtar që ka ditur ta shndërrojë përvojën personale të mërgimit në një narrativë të gjerë kulturore, historike dhe identitare. I lindur në vitin 1949 në fshatin Godanc të Drenicës, një trevë me peshë të veçantë historike dhe simbolike për Kosovën, Gurguri mbart në krijimtarinë e tij jo vetëm kujtesën e vendlindjes, por edhe tensionet, plagët dhe shpresat që shoqërojnë udhëtimin e njeriut shqiptar midis vendit të origjinës dhe botës së re ku ai vendoset.

Formimi i tij arsimor, i nisur në Kosovë dhe i përmbyllur me studimet në Fakultetin Juridik në Osijek të Kroacisë, i ka dhënë një bazë të fortë analitike dhe një ndjeshmëri të theksuar ndaj çështjeve të drejtësisë, padrejtësisë, pushtetit dhe fatit njerëzor. Këto elemente nuk mbeten vetëm në sfond, por shndërrohen në shtylla tematike të veprës së tij letrare. Sot, me një opus prej mbi 50 librash të botuar në tri gjuhë dhe me tetë romane të shkruara drejtpërdrejt në gjuhën suedeze, Hamit Gurguri është një zë i konsoliduar, jo vetëm i letërsisë shqiptare, por edhe i dialogut kulturor ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.

Botimi i fundit i romanit “Hasan Agaj e Petrusha” vjen si një dëshmi e vazhdimësisë krijuese të autorit, i cili edhe pas një rruge të gjatë letrare, nuk resht së kërkuari forma të reja shprehjeje dhe këndvështrime të reja narrative. Lista e veprave të tij, që nga Kah Guri i Plakës, Flatrat e Lirisë, Kalaja e Pakryer, Burrëreshat, Himni i Shotës, e deri te Dhuratë nga Londra, 99 vjet rrugëtim dhe Gishti mbi Ohër, përbën një hartë të gjerë tematike ku ndërthuren historia, miti, dashuria, dhimbja, mërgimi dhe kujtesa kolektive. Në qendër të krijimtarisë së Gurgurit qëndron ideja e kulturës fluide, një koncept që e sheh identitetin jo si një thelb të ngurtë e të pandryshueshëm, por si një proces të vazhdueshëm lëvizjeje, përshtatjeje dhe riformësimi. Personazhet e tij janë udhëtarë në kuptimin më të thellë të fjalës: ata lëvizin në hapësirë dhe kohë, por mbi të gjitha lëvizin brenda vetes, midis kujtesës dhe harresës, midis përkatësisë dhe tjetërsimit. Udhëtimi, te Gurguri, nuk është thjesht një rrugë lineare nga pika A në pikën B, ai shndërrohet në bredhje, në aventurë të paparashikueshme, ku qëllimi shpesh humbet, por kuptimi lind pikërisht nga kjo humbje.
Romani “99 vjet rrugëtim” është një shembull domethënës i kësaj qasjeje. I nisur me vrasjen e konsullit rus në Manastir, ai hap një narrativë të gjerë historike ku fati individual ndërthuret me përplasjet e mëdha të perandorive dhe ideologjive. Në krahun tjetër, romani “Nish, Jerusalemi im”, i shkruar nën shtysën simbolike të një busti bronzi të Perandorit Konstantin, e zhvendos rrëfimin nga Londra e vitit 2013 në thellësitë tragjike të historisë ballkanike, duke ndriçuar fatin e shqiptarëve të Nishit dhe duke e shndërruar dashurinë e Sofisë dhe Moninit në një metaforë të qëndresës njerëzore përballë dhunës, urrejtjes dhe shfarosjes.

Kritika e ka vlerësuar këtë roman si një pasqyrë të një kohe në ndërrim të perandorive, me gjithë tragjeditë dhe sakrificat e saj, por edhe si një dëshmi të fuqisë së dashurisë që i reziston errësirës së historisë. Stili i qartë, i rrjedhshëm dhe i kuptueshëm për lexuesin e gjerë e bën prozën e Gurgurit të komunikueshme, pa humbur thellësinë filozofike dhe ngarkesën emocionale. Një tjetër vepër domethënëse, “Dhuratë nga Londra”, e vendos rrëfimin në Toplicë, hapësirë e kujtesës së autorit dhe e prejardhjes së mbiemrit të tij. Dashuria mes Danit, një studenti shqiptar, dhe Darës, një vajze serbe, shndërrohet në një provë të guximit për të kapërcyer paragjykimet etnike, fetare dhe kulturore. Kjo dashuri, e rritur në rrethana të vështira, arrin të triumfojë jo si një ideal romantik i thjeshtë, por si një akt i vetëdijshëm rezistence ndaj urrejtjes dhe dhunës së kohës. Në këtë roman, Gurguri e shtyn diskursin identitar përtej ndarjeve binare serb–shqiptar, duke krijuar hapësira të përziera ku identiteti nuk mohohet, por as nuk shndërrohet në armë. Rrëfimi i Darës, që humb djalin nga duart e paramilitarëve serbë, është një nga momentet më të forta të prozës së tij, sepse aty dhimbja personale shndërrohet në një mesazh universal mbi pafajësinë e viktimës dhe absurditetin e krimit. Ky pasazh nuk synon hakmarrjen, por mbijetesën morale, duke e vendosur njeriun mbi përkatësinë.
Në këtë kuptim, krijimtaria e Hamit Gurgurit lidhet natyrshëm me diskursin teorik të identitetit si proces, ashtu siç e kanë konceptuar Stuart Hall, Édouard Glissant apo James Clifford. Identiteti, në veprën e tij, është rizomatik, ai ka rrënjë të shumëfishta, lëviz, ndeshet me rrënjë të tjera dhe krijon forma të reja përkatësie. Shtëpia nuk është thjesht një vend i lënë pas, por një pikë referimi shpirtërore që udhëton bashkë me njeriun dhe riformësohet në kontakt me kultura të tjera.

Letërsia e Gurgurit, ashtu si ajo e disa shkrimtarëve të tjerë të diasporës shqiptare, e shndërron përvojën e mërgimit në një pasuri narrative. Kultura e udhëtimit bëhet kulturë diasporike, një hapësirë ku kujtesa, historia dhe përvoja personale ndërthuren për të krijuar risi estetike dhe tematike që më herët mungonin në letërsinë shqipe. Kjo krijimtari nuk e sheh tranzicionin kulturor si një humbje, por si një mundësi për vetë-reflektim, për rishikim të thelbësores dhe për ndërtim urash komunikimi ndërmjet kombeve.
Në vazhdim, dua të theksoj, Hamit Gurguri mbetet një shkrimtar me vlera të qëndrueshme, një autor që ka ditur ta shndërrojë jetën midis Kosovës dhe Suedisë në një laborator letrar ku identiteti, kujtesa dhe dashuria testohen, sfidohen dhe rindërtohen. Vepra e tij është dëshmi se kultura nuk është statike, por një organizëm i gjallë që lëviz, përshtatet dhe mbijeton, ashtu si njeriu që e krijon atë. Edhe botimi i “Hasan Agaj e Petrusha” flet për një vazhdimësi të bukur letrare, për një zgjim dhe përjetësim të asaj që u duhet brezave, kulturave dhe asaj më të rëndëishmes si urë lidhëse midis dy vendeve, Kosovës dhe Suedisë edhe në këtë kohë kur leximi i librit, duket disi i reduaktuar.
Duke vijuar këtë bosht interpretues, romani më i ri i Hamit Gurgurit, “Hasan Agaj e Petrusha”, shfaqet si një gur themelor i radhës në ndërtimin e këtij universi narrativ ku historia, kujtesa dhe identiteti ndërthuren në mënyrë organike. Ky roman nuk vjen si një shkëputje nga tematika e mëparshme e autorit, por si një thellim i saj, një përqendrim më intim dhe më dramatik mbi fatin e individit të vendosur përballë rrymave të mëdha historike dhe kulturore. Në qendër të romanit qëndron figura e Hasan Agajt, një personazh që mbart brenda vetes peshën e traditës, nderit, qëndresës dhe dhimbjes kolektive shqiptare, por edhe brishtësinë njerëzore që lind nga përplasja me kohën. Petrusha, në anën tjetër, nuk është thjesht një figurë femërore në funksion të rrëfimit, por një simbol i dashurisë, sakrificës dhe ndërmjetësimit midis botëve të ndryshme shpirtërore dhe kulturore. Marrëdhënia e tyre ndërtohet mbi tensione të heshtura, mbi kufij të padukshëm socialë, historikë dhe moralë, duke e shndërruar romanin në një hapësirë reflektimi mbi atë se çfarë do të thotë të mbijetosh si njeri në kohë të vështira.
Ashtu si në veprat e mëparshme, edhe këtu Gurguri e përdor narrativin e udhës dhe të kalimit, por në një formë më të përbrendësuar. Udhëtimi nuk është gjithmonë gjeografik; shpesh ai ndodh brenda ndërgjegjes së personazheve, në përballjen e tyre me fajin, me heshtjen, me humbjen dhe me kujtesën. Hasan Agaj nuk është hero në kuptimin klasik, por një figurë liminale, e vendosur mes detyrimit ndaj së shkuarës dhe nevojës për të mbijetuar në të tashmen. Kjo e bën romanin të lexueshëm si një metaforë të fatit të shqiptarit ballkanik, i cili shpesh jeton në prag, as plotësisht “këtu”, as plotësisht “atje”.

Tek “Hasan Agaj e Petrusha”, diskursi i kulturës fluide merr një formë më të ngjeshur emocionale. Identiteti nuk paraqitet si një deklaratë e drejtpërdrejtë, por si një proces i vazhdueshëm negocimi. Personazhet nuk e artikulojnë gjithmonë përkatësinë e tyre; ajo lexohet në gjestet, në heshtjet, në zgjedhjet e vështira që bëjnë. Kjo qasje e vendos romanin në një linjë të drejtpërdrejtë me teoritë bashkëkohore mbi identitetin si prodhim diskursiv, ku kuptimi nuk është i dhënë njëherë e përgjithmonë, por lind në marrëdhënie me tjetrin dhe me rrethanat historike. Një element i veçantë i këtij romani është mënyra se si Gurguri trajton kujtesën. Kujtesa nuk është nostalgjike, as idealizuese, ajo është shpesh e dhimbshme, e copëzuar, e mbushur me boshllëqe. Pikërisht këto boshllëqe e bëjnë rrëfimin të fuqishëm, sepse aty lexuesi ftohet të reflektojë, të plotësojë, të ndërtojë kuptime. Në këtë sens, romani funksionon si një hapësirë dialogu mes tekstit dhe lexuesit, duke e çliruar narrativin nga çdo tendencë didaktike.
Në vijimësi me “Dhuratë nga Londra” dhe “Nish, Jerusalemi im”, edhe “Hasan Agaj e Petrusha” e konfirmon Hamit Gurgurin si një shkrimtar të kujtesës dhe të kalimit. Ai nuk shkruan thjesht për të rrëfyer histori, por për të ruajtur fragmente të një përvoje kolektive që rrezikon të humbasë. Letërsia e tij bëhet kështu një formë rezistence kulturore, një mënyrë për të mos lejuar që harresa të fitojë mbi përvojën njerëzore.
Në përmbyllje, romani më i ri i Gurgurit dëshmon se krijimtaria e tij është ende në lëvizje, ende e hapur ndaj sfidave të reja narrative dhe filozofike. “Hasan Agaj e Petrusha” nuk është vetëm një vazhdimësi tematike, por një pjekuri e re artistike, ku fjala bëhet më e përmbajtur, simboli më i dendur dhe mesazhi më universal. Në këtë mënyrë, Hamit Gurguri e forcon edhe më tej profilin e tij si shkrimtar i urave kulturore, një autor që e ka kthyer jetën midis Kosovës dhe Suedisë në një përvojë letrare me vlerë të qëndrueshme për letërsinë shqipe dhe më gjerë.









I nderuar .Z.Fatmir Terziu!Lexova me shumë vemendje shkrimin që ju beni për krijusit shqiprar ku do që ata jetojn I lumt poetit Z.Hamit Gurguri për frymzimin e tijë krijusNë artin letrarë frymzus për brezat në art letersi e Histori suksese Bacit Hamit ! Vlla Fatmir Terziu !Ju përgëzoj sukseseRespekt
Të faleminderit, Fatmir! Ju përshëndesim shumë!
Mirëmengjes i nderuar vlla Fatmir ju uroj spari të jeni mirë ju e motra me engjujt e familjet e juaja . Lexiva me shumë vemendje përshkrimin tuaj për Bac Hamit Gurguri ju pergëzoj. Shkrova një koment po ne linkun spo e shof se di eka dergu te sakt se unë jam shum mbrapa me teknologji se po merrem vetem me. Qendisje . Respekt për ju familjarisht
Z. Fatmir Terziu, jeni vertete nje ze i njohur I gjuhes shqipe, me perkushtim dhe finese intelektuali. Ju shpalosni dhe promovoni vlerat e shkrimtareve shqiptare dhe kosovar duke analizuar thelle shkrimet publicistike dhe esete kritike... duke krijoni ura komunikimi mes letersise, kultures dhe lexuesit bashkekohor. Pena juan dallon qe jeni nje shkrimtare erudit.Suksese ne punen tuaj prof. Terziu! Suksese dhe mikut tuaj, autorit ,I cili perfaqeson nje ze te ndjeshem te letersise bashkekohore kosovare.Tek shkrimet e z. Hamit del qarte dashuria per atdheun dhe identitetin kombetare....Urime pafund per ju!